2023
Anëtarësimi në të Njëjtën Skuadër
Korrik 2023


“Anëtarësimi në të Njëjtën Skuadër”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2023.

Anëtarësimi në të Njëjtën Skuadër

Këto dy rivale shkolle u bënë shoqe për gjithë jetën.

Pamja
motra misionare

Fotografitë nga Jeffery Barker Edwards

Motrës Dili i kishin mbetur vetëm gjashtë javë nga misioni i saj në Australi kur mori vesh se do t’i kalonte ato javë të fundit duke shërbyer me Motrën Tuala!

“Kjo ishte gjëja e fundit që do të kisha dëshiruar”, – thotë Motra Dili.

Pamja
të reja me fanella basketbolli

Motra Dili dhe Motra Tuala kishin qenë ato që hapnin lojën për skuadrat më konkurruese të basketbollit të shkollave të tyre të mesme në Okland të Zelandës së Re. Ato ishte rivale. Ato shpesh luanin kundër njëra‑tjetrës në turnetë finale dhe kjo nuk ishte diçka e bukur.

“Për t’ju futur pak në brendësi”, – thotë Motra Tuala, “ne dilnim nga fusha me gërvishtje dhe mavijosje.”

Pamja
të reja duke luajtur basketboll

Motra Dili dhe Motra Tuala kaluan shumë kohë duke u trajnuar dhe luajtur basketboll. “Basketbolli ishte vetë jeta”, – thotë Motra Dili.

Pas diplomimit në shkollë të mesme, ato të dyja ndien nxitjen për të shërbyer në një mision, ndonëse asnjëra prej tyre nuk kishte ndier ndonjëherë më parë dëshirën për të shërbyer.

Bërja e Zgjedhjes për të Shërbyer

Për Motrën Tuala, u desh kohë që ta përputhte vullnetin e vet me vullnetin e Zotit. “Isha 21 vjeçe kur mora vendimin për të vepruar sipas nxitjes”, – thotë ajo. “Pak a shumë po e luftoja këtë gjë deri në momentin kur hipa në avion.”

Motra Tuala mbërriti në misionin e saj në Australi gjatë pandemisë së virusit COVID‑19 dhe, ndonëse ishte e vështirë, ajo është shumë mirënjohëse që vendosi të shërbente.

“Nuk e imagjinoj dot të qenit e njëjta Motër Tuala që isha kur isha 21 vjeçe. Ndiej se jam pjekur vërtet.”

Motra Dili pati një nxitje të “qartë dhe të drejtpërdrejtë” për të shërbyer në një mision kur mori bekimin e saj patriarkal. Pas njëfarë kohe, ajo vendosi të ndiqte nxitjen për të shërbyer sepse “vullneti i Zotit është gjithnjë udha e duhur dhe mundësia më e mirë”. Erdhi thirrja dhe ajo bëri gati valixhet për të shërbyer në Australi.

Anëtarësimi në të Njëjtën Skuadër … në Largësi

Fakti që Motra Dili dhe Motra Tuala shërbyen në të njëjtin mision, nuk do të thoshte se u bënë shoqe menjëherë. Pasi kishin qenë rivale për një kohë të gjatë, Motra Dili dhe Motra Tuala e kishin ende të vështirë ta shihnin njëra-tjetrën si diçka ndryshe.

Në fakt, ditën e parë që Motra Tuala pa Motrën Dili, një nga mendimet e saj të para ishte: “Nuk e di nëse duhet ta kem qejf atë”.

Pamja
motra misionare

Fundi i Konfliktit

Prandaj, kur Motra Tuala dhe Motra Dili u caktuan për të shërbyer së bashku, ishte pa dyshim e çuditshme.

Mendimet e tyre për njëra-tjetrën bazoheshin te mënyra se si luanin në fushën e basketbollit. Secila mendonte se tjetra ishte agresive, konkurruese dhe e paskrupullt.

Por gjërat filluan të ndryshonin ndërsa u njohën me njëra-tjetrën. Motra Dili e kuptoi se Motra Tuala është “krejt e kundërta” e mënyrës si ajo e kishte parë gjithmonë. “Në të vërtetë ajo është një person shumë i dashur, një nga shoqet më të dashura me të cilat kam shërbyer”, – thotë Motra Dili.

Motra Tuala pati një përvojë të ngjashme. Ajo nuk e kishte kuptuar se ndjenjat e saj të rivalitetit kundrejt Motrës Dili kishin qenë “një konflikt krejt i pavetëdijshëm” në jetën e saj.

Pamja
motra misionare

Këto ndjenja negative konflikti dhe gjykimi u zëvendësuan me dashuri dhe kuptueshmëri, ndërsa ajo filloi të shihte se kush ishte në të vërtetë Motra Dili. Dhe megjithëse Motra Tuala mendonte se Motra Dili ishte natyrë e heshtur, ajo zbuloi se “Motra Dili mund të fliste shumë po të donte!”

Në miqësinë e sapogjetur, Motra Dili dhe Motra Tuala e kuptuan se ndoshta në fund të fundit nuk kishin qenë kurrë vërtet kundërshtare.

“Në basketboll, në mendjen tënde krijon idenë se duhet të fitosh dhe se çdo skuadër tjetër është armike”, – thotë Motra Dili. “Dhe pastaj kur basketbolli mbaron, ti mendon: ‘Oh, ajo nuk është më armike. Ndoshta nuk ka qenë asnjëherë armike.’”

Tani, Motra Dili dhe Motra Tuala e kuptojnë se janë në të njëjtën “skuadër”, në skuadrën e Perëndisë.

Pamja
Jezu Krishti

Christ in the Midst [Krishti në Mes], nga Judith Mehr

Flijimi i Jezu Krishtit Është për Këdo

Të dyja motrat e ndien dorën e Perëndisë në caktimin e tyre si shoqe misioni dhe e dinë se fuqia e Shlyerjes së Jezu Krishtit i lejoi ato të përjetonin shërim dhe ndryshim.

“Jezu Krishti e bëri atë flijim në mënyrë që të gjitha këto gjëra që kanë shkuar keq në të kaluarën, të mund të shërohen, të ndreqen dhe të përmirësohen”, – thotë Motra Dili. “Ne mund të falim. Ne mund të harrojmë. Mund të bëjmë përpara dhe gjërat ndryshojnë.”

Jo vetëm që Motra Tuala dhe Motra Dili e zgjidhën konfliktin e tyre, por ato gjithashtu mësuan se si t’i shohin të tjerët siç i sheh Perëndia.

“Duke shërbyer si misionare dhe duke qenë në gjendje ta shoh shoqen e misionit dhe njerëzit e tjerë nga një këndvështrim tjetër, e kuptoj se historia e çdo personi ka rëndësi”, – thotë Motra Tuala. “Dhe të gjithë kanë nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit.”

Ato mësuan se ndonëse mund të jetë e vështirë, është e mundur që dy njerëz që dikur e shihnin njëri-tjetrin si kundërshtarë, të bashkohen nëpërmjet dashurisë.

“Nuk ka rëndësi mosha që keni ose përkatësia etnike”, – thotë Motra Tuala, “ose nëse jeni ateist apo besimtar.”

Pamja
motra misionare duke u lutur

“Në qoftë se unë mund të punoj së bashku me dikë me të cilën nuk kam pasur kurrë një marrëdhënie të shkëlqyer dhe të dyja ne bashkohemi për një qëllim themelor, atëherë edhe njerëzit e tjerë mund ta bëjnë këtë.”