“Afrohu te Forca e Tij”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Rreth Këtij Botimi të Veçantë
Afrohu te Forca e Tij
Në Ungjillin sipas Markut, ne lexojmë për një grua që kishte vuajtur fizikisht për 12 vjet. Dikush i tregoi asaj për Jezusin. Prandaj, kur Ai erdhi në qytetin e saj, ajo u ul buzë udhës, duke pritur. Kur Ai kaloi pranë, ajo u afrua në heshtje për të prekur cepin e rrobës së Tij.
U shërua menjëherë. Por ajo nuk ishte e vetmja që e vuri re mrekullinë; Jezusi e vuri re gjithashtu. “Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: ‘Kush m’i preku rrobat?’” (Marku 5:30.) Fuqi gjithashtu mund të nënkuptojë forcë. Jezusi menjëherë e dinte se dikush kishte marrë forcë prej Tij. Reagimi i Tij në çast ishte që ta gjente atë, të fliste me të dhe t’i kujtonte asaj për fuqinë e besimit. Ai e quajti atë “bijë”. Nëpërmjet Atij, ajo u shërua.
Kam mësuar se një lutje për forcë kurrë nuk shkon pa marrë përgjigje. Në qoftë se i afrohemi Atij, Ai “pran’ [na] afrohet” (shih te Himne, nr. 67). Secili artikull në revistën e këtij muaji është një kujtues i kësaj të vërtete.
Në broshurën Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve, Presidenca e Parë na mëson se “Shpëtimtari … është ‘forca e rinisë’” ([2022], f. 2). Ndoshta pyet veten se si ta marrësh atë forcë. Është shpresa ime që do të gjesh diçka brenda këtyre faqeve që do të të bëjë t’i afrohesh Atij.
Hulumtoji këto faqe. Kërko fjalë shprese, gjej një shkrim të shenjtë për forcën, shkruaj nxitje që kanë lënë një mbresë në zemrën tënde. Nëpërmjet Jezu Krishtit, edhe ti do të shërohesh.
Me shumë dashuri,
Emili Bell Friman
Presidente e Përgjithshme e Të Rejave