Për Forcën e Rinisë
Ndryshimi Pozitiv që Mund të Sjellë Hiri i Krishtit
Mars 2024


“Ndryshimi Pozitiv që Mund të Sjellë Hiri i Krishtit”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.

Forcë për të Mposhtur Mëkatin

Ndryshimi Pozitiv që Mund të Sjellë Hiri i Krishtit

Kur e kuptojmë se hiri i Shpëtimtarit nuk fitohet dhe se hiri është gjithmonë në dispozicion, gjëra të mahnitshme mund të ndodhin në jetën tonë.

i ri në një labirint

Ilustrimet nga Jarom Vogeln

Kur shërbeva si peshkop, ishte mahnitëse të shihja lehtësimin që ndienin të rinjtë e të rejat kur takoheshin me mua për të rrëfyer një mëkat si pjesë e pendimit të tyre. Prapëseprapë, nuk mund të mos e vija re një model të përsëritur: të rinj e të reja që do të rrëfeheshin, ndiheshin më mirë dhe më pas, pavarësisht nga synimet e tyre më të mira, do të gabonin përsëri. Më pas ata do të rrëfeheshin, ndiheshin më mirë dhe do të gabonin përsëri. Pas tri ose katër herësh përgjatë atij cikli, ata shpesh dorëzoheshin.

Isha mirënjohës që këtyre të rinjve e të rejave u ishte dhënë mësim se Jezu Krishti, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, u ofron një shans për t’u penduar dhe për ta filluar sërish. Sidoqoftë, shqetësohesha që ndoshta ata nuk kuptonin sa duhej rreth një bekimi tjetër që ofron Shpëtimtari: Hirin e Tij, fuqinë aftësuese1, ndihmën hyjnore dhe “dhurimi[n e] forcës, me anë të të cilave ne rritemi nga qeniet me të meta dhe kufizime që jemi tani, në qenie të ekzaltuara”2.

Vendosa që të jepja mësim më qartësisht, sikurse ka dhënë mësim Presidenti Rasëll M. Nelson, se “pendimi … është një proces”3 që shpesh kërkon kohë dhe përpjekje të përsëritur.4 Doja që anëtarët e lagjes sime të dinin se Perëndia takohet me ne atje ku jemi dhe na ofron hir për të na ndihmuar gjatë tërë procesit të përsosjes, pavarësisht nga sa kohë kërkon ai.

Si të Ndihmon të Kuptuarit e Hirit

Disa vjet më parë, një studim që përfshiu mbi 600 të rinj e të reja në moshë madhore në Universitetin “Brigam Jang”, tregoi se ata që dinin për hirin dhe e kuptonin atë, raportuan nivele më të ulëta depresioni, ankthi, turpi dhe manie për përsosuri.5 Një studim pasues tregoi se një bindje për hirin ishte e lidhur me nivele më të larta mirënjohjeje, vetëvlerësimi, domethënieje në jetë, kënaqjeje me jetën dhe optimizmi.6

Me fjalë të tjera, njerëzit ndiejnë më pak turp dhe më shumë vetëvlerësim kur e kuptojnë se hiri është në dispozicion pikërisht këtu dhe pikërisht tani, jo pasi ta fitojmë ose ta meritojmë atë. Kur e dimë se Perëndia na ndihmon pavarësisht nga ajo që kemi bërë ose sa shumë herë ndihemi se e kemi zhgënjyer Atë, ne ndihemi të frymëzuar që të vazhdojmë të përpiqemi.7

“E Kam Zhgënjyer Atin Qiellor”

Kohët e fundit një misionar u dëmtua gjatë një aktiviteti sportiv në ditën e përgatitjes dhe u dërgua në shtëpi që të shërohej. Ai kishte synime të mëdha për të marrë ndihmën fizike që i nevojitej dhe më pas të kthehej në misionin e vet. Gjithsesi, vetëm fakti që kaloi shumë kohë të pastrukturuar, shpejt e çoi drejt një kthimi në zakonet e vjetra.

Ai u përfshi në mëkatin për të cilin mendonte se ishte penduar dhe e kishte hedhur pas përpara misionit të vet. Ishte i shkurajuar dhe i nevrikosur rreth mungesës së vetëkontrollit. Sa më i dëshpëruar që bëhej, aq më shumë kërkoi që të kthehej tek ato zakone të këqija. Ishte një cikël në rënie që me të shpejtë nuk po e çonte asgjëkund.

“E ndiej se e kam zhgënjyer Atin Qiellor” – i tha i riu udhëheqësit të tij të priftërisë. “U pendova për këtë më parë dhe Perëndia më fali. Premtova se kurrë nuk do ta bëja përsëri dhe prapëseprapë ja ku jam sikur të mos isha penduar kurrë më parë. Nuk e meritoj faljen ose ndihmën e Perëndisë. As tani. As kurrë.”

Udhëheqësi i tij i priftërisë tha: “Atëherë a nuk je i gëzuar të dish se hiri është një dhuratë? Nuk të duhet ta fitosh ose ta meritosh atë. Thjesht të nevojitet të zgjedhësh që ta marrësh atë duke qenë i gatshëm që të vazhdosh të përpiqesh dhe të mos heqësh dorë.”8 Udhëheqësi më pas i tha këto fjalë të Plakut Nil L. Andersen, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve: “Herë pas here ne mund të bëjmë të njëjtat gabime, por le të kthehemi shpejt dhe me përulësi në gjunjë dhe të shkojmë sërish në drejtimin e duhur”9.

i ri duke u larguar nga një labirint

Edhe një herë, i riu u kthye drejt qiellit dhe Shpëtimtari ishte atje për ta ndihmuar. Jo vetëm që u shërua plaga e të riut, por po ashtu u shërua zemra e tij. Me një synim të vogël një e nga një dhe me hirin e bërë të mundur nga Jezu Krishti, ai filloi të përmirësohej. Shpejt ai u kthye në misionin e vet plot mirënjohje, vlerësim për vetveten, një ndjesi domethënieje, kënaqjeje me jetën dhe optimizmi. Ky është ndryshimi që mund të sjellë hiri i Krishtit.

Shënime

  1. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  2. Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, konferenca e përgjithshme e prillit 2015 (Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 107); shih edhe te 2 Nefi 2:6; Jakobi [LiM] 4:7. Presidenti Rasëll M. Nelson ka thënë: “Zoti nuk kërkon besim të përsosur që ne të kemi të drejtën e përdorimit të fuqisë së Tij të përsosur” (“Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, konferenca e përgjithshme e prillit 2021 [Liahona, maj 2021, f. 102]).

  3. Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, konferenca e përgjithshme e prillit 2019 (Ensign ose Liahona, maj 2019, f. 67).

  4. Shih te Mosia 26:30; Moroni 6:8; Doktrina e Besëlidhje 1:31–32.

  5. Shih te Daniel K. Judd, W. Justin Dyer dhe Justin B. Top, “Grace, Legalism, and Mental Health: Examining Direct and Mediating Relationships”, Psychology of Religion and Spirituality, vëll. 12, nr. 1 (shkurt 2020), f. 26–35; shih edhe te Daniel K. Judd dhe W. Justin Dyer, “Grace, Legalism, and Mental Health among the Latter-day Saints”, BYU Studies, vëll. 59, nr. 1 (2020), f. 5–23.

  6. Shih te Justin Brent Top, “Grace, Legalism, and Life Outlook in LDS Students”, disertacion për doktoraturë, 14 maj 2021, scholarsarchive.byu.edu/etd/9505.

  7. Shih te D. Tod Kristoferson, Konferenca e përgjithshme e tetorit 2014 (Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f. 19).

  8. Shih te Stiven J. Land, “Fuqia që Ne e Quajmë Hir”, Për Forcën e Rinisë, korrik 2022, f. 13.

  9. Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness (2019), f. 208.