Për Forcën e Rinisë
Përdore Forcën e Tij – Tani dhe Përgjithmonë
Mars 2024


“Përdore Forcën e Tij – Tani dhe Përgjithmonë”, Për Forcën e Rinisë, Mars 2024.

Forcë në të Gjitha Kohërat

Përdore Forcën e Tij – Tani dhe Përgjithmonë

Ti je i denjë për forcën dhe ndihmën e Jezu Krishtit.

i ri në një shkurre me gjemba

Ilustrimet nga Alex Nabaum

Përfytyro se po shëtit nëpër pyll dhe has një djalë të ri që është rrëzuar dhe ka rënë tërësisht i ngatërruar mes degëve të thata. Njëra nga degët është shumë e rëndë për ta ngritur i vetëm.

A e ndihmon? Apo fillimisht ulesh dhe përcakton a e meriton ai ndihmën tënde apo jo?

Sigurisht që ndihmon! Ideja se nuk do ta japësh ndihmën tënde derisa djali ta ketë merituar atë, mund të të duket edhe ty e pakuptimtë. Dhe prapëseprapë ne mendojmë në këtë mënyrë për veten tonë – përveçse, në këtë rast, ne jemi fëmija nevojtar.

Ti ia Vlen të Shpëtohesh

Pavarësisht nga mosha jote, ti je një fëmijë kundrejt Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. (Ti je, në fakt, një fëmijë i mirëfilltë i Atit Qiellor.) Dhe forca jote – fizike, emocionale, shpirtërore ose mendore – është një hiç kundrejt forcës së Tyre. Shumica prej nesh e kuptojnë atë koncept fare mirë. Por kur ne pengohemi për çfarëdo arsye, shumë shpesh e ndiejmë se nuk mund të shtrijmë dorën për ndihmë derisa ta kemi merituar atë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, në atë kohë Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, foli rreth shëmbëlltyrës së deles së humbur te Lluka 15.

“A ka nevojë delja të dijë se si ta përdorë një këndmatës të ndërlikuar për të llogaritur koordinatat e saj gjeografike?” – pyeti ai. “A ka nevojë të jetë në gjendje të përdorë një GPS për ta përcaktuar vendndodhjen e saj? A duhet të ketë njohurinë për të krijuar një program kompjuterik që të thërrasë për ndihmë? A ka nevojë delja për përkrahjen e një sponsori përpara se të vijë për ta shpëtuar Bariu i Mirë?

Jo. Sigurisht jo! Delja është e denjë për shpëtimin hyjnor thjesht ngaqë Bariu i Mirë e do atë.

Për mua, shëmbëlltyra e deles së humbur është një prej fragmenteve më shpresëdhënëse në të gjithë shkrimin e shenjtë.”1

Secili prej nesh mund të humbë për shumë arsye të ndryshme. Dhe për secilin prej nesh, ndihma hyjnore mund të jetë duke na kërkuar tashmë.

dora e Zotit e shtrirë drejt dorës së të riut në shkurren me gjemba

Ndihma Është Gjithnjë në Dispozicion

Ndihma është në dispozicionin tonë jo vetëm kur mëkatojmë, por edhe kur jetojmë në mënyrën më të mirë që mundemi. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Pyes veten nëse nuk arrijmë ta kuptojmë tërësisht këtë drejtim forcues të Shlyerjes në jetën tonë dhe gabimisht besojmë se duhet ta mbartim barrën tonë tërësisht të vetëm – përmes qëndresës tërësore, forcës së vullnetit dhe disiplinës e me aftësitë tona qartësisht të kufizuara.

Është një gjë që të dimë se Jezu Krishti erdhi në tokë për të vdekur për ne. Por ne gjithashtu duhet të vlerësojmë se Zoti dëshiron, nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, të na japë gjallëri – jo vetëm të na drejtojë, por edhe të na forcojë e shërojë.”2

Ti je i denjë për ndihmën e Tij. Pavarësisht nga shtegu ku ke ecur kohët e fundit, Jezu Krishti qëndron gati të ecë përkrah teje në vazhdim.

i riu dhe Jezu Krishti duke ecur larg degëve me gjemba