“T’i Ndihmojmë të Tjerët Thjesht dhe Fuqimisht që të Vijnë tek Krishti”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
T’i Ndihmojmë të Tjerët Thjesht dhe Fuqimisht që të Vijnë tek Krishti
Ti ke mënyra të panumërta për të shfaqur dashuri, për të treguar bindjet e tua fetare dhe për t’i ftuar të tjerët të vijnë te Jezu Krishti.
Një ditë gjatë vitit tim të dytë në shkollën e mesme, shoqja ime Nedra më pyeti: “Ras, përse nuk po vjen në seminar?”
Në atë kohë, prindërit e mi nuk po e frekuentonin kishën. Unë shkoja veç nganjëherë me shokët e mi; dhe nuk merrja pjesë në seminar. Ditën tjetër, shkova në seminar në 6:30 të mëngjesit. Që atëherë, shkova çdo ditë, edhe në mëngjeset dimërore të ftohta e me dëborë.
Gjërat që mësova në seminar ma prekën zemrën. Dëshmia ime u rrit teksa mësova më shumë rreth Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të rivendosur. Kjo më përgatiti që të shërbeja një mision në Angli dhe të vazhdoja një jetë të tërë shërbimi ndaj Zotit dhe Kishës së Tij.
Ftesa e Nedrës që unë të shkoja në seminar më ndihmon të kuptoj, në mënyrë më personale, se ka mundësi të panumërta për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë te Zoti Jezu Krisht. Në mënyra të thjeshta por të fuqishme, ti mund ta shfaqësh dashurinë tënde, t’i tregosh bindjet e tua fetare e t’i ftosh ata përreth teje që të përjetojnë gëzimin dhe paqen që sjell Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij.
Arrije ta Njohësh Shpëtimtarin
Për t’i ndihmuar vërtet të tjerët të vijnë tek Krishti, fillimisht ti duhet të kuptosh se cili është Ai. Jezu Krishti është Biri i Perëndisë dhe i vetmi që mund të jetë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës.
Vetëm Ai mund të jetonte një jetë të përsosur, të shlyente për mëkatet e tua, të merrte për ty gjithë ato “dhimbje dhe hidhërime dhe tundime” (Alma 7:11), dhe më pas të jepte jetën e Vet dhe ta merrte atë përsëri. Për shkak të Jezu Krishtit, të gjithë fëmijët e Perëndisë do të ringjallen sërish dhe mund të marrin bekimet e Tij më të çmuara e më të lavdishme.
Kur e kupton se cili është Shpëtimtari dhe se cili mund të jetë fati yt i përjetshëm për shkak të Tij, ti do të duash ta jetosh jetën tënde në atë mënyrë që e kënaq Atë. Dhe pa dyshim që e kënaq Atë kur ia shpall ungjillin e Tij, me fjalë e vepra, atyre me të cilët ndërvepron çdo ditë.
Ofro Ndihmë me Dashuri
Teksa arrin ta njohësh e duash Shpëtimtarin, do të dëshirosh ta ndjekësh Atë dhe mësimet e Tij më nga afër, përfshirë urdhërimin e Tij: “Ta doni njëri-tjetrin” (Gjoni 13:34).
Kur Amoni shkoi te lamanitët për të predikuar ungjillin, ai u ofrua që të ishte shërbëtori i mbretit Lamoni. Amoni tregoi dashuri dhe përkushtim të vërtetë kur i mbrojti delet e mbretit. Veprimet e Amonit ia zbutën zemrën mbretit Lamoni. Kur Amoni e dha mësim ungjillin, Shpirti e pushtoi mbretin Lamoni dhe ai u kthye në besim (shih tek Alma 17–19).
Të jesh një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit do të thotë t’i duash të afërmit porsi vetveten (shih te Mateu 22:36–40). Nëse ata e ndiejnë se ti i do dhe kujdesesh për ta, ka të ngjarë që të jenë më të gatshëm për të të lejuar t’ua tregosh ato gjëra që ti e di se janë të vërteta.
Gjej Kurajën për të Treguar
Nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Shpëtimtari e rivendosi priftërinë në tokë me gjithë ordinancat dhe besëlidhjet e nevojshme për përparimin tonë të përjetshëm. Sapo mesazhi i lavdishëm i Rivendosjes ta prekë zemrën tënde, ti do të duash ta shpallësh atë me zë të lartë që nga sipër çative! Duhet të jesh i përfshirë me zell në të treguarit e njohurisë së çmuar të ungjillit të rivendosur çdokujt. Më pëlqen shumë ta bëj këtë!
Disa mund të shqetësohen se të tjerët nuk do të jenë të interesuar apo nuk do ta pranojnë atë që ata u tregojnë. Po, kjo mund të ndodhë. Pasi Abishi vrapoi shtëpi më shtëpi duke u thënë njerëzve se fuqia e Perëndisë kishte zbritur te mbreti Lamoni dhe familja e tij, disa besuan, por shumë të tjerë zgjodhën të mos dëgjonin (shih tek Alma 19:17–31).
E pranofshin ose jo atë, dhurata më e madhe që mund t’i japësh ndonjëherë një miku ose pjesëtari të familjes, ose qoftë edhe një armiku, është ungjilli i Jezu Krishtit. Lutu për kurajë dhe më pas, kur të jetë e përshtatshme, tregoje atë që e di se është e vërtetë.
Bëj një Ftesë të Përzemërt
Ndërsa po shërbeja si president i Misionit të Kanadasë në Toronto, u erdha në ndihmë disa prej misionarëve të mi në mësimdhënien e një biznesmeni të shquar. Pas mësimit tonë, e ftova atë të lutej dhe t’i kërkonte Atit Qiellor nëse mesazhi ynë ishte i vërtetë.
“Unë nuk di si të lutem”, tha ai.
I thashë atij se gjithçka që duhej të bënte ishte të gjunjëzohej dhe thjesht t’i kërkonte Atit Qiellor që t’ia konfirmonte atij të vërtetën.
“Ti mund ta bësh këtë!” e inkurajova.
U gjunjëzuam bashkë dhe burri nisi të lutej. Kur mbaroi, ai tha: “Çfarë po ndodh? Nuk e kam ndier asnjëherë këtë më parë.”
“Kjo është mënyra se si Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve”, thashë unë. “Ti ke pyetur dhe Ai është përgjigjur.”
Unë u mësoj gjithnjë misionarëve dhe anëtarëve kudo në botë se kthimi në besim fillon me atë që njerëzit ndiejnë. Kur i fton të tjerët ta dëgjojnë ungjillin, ftoji gjithashtu që të luten dhe të kërkojnë ta ndiejnë të vërtetën në zemrën e tyre. Nëse ata do t’i kërkojnë Perëndisë (shih te Jakob [Bibël] 1:5) me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë dhe besim tek Krishti, ata mund të marrin një konfirmim për të vërtetën nga fuqia e Frymës së Shenjtë (shih te Moroni 10:4–5). Është emocionuese dhe e gëzueshme që t’i ndihmosh të tjerët ta zbulojnë të vërtetën për vete.
Kujto se Çdo Shpirt Është i Çmuar
Ti nuk e di asnjëherë se çfarë do të ndodhë kur t’i ndihmosh të tjerët të vijnë tek Krishti duke dhënë dashuri, treguar dhe ftuar. Për shembull, lamanitët dukej sikur ishin njerëzit me më pak gjasa për ta pranuar ungjillin, por ata u kthyen aq fort në besim saqë “nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre” (Alma 23:6–7).
Nuk duhet të presësh këtë rezultat sa herë që e shpërndan ungjillin. Por thjesht dhe fuqimisht, ti mund të dëshmosh për të vërtetën dhe të ndihmosh më shumë fëmijë të Atit Qiellor që ta njohin ungjillin e rivendosur.
Kur ta kuptosh se sa i çmuar është secili prej fëmijëve të Atit Qiellor për Të, do të duash të bësh gjithçka mundesh për t’i ndihmuar të tjerët të vijnë tek Krishti dhe të hyjnë në dritën e ungjillit të Tij dhe në shtegun e pavdekësisë e jetës së përjetshme.
Çfarë përvoje tjetër më të madhe sesa kjo mund të kesh në jetë?!