Për Forcën e Rinisë
Jam i Stresuar! Po Tani Çfarë?
Mars 2024


“Jam i Stresuar! Po Tani Çfarë?”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.

Forcë në Kohë Stresi

Jam i Stresuar! Po Tani Çfarë?

Këtu janë disa ide për të të ndihmuar të përfitosh nga fuqia e Shpëtimtarit për lehtësimin e stresit.

një e re që ndihet e stresuar

Ilustrimet nga Uran Duo

Stres. Ankth. Sforcim. Trysni. Shqetësim. Merak.

Çfarëdo ta quash, kjo ka qenë pjesë e vdekshmërisë që nga koha kur Adami dhe Eva u larguan nga Kopshti. Nuk ka formulë për një “jetë pa stres”. Në fakt, një jetë e atillë do ta prishte qëllimin! (Shih te 2 Nefi 2:11–12.)

Ngaqë nuk mund ta eliminojmë tërësisht stresin, ne duhet të përqendrohemi te mënyra se si ta trajtojmë atë. Shumica e burimeve të stresit mund të ndahen në dy kategori:

  1. Gjëra që mund t’i kontrollosh.

  2. Gjëra që nuk mund t’i kontrollosh.

1. Gjëra që Mund t’i Kontrollosh

Për vite të tëra, shumë njerëz të besimeve të tjera fetare kanë gjetur ngushëllim në recitimin e asaj që njihet si “Lutja e Qetësisë”: “Perëndi, më jep qetësinë që të pranoj gjërat që nuk mund t’i ndryshoj, guximin që të ndryshoj gjërat që mund t’i ndryshoj dhe urtësinë për të ditur dallimin”1.

Profeti Jozef Smith u dha shenjtorëve të hershëm një këshillë të ngjashme për trajtimin e sfidave të tyre të shumta: “Si rrjedhim, vëllezër shumë të dashur, le të bëjmë me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë tonë; dhe atëherë qëndrofshim të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet” (Doktrina e Besëlidhje 123:17; theksimi i shtuar).

Me fjalë të tjera: Bëj gjithçka mundesh dhe lëre Perëndinë ta marrë drejtimin. Përqendrohu te gjërat që mund t’i kontrollosh, të tilla si:

i ri me shtigje të degëzuara përpara tij

Zgjedhjet e tua vetjake

Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne jemi “bërë të lirë përgjithmonë, duke ditur të mirën nga e keqja; të veproj[m]ë për veten [tonë] dhe të mos detyrohe[mi] të veproj[m]ë” (2 Nefi 2:26). Ne duhet të jemi “të përfshi[rë] me zell” në bërjen e gjërave të mira (Doktrina e Besëlidhje 58:27).

tri fytyra që tregojnë sjellje të ndryshme

Sjellja jote

Poetja amerikane Maja Angelu shkroi: “Çfarë supozohet të bësh kur nuk të pëlqen një gjë, është që ta ndryshosh atë. Nëse nuk mund ta ndryshosh atë, ndrysho mënyrën se si mendon për të.”2 Kërko pozitiven te njerëzit dhe situatat. Ktheji punët e shtëpisë në lojëra. Zhytja në keqardhje për veten lidhur me sa shumë e urren një situatë, nuk do ta bëjë atë më të mirë.

i ri duke medituar qetësisht

Përgjigjja jote ndaj gjërave që nuk mund t’i kontrollosh

Nuk mund t’i parandalosh uraganet, por mund t’u kushtosh kohë, t’u japësh para ose të punosh për të ndihmuar njerëzit që ndikohen prej tyre. Nuk mund ta ndalosh një mik që të largohet nga Kisha, por mund të vazhdosh ta duash dhe të japësh një shembull të mirë. Nuk mund të bësh dot gjë nëse dikush të thotë diçka të keqe, por mund të zgjedhësh se si të reagosh ndaj saj.

Dhe gjatë gjithë kësaj, mbaj mend një gjë që mund ta bësh gjithmonë: lutu. Kërkoji Perëndisë të bëjë gjërat që ti nuk mund t’i bësh dot, që të ndryshojë gjërat që ti nuk mund t’i ndryshosh dot. Cilido qoftë rezultati, Shpëtimtari mund të të ndihmojë të ndiesh paqe.

2. Gjëra që Nuk Mund t’i Kontrollosh

Kjo është kategoria më e lehtë për t’u trajtuar sepse strategjia është e lehtë:

Nëse nuk mund ta kontrollosh atë, mos u shqetëso për të.

Në vend të kësaj, ushtro besim te Jezu Krishti dhe përqendrohu tek ajo që mund të kontrollosh. Përpiqu të mos e lejosh merakun që të të shkatërrojë.

Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sigurisht. (A nuk do të doje të kishe një buton “meraku” që thjesht mund ta ndizje dhe fikje?)

Por të pranosh që një problem është përtej kontrollit tënd, është hapi i parë për të mos e lejuar atë të të stresojë. Më pas vendose besimin tënd te Jezu Krishti.

Gjërat që nuk mund t’i kontrollojmë, në përgjithësi ndahen në njërën prej dy kategorive:

shtëpi në një stuhi ere

Fenomenet natyrore

Zi buke, thatësira, fatkeqësi natyrore. Pandemi. Disa kufizime fizike dhe gjendje shëndetësore. Sjellja njerëzore mund t’i ndikojë këto gjëra dhe ka zakonisht hapa që mund t’i ndërmarrim për t’u përgatitur për to dhe për ta pakësuar ndikimin e tyre. Por ne nuk mund t’i kontrollojmë ato ditë për ditë.

e re dhe i ri përpara një instrumenti të madh matës

Zgjedhjet e njerëzve të tjerë

Mënyra se si sillen njerëzit në internet. Nëse miqtë e tu qëndrojnë në Kishë apo jo. Çfarë thonë njerëzit mbas shpinës sate. Vendimet e marra nga gjykatat dhe qeveritë. Çfarë shfaqet në televizor. Sa kushtojnë gjërat. Mund të japësh mendimin tënd, por përfundimisht, të gjitha zgjedhjet e bëra nga persona të tjerë dhe jo nga ti vetë, janë përtej kontrollit tënd.

e re duke ngritur supet

Shënime

  1. Përshtatur nga një lutje origjinale prej Rejnholld Najbërit. Shih te The Essential Reinhold Niebuhr: Selected Essays and Addresses (1987), f. 251.

  2. Maya Angelou, Wouldn’t Take Nothing for My Journey Now (1993), f. 87.