Për Forcën e Rinisë
Kur Nuk do të Ndiej më Faj dhe Turp?
Mars 2024


“Kur Nuk do të Ndiej më Faj dhe Turp?”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.

Forcë për të Mposhtur Mëkatin

Kur Nuk do të Ndiej më Faj dhe Turp?

Nganjëherë mund të duket më e lehtë që të ndihesh pa shpresë rreth vetes në vend që të ndiesh dashurinë që ka për ty Shpëtimtari, por siç e dinte Nefi, nuk ka pse të jetë ashtu.

Nefi duke shkruar te fletët

Kur bën diçka të gabuar, mund të të vijnë mendime sikur ti je një dështim. Se duhej të bëje më mirë. Se nuk ia vlen të të duan.

Thellë brenda vetes ti e di se asnjë nga këto gjëra nuk është e vërtetë. Ke mësuar rreth vlerës sate si bir ose bijë e Perëndisë dhe e di se pendimi është i vërtetë dhe i mundshëm. Por prapë, pasi ke mëkatuar ose ke bërë një gabim, ti mund të tundohesh ta dënosh veten me mendime faji dhe turpi më shumë nga sa do të të dënonte dikush tjetër.

Edhe disa nga figurat tona të parapëlqyera të shkrimeve të shenjta u ndien në këtë mënyrë në disa raste.

Edhe Nefi?

Pasi shkroi për vdekjen e atit të vet, Nefi shkroi: “Por, me gjithë mirësinë e madhe të Zotit, që më tregon mua veprat e tij të mëdha dhe të mrekullueshme, zemra ime bërtet: O, ç’njeri i mjerë që jam! Po, zemra ime brengoset për shkak të mishit tim; shpirti im pikëllohet për shkak të paudhësive të mia. Unë jam i rrethuar për shkak të tundimeve dhe mëkateve, të cilat më ngacmojnë me kaq lehtësi. Dhe kur unë dua të gëzohem, zemra ime rënkon për shkak të mëkateve të mia” (2 Nefi 4:17–19).

Ky është Nefi për të cilin po flasim, i njëjti person që shpëtoi fletët prej tunxhi nga Labani, bëri një hark krejt i vetëm në vendin e shkretë dhe ndërtoi një anije pa ndërtuar një të tillë më parë. Ai kishte dëshmi për mirësinë e Zotit; por prapë, ai u ndje i papërshtatshëm për shkak të mëkateve dhe dobësive të tij.

Pra, çfarë duhet të bëjmë ne? Në qoftë se heroi ynë në Librin e Mormonit u ndesh me ndjenja faji dhe papërshtatshmërie, çfarë mund të bëjmë ne kur ndihemi njësoj si ai?

Kyçi Është të Përqendrohemi te Jezu Krishti

Historia e Nefit nuk mbaroi atje. Kyçi për Nefin ishte që ta zhvendoste përqendrimin e vet nga vetja e tij te Jezu Krishti.

Teksa Nefi po ankohet, ai thotë: “Megjithatë, unë e di në cilin kam besuar. Perëndia im ka qenë mbështetja ime” (2 Nefi 4:19–20).

Pas këtij ndryshimi në të menduar, heroi ynë i shkrimeve të shenjta nuk është më i përqendruar tek ankthi që ndien nga gabimet e tij. Përkundrazi, ai gëzohet prej Shpëtimtarit të tij! Nefi tha: “Gëzohu, O zemra ime dhe thirri Zotit dhe thuaj: O Zot, unë do të të lavdëroj përgjithnjë; po, shpirti im do të gëzohet në ty, Perëndia im dhe shkëmbi i shpëtimit tim!” (2 Nefi 4:30).

Si Nefi, ti mund të gjesh mëshirë, falje dhe paqe nëpërmjet Jezu Krishtit. Mund të mos ndiesh se mund t’i japësh vetes tënde hir, por ka Një që do të të japë hir. Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Hiri i Krishtit na ofron jo vetëm shpëtim nga hidhërimi, mëkati dhe vdekja, por gjithashtu shpëtim nga kritika e vazhdueshme ndaj vetes”1.

Prandaj, kur ndihesh aq i shkurajuar sa nuk sheh asnjë mënyrë për t’i mposhtur mëkatet dhe gabimet e tua, dije se Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kurrë nuk e kanë ndërprerë dashurinë për ty. Vëre përqendrimin tënd te Shpëtimtari yt dhe Ai mund të të ndihmojë të mposhtësh si mëkatet e tua ashtu edhe fajin tënd.