“Të Punuarit me Dobësinë Është Specialiteti i Shpëtimtarit”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë në Dobësi
Të Punuarit me Dobësinë Është Specialiteti i Shpëtimtarit
Jezu Krishti mund të na ndihmojë që të rritemi përmes vështirësive, jo thjesht të kalojmë përmes tyre.
Mejsëni nuk e ndien dashurinë e Perëndisë si në të shkuarën. Ai po ndeshet me depresionin klinik prej disa vjetësh, me pak sukses, dhe shqetësohet se ëndrrat e tij mund të mos përmbushen kurrë.
Ana dëgjon të rinj e të reja të tjerë të flasin rreth përvojave me zbulesën dhe mrekullitë. Ndonëse përpiqet, ajo nuk e ndien se po merr përgjigje ose ka përvoja shpirtërore si të gjithë të tjerët.
Ithëni pyet veten nëse mund të ndihet ndonjëherë i pastër ose i denjë përsëri. Ai ishte dhënë pas disa tundimeve kaq shumë herë sa ndien humbje të kontrollit dhe pyet veten nëse i ka humbur përfundimisht bekimet e premtuara atij. Ai pyet veten a mund të marrë falje ndonjëherë dhe gjithnjë e më shumë ndihet fajtor në kishë.
Medisoni vuan nga një çrregullim i të ngrënit. Olivia ka një kufizim të të nxënit. Koneri lufton me sedrën e tepërt (ndjenjën e një faji të madh moral). Abigajli është keqtrajtuar dhe ndien se ajo nuk ka vlerë. Prindërit e Xhejkut po shkurorëzohen dhe ai ndihet i lënduar dhe i pështjelluar. Xhejdënin e tradhtuan dhe ai nuk e ndien se mund të falë.
Njerëzit kanë sprova kaq të shumta, por ka një zgjidhje. Ajo zgjidhje e ka një emër – Jezu Krishti. Këta njerëz të gjithë dëshirojnë të ndihen të fortë, të pastër, të lumtur dhe të shëruar përsëri, prapëseprapë ata nuk mund t’i zgjidhin të vetëm problemet e tyre. Por Jezu Krishti ofron ndihmë. Në fakt, të punuarit me dobësinë është specialiteti i Tij. Kjo ndihmë zakonisht nuk vjen pikërisht në mënyrën ose kohën kur e duam, por ajo do të vijë.
Këtu janë disa parime që të na ndihmojnë për ta pranuar ftesën e Shpëtimtarit që të ecim me Të (shih te Moisiu 6:34), veçanërisht kur po ndeshemi me dobësinë.
Jeta Supozohet që të Jetë një Provë
Perëndia të do ty më shumë se Ai do ndjesinë tënde të rehatisë dhe lehtësisë. Sa prej heronjve të tu përjetuan vetëm rehati dhe sukses? Gjasat janë që në mënyrë të përsëritur ata të përballen me kundërshti dhe vështirësi të madhe. Si pjesë e provës sonë në jetë, “Zoti e shikon të arsyeshme ta qortojë popullin e tij; po, ai provon durimin e tyre dhe besimin e tyre” (Mosia 23:21). Mund të mos na pëlqejë, por shpesh sprovat tona më të vështira na sigurojnë mundësi të pabesueshme rritjeje.
Dobësia Nuk Është një Shenjë e Mospranimit nga Perëndia
Shumë njerëz të lashtë besonin se sëmundjet fizike ose mendore ishin shenjë e ndëshkimit nga Perëndia (shih te Gjoni 9:2). Por dobësia është një pjesë e jetës që u shkaktua nga Rënia. Edhe pse ndeshja me sfidat është një pjesë normale dhe jetike e planit të Atit Qiellor, ndeshja të vetëm me ato vështirësi nuk është. Jezu Krishti nuk u dërgua të na dënonte; Ai u dërgua të na donte dhe të ndihmonte që të rifitoheshin ata që janë të humbur, të dobët dhe të vetmuar, domethënë ne të gjithë (shih te Gjoni 3:16–17; Lluka 15).
Gjërat e Dobëta Bëhen të Forta nëpërmjet Krishtit
Është e rëndësishme që ta përcaktojmë veten tonë nëpërmjet lidhjes sonë besëlidhëse me Krishtin dhe mbështetjen tonë te përsosmëria e Tij në vend që të përcaktohemi nga papërsosmëria jonë. Jezu Krishti kurrë nuk u ktheu shpinën të dobëtëve të cilët plot zell e kërkuan atë me besim. Perëndia u jep njerëzve “dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri [i Tij] është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para [Tij] … dhe kanë besim tek [Ai]” dhe nëse ata e bëjnë këtë, “atëherë [Ai] do të bëj[ë] që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27). Kur ia sjellim vështirësitë tona Zotit me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar (shih te 3 Nefi 9:20), Ai mund të mos i largojë ato menjëherë, por Ai do të na ndihmojë e forcojë.
Ji i Duruar me Veten
Shtegu i besëlidhjeve është një rrugëtim shumë i gjatë, jo një vrapim i shkurtër shpejtësie. Ndjekja e atij shtegu na ndihmon përmes dredhave dhe kthesave të shumta, uljeve dhe ngritjeve, adrenalinës dhe rreziqeve, ditëve me diell dhe stuhive të jetës. Shumë mësime mund të mësohen në çdo hap përgjatë atij rrugëtimi. Hiri i Jezu Krishtit shpesh zbulohet me kalimin e kohës, jo thjesht në çaste të veçuara apo ngjarje të mrekullueshme.
Lidhu me Krishtin
Nëse ndihesh i dobët ose po has vështirësi, prano ftesën e Shpëtimtarit: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28). Gjej mënyra që të ndihmojnë të lidhesh me Të. Kur e shtrin dorën drejt Tij, do të zbulosh se Ai e ka shtrirë dorën drejt teje dhe nuk do të heqë kurrë dorë prej teje. Jeta nuk do të jetë e përsosur, as nuk do të jetë pa dobësi, dhembje e vështirësi. Por do të jetë më e mirë me Shëruesin Mjeshtër përkrah teje që të të ngrejë kur ke rënë, të të lidhë plagët dhe të të udhërrëfejë në shtigjet që çojnë drejt gëzimit afatgjatë.
Është specialiteti i Jezu Krishtit që të punojë me dobësinë. Është specialiteti i Tij që të punojë me ty!