“Mrekullia që na Nevojitet çdo”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë për të Mposhtur Mëkatin
Mrekullia që na Nevojitet çdo Ditë
Në qoftë se Perëndia na do, përse na kërkon Ai të ndryshojmë e të pendohemi? Këtu janë disa të vërteta rreth mëkatit dhe flijimit shlyes të Jezu Krishtit.
Po sikur të mund të ishe dëshmitar/e i/e mrekullive që kreu Jezu Krishti gjatë jetës së Tij në tokë? Ta kishe parë Atë duke shëruar një të sëmurë dhe duke ngritur së vdekuri një njeri? Ndonëse nuk mund të kthehemi pas në kohë për t’i parë ato mrekulli, ka një nga mrekullitë e Jezu Krishtit që ne mund ta shohim çdo ditë. Dhe është një mrekulli me rëndësinë më të madhe nga të gjitha: Ai mposhti mëkatin.
E Vërteta rreth Mëkatit
Disa njerëz mund të pyesin veten se përse kjo është një gjë kaq e rëndësishme. Fundja, edhe nëse bëjmë një gabim nganjëherë, Perëndia ende na do, apo jo? Po, si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na duan thellësisht. Por ngaqë Ata na duan kaq shumë, ka më shumë për të thënë për këtë gjë.
Kur i vizitoi nefitët, Shpëtimtari na mësoi përse mposhtja e mëkatit është kaq e rëndësishme: “Asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e [Perëndisë]” (3 Nefi 27:19).
Ai nuk tha “asgjë e papastër përveç ca gabimeve të vogla”. Ai dha mësim se çfarëdolloj mëkati (mosbindje me dashje ndaj urdhërimeve të Perëndisë) na pengon që të mos jetojmë me Të përsëri.
Ky është një problem. Ne gjithsesi nuk mund t’i ndjekim në mënyrë të përsosur urdhërimet e Perëndisë. Kjo është e vërtetë për të gjithë njerëzit, profetin më të drejtë, mëkatarin më të lig dhe çdo njeri ndërmjet këtyre dy skajeve. Ngaqë nuk mund t’i fshijmë mëkatet tona vetë, mëkati do të na pengojë që të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë.
Mrekullia e Shlyerjes së Krishtit
Fatmirësisht, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e dinin se ne kishim nevojë për ndihmë. Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryq, Jezu Krishti mori mbi veten e Tij gjithë dhembjet, sëmundjet, pikëllimet, dobësitë dhe mëkatet tona (shih tek Alma 7:11–13). Ngaqë Ai ishte si Biri i përsosur i Perëndisë ashtu edhe biri i vdekshëm i Marisë, Ai mund të paguante çmimin e mëkatit që askush tjetër nuk mund ta paguante.
Kjo është arsyeja përse Ai mund t’u thoshte nefitëve: “Prandaj asgjë nuk hyn në pushimin e [Perëndisë], vetëm ata që kanë larë rrobat e tyre në gjakun tim, për shkak të besimit të tyre dhe të pendimit të të gjithë mëkateve të tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund” (3 Nefi 27:19).
Çfarë mrekullie që për shkak të Jezu Krishtit, ne mund të pastrohemi nga mëkatet tona! Kur e kuptojmë që flijimi shlyes i Shpëtimtarit është i nevojshëm për ne, ne mund të mbështetemi te forca e Tij ndërkohë që kemi besim tek Ai, pendohemi për mëkatet tona dhe vazhdojmë ta ndjekim Atë me besnikëri deri në fund. Kjo është një mrekulli që mund të ndodhë çdo ditë kur mirëbeson te fuqia e Tij dhe vepron me besim.