“Gjeje Forcën Tënde te Jezu Krishti”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Gjej Forcën e Tij
Gjeje Forcën Tënde te Jezu Krishti
Jezu Krishti është forca e rinisë – e çdo të riu dhe të reje në tokë – dhe kjo pa dyshim që të përfshin ty!
Jam i lumtur që po e prezantoj këtë botim të veçantë të revistës Për Forcën e Rinisë. Artikujt, veprimtaritë dhe historitë nga të rinj e të reja anembanë botës do të të ndihmojnë ta forcosh dëshminë tënde për një të vërtetë të thellë dhe me domethënie të përjetshme, të shprehur nga Presidenca e Parë. Për Jezu Krishtin ata e shpallën qartë: “Ai është ‘forca e rinisë’”1. Kjo do të thotë se Jezu Krishti është forca jote. Shpresoj që ti do ta përqafosh këtë të vërtetë plot gëzim në këtë kohë vendimtare në jetën tënde, tani dhe përgjithmonë.
Çdo Njeri Ka Nevojë për Forcën te Krishti
Ti nuk je këtu krejt rastësisht apo gabimisht. Ti zgjodhe të vish në tokë për të mësuar, për t’u rritur, për të bërë gjëra mbresëlënëse dhe për t’u bërë më shumë si Ati yt Qiellor. Në këtë rrugëtim do të përballesh me kohë vështirësie, sprovë vetjake, shkurajim dhe zhgënjim që mund të të ngarkojnë emocionalisht. Ndoshta ndihesh i/e zënë në kurth, pikërisht si tani.
Gjatë kohëve të tilla, të lutem mbaj mend se Ati yt Qiellor të do. Ai gjithmonë të ka dashur dhe Ai gjithmonë do të të dojë. Për shkak të dashurisë së Tij të pafundme dhe të përkryer, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, për të të forcuar dhe për të të ndihmuar që të shkosh përpara. Dhe Jezusi erdhi ngaqë edhe Ai të do ty thellësisht.
Trishtueshëm, disa njerëz nuk e dallojnë nevojën e tyre për një Shpëtimtar. Nuk e kuptojnë se ata, si të gjithë njerëzit, do të bëjnë gabime që nuk mund t’i rregullojnë, të përjetojnë humbje që nuk mund t’i rifitojnë dhe të përballen me vështirësi e tragjedi që nuk mund t’i durojnë dot të vetëm. As nuk mund ta mposhtin mëkatin dhe vdekjen vetë. Kjo do të thotë se ata, dhe të gjithë njerëzit, kanë nevojë për Shlyerjen e Jezu Krishtit, me forcën që ajo mund të sjellë.
“Shkëlqyeshëm, Plaku Holland”, – mund të mendosh ti, – “por si mund ta bëj Jezu Krishtin forcën time?” Për të ndihmuar që t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje, të lutem më lejo që të flas për disa nga mënyrat e panumërta se si Jezu Krishti të forcon çdo ditë.
Ai Ka Fuqinë për të të Forcuar
Natën e Tij të fundit në vdekshmëri, Jezu Krishti hyri në Kopshtin e Gjetsemanit. Atje, Ai ra në gjunjë midis pemëve të ullinjve dhe filloi të merrte mbi veten e Tij mëkatet e botës. Kjo vuajtje e madhe dhe e pafundme e “bëri [atë], … më [të] madhi[n e] të gjithëve, të dridhe[j] për shkak të dhembjes e t’[i] … d[ilte] gjak nga çdo por” (Doktrina e Besëlidhje 19:18).
Më pas Jezusin e çuan në Kalvar dhe e kryqëzuan. Atje Ai përmbushi flijimin e Tij shlyes. Ai dha plot gatishmëri jetën e Tij dhe më pas Ai u ngrit plot ngadhënjim mbi vdekjen. Në këtë periudhë të Pashkës, unë gëzohem duke shpallur se Jezu Krishti jeton. Unë gjithashtu shpall se Ai jo vetëm që e largon barrën e mëkatit, por gjithashtu “vuajt[i] dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji” kur e bëri këtë gjë (Alma 7:11; theksimi i shtuar).
Shpëtimtari e ndjeu çdo dhembje e hidhërim dhe duroi, në mënyrë vetjake, të gjithë ankthin dhe vuajtjen që përjeton ti, unë dhe çdo shpirt që ka jetuar ndonjëherë apo do të jetojë ndonjëherë. Për shkak të asaj që Ai kaloi fizikisht, mendërisht e shpirtërisht për ty, Ai e di se si të të forcojë.
Ndoshta është e vështirë për ty që të besosh se Jezusi do të tregojë interes për të të ndihmuar ty si të vetmin person mes milionave që kanë të njëjtën moshë me ty. Nëse mendon ndonjëherë se Ai ka gjëra më të mira për të bërë sesa të të forcojë në rastet e tua të nevojës, mendo për Të në atë kopsht, mendo për Të në atë kryq. Ai “vuajti, u gjakos dhe vdiq”2 për ty, sepse Ai e dinte që ia vlente ta bënte për ty. Ai ende e di këtë. Ai është jashtëzakonisht i interesuar, i gatshëm dhe i aftë për të të ndihmuar ty, pikërisht tani dhe përgjithmonë. Ai dha jetën e Tij me qëllim që të të forcojë kur ti e pranon ftesën e Tij jetëndryshuese: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28).
Zgjidh që të Ecësh me Të
Është zgjedhja jote që ta ndjekësh Jezu Krishtin dhe ta bësh Atë forcën tënde. Ai “shtegun [na] shënoi, udhën [na] tregoi”3, për t’u kthyer tek Ati Qiellor. Në fakt Ai është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjoni 14:6).
Ti e gjen udhën duke përqafuar ungjillin e Jezu Krishtit teksa ushtron besim tek Ai dhe pendohesh për mëkatet e tua. Ti e thellon marrëdhënien tënde me Të kur zgjedh të pagëzohesh në emrin e Tij dhe të marrësh dhuratën e Frymës së Shenjtë. Më pas ti vazhdon në shtegun e ungjillit të Tij duke i zbatuar urdhërimet, duke marrë ordinancat, duke i nderuar besëlidhjet dhe duke jetuar si dishepulli i Tij.
Këto veprime farkëtojnë një lidhje të fuqishme, një lidhje besëlidhëse, që të lidh ty në mënyrë të sigurt me Krishtin – dhe Atë me ty. Kur ecën me Të, Ai dhe Ati bëhen burimet e tua përfundimtare të drejtimit dhe forcës shpirtërore. Ti më pas mund të shkosh përpara me siguri dhe gëzim çdo ditë, mund të bëhesh më shumë si Ata dhe një ditë të kthehesh për të jetuar me Ta dhe të kesh llojin e jetës që jetojnë Ata.
Ec Përpara në Fuqinë e Tij
Me gjithë zemrën time, unë dëshmoj se Jezusi është Krishti. Kur ndërmerr hapa drejt Tij, përpiqesh të mbështetesh tek Ai dhe e fton Atë të jetë forca jote, Ai do të vijë tek ti dhe ti do ta gjesh Atë.4 Nuk ka asnjë zgjidhje që mund ta bësh, që në njëfarë mënyre të vendos ty përtej aftësisë mbështetëse të Tij. Me gjithë zemër unë besoj atë që e kam thënë më parë: “Nuk është e mundur që ju [ose kushdo] të zhyteni më poshtë sesa ku shkëlqen drita e pafundme e Shlyerjes së Krishtit”5.
Nëse do të vish te Krishti, fillimisht dhe gjithmonë duke i zbatuar urdhërimet e Tij me “qëllim të plotë të zemrës” (3 Nefi 18:32), Ai do të ecë me ty në rrugëtimin e jetës. Ai do të të marrë për dore dhe do të jetë shpresa jote. Ai do të jetë forca jote. Dhe Ai do të të sjellë lumturi afatgjatë, paqe të vërtetë dhe gëzim të madh.
Si njëri prej dëshmitarëve të Tij të veçantë, unë dëshmoj dhe premtoj se kjo është e vërtetë.