“Ti dhe Shpëtimtari përballë Botës”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë për ta Mundur Botën
Ti dhe Shpëtimtari përballë Botës
Shpërqendrimet, tundimet, përndjekja – Jezu Krishti i ka mundur gjërat e kësaj bote dhe mund të të forcojë që edhe ti t’i mundësh ato.
Jezu Krishti e mundi botën dhe Ai na fton të bëjmë të njëjtën gjë. Por çfarë është “bota” dhe çfarë do të thotë për ne që ta mundim atë?
Presidenti Rasëll M. Nelson e shprehu në këtë mënyrë: “[Ta mundim botën] do të thotë ta mundim tundimin për t’u interesuar më shumë për gjërat e botës sesa për gjërat e Perëndisë”1.
“Gjërat e botës” mund të përfshijnë zotërimet, popullaritetin, pushtetin, lavdërimin, kënaqësinë ose gjithçka tjetër me të cilën njeriu i natyrshëm kënaqet si pjesë e jetës në vdekshmëri. Edhe nëse disa prej këtyre gjërave nuk janë gjithmonë të këqija, kur e humbasim përqendrimin tonë te Perëndia ngaqë tregojmë më shumë interes për gjërat e botës, ne ndeshemi me shqetësim afatgjatë.
Jezu Krishti dha mësim se ne do të përballemi me kundërshtim e përndjekje kur e mundim botën (shih te Gjoni 15:18–21). Por ende mund të gjejmë paqe dhe të “m[arrim] zemër”, sepse Ai e mundi botën i pari (Gjoni 16:33).
Këto të reja gjetën forcë te Jezu Krishti për të kapërcyer pengesat e botës dhe po ashtu mund të gjesh edhe ti.
Shpërqendrimet e Botës
Harxhoja orë duke luajtur lojëra kompjuterike çdo ditë për vite të tëra. Gjeta miq dhe u ndjeva e rëndësishme. Por pasi luaja, ndihesha bosh, sikur mungonte diçka. Nuk isha tërësisht e lumtur.
Dëshiroja të përqendrohesha te gjëra që do të më bënin vërtet të lumtur dhe do të më ndihmonin të përmirësohesha. Fillova të lutesha shpesh. Kur ia shpreha Atit Qiellor atë që kisha në zemër, pata një ndjenjë të fortë dashurie.
Dëshiroja të bëja gjëra që do të më bënin të afrohesha më pranë Krishtit, prandaj u përqendrova te gjërat e thjeshta si studimi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe lutja e përditshme, shpenzimi i kohës me njerëz që kishin Shpirtin, dhe përpjekja që të mos më tërhiqej vëmendja nga gjëra që do ta bënin Frymën e Shenjtë të largohej. Jeta ime ndryshoi. Është më e gëzueshme për mua.
Kur i afrohem më shumë Krishtit, e di se ka gjëra më të rëndësishme sesa lojërat kompjuterike nëse unë dëshiroj të jem vërtet e lumtur. Ka gjëra që janë të përjetshme.
Alina U., 18 vjeçe, Lituani
Rrethanat e Botës
Në shkollë më bullizonin dhe tallnin për bindjet e mia. Për shkak të kësaj dhe sfidave të tjera, ndjeva sikur bota po më vinte përfund. Por nëna ime më nxiti të mbështetesha te Shlyerja e Jezu Krishtit, sepse Ai e kupton dhembjen time dhe mund të më sjellë paqe e ngushëllim (shih te Doktrina e Besëlidhje 19:23).
Vendosa t’i premtoja Atit Qiellor se do të agjëroja rregullisht. I kërkova Atij të më ndihmonte në dobësitë dhe vështirësitë e mia dhe Ai e ka bërë këtë gjë që nga ajo kohë.
Agjërimi më ka sjellë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. E di se Ata janë gjithmonë përkrah meje, duke më dhënë forcë për t’i mundur sfidat e mia dhe për të gjetur lumturi të vërtetë. Jezu Krishti po i shëron plagët e mia dhe po më ndihmon të kthehem tek Ati im Qiellor.
Vera R., 17 vjeçe, Brazilia, Brazil