“Përse Unë Kam Nevojë për Jezu Krishtin”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë në Marrëdhënien Tënde me Të
Përse Unë Kam Nevojë për Jezu Krishtin
Të kuptuarit e marrëdhënies sonë me Shpëtimtarin është thelbësore.
“Përse unë kam nevojë për Jezu Krishtin?” Është një pyetje e rëndësishme për t’ia bërë vetes – jo “të gjithë” kolektivisht apo “ne” për familjen tonë. Por, në të vërtetë, “unë”. Cila është përgjigjja ime për atë pyetje?
Përgjigjja që e gjeta për veten time, erdhi nëpërmjet veprimeve vetjake të besimit; përpjekjes së përditshme për të jetuar besëlidhjet e mia, përfshirë besëlidhjen time të pagëzimit; dhe të mësuarit për të dëgjuar zërin e Zotit nëpërmjet Shpirtit të Tij. Dhe më e rëndësishmja, ajo përqendrohet te marrëdhënia ime me Shpëtimtarin tim.
Një Marrëdhënie me Shpëtimtarin
Me vetëbesim unë mund të rendit arsyet përse kam nevojë për prindërit e mi ose miqtë e mi më të ngushtë. I kam kultivuar ato marrëdhënie rregullisht. Vlera e tyre në jetën time është po aq e dukshme dhe e fortë sa koha dhe përpjekja që harxhoj për të qenë pranë tyre nëpërmjet gjërave të thjeshta si bashkëbisedimet e vazhdueshme, përpjekja për t’i njohur ata dhe lejimi i urtësisë së tyre të drejtë që të ndikojë në jetën time.
Marrëdhënia jonë me Jezu Krishtin mund të ndjekë një model të ngjashëm. Lutja e përditshme drejtuar Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit është e domosdoshme. Kështu është mundësia për ta njohur Shpëtimtarin duke i hulumtuar shkrimet e shenjta, duke lexuar fjalët e profetëve dhe të apostujve dhe duke dëgjuar Shpirtin. Unë e thelloj atë marrëdhënie kur e lejoj gjithçka që po mësoj, që të ndikojë në jetën time dhe karakterin tim.
Gjithashtu merrni parasysh planin e shpëtimit. Ai titull, “plani i shpëtimit”, nënkupton që ju dhe unë, të gjithë njerëzit, kanë nevojë të shpëtohen dhe se shpëtimi ishte pjesë e planit për këtë jetë. Ne kishim nevojë për ndihmë dhe nuk mund ta shpëtonim veten tonë.
Por Perëndia na dërgoi në tokë me një premtim të përhershëm se Ai do të siguronte një Shpëtimtar, Jezu Krishtin, i cili do të kapërcente pengesat që na ndajnë nga prania e Perëndisë.1 Dhe kur bëjmë një besëlidhje me Perëndinë, Ai premton të bëjë gjithçka mundet, pa e hequr aftësinë tonë për të zgjedhur, që të na ndihmojë për t’i mbajtur premtimet tona të shenjta ndaj Tij.2
Kisha Nevojë të Dija se Ai Kuptoi
U pagëzova kur isha 16 vjeçe dhe jetoja në Nju‑Jork‑Siti. Në fillim ndjeva sikur po kaloja shumë kohë duke gjetur një rrugë midis besimit tim të sapogjetur të ndjekur nga marrëdhënia besëlidhëse me Perëndinë, dhe marrëdhënieve të mia me miqtë.
Shqetësohesha se nuk do të kisha miq në shkollë që të krijoja shoqëri. Por miqtë e mi ishin mësuar të bënin gjëra që unë arrita ta kuptoja se ishin të dëmshme për shpirtin tim dhe nuk ishin në përputhje me marrjen mbi vete të emrit të Jezu Krishtit. E dija se Jezu Krishti dëshironte që të bëja zgjedhje më të mira.
Ajo që nuk e dija, ishte a e kuptonte Shpëtimtari se sa përplasje kisha brenda vetes. Çdo ditë bëhej më e vështirë ngaqë merrja ftesa për të bërë gjëra që e dija se nuk ishin të mira. Nganjëherë i justifikoja ato si të padëmshme, por e dija se po bëja kompromis me gjërat që nuk duhej.
Më nevojitej të dija se Shpëtimtari e kuptonte se sa e vetmuar dhe fajtore ndihesha, qoftë edhe kur e çoja ndërmend që t’i ulja standardet e ungjillit që të mund të kisha një ndjesi përkatësie me miqtë e mi. U ndjeva sikur po mbytesha. Kisha nevojë për shpëtim. Kisha nevojë për Jezu Krishtin.
Kur u Thellua Marrëdhënia Ime me Të
Marrëdhënia ime me Jezu Krishtin u thellua kur e zbulova vetë përse unë kisha nevojë për Të. Ndodhi kur ndryshova mendësinë nga njohuria që duhej ta jetoja ungjillin në të kuptuarit përse dëshiroja ta jetoja ungjillin dhe të kërkoja ndihmë që ta bëja atë. Thjesht rashë në gjunjë dhe ia derdha zemrën time Perëndisë, me shpresën se Ai po kujdesej për mua dhe problemin tim, që plani i shpëtimit u hartua për të më ndihmuar mua, që edhe lumturia ime ishte pjesë e planit.
Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim: “Kur ju dhe unë kemi bërë besëlidhje me Perëndinë, marrëdhënia jonë me Të bëhet shumë më e ngushtë sesa përpara besëlidhjes sonë. … Për shkak të besëlidhjes sonë me Perëndinë, Ai nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar dhe ne kurrë nuk do ta shterim durimin e Tij të mëshirshëm për ne.”3
I fola Atit Qiellor rreth faktit se sa fajtore ndihesha, se si nuk dija se çfarë të bëja për t’i mbajtur si standardet e mia ashtu edhe miqtë e mi. I thashë Atij se nuk ndihesha e lumtur dhe vërtet mund ta përdorja ndihmën e Tij.
Kur rashë në gjunjë ndodhi që fillova të përjetoj paqe. Kjo ndjenjë paqësore më ndihmoi të kuptoja se Shpëtimtari vërtet e dinte se si po ndihesha dhe se Ai vërtet kujdeset, në fakt, tepër shumë.
Teksa jam rritur në moshë dhe kam fituar më shumë perspektivë, unë e kuptoj se çdo herë që vij te Perëndia duke u përgjëruar për ndihmë ose falje, unë duket se transportohem figurativisht në Kopshtin e Gjetsemanit, ku Shpëtimtari ynë u drodh nga dhembja dhe filloi të vuante si në trup ashtu edhe në shpirt për gabimet dhe mëkatet që na veçojnë ne prej Perëndisë.4 Është një kujtues që Ai e kupton atë që po kaloj, më mirë sesa mund ta kuptonte ndonjëherë ndonjë njeri tjetër.
Jo Vetëm
Kur u ngrita së gjunjëzuari, Shpirti më ndihmoi të dalloja disa gjëra dhe më frymëzoi të bëja gjëra të tjera. Së pari, m’u kujtua se njëra nga shoqet e mia ishte myslimane dhe kurrë nuk i ishte kërkuar të bënte kompromis me standardet e saj, sepse ne e respektonim besimin e saj dhe e kuptonim se kishte gjëra të caktuara që ajo nuk do t’i bënte. Ndjeva frymëzimin që t’u tregoja për besimin tim të ri miqve të mi që edhe ata të mund të kuptonin më shumë rreth meje dhe përse standardet e mia të reja ishin të rëndësishme për mua.
E fillova nga pak. I thashë një shoqeje se si po hasja vështirësi. Ajo u soll me mirësjellje dhe respekt. Më ndihmoi teksa fola me shoqet e mia të tjera. Jo që të gjitha e kuptuan, por me kalimin e kohës, unë pashë se ato bënë plane ku mund të merrja pjesë, të cilat nuk i shkelnin premtimet e mia ndaj Perëndisë.
E di se ne të gjithë mund të përdorim më shumë forcë për t’i bërë ballë ndikimit të vazhdueshëm të botës. Mbajtja e besëlidhjeve ndihmon për këtë gjë dhe Jezu Krishti është në qendër të besëlidhjeve tona.5 Kjo është ajo që zbulova për veten time, arsyen përse unë kisha nevojë për Jezu Krishtin.
Kthimi në shtëpi te Perëndia nuk është diçka që mund ta bëj vetë. Dhe ka shumë hapa të vegjël, të përditshëm dhe përvoja çdo ditë që unë, dhe ne të gjithë, do t’i bëjmë në atë rrugëtim drejt shtëpisë. Por sa të bekuar jemi si bërës të besëlidhjeve dhe mbajtës të besëlidhjeve që Perëndia “nuk do të lodhet kurrë në përpjekjet e Tij për të na ndihmuar” derisa të arrijmë atje.