“Bariu Yt përmes Luginave të Frikës”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë kundër Ankthit dhe Frikës
Bariu Yt përmes Luginave të Frikës
Në çaste shqetësuese ne mund të mbajmë vesh për zërin e Bariut tonë.
Njëri nga kapitujt më të mirënjohur të shkrimit të shenjtë është Psalmi 23. Njerëz besimtarë anembanë botës nga fe të shumta vazhdojnë të gjejnë ngushëllim në këto vargje të shkruara kaq shumë vjet më parë.
“Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë.
Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin.
Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij.
Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër.
Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet.
Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës [s]ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.”
A ke qenë ndonjëherë pranë deleve? Ato tremben pak shpejt dhe fillojnë të vrapojnë prej zhurmave të forta ose lëvizjeve. Padyshim dihet që nuk mbahen për kafshë sypatrembura. Dhe ndoshta kjo është diçka që mund ta mësojmë nga kjo metaforë: Zoti e di që secili prej nesh do të ndihet i frikësuar me raste. Nuk është turp të ndiesh frikë! Ajo është pjesë e sfidës së vdekshmërisë. Në ato çaste shqetësuese ne mund të mbajmë vesh për zërin e Bariut tonë. Ai po përpiqet të na udhërrëfejë për në “kullota me bar të njomë” të paqes dhe sigurisë përfundimtare. Këtu janë disa nga mënyrat se si Ai na fton butësisht për ta ndjekur Atë.
-
Studio fjalët e Bariut tonë – të tilla si mësimet e Tij te Dhiata e Re, 3 Nefi ose Doktrina e Besëlidhje. Ndërsa e bëjmë këtë, ne ushqehemi shpirtërisht dhe bëhemi më të aftë që ta dallojmë zërin e Tij në të ardhmen.
-
Lutju Atit tënd Qiellor, në emrin e Jezu Krishtit, në çdo kohë për të kërkuar ngushëllim e paqe në jetën tënde.
-
Prano se ndihma e Shpëtimtarit mund të marrë forma të shumta, përfshirë prindërit, udhëheqësit e Kishës, miqtë e madje mjekët dhe burime të tjera profesionale.
-
Mblidhu me njerëz të tjerë që e duan Shpëtimtarin, në vende të tilla si në kishë ose në seminar. Kjo mund të na lidhë me një komunitet të dashur shenjtorësh, të cilët punojnë së bashku për ta ndjekur Shpëtimtarin dhe për t’i kapërcyer problemet e frikshme me ndihmën e Tij.
Nganjëherë mposhtja e frikës është një rrugëtim, si udhëtimi përmes një lugine të errët, siç përmendet te Psalmi 23. Nikolas F., nga Brazili, mund të dëshmojë që, nëse vazhdon të lëvizësh përpara, shërimi do të vijë. Ai u ndesh me ndjenja të dështimit dhe të frikës për një kohë të gjatë.
“U luta shumë, duke i kërkuar Perëndisë që të m’i largonte mendimet e këqija, duke i kërkuar Atij që të m’i largonte ndjenjat e këqija” – thotë ai. Ai kaloi kohë pështjellimi dhe kishte ngecur tek ato gabime që kishte bërë.
“U përpoqa të gjeja fuqinë e Perëndisë, por nuk e ndieja ende shërimin e Tij” – thotë Nikolasi. Hulumtoi shkrimet e shenjta për vargje rreth mposhtjes së frikës dhe gjeti forcë në ato fjalë. Ai mori përkrahje nga nëna e vet dhe njerëz të tjerë.
Më së fundi, një pasdite, ai u ndje veçanërisht i shëruar dhe mirënjohës. E kuptoi se sa shumë kishte përparuar.
“Më parë ndihesha sikur isha në burg” – thotë ai. “Por tani ndihem sikur mund t’i fitoj betejat. Kur e kërkoj ndihmën e Zotit, unë ndiej shpresë.”
Qoftë nëse kjo periudhë e jetës ndihet si një kodër plot me dritën e diellit apo një luginë plot hije, ti ke Bariun e Mirë dhe Ai do të ecë me ty. Ai të do! Ai do të të ndihmojë të kalosh përmes kësaj. Qëndro pranë Tij dhe Ai do të të udhëheqë drejt paqes.