“Kur Godet Trishtimi”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë në Kohë Trishtimi
Kur Godet Trishtimi
Kur jeta të rrëzon përtokë, Jezu Krishti mund të të ngrejë me shpresë.
Mund të arrish shumë larg në jetë nëpërmjet punës së shumtë dhe vendosmërisë. Mund të shkosh në shtrat herët, të zgjohesh herët (shih te Doktrina e Besëlidhje 88:124) dhe ta mbushësh çdo ditë me zakone të drejta dhe vetëdisiplinë.
Por prapë, disa ditë do të jenë më të vështira se të tjerat.
Dhe më pas ditë të tjera të caktuara … pra, ato duken kaq të vështira sa mund të fillosh të mendosh se ditët e mira janë larguar përgjithmonë.
Çfarë bën ti në ato ditë? Çfarë bën kur përpjekjet e tua më të mira, përfshirë përpjekjet e tua më të mira për të jetuar një jetë të drejtë (lutja, agjërimi, studimi i shkrimeve të shenjta, frekuentimi i kishës dhe tempullit etj.), nuk duket se janë mjaft? Kur shtyn e shtyn kundër dëshpërimit, por ai duket se të shtyn ty edhe më shumë?
Drejtohesh te Jezu Krishti, sigurisht. Shpresa është një dhuratë shpirtërore (shih te Moroni 8:26). Dhe të gjitha dhuratat shpirtërore vijnë nga Jezu Krishti (shih te Moroni 10:17).
Kur vështirësitë e jetës rëndojnë mbi ty si një mal që bie nga qielli, dhurata shpirtërore e shpresës mund të jetë e jotja kur përqendrohesh më shumë te Jezu Krishti.
“Zoti i Lehtëson Barrët e Mia”
Jeta ishte tashmë sfiduese për shumë venezuelas përpara se të binte pandemia e COVID-19 në vitin 2020, por atëherë edhe thjesht mbijetesa bazë u bë e vështirë. Për Sebastianin 11‑vjeçar dhe familjen e tij nevojitej forcë nga Jezu Krishti që të qëndronin optimistë dhe të lumtur gjatë kohëve të trishtuara. “Ndihem keq kur nuk mund të blejmë produktet thelbësore si ushqime, veshje dhe ilaçe” – thotë Sebastiani. “Por kam besim se Zoti do të vazhdojë të na bekojë. Ndihem i bekuar që isha në gjendje të merrja bekimin tim patriarkal. Më tregon për gjërat që m’u premtuan përpara se të vija në tokë.”
Përqendrimi te Jezu Krishti si pjesë e temës së rinisë për vitin e kaluar (“Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit” [Filipianëve 4:13]) u vërtetua se ishte një ndihmë e madhe. “Për shkak të vështirësive që po has atdheu im, tema e rinisë nga viti i kaluar më kujtoi se Krishti do të më ndihmojë të kapërcej vështirësitë dhe t’i bëj të gjitha gjërat nëpërmjet Tij” – thotë Sebastiani.
Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por Sebastiani dhe familja e tij kanë parë bekime dhe shpresë përgjatë udhës. “Zoti i lehtëson barrët e mia” – thotë ai. “Kur trishtohem, unë lutem, studioj shkrimet e shenjta dhe lexoj bekimin tim patriarkal. Falë Tij, sipërmarrja e familjes sonë për artikujt shkollorë që e filluam tre vjet më parë, ka pasur më shumë sukses këtë vit. Do të doja t’u thosha të rinjve të tjerë se ata gjithmonë duhet të jenë gati për t’u mbështetur te Jezu Krishti. Kur e bëj këtë, unë jam në gjendje t’i kapërcej sfidat e mia.”
Forcë nëpërmjet Përqendrimit më të Mirë
Profeti Nefi, i cili duroi vështirësi të mëdha gjatë gjithë jetës së vet, dha mësim këtë të vërtetë të bukur:
“Shkoni përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit. Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme” (2 Nefi 31:20).
Shpresa, një burim i fuqishëm i forcës kundër trishtimit, vjen kur ne përqendrohemi te Jezu Krishti. A është koha për ta drejtuar përqendrimin tuaj pak më shumë drejt Tij?