“A Mund të Shërbej nëse Nuk Jam një Esktrovert?”, Për Forcën e Rinisë, mars 2024.
Forcë për të Shërbyer
A Mund të Shërbej nëse Nuk Jam një Esktrovert?
Shpëtimtari mund të na forcojë edhe nëse e kemi të vështirë që t’u shtrijmë dorën e ndihmës njerëzve.
Kur isha në shkollë të mesme, mendoja se nuk isha aq me vlerë si dishepulle e Jezu Krishtit ngaqë e kisha të vështirë t’u flisja njerëzve. Nuk isha thjesht introverte – isha jashtëzakonisht e ndrojtur! Isha kaq e ndrojtur sa e kisha shumë të vështirë që të bëja shoqe dhe të isha vërtet ajo që jam me shokët e shoqet e klasës në shkollë dhe në kishë.
Për shkak të kësaj, u shmangesha thirrjeve te Të Rejat dhe ndihesha se nuk mund të isha po aq shpirtërore sa bashkëmoshatarët e mi të cilët kishin shumë më tepër fjalë dhe ishin më shoqërorë sesa unë.
Prandaj kur u diplomova nga shkolla e mesme dhe vendosa të shërbeja në një mision, isha e tmerruar.
Ndieja se Perëndia donte që unë të shërbeja, por mendimi im i parë ishte: “Përse Perëndia dëshiron që dikush si unë të shërbejë? Unë nuk mund t’u flas njerëzve.”
Por edhe pse kisha kaq frikë, unë vendosa t’i mirëbesoja Perëndisë dhe gjithsesi të shërbeja në një mision.
Mbështetja te Forca e Krishtit
Ndërkohë që shërbeja, gjërat ishin të vështira në fillim, por teksa vazhdoja të përpiqesha (dhe ta lija veten time të dështonte), zbulova se Zoti më forcoi që të bëja punën që Ai më kërkoi të bëja.
Në Librin e Mormonit Zoti thotë: “Në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27).
Në misionin tim kuptova se Jezu Krishti mund të bënte gjëra të mrekullueshme me mua, jo për shkak të forcës sime, por për shkak të forcës së Tij. Dhe gjithashtu e kuptova se forca e Tij nuk më erdhi thjesht sepse isha një misionare, por ishte edhe diçka tek e cila mund të isha mbështetur në shkollën e mesme.
Gjëja e mrekullueshme rreth Jezu Krishtit është që neve nuk na nevojiten diploma apo jetëshkrime të zgjeruara për të shërbyer në mbretërinë e Tij dhe për të qenë dishepuj të fuqishëm. Nëse jemi të përulur dhe të çiltër në dëshirat tona për të shërbyer, Jezu Krishti do të na marrë pikërisht ashtu siç jemi, atje ku jemi dhe do të na japë ndihmën dhe forcën e nevojshme për t’i shërbyer Atij.