Ejani te Krishti
Fjalët “ejani te Krishti” janë një ftesë. Ajo është ftesa më e rëndësishme që mund t’i ofroni ndonjëherë një personi tjetër. Është ftesa më e rëndësishme që mund të pranojë dikush. Që nga fillimi i Rivendosjes së ungjillit në këtë periudhë ungjillore, ajo ka qenë detyra që Jezu Krishti u ka ngarkuar përfaqësuesve të Tij. Detyra tyre ka qenë “të paralajmërojnë, të sqarojnë, të këshillojnë e të japin mësim dhe t’i ftojnë të gjithë të vijnë te Krishti”.1
Çdo anëtar i Kishës, kur pranon besëlidhjen pagëzimore, bëhet një dishepull i cili ka premtuar të qëndrojë si dëshmitar i Jezu Krishtit në të gjitha kohët, në çdo vend ku mund të ndodhet2. Qëllimi i dëshmisë sonë është të ftojë njerëzit të vijnë drejt Tij.
Të gjithë duhet të jemi thellësisht të interesuar që të mësojmë si ta shprehim atë ftesë në mënyrë të efektshme. Nga përvoja dimë se disa njerëz nuk do t’i përgjigjen asaj. Vetëm pak vetë iu përgjigjën kur Vetë Shpëtimtari ua ofroi këtë ftesë në kohën e shërbesës së Tij në vdekshmëri. Por i madh ishte gëzimi për ata që e njohën zërin e Tij. Dhe i madh ka qenë gëzimi ynë kur ata që i ftuam kanë ardhur tek Ai.
Të Dini Që Ai Është Udha
Ia vlen të mendohesh për ato çaste të jetës sonë kur njerëzit janë përgjigjur. Personalisht kam vënë re një model reagimi kur njerëzit kanë pranuar atë ftesë. Në secilin rast Fryma e Shenjtë u ka shfaqur së paku tre të vërteta. Përvojat nuk kanë ardhur gjithnjë sipas radhës me të cilën do t’i rendis, por të gjitha ato kanë ardhur në zemrën e atyre që me të vërtetë vijnë te Krishti.
Së pari, ata arrijnë të ndiejnë që e vetmja rrugë në të cilën ata mund të kenë lumturinë që duan më shumë në këtë jetë dhe në botën që vjen, është nëpërmjet Jezu Krishtit. Ata fillojnë të besojnë këto fjalë të Librit të Mormonit: “Shikoni, unë ju them se këto gjëra janë të vërteta dhe sikurse jeton Zoti Perëndi, nuk ka emër tjetër të dhënë nën qiell përveç këtij të Jezu Krishtit, për të cilin unë kam folur, nga i cili njeriu mund të shpëtohet”3.
Ajo siguri nuk ndihet lehtë në një botë ku shumë zëra thonë që nuk ka Perëndi, që nuk ka mëkat dhe që lumturia gjendet te kënaqësitë. Por zërat tanë mund të jenë më të fuqishëm, nëse arrijmë të marrim dhuratën e dhënies së një dëshmie të sigurt që Jezusi është Krishti dhe Shpëtimtari i botës. Ajo dëshmi do të vijë me fuqinë më të madhe prej vetë përvojave tuaja lidhur me Shlyerjen e Jezu Krishtit që vepron në jetën tuaj. Nëse mendoni shpesh për mënyrën se si ju ka ndryshuar Shlyerja e Tij dhe nëse falënderoni shpesh, do të zbuloni se dëshmia juaj për Të fiton fuqi për të prekur zemrat e të tjerëve. Kur ata që ftoni nëpërmjet vetë dëshmisë suaj, e ndiejnë atë dëshmi, do të arrijnë ta pranojnë Atë si Zot dhe Shpëtimtar të tyre. Dhe ai pranim, kur vjen, do të ngrohë zemrën e tyre dhe tuajën.
Bëni Besëlidhje dhe Binduni
Së dyti, ata që njoh unë, të cilët kanë ardhur vërtet tek Ai, bëjnë besëlidhjet se do t’i binden dhe do të ecin pas Tij. Kjo mund të fillojë me mbajtjen e zotimeve të thjeshta, si leximi i Librit të Mormonit apo vajtja në mbledhjen e sakramentit. Ajo duhet të vijë nga besimi i tyre që Jezusi është Krishti dhe Shpëtimtari. Kur ata e mbajnë zotimin në saje të atij besimi, ata ndiejnë diçka. Mund të mos jenë të zotë të përcaktojnë me fjalë ndjenjat, por ata ndihen më mirë. Bindja, madje edhe për gjëra të vogla, e sjell atë bekim nga Perëndia. Dhe pas një kohe ata fillojnë të ndiejnë një zemër të penduar dhe, bashkë me të, një dëshirë për të bërë besëlidhjen e pagëzimit, për të marrë mbi vete emrin e Shpëtimtarit dhe për t’u pastruar nga mëkati.
Njerëzit arrijnë ta bëjnë atë zgjedhje vendimtare për shumë arsye. Në fillim, një burrë që ne e mësuam nuk arrinte të shihte një nevojë për t’u pagëzuar. Në fund të fundit, ai ishte përpjekur gjithë jetën e tij të ishte i mirë. Nuk kishte kryer asnjë mëkat serioz. E kishin pagëzuar që fëmijë në një kishë tjetër. Por atëherë i erdhën ndërmend dy gjëra. Njëra ishte që Shpëtimtari u pagëzua si rezultat i bindjes, pa kryer kurrë mëkat. Tjetra ishte që ai dëshironte të merrte zotimin para Shpëtimtarit përmes autoritetit të priftërisë së vërtetë, tamam ashtu si Shpëtimtari shkoi të pagëzohej tek Gjoni.
Një i ri tjetër që ne e mësuam zgjodhi të pagëzohej si rezultat i zemrës së tij të thyer nga trishtimi që ndiente për mëkatet e tij. Kur doli nga uji i pagëzimit, ai m’i hodhi krahët në qafë, me lotët që i rridhnin në faqe, dhe më tha në vesh: “Jam i pastër. Jam i pastër.”
Zgjedhjet e tyre për të bërë besëlidhjen e pagëzimit, buruan nga i njëjti besim. Ata e dinin që, në qoftë se do të mbanin besëlidhjen që t’i bindeshin urdhërimeve të Shpëtimtarit, Ai do të mbante besëlidhjen e Tij me ta që t’u printe drejt jetës së përjetshme. Ata ishin të gatshëm të vinin tek Ai që të mund të ndryshonin dhe, të udhëhequr prej Tij, pas një kohe, të bëheshin si Ai.
Përpiquni të Bëheni si Ai
Kjo na çon tek gjëja e tretë të cilën kam parë në jetën e atyre që vërtet kanë ardhur tek Ai. Ata përpiqen të bëhen si Ai. Ata fillojnë me përpjekjen për t’u bërë të tjerëve ashtu siç ata e dinë se do të vepronte Ai. Ju dhe unë e kemi parë këtë tek njerëz besnikë, shpejt pas pagëzimit të tyre dhe marrjes së Frymës së Shenjtë. Njëherë shkova me shokun tim misionar të vizitoja një familje të cilën e kishim mësuar dhe pagëzuar vetëm pak javë përpara. Prindërit e familjes na çuan në qilarin e shtëpisë që të na tregonin një dhomë. Kishte qenë dhoma e njërës prej dy vajzave të tyre. Por ajo tani qëndronte tek dhoma e së motrës. Dhoma që ajo kishte liruar ishte mbushur me çdo gjë që do t’i duhej familjes në rast nevoje.
Ne nuk u kishim mësuar asgjë mbi përgatitjen për raste nevoje. Kur i pyetëm përse kishin bërë një gjë aq të vështirë aq shpejt, përgjigjja ishte që ata kishin lexuar në një revistë të Kishës se Zoti dëshiron që familjet të jenë të përgatitura për t’u kujdesur për vete dhe për të tjerë. Ata thanë: “A nuk është kjo ajo që bëjnë shenjtorët e ditëve të mëvonshme?”
Ai besim i thjeshtë përhapej mbi gjithçka që ata mendonin se Shpëtimtari do t’u kërkonte. Dhe dëshira e tyre për të shkuar pas Tij, vazhdonte. Dhe ajo i ndryshoi ata. Gjithnjë kishin qenë dashamirës, përpiqeshin të ndihmonin të tjerët. Por ajo zotësi për të treguar dashurinë hyjnore rritej. Dhe ky ka qenë modeli i reagimit tek të gjithë ata që kam njohur, të cilët vazhdonin të vinin drejt Tij për një jetë të tërë.
Nganjëherë ne flasim lidhur me mbajtjen e anëtarëve sikur të mos i lejojmë të largohen. Ne mundet dhe duhet t’u jemi miq atyre që kanë bërë zgjedhjen të vijnë tek Ai. Ata mund të shkurajohen kur vijnë sprova, meqenëse ato gjithnjë vijnë. Por ende duhet të sjellim ndër mend që miqtë më të mirë e më të sigurtë që ata kanë janë Shpëtimtari dhe Ati i Tij, i cili gjithashtu është Ati i tyre. Ati Qiellor dhe Shpëtimtari do t’u dërgojnë atyre Frymën e Shenjtë që t’i ngushëllojë dhe të pohojë besimin e tyre, nëse janë të përulur dhe të bindur. Kështu, për shembull, kur shkohet për mësimin e vizitave ose për mësimin e shtëpisë me një anëtar të ri, në rast se i jepni rast të lutet ose të japë mësim apo të caktojë takim, ju mund t’i jepni më shumë fuqi sesa thjesht duke shprehur dashurinë. Kjo do të sjellë nga lart fuqitë e qiellit. Dhe kjo do t’i mbajë lart përmes sprovave e do t’i mbrojë nga krenaria kur bekimet fillojnë t’u vijnë, meqenëse ato do të vijnë.
Një Ndryshim i Zemrës
Një tjetër gjë e mrekullueshme do të ndodhë. Kur ju vini zemrën tuaj për të ftuar njerëzit të vijnë te Krishti, zemra juaj do të ndryshojë. Ju do ta bëni punën e Tij për Të. Do të zbuloni se Ai e mban premtimin e Tij për të qenë një me ju në shërbesën tuaj. Do të arrini ta njihni Atë. Dhe pas një kohe, ju do të filloni të jeni si Ai dhe të “[përsoseni] në të”4. Duke ndihmuar të tjerët të vijnë drejt Tij, do të zbuloni se ju keni ardhur vetë tek Ai. Në qoftë se dëshironi të jeni pranë Tij, të ndieni paqen e Tij, ju mund të jepni më të mirën në shërbim të Tij.
Është Ai i cili tha:
“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.
Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”5
Dëshmoj që Ai do ta mbajë atë premtim ndaj atyre që ne ftojmë në emër të Tij. Dhe Ai e mban atë premtim ndaj atyre të cilët i shërbejnë Atij duke ofruar ftesë.