2008
NJË NDRYSHIM I FUQISHËM I ZEMRËS
Mars 2008


NJË NDRYSHIM I FUQISHËM I ZEMRËS

Pas shkollës së infermierisë, shkova të punoj në njësinë e reanimacionit tek një spital për fëmijë. Kisha një dëshirë të mësoja e të fitoja përvojë, të provoja veten. Mirëpo nuk e përfytyroja që do të ishte aq e vështirë – fizikisht dhe emocionalisht. Nuk arrija të kuptoja pse bota është aq e keqe sa madje edhe prindërit mund të shkaktojnë dëmtim të pandreqshëm tek vetë fëmijët e tyre. Nuk kuptoja as përse Perëndia e lejon vdekjen e fëmijëve. Pas një viti pune në spital, shpirti im u rraskapit.

Atëherë mësova se pjesëtarë të familjes sime po merrnin diskutime me misionarë shenjtorë të ditëve të mëvonshme. Unë punoja me turne të zgjatura dhe nuk mund të isha në shtëpi në kohën kur mbaheshin ato diskutime. Pas pak motra dhe nëna ime u pagëzuan. U ndjeva sikur mbeta vetëm, me pyetje dhe me probleme të pazgjidhura. Pavarësisht nga përpjekja e familjes sime për të lënë për mua një takim me misionarët, unë nuk doja t’i takoja. Por njëherë, kur erdhën për vizitë Motrat Xhonson dhe Marçuk, mora pjesë në diskutimin e tyre. Herën tjetër ato më mësuan një mësim shpirtëror dhe unë arrita të gjej përgjigje për pyetje që më kishin munduar për një kohë të gjatë. Së shpejti u pagëzova e u konfirmova.

Qëkurse u bëra anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, kam ndier mbështetjen e besimit tim tek Jezu Krishti. Kam përjetuar vazhdimisht fuqinë e lutjes dhe e ndiej që kam kaluar nga errësira në dritë. Gjashtë vitet në Kishë më kanë dhënë një bindje se Jezu Krishti është Shpëtimtari im. Dhe për shkak të Jezu Krishtit unë kam mundësi të bëhem më e afërt me Atin Qiellor.