2013
Mos lëvizni!
Maj 2013


Mos Lëvizni!

Qëndroni të paepura. Jini të qëndrueshme. Qëndroni për të vërtetën dhe drejtësinë. Qëndroni si dëshmitare. Jini një shembull për botën. Qëndroni në vende të shenjta.

Sonte unë qëndroj në një vend të shenjtë në këtë podium, në prani të profetëve, shikuesve e zbuluesve dhe bijave mbretërore të Perëndisë. Kjo është një periudhë e mrekullueshme për të qenë në tokë dhe për të qenë një e re. Ju jeni bijat e zgjedhura të Atit tonë në Qiell. Shpresoj që e kuptoni identitetin tuaj dhe se sa bija të dashura jeni për Atin tonë në Qiell. Ai e do secilën prej jush dhe unë ju dua gjithashtu.

Mbi tavolinën në zyrën time, kam një kopje në bronz të një skulpture të një të reje, emri i së cilës është Kristina. Skulptura origjinale në madhësinë normale të Kristinës qëndron në një mol në Kopenhage të Danimarkës, e vendosur në mënyrë të atillë që shikon nga deti drejt Sionit. Vendimi i saj për t’u bashkuar me Kishën e për të lënë shtëpinë nuk qe i lehtë dhe mund ta shihni që erërat kundërshtare po fryjnë furishëm kundër saj. Ajo po qëndron e paepur, duke bërë një gjë tepër të vështirë por që e di se është e drejtë. Pasardhësit e saj e vendosën këtë skulpturë atje mbi atë mol në shenjë nderimi ndaj Kristinës, pasi vendimi i saj atë ditë pati rëndësi të përjetshme për brezat [pasardhës].

Për mua, kjo skulpturë e Kristinës përfaqëson secilën nga ju. Ashtu si Kristina, ju po qëndroni përballë shumë vendimeve të rëndësishme dhe po bëni zgjedhje çdo ditë, disa prej të cilave të vështira, që do të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen tuaj por edhe fatin e brezave [pasardhës]. Edhe ju po përballeni me erërat si tufan të kun‑dërshtimit, të vështirësisë, të presionit të bashkëmoshatarëve dhe të ndotjes morale. Dhe prapë, ju po qëndroni të palëvizura dhe po e jetoni ungjillin përballë këtyre stuhive të egra në shoqërinë tonë. Ashtu si Kristina, ju udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë. Ju po merrni vendime të drejta. Ju jeni besnike; dhe ju jeni mbretërore.

Nuk mund të mendoj ndonjë këshillë më të rëndësishme nga një Atë i dashur Qiellor sesa paralajmërimi i Tij për secilën prej jush që të “qëndroni në vende të shenjta dhe [të] mos lëvizni”1. Ai po thotë: “Qëndroni të paepura. Jini të qëndrueshme.2 ‘Qëndro[ni] për të vërtetën dhe drejtësinë.’3 Qëndroni si dëshmitare.4 Jini një shembull për botën. Qëndroni në vende të shenjta. Dhe kështu që mesazhi im për secilën prej jush është një mesazh i thjeshtë: “Mos lëvizni”.

Së pari, mos lëvizni nga zgjedhja e të drejtës. Në këto ditë të mëvonshme, nuk ka vendime të vogla. Vendimet që po merrni pikërisht tani, janë me rëndësi kritike. Zgjedhja e lirë, ose aftësia për të zgjedhur është një prej dhuratave më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij. Ajo është pjesë e planit të lumturisë që ju dhe unë e zgjodhëm dhe e mbrojtëm në ekzistencën tonë para lindjes. Vazhdoni të jetoni në mënyrë të atillë që të mund ta dëgjoni e t’ia vini veshin Frymës së Shenjtë dhe Ai do t’ju ndihmojë të merrni vendime të drejta. Në të vërtetë, Ai do t’ju tregojë “të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”5.

Disa javë më parë, për herë të parë pas shumë vitesh, u ktheva tek ish–shkolla ime e mesme. Isha për vizitë në një konferencë kunji që po mbahej në sallën e shkollës. Ndërsa eca nëpër korridore, një mori kujtimesh befas filluan të vërshonin në mendjen time. Kujtova saktësisht si u ndjeva kur e frekuentoja shkollën e mesme kur qeshë e re – plot mëdyshje, e pasigurt në vetvete, e ndrojtur dhe me kaq shumë dëshirë për t’u përshtatur. Shkova tek salla. Sërish mori kujtimesh më vërshuan në mendje. E njihja çdo element të asaj salle. Vetëm një gjë kishte ndryshuar – unë.

Atë ditë pata mundësinë të qëndroja në podium siç kisha qëndruar shumë herë gjatë shkollës së mesme si përfaqësuese studentore. Madje ndërmjet dëgjuesve pashë disa prej shokëve të mi të mëparshëm të klasës – me disa kisha dalë në takime! Por këtë herë, në vend që të drejtoja një asamble, unë pata privilegjin – aty, në sallën e shkollës sime të mesme – të “qëndro[ja] si dëshmitar[e]”6 dhe të jepja dëshminë time për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin.

Të reja, sigurohuni që marrëdhëniet tuaja me të tjerët të jenë të atilla që, 40 vjet nga sot, të mos të viheni në siklet. Nuk ia vlen që të bësh kompromis përpara asnjë mase trysnie nga grupi, për asnjë miratim [nga të tjerët], për asnjë popullaritet. Ndikimi juaj mbi të rinjtë do t’i ndihmojë që të qëndrojnë të denjë për fuqinë e tyre të priftërisë, për besëlidhjet e tempullit dhe për të shërbyer një mision. Dhe kush e di? Dyzetë vjet nga sot, atje në sallën e shkollës suaj të mesme, një nga ata madje mund të ecë drejt jush dhe t’ju falënderojë që e ndihmuat të qëndronte i denjë në përmbushjen e detyrës së tij të priftërisë për të shërbyer një mision plot nder. Dhe kush e di? Mund të merrni një letër nga një bashkëshorte e një prej atyre të rinjve, duke ju falënderuar ju për ndikimin që patët te bashkëshorti i saj dhe familja e tyre e ardhme që atëherë në ditët e shkollës suaj të mesme. Zgjedhjet tuaja kanë rëndësi. Zgjedhjet tuaja tani jo vetëm që ndikojnë te ju, por ndikojnë te të tjerët gjithashtu. Ato kanë rëndësi të përjetshme. Mos lëvizni!

Së dyti, mos lëvizni nga dëshira dhe zotimi juaj për të qëndruar të virtytshme dhe seksualisht të dëlira. Ta keni fort për zemër virtytin. Dëlirësia juaj vetjake është një prej burimeve tuaja më të mëdha të fuqisë. Kur erdhët në tokë, juve ju dha dhurata e çmuar e pasjes së një trupi. Trupi juaj është vegël e mendjes suaj dhe dhuratë hyjnore me anë të të cilit ushtroni lirinë tuaj të zgjedhjes. Kjo është një dhuratë që iu mohua Satanit, dhe kështu që ai i drejton pothuaj të gjitha sulmet e tij te trupi juaj. Ai dëshiron që ju ta nënçmoni, ta keqpërdorni dhe të abuzoni me trupin tuaj. Mungesa e modestisë, pornografia, imoraliteti, tatuazhet dhe shpimet e trupit, abuzimi me drogat dhe varësitë e të gjitha llojeve, janë që të gjitha përpjekje për të marrë nën kontroll këtë dhuratë të çmuar – trupin tuaj – dhe për t’jua bërë të vështirë ushtrimin e lirisë suaj të zgjedhjes. Pali pyet: “A nuk e dini ju se jeni tempulli i Perëndisë dhe se Fryma e Perëndisë banon në ju?”7

Trupi juaj është një tempull. Përse? Sepse ka aftësinë të strehojë jo vetëm shpirtin tuaj të përjetshëm, por edhe shpirtrat e përjetshëm të të tjerëve që do të vijnë në tokë si pjesë e familjes suaj të përjetshme. Plaku Dallin H. Ouks dha mësim: “Fuqia për të krijuar jetë të vdekshme është [një] fuqi e ekzaltuar”8. Roli juaj është rol i ekzaltuar. Perëndia ju ka dhënë një detyrë të shenjtë! Ju po përgatiteni që të jeni nëna të ardhshme për brezat që do të vijnë. Mbajeni veten të pastër e të denjë dhe ruajeni atë që është “më e dashur dhe më e çmueshme përmbi të gjitha gjërat” – virtytin dhe dëlirësinë tuaj.9 Këshilla e urtë e Atit Qiellor për ju personalisht, bijat e Tij të zgjedhura, është që të “ec[ni] në shtigjet e virtytit”10.

Virtyti është çelësi i artë për në tempull. Kështu që, së treti, mos lëvizni nga qenia të denja kur bëni dhe mbani besëlidhjet e shenjta. Besëlidhja që bëni në pagëzim, do t’ju mbajë në shtegun e virtytit dhe të lumturisë ndërsa e rinovoni atë besëlidhje çdo javë duke marrë sakramentin. Kur mbani besëlidhjen tuaj të pagëzimit, ju do të dukeni ndryshe, do të visheni ndryshe dhe do të veproni ndryshe nga bota. Mbajtja e kësaj besëlidhjeje do t’ju mundësojë që të udhëhiqeni nga Fryma e Shenjtë. Qëndroni në vende të shenjta dhe as mos shkoni pranë atyre ambienteve ose asaj muzike, atyre mediave ose atyre shoqërive që mund t’ju bëjnë të humbisni shoqërinë e Frymës së Shenjtë.11 Dhe ndërsa i mbani besëlidhjet tuaja, ju do të mbeteni të denja e të përgatitura që të hyni në tempujt e shenjtë të Zotit.

Së fundmi, mos lëvizni nga pranimi i Shlyerjes së Shpëtimtarit. Shlyerja është për ju dhe për mua. Është një fuqi ndihmuese dhe shëlbuese. Nëse nuk po ndiheni të denja të qëndroni në vende të shenjta, mos e mbani atë barrë të mëkatit as edhe një ditë më shumë. Në vdekshmëri ne të gjithë do të bëjmë gabime. Jini të sigurta se Shpëtimtari ju do aq shumë sa bëri të mundur për ju që të ndryshoni dhe të pendoheni nëse bëni një gabim. Satani nuk dëshiron që të mendoni se mund të ndryshoni.12 Ai do të përpiqet t’ju bindë që çdo shpresë ka humbur. Kjo është gënjeshtër. Ju mund të ktheheni. Ju mund të pendoheni. Ju mund të jeni të dëlira dhe të shenjta për shkak të Shlyerjes së pafundme të Shpëtimtarit.

Tani më lejoni ta mbyll me një prej historive më të mrekullueshme të dashurisë të treguara ndonjëherë. Ju mund të pyesni: “Çfarë lidhje ka një histori dashurie me qëndrimin në vende të shenjta?” Sigurisht që ka lidhje me qëndrimin në vende të shenjta. Kjo është historia e një të reje me emrin Rebeka.13

Ndërsa kjo histori fillon të shpaloset, Abrahami e ngarkon shërbëtorin e tij të gjejë një të re të denjë që të jetë gruaja e të birit, Isakut. Ajo duhet të jetë një e re që kualifikohet për një martesë në besëlidhje – e virtytshme, e dëlirë dhe e denjë. Dhe kështu ai e dërgon shërbëtorin e tij në një udhëtim të gjatë e të rrezikshëm në një vend të quajtur Haran. Arsyeja përse duhet të shkojë atje është e qartë – burra të shenjtë kanë nevojë për gra të shenjta që të qëndrojnë krah tyre. Kur shërbëtori iu afrua qytetit të Nahorit, ai ndaloi në një burim për t’iu dhënë ujë deveve të tij dhe u lut që do të udhëhiqej tek e reja e duhur dhe që do ta dallonte atë nga oferta që ajo do të bënte për t’i dhënë ujë atij dhe 10 deveve të tij. Tani, unë kam hipur në deve dhe [të paktën] kaq e di – devetë pinë shumë ujë!

Te Zanafilla lexojmë se Rebeka jo vetëm që shkoi deri te burimi dhe mori ujë, por [shkoi] “me nxitim”14, apo shpejtoi, që ta përmbushte këtë detyrë. Shërbëtori pastaj i vendosi byzylykë e stoli Rebekës dhe e pyeti nëse kishte vend në shtëpinë e të atit për të që të qëndronte. Jam e sigurt se stolitë bënë punën e tyre! Shkrimi i shenjtë thotë: “Dhe vajza vrapoi për t’i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj”15. Rebeka duhet të ketë qenë vrapuese e mirë!

Shërbëtori i tregoi familjes së Rebekës për qëllimin e udhëtimit të tij të gjatë; dhe Rebeka ra dakord që të bëhej gruaja e Isakut. Shërbëtori dëshironte të nisej me Rebekën që të nesërmen, por familja iu lut asaj që të qëndronte me ta të paktën edhe 10 ditë. Pastaj ata e pyetën Rebekën se çfarë dëshironte që të bënte dhe përgjigjja e saj qe thjesht: “Po, do të shkoj”16. A ju duket kjo përgjigje e njëjtë me përgjigjen e mijëra vetëve të cilët u përgjigjën me vendosmëri: “Unë do të shkoj dhe do të bëj”17, kur profeti ynë, Presidenti Tomas S. Monson, njoftoi mundësinë që kishin të rinjtë dhe të rejat për të shërbyer në misione në moshë më të re?

Tani morali dhe fundi i kësaj historie dashurie: Rebeka qe e përgatitur dhe e denjë të bënte dhe të mbante besëlidhje të shenjta dhe të bëhej një grua e besëlidhur e Isakut. Asaj nuk iu desh të priste e të përgatitej. Përpara largimit nga familja e saj, iu dha një bekim; dhe fjalët janë emocionuese për mua, pasi iu premtua se do të bëhej “nëna e mijëra mizëri njerëzish”18. Por pjesa më e bukur e kësaj historie dashurie është kur Rebeka pa për herë të parë Isakun dhe ai e pa për herë të parë atë. Në Bibël kjo nuk thuhet, por mendoj se qe dashuri me shikim të parë! Pasi “virtyti e dashuron virtytin; [dhe] drita kapet pas dritës”19. Kur Isaku doli të takonte karvanin, Rebeka “zbriti me të shpejtë nga deveja [e saj]”20. Dhe pastaj thotë: “Dhe ai e dashuroi”21. Këtu unë filloj të marr frymë sërish!

Për të dyja, si Kristinën edhe Rebekën, nuk qe e lehtë të qëndronin në vende të shenjta. Të mos lëviznin nuk qe e lehtë. Erërat frynë furishëm, uji i burimit qe i rëndë dhe largimi nga vatra e tyre familjare dhe jeta e mëparshme me siguri nuk qe i lehtë. Por ato bënë zgjedhje të drejta. Ato u udhëhoqën nga Fryma e Shenjtë. Ato qenë të virtytshme dhe u përgatitën për të bërë e për të mbajtur besëlidhje të shenjta. Shpëtimtari qe me prejardhje nga Rebeka. A e dinte ajo atëherë se kjo do të ndodhte? Jo! A kanë rëndësi zgjedhjet tuaja? Po!

Të reja, brezat [pasardhës] mbështeten te zgjedhjet që bëni, te dëlirësia juaj dhe jeta juaj e denjë. Mos lëvizni. Ju keni një fat të mrekullueshëm përpara jush. Ky është çasti juaj! Unë vërtet besoj se një e re e virtytshme, e udhëhequr nga Shpirti, mund ta ndryshojë botën!

Unë dëshmoj se Shpëtimtari jeton! Ai do të jetë me ju. Ai do t’ju ndihmojë. Dhe në çaste të vështira, “engjëjt e [Tij do të jenë] përreth jush, për t’ju ngritur lart”22. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.