2013
Çuarja e Ungjillit në Gjithë Botën
Maj 2013


Çuarja e Ungjillit në Gjithë Botën

Kisha ka lëvizur në mënyrë të qëndrueshme kudo në botë, nga kombi në komb, nga kultura në kulturë, nga populli në popull, sipas kalendarit të Zotit dhe në kohën e Tij.

Plaku Xhon B. Dikson

Shërbesa në vdekshmëri e Shpëtimtarit kishte përfunduar. Vuajtja e Tij në Gjetseman dhe në kryq mbaroi. Mësojmë nga Veprat e Apostujve 1 se Ai kishte shërbyer për 40 ditë pas Ringjalljes së Tij, “duke u parë” nga Apostujt dhe “duke folur për gjëra [të] mbretërisë së Perëndisë” (Veprat e Apostujve 1:3).

Ai u tha atyre se “ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut” (Veprat e Apostujve 1:8).

Pak pas kësaj, ai “u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.

Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,

dhe thanë: ‘Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell’” (Veprat e Apostujve 1:9–11).

Me të vërtetë, Shpëtimtari do të vijë sërish në Ardhjen e Tij të Dytë, por ndërkohë, ungjilli i Jezu Krishtit duhej të shkonte “deri në skajin e dheut”.

Nga Mateu ne mësojmë për një urdhër të veçantë dhënë Apostujve, që t’ia çonin ungjillin të gjitha kombeve:

“Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ‘Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.

Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’” (Mateu 28:18–19).

Gjatë ditëve të hershme të Kishës, në meridianin e kohës, ungjilli u çua vetëm te shtëpia e Izraelit; pastaj Pjetrit, Apostullit më të vjetër, i erdhi zbulesa se kishte ardhur koha që ta çonin ungjillin përtej Izraelit dhe te johebrenjtë. Kapitujt 10 dhe 11 të Veprave të Apostujve na ndihmojnë të kuptojmë procesin dhe modelin me anë të të cilit ky zgjerim i nevojshëm i Kishës ndaj më shumë fëmijëve të Perëndisë, u ishte bërë i njohur drejtuesve kryesues dhe anëtarësisë së përgjithshme.

Duke përdorur Kornelin, i cili ishte një johebre, një centurion dhe një njeri i mirë, Zoti e ndihmoi Pjetrin të kuptonte se ungjilli do t’u shkonte johebrenjve, një koncept i ri dhe i huaj për shenjtorët e asaj kohe. Zbulesa që bëri atë ndryshim në punët e Kishës, i erdhi Pjetrit, Apostullit më të vjetër. Ne e dimë se më pas ungjilli u përhap me shpejtësi te kombet e johebrenjve.

Një shembull i zgjerimit të Kishës në atë kohë ishte kthimi në besim i Palit, i cili u bë Apostulli i madh për johebrenjtë. Ai pati një vegim teksa ishte në rrugën për në Damask, ku pa një dritë e dëgjoi një zë, u pendua për mëkatet e tij dhe u thirr nga Perëndia (shih Veprat e Apostujve 22:6–18) e më pas u bë një forcë shumë e madhe në përhapjen e ungjillit të Jezu Krishtit.

Tani le të shkojmë 1.800 vite më tej, deri në kohën e Rivendosjes së ungjillit ose ripërtëritjes së të gjitha gjërave përpara Ardhjes së Dytë. Unë dëshmoj se nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Kisha është rivendosur dhe vazhdon të shkojë përpara nën drejtimin e Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Urdhri për ta, për t’ia çuar ungjillin botës, është i njëjti me atë të Apostujve të lashtë.

Që nga koha e organizimit të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në 1830–ën, Kisha ka lëvizur në mënyrë të qëndrueshme kudo në botë, nga kombi në komb, nga kultura në kulturë, nga populli në popull, sipas kalendarit të Zotit dhe në kohën e Tij.

Në vitin 1978, në vazhdim të modelit të vendosur të zbulesës nëpërmjet Apostullit më të vjetër, Presidentit Spenser W. Kimball, erdhi një zbulesë, këtë herë për dhënien e bekimeve të priftërisë të gjithë meshkujve të denjë kudo në botë. Kjo do të thotë se në kohën tonë, të gjithë fëmijët e Atit Qiellor kudo në botë mund të marrin nga të gjitha bekimet e ungjillit të rivendosur. Ky është një veprim shumë i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë në tokë në ditët e afrimit të Ardhjes së Dytë të Krishtit.

Në rastin tim personal, sapo isha thirrur si president misioni, dhe motra Dikson dhe unë ishim gati ta çonim familjen tonë në Meksikë kur Plaku Riçard G. Skot, në atë kohë anëtar i Të Shtatëdhjetëve, më tregoi për ardhjen e kësaj zbulese të veçantë. Ndërsa më tregoi atë që kishte ndodhur, më kujtohet që më dolën lotë nga sytë. Isha i kënaqur sa s’thuhet me fjalë pasi e dija se ishte e drejtë dhe se kishte ardhur koha për të gjithë njerëzimin që të kishte të drejtën për të gjitha ordinancat, besëlidhjet dhe bekimet e ungjillit.

Kjo ndodhi afërsisht 35 vite më parë dhe në atë kohë nuk ma merrte mendja se do t’i kaloja disa vite të shërbesës sime si I Shtatëdhjetë në Zonën e Afrikës Perëndimore të Kishës, midis njerëzve besimtarë e besnikë, jetët e të cilve do të ishin kaq të ndikuara nga zbulesa e 1978–ës mbi priftërinë. Motra Dikson dhe unë kemi jetuar atje për katër vjet dhe përvoja ka qenë e mrekullueshme, dhe ka ndryshuar jetët tona.

Afrikano–perëndimorët, si popull, besojnë në Perëndi, nuk kanë absolutisht turp në shpalljen dhe ndarjen e besimit të tyre me të tjerët dhe kanë aftësi shumë të madhe drejtuese. Qindra njerëz po kthehen në besim në Kishë, dhe pak a shumë çdo javë krijohen disa lagje ose degë diku në Zonën e Afrikës Perëndimore, thuajse në çdo rast, me udhëheqje priftërie dhe të organizatave ndihmëse tërësisht afrikane.

Sa do të doja të bashkoheshit me shenjtorët në tempullin e Abas në Nigeri apo të Akras në Ganë, ku ju do të mund të ndienit zotimin e shenjtorëve dhe do të arrinit të njihnit presidencat e tempujve tërësisht afrikane. Ose sa do të doja t’ju prezantoja me Të Shtatëdhjetët Zonalë afrikanë, që sot janë bashkuar me ne këtu në Qendrën e Konferencave dhe janë avokatë, profesorë dhe administrues biznesi, apo t’ju njihja me udhëheqës afrikanë për kunje dhe lagje dhe me familjet e tyre.

T’i bashkohesh një ore mësimore të Shkollës të së Dielës, të një organizate ndihmëse apo të priftërisë nëpër Afrikë, është një përvojë e shenjtë, ku zbatohet programi mësimor i Kishës dhe ka kuptueshmëri, mësimdhënie dhe nxënie të madhe të ungjillit me anë të Shpirtit.

Ungjilli në Afrikë po i shkon një populli të lumtur, që nuk është aq i shqetësuar për pamjen e jashtme, e cila ndikon në jetën e shumë njerëzve në Perëndim. Ata nuk shqetësohen që të kenë zotërime të pafundme materiale.

Është thënë për afrikanët se ata kanë shumë pak nga ajo që ka më pak rëndësi dhe shumë më tepër nga ajo që ka më shumë rëndësi. Ata kanë pak interes për shtëpi shumë të mëdha dhe makinat më të mira, por kanë interes të madh në njohjen e Atit të tyre Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe në pasjen e familjeve të përjetshme. Si pasojë e natyrshme e besimit të tyre, Zoti po i lartëson ata në mënyra kuptimplote.

Duke i njohur siç i njohim ne, nuk jemi të çuditur që ata do të ishin një pjesë kaq e rëndësishme e zgjerimit të Kishës së Jezu Krishtit në ditët e fundit. Kur Danieli, profeti i Dhiatës së Vjetër, parashikoi se mbretëria e Perëndisë në ditët e fundit “do të përhape[j] deri në fundet e dheut, ashtu si [një] gur që shkëputet pa duar nga mali, do të përhape[j] derisa të [kishte] mbushur tërë tokën” (DeB 65:2), është me shumë vend që vëllezërit dhe motrat tona të mrekullueshme afrikane do të ishin një pjesë e rëndësishme e përmbushjes së asaj profecie dhe se zbulesat që e bënë të tillë, do të ndiqnin modelet e vendosura nga Zoti.

Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij, se Jezusi është Krishti dhe se ungjilli është i disponueshëm për të gjithë, të gjallë dhe të vdekur. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.