2013
Karol F. Mek-Konki
Maj 2013


Karol F. Mek–Konki

Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave

Karol F. Mek-Konki

Që kur qe e vogël, Karol Foli Mek–Konki ka pasur një “dëshirë të zjarrtë për tempullin”. Ai përqendrim i ka drejtuar veprimet e saj gjatë gjithë jetës.

E lindur në prill të 1952–shit në Spoken të Uashingtonit në SHBA nga Uilliam dhe Xhoan W. Foli, Motra Mek–Konki ishte thjesht një çupëlinë kur misionarët trokitën në derën e prindërve të saj në Uilmingon, Delauer dhe e njohën familjen e saj me ungjillin. Prindërit e saj i përqafuan menjëherë mësimet pavarësisht kundërshtimit dhe detyrimit për të bërë ndryshime në stilin e jetesës.

Kur ishte fëmijë, ajo udhëtoi me familjen me tren mespërmes vendit që të vulosej në Tempullin e Mantit në Juta.

“Kjo ishte një përvojë shumë e ëmbël”, tha ajo. “Mbaj mend që isha veshur me të bardha dhe kuptimin që kishte ajo për familjen time. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, edhe pse isha shumë e vogël, i mbaj mend ndjenjat që përjetova, pamjet me të bardha dhe bukurinë e asaj dite. Ajo përvojë më dha dëshirën e parë për ta mbajtur tempullin në jetën time përgjithmonë.”

Tempulli u bë një simbol shprese gjatë kohëve të sprovës dhe kur pati një familje të vetën.

Ajo u takua me bashkëshortin e saj, Oskar Uolter Mek–Konki III, ndërsa po ndiqnin Universitetin Shtetëror të Arizonës. Motra Mek–Konki mori diplomë universitare për mësuesi për gjuhën angleze. Ata u martuan më 22 dhjetor 1973, në Tempullin e Mesës në Arizona dhe janë prindër të shtatë fëmijëve.

Në kohën e thirrjes së saj si këshilltare e parë në presidencën e përgjithshme të Të Rejave, Motra Mek–Konki po shërbente në bordin e përgjithshëm të Të Rejave. Ajo e ka kaluar pjesën më të madhe të shërbimit të saj në Kishë me thirrje që përfshijnë mësimdhënien dhe si presidente e Të Rejave të lagjes dhe si këshilltare në presidencat e Shoqatës së Ndihmës dhe të Fillores të lagjes. Ajo shërbeu me të shoqin ndërsa ai kryesoi në Misionin e Kalifornisë, San–Hoze nga viti 2005 deri në 2008–ën.