2013
Ejani tek Unë
Maj 2013


“Ejani tek Unë”

Me anë të fjalëve të Tij dhe shembullit të Tij, Krishti na ka treguar se si të afrohemi më pranë Tij.

Presidenti Henri B. Ajring

Jam mirënjohës që jam me ju në këtë konferencë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kjo është Kisha e Tij. Ne marrim emrin e Tij mbi vete kur hyjmë në mbretërinë e Tij. Ai është Perëndia, Krijuesi, dhe është i përsosur. Ne jemi qenie që i nënshtrohemi vdekjes dhe të prirur ndaj mëkatit. Përsëri, për shkak të dashurisë së Tij për ne dhe familjet tona, Ai na fton të jemi pranë Tij. Këto janë fjalët e Tij: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”1.

Në këtë stinë Pashke, ne na sillet ndërmend arsyeja përse e duam Atë dhe premtimi që Ai u bën dishepujve të Tij besnikë për t’u bërë miqtë e Tij të dashur. Shpëtimtari e bëri atë premtim dhe na tregoi se si, nëpërmjet shërbimit tonë ndaj Tij, Ai vjen te ne. Një shembull është në një zbulesë dhënë Oliver Kauderit, kur i shërbeu Zotit bashkë me Profetin Jozef Smith në përkthimin e Librit të Mormonit: “Vër re, ti je Oliveri dhe unë të kam folur për shkak të dëshirave të tua; si rrjedhim, mbaji këto fjalë thesar në zemrën tënde. Ji besnik e i zellshëm në zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë dhe unë do të të rrethoj me krahët e dashurisë sime.”2

Unë përjetova gëzimin e ardhjes më pranë Shpëtimtarit dhe të ardhjes së Tij më pranë meje, më shpesh nëpërmjet veprimeve të thjeshta të bindjes ndaj urdhërimeve.

Ju keni pasur përvoja të tilla. Mund të kenë ndodhur kur zgjodhët të merrnit pjesë në një mbledhje sakramenti. Më ndodhi mua në një Shabat, kur isha shumë i ri. Në ato kohë, ne e merrnin sakramentin gjatë një mbledhjeje në mbrëmje. Kujtimi i një dite më shumë se 65 vite më parë, kur e zbatova urdhërimin për t’u mbledhur me familjen time dhe me shenjtorët, ende më afron më pranë Shpëtimtarit.

Jashtë ishte errësirë dhe ftohtë. Më kujtohet që ndjeva dritë dhe ngrohtësi në kishë atë mbrëmje me prindërit e mi. Ne morëm sakramentin, e administruar nga mbajtës të Priftërisë Aarone, duke besëlidhur me Atin tonë të Amshuar për ta kujtuar gjithmonë Birin e Tij dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Në fund të mbledhjes kënduam himnin “Abide with Me; ’Tis Eventide” [“Me Mua Rri; Ësht’ Muzg Tani”], që kishte fjalët “O Shpët’us, pran’ k’të nat’ më rri”3.

E ndjeva dashurinë dhe afërsinë e Shpëtimtarit atë mbrëmje. Dhe ndjeva ngushëllimin e Frymës së Shenjtë.

Doja t’i ndizja edhe njëherë ndjenjat e dashurisë për Shpëtimtarin dhe afërsinë e Tij, të cilat i ndjeva gjatë mbledhjes së sakramentit në rininë time. Kështu që kohët e fundit zbatova një urdhërim tjetër. Hetova në shkrimet e shenjta. Në to, e dija se mund të kthehesha përsëri për ta pasur Frymën e Shenjtë që të më lejonte të ndieja atë që dy dishepujt e Zotit të ringjallur kishin ndier, kur Ai i ishte përgjigjur ftesës së tyre për të shkuar në shtëpinë e tyre dhe për të qëndruar me ta.

Lexova për ditën e tretë pas Kryqëzimit dhe varrimit të Tij. Gra besnike dhe të tjerë e gjetën gurin të larguar nga varri dhe panë se trupi i Tij nuk ishte më atje. Ato kishin ardhur për t’ia vajosur trupin, për shkak të dashurisë për Të.

Dy engjëj qëndruan pranë dhe i pyetën përse kishin frikë, duke thënë:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,

duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”4

Ungjilli sipas Markut shton udhëzimin nga një prej engjëjve: “Por shkoni dhe u thoni dishepujve të tij dhe Pjetrit se ai po ju pararend në Galile; atje do ta shihni, ashtu siç ju pati thënë”5.

Apostujt dhe dishepujt ishin mbledhur në Jerusalem. Sikurse do të ishim ndier ne, ata patën frikë dhe vranë mendjen ndërsa folën së bashku rreth asaj se çfarë do të thoshte për ta vdekja dhe rrëfimet për ringjalljen e Tij.

Dy nga dishepujt ecën atë mbrëmje nga Jerusalemi në rrugën për në Emaus. Krishti i ringjallur u shfaq në rrugë e sipër dhe eci me ta. Zoti kishte ardhur tek ata.

Libri i Llukës na lejon të ecim me ta:

“Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.

Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.

Dhe ai u tha atyre: ‘Ç’janë këto biseda që bëni me njëri–tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?’

Dhe një nga ata, me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: ‘Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?’”6

I treguan Atij për trishtimin e tyre ngaqë Jezusi kishte vdekur, kur ata kishin besuar se Ai do të ishte Shëlbuesi i Izraelit.

Duhej të kishte pasur dhembshuri në zërin e Zotit të ringjallur, kur ai u foli këtyre dy dishepujve të hidhëruar dhe të pikëlluar:

“Atëherë ai u tha atyre: ‘O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!

Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?’

Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.”7

Atëherë erdhi një çast që e ka ngrohur zemrën time, që kur isha djalë i vogël:

“Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.

Por ata e detyruan duke thënë: ‘Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron’. Dhe ai hyri që të rrijë me ta.”8

Shpëtimtari e pranoi atë natë ftesën për të hyrë në shtëpinë e dishepujve të Tij pranë fshatit Emaus.

U ul të hante me ta. Ai mori bukën, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre. Sytë e tyre u çelën, kështu që ata e njohën Atë. Atëherë, Ai u zhduk prej syve të tyre. Lluka shënoi për ne ndjenjat e atyre dishepujve të bekuar: “Dhe ata i thanë njeri tjetrit: ‘Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?’”9

Në po atë çast, të dy dishepujt u kthyen me nxitim në Jerusalem për t’iu thënë të njëmbëdhjetë Apostujve se çfarë u kishte ndodhur. Në atë çast Shpëtimtari u shfaq përsëri.

Ai përmendi profecitë e misionit të Tij për të shlyer për mëkatet e të gjithë fëmijëve të Atit të Tij dhe për të këputur rripat e vdekjes.

“Dhe u tha atyre: ‘Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,

dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.

Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.’”10

Fjalët e Shpëtimtarit janë po aq të vërteta për ne sa ishin për dishepujt e Tij në atë kohë. Ne jemi dëshmitarë të këtyre gjërave. Dhe detyra e lavdishme që pranuam kur u pagëzuam në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, u bë e qartë për ne nga profeti Alma shekuj më parë tek ujërat e Mormonit:

“Dhe ndodhi që ai u tha atyre: Vini re, këtu janë ujërat e Mormonit (pasi kështu quheshin) dhe tani, pasi ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri–tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta –

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen dhe të qëndroni si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që ju të gjendeni, madje deri në vdekje, që ju të mund të shëlbeheni nga Perëndia dhe të numëroheni me ata të ringjalljes së parë, që ju të mund të keni jetën e përjetshme –

Tani unë ju them, në qoftë se kjo është dëshira e zemrave tuaja, çfarë keni kundër pagëzimit në emrin e Zotit, si një dëshmi para tij që ju keni hyrë në një besëlidhje me të, se ju do t’i shërbeni atij dhe do të zbatoni urdhërimet e tij, që ai të mund të derdhë mbi ju Shpirtin e tij më me shumicë?

Dhe tani, kur njerëzit kishin dëgjuar këto fjalë, ata përplasën duart e tyre nga gëzimi dhe thirrën: Kjo është dëshira e zemrave tona.”11

Ne kemi besëlidhur për të lartësuar ata që janë në nevojë dhe gjithashtu për të qenë dëshmitarë të Shpëtimtarit për aq kohë sa jetojmë.

Ne vërtet do të jemi në gjendje ta bëjmë atë pa dështuar, vetëm kur ndiejmë dashuri për Shpëtimtarin dhe kur ndiejmë dashurinë e Tij për ne. Kur jemi besnikë ndaj premtimeve që kemi bërë, ne vërtet do ta ndiejmë dashurinë tonë për Të. Ajo do të rritet, sepse ne do ta ndiejmë vërtet fuqinë e Tij dhe tërheqjen e Tij pranë nesh në shërbim të Tij.

Presidenti Tomas S. Monson na ka kujtuar shpesh për premtimin e Zotit ndaj dishepujve të Tij besnikë: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja dhe engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”12

Ka një mënyrë tjetër që ju dhe unë e kemi ndier Atë të na vijë më pranë. Kur i japim shërbim të përkushtuar Atij, Ai u afrohet më pranë atyre që i duam në familjet tona. Sa herë që jam thirrur në shërbim të Zotit për ta shpërngulur familjen time ose për ta lënë atë, kam arritur të kuptoj se Zoti po i bekonte bashkëshorten time dhe fëmijët e mi. Ai përgatiti shërbëtorë të dashur të Tij dhe mundësi për ta afruar familjen time më pranë Tij.

Ju e keni ndier po atë bekim në jetën tuaj. Shumë prej jush kanë njerëz të dashur që po enden larg shtegut për te jeta e përjetshme. Ju vrisni mendjen se ç’mund të bëni më shumë për t’i kthyer ata përsëri. Ju mund të mbështeteni te Zoti për t’u afruar më pranë tyre, ndërkohë që i shërbeni Atij me besim.

Kujtoni premtimin e Zotit dhënë Jozef Smithit dhe Sidni Ridgonit, kur ata ishin larg familjeve të tyre duke bërë punët e Tij: “Miqve të mi Sidney dhe Joseph, familjet tuaja janë mirë; ato janë në duart e mia dhe unë do të bëj me ta si të më duket mirë; sepse në mua është gjithë fuqia”13.

Sikurse Alma dhe mbreti Mosia, disa prindër besnikë i kanë shërbyer Zotit kaq gjatë dhe kaq mirë, por përsëri kanë pasur fëmijë që u endën pavarësisht nga sakrifica e prindërve të tyre për Zotin. Ata kanë bërë gjithë çka mundeshin pa ndonjë dobi të dukshme, madje edhe me ndihmë prej miqve të dashur dhe besnikë.

Alma dhe shenjtorët e ditës së tij u lutën për birin e tij dhe bijtë e mbretit Mosia. Një engjëll erdhi. Lutjet tuaja dhe lutjet e atyre që e ushtrojnë besimin e tyre, do të sjellin shërbëtorët e Zotit për t’i ndihmuar anëtarët e familjes suaj. Do t’i ndihmojnë ata të zgjedhin rrugën për t’u kthyer te Perëndia, edhe kur sulmohen nga Satani dhe pasuesit e tij, qëllimi i të cilëve është të shkatërrojnë familjet në këtë jetë dhe në përjetësi.

I kujtoni fjalët që engjëlli i foli Almës, të Riut, dhe bijve të Mosias gjatë rebelimit të tyre: “Dhe engjëlli tha përsëri: Shiko, Zoti ka dëgjuar lutjet e popullit të tij dhe gjithashtu lutjet e shërbëtorit të tij, Almës, i cili është ati yt; pasi ai është lutur me besim të madh në lidhje me ty, që ti të mund të sillesh në njohurinë e së vërtetës; prandaj, për këtë shkak unë erdha të të bind ty për fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë, që lutjet e shërbëtorëve të tij të mund të marrin përgjigje, sipas besimit të tyre”.14

Premtimi im për ju që i luteni dhe i shërbeni Zotit, nuk mund të jetë që ju do të keni çdo bekim që mund të dëshironi për veten dhe familjen tuaj. Por mund t’ju premtoj se Shpëtimtari do të afrohet më pranë jush dhe do t’ju bekojë ju dhe familjen tuaj me atë që është më e mira. Ju do të keni ngushëllimin e dashurisë së Tij dhe do ta ndieni përgjigjen e afrimit të Tij më pranë, ndërsa e shtrini dorën tuaj për t’iu dhënë shërbim të tjerëve. Ndërsa lidhni plagët e atyre që kanë nevojë dhe u ofroni pastrimin e Shlyerjes së Tij atyre që ndiejnë trishtim për mëkatin, fuqia e Zotit do t’ju mbështesë. Duart e Tij shtrihen së bashku me tuajat për t’i ndihmuar dhe bekuar fëmijët e Atit tonë Qiellor, duke përfshirë edhe ata në familjen tuaj.

Një kthim i lavdishëm në shtëpi përgatitet për ne. Ne vërtet do të shohim atëherë premtimin e përmbushur të Zotit që e kemi dashur. Është Ai që na mirëpret në jetën e përjetshme me Të dhe me Atin tonë Qiellor. Jezu Krishti e përshkroi atë në këtë mënyrë:

“Kërko të sjellësh dhe të ndërtosh Sionin tim. Zbato urdhërimet e mia në të gjitha gjërat.

Dhe, nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë.”15

“Sepse ata që jetojnë, do të trashëgojnë tokën dhe ata që vdesin, do të prehen nga gjithë punët e tyre dhe veprat e tyre do t’i ndjekin; dhe ata do të marrin një kurorë në banesat e atit tim, të cilat i kam përgatitur për ta.”16

Unë dëshmoj se ne, me anë të Shpirtit, mund ta ndjekim ftesën e Atit Qiellor: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”17

Me anë të fjalëve të Tij dhe shembullit të Tij, Krishti na ka treguar se si të afrohemi më pranë Tij. Çdo fëmijë i Atit Qiellor, i cili ka zgjedhur të hyjë nëpërmjet portës së pagëzimit në Kishën e Tij, do të ketë mundësinë që t’i mësohet ungjilli i Tij dhe që ta dëgjojë nga shërbëtorët e Tij të thirrur ftesën e Tij për të “[ardhur] tek unë”18.

Çdo shërbëtor i Tij i besëlidhjes brenda mbretërisë së Tij në tokë dhe në botën e shpirtrave do ta marrë drejtimin e Tij me anë të Shpirtit, kur ata i bekojnë të tjerët dhe u shërbejnë atyre për Të. Atëherë ata do të ndiejnë dashurinë e Tij dhe do të gjejnë gëzim në afrimin më pranë Tij.

Unë jam dëshmitar i Ringjalljes së Zotit, me po aq siguri sikur të kisha qenë atje në mbrëmjen me dy dishepujt në shtëpinë në rrugën për në Emaus. E di se Ai jeton me po aq siguri sa e dinte edhe Jozef Smithi kur pa Atin dhe Birin në dritën e një mëngjesi të shkëlqyeshëm në korijen e drurëve në Palmira.

Kjo është Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit. Vetëm te çelësat e priftërisë, të mbajtura nga Presidenti Tomas S. Monson, është fuqia për ne që të vulosemi si familje për të jetuar përgjithmonë me Atin tonë Qiellor dhe Zotin Jezu Krisht. Ne vërtet do të qëndrojmë në Ditën e Gjykimit përpara Shpëtimtarit, ballë për ballë. Ajo do të jetë një kohë gëzimi për ata që janë afruar pranë Tij në shërbimin e Tij në këtë jetë. Do të jetë gëzim të dëgjojnë fjalët: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik”19. Unë dëshmoj kështu, si dëshmitar i Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë të ringjallur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.