2013
Fjalët që Themi
Maj 2013


Fjalët që Themi

Mënyra si u flasim fëmijëve tanë dhe fjalët që përdorim, mund t’i inkurajojnë dhe t’i ngrenë moralisht ata dhe ta forcojnë besimin e tyre që të qëndrojnë në shtegun e kthimit për tek Ati Qiellor.

Rozmari M. Uiksom

Një baba i ri, së fundi mësoi se mësuesja e tij e jashtëzakonshme e klasës së dytë kishte ndërruar jetë. Në përkujtim të saj, ai shkroi: “Nga të gjitha ndjenjat dhe përvojat që kujtoj, ndjenja më mbizotëruese në mendjen time është ‘ngushëllimi’. Ajo mund të më ketë mësuar germëzimin, gramatikën dhe matematikën, por më me rëndësi, ajo më mësoi ta pëlqeja të qenit fëmijë. Në klasën e saj nuk ishte problem po të germëzoje keq një fjalë me raste: ‘Mirë, do të punojmë me të’, thoshte ajo. Nuk ishte problem të derdhje, shkulje apo grisje diçka: “Do ta rregullojmë dhe do ta pastrojmë’, përgjigjej ajo. Ishte mirë të përpiqeshe, të sfidoje veten, të ëndërroje dhe t’i shijoje ato kënaqësi që vijnë nga gjëra të parëndësishme që vetëm fëmijëve u duken emocionuese.”

Një prej ndikimeve më të mëdha që një njeri mund të ketë në botë, është ndikimi ndaj një fëmije. Bindjet e fëmijëve dhe vetëvlerësimi krijohen herët në jetën e tyre. Çdokush që më dëgjon të flas, ka fuqinë ta shtojë besimin e një fëmije te vetja dhe ta shtojë besimin e një fëmije tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti përmes fjalëve që thotë.

Te Helamani kapitulli 5 lexojmë: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj”1.

Këto qenë fjalët që Helamani ua mësoi bijve të tij. Dhe vazhdojmë të lexojmë: Dhe ne vazhdojmë të lexojmë: “Dhe ata i mbajtën mend fjalët e tij; dhe … u nisën, … për t’u mësuar fjalën e Perëndisë të gjithë njerëzve”2.

Edhe pse bijtë e Helamanit u përndoqën dhe u burgosën, ato fjalë që kishin dëgjuar, nuk i lanë kurrë në baltë. Ata u mbrojtën dhe u rrethuan nga një shtyllë zjarri. Më pas erdhi një zë, që u thoshte robëruesve të tyre:

“Pendohuni, pendohuni dhe mos kërkoni më të shkatërroni shërbëtorët e mi. …

… Nuk ishte një zë bubullime, as nuk ishte zëri i zhurmës së një trazire të madhe, por vini re, ishte një zë i qetë i një butësie të përsosur, sikur të ishte një pëshpëritje dhe depërtoi deri në thellësinë e shpirtit.”3

Ne mund të mësojmë prej atij zëri nga qielli. Nuk qe i lartë, qortues apo poshtërues; ishte një zë i qetë me butësi të përsosur, duke dhënë udhëzim të vendosur ndërkohë që jep shpresë.

Mënyra si u flasim fëmijëve tanë dhe fjalët që përdorim, mund t’i inkurajojnë dhe t’i ngrenë moralisht ata dhe ta forcojnë besimin e tyre që të qëndrojnë në shtegun e kthimit për tek Ati Qiellor. Ata vijnë në këtë botë të gatshëm për të dëgjuar.

Një shembull i një fëmije duke dëgjuar ndodhi në një dyqan cohërash. Dyqani qe mbushur me blerës kur u bë e qartë për të gjithë se një nënë ishte tmerruar sepse kishte humbur të birin vocërrak. Së pari, ajo po e thërriste në emër. “Konër”, thoshte ajo teksa ecte me shpejtësi nëpër dyqan. Teksa koha kalonte, zëri i saj u bë më i lartë dhe i furishëm. Shpejt, rojet e sigurisë së dyqanit u njoftuan dhe çdokush në dyqan u përfshi në kërkimin e fëmijës. Disa minuta kaluan pa mundur ta gjenin. Në mënyrë të kuptueshme nëna e Konërit, po shqetësohej më shumë me kalimin me kohës dhe po e thërriste me shpejtësi emrin e tij pa pushim.

Një kliente, pasi bëri një lutje në heshtje, pati mendimin se Konëri ndoshta qe brenda dyqanit dhe mund të frikësohej teksa e dëgjonte të ëmën të klithte emrin e tij. Ajo ia përmendi këtë një gruaje tjetër të përfshirë në kërkim dhe ato bënë një plan shpejt e shpejt. Së bashku filluan të ecnin mes tryezave të cohërave duke i përsëritur qetësisht fjalët: “Konër, nëse ma dëgjon zërin, thuaj: ‘Jam këtu’.” Teksa ecnin ngadalë drejt anës së prapme të dyqanit duke e përsëritur atë frazë, pa dyshim që dëgjuan një zë të druajtur, të butë të thoshte: “Jam këtu”. Konëri po fshihej mes rrotullave të një cohe nën tryezë. Ishte një zë me butësi të përsosur që e nxiti Konërin të përgjigjej.

Të Lutemi që t’i Dimë Nevojat e një Fëmije

Për t’i folur zemrës së një fëmije, ne duhet të lutemi që të dimë nevojat e tij. Nëse lutemi që t’i dimë ato nevoja, vetë fjalët që themi mund të kenë fuqinë t’iu futen në zemër. Përpjekjet tona lartësohen kur kërkojmë udhëzimin e Frymës së Shenjtë. Zoti tha:

“Flisni mendimet që unë do të vë në zemrat tuaja, …

Sepse do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni.4

Të Shkëputemi dhe të Dëgjojmë me Dashuri

Fatkeqësisht, hutimet e kësaj bote u mohojnë shumë fëmijëve dëgjimin e fjalëve inkurajuese që mund të ndikojnë te mënyra se si ata e shohin veten.

Dr. Nill Hallfon, një mjek që drejton qendrën UCLA për Fëmijë, Familje dhe Komunitete më të Shëndetshme, flet për “shpërfilljen e mirë prindërore”. Një shembull përfshiu një 18–muajsh dhe prindërit e tij:

“Djali i tyre dukej i lumtur, aktiv dhe i përfshirë, duke e shijuar dukshëm kohën dhe picën me prindërit e tij. … Në fund të darkës, mami shkoi të merrej me një punë, duke ia lënë në dorë kujdesin babait.’

Babi … filloi të lexonte mesazhe në telefon teksa vogëlushi përpiqej t’ia tërhiqte vëmendjen duke i hedhur copëza nga korja e picës. Më pas, babi u angazhua sërish, duke u kthyer me fytyrë nga fëmija dhe duke luajtur me të. Megjithatë, shpejt, ai e zëvendësoi lojën me të parit e një videoje në telefon me vogëlushin derisa u kthye gruaja.

Në të dyja raste [Dr.] Hallfoni vëzhgoi një zbehje të dritës së brendshme të fëmijës, një dobësim të lidhjes mes prindit dhe fëmijës.”5

Përgjigjja e lutjes sonë për mënyrën se si të përmbushim nevojat e fëmijëve tanë mund të jetë shkëputja më shpesh nga teknologjia. Çaste të çmuara mundësish për të ndërvepruar dhe biseduar me fëmijët tanë zhduken kur ne jemi të zënë me gjëra që na tërheqin vëmendjen. Përse të mos zgjedhim një kohë çdo ditë për t’u shkëputur nga teknologjia dhe për t’u rilidhur me njëri–tjetrin? Thjesht fikini të gjitha. Kur e bëni këtë, shtëpia juaj mund të duket e qetë në fillim; madje mund të ndiheni sikur nuk dini ç’të bëni apo thoni. Pastaj, kur u jepni vëmendje të plotë fëmijëve tuaj, do të nisë një bisedë dhe ju mund të kënaqeni duke dëgjuar njëri–tjetrin.

Të Shkruajmë për t’i Bindur Fëmijët Tanë

Ne mund të ndikojmë te fëmijët tanë edhe përmes fjalëve që u shkruajmë. Nefi shkruan: “Ne punojmë me zell që të shkruajmë, të bindim fëmijët tanë … të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë”6.

Presidenti Tomas S. Monson tregoi përvojën e Xhej Hesit, një piloti ushtarak që iu qëllua dhe rrëzua avioni në Vietnamin Verior në vitet 1960: “Për dy vjet familja e tij nuk kishte asnjë ide nëse ai ishte i vdekur apo i gjallë. Robëruesit e tij në Hanoi, përfundimisht e lejuan t’i shkruante shtëpisë, por e kufizuan mesazhin e tij në më pak se 25 fjalë.” Presidenti Monson pyet: “Çfarë do t’i thoshim unë dhe ju familjeve tona nëse do të ndodheshim në të njëjtën situatë – pa i parë ata për më shumë se dy vjet dhe pa e ditur nëse do t’i shihnim më ndonjëherë? Duke dashur të jepte diçka që familja e tij ta kuptonte që vinte nga ai dhe duke dashur gjithashtu t’u jepte këshillë të vlefshme, vëllai Hes shkroi [fjalët në vijim]: ‘Këto gjëra janë të rëndësishme: Martesa në tempull, misioni, kolegji. Ecni përpara, vendosni qëllime, shkruani histori, bëni fotografi familjare dy herë në vit.’”7

Çfarë fjalësh do t’u shkruanit fëmijëve tuaj nëse do të kishit 25 fjalë ose më pak?

Babai i ri për të cilin fola më herët, që shkroi rreth kujtimeve për mësuesen e tij të klasës së dytë, po rrit tani një vogëlushe të bukur. Ai ndien se mbi të është vendosur mirëbesim hyjnor. Teksa rritet, cila do të jetë e ardhmja e saj? Çfarë do t’i thotë ai asaj që t’i ngulitet thellë në zemër? Çfarë fjalësh do ta inkurajojnë, ta ngrenë moralisht dhe ta ndihmojnë të qëndrojë në shteg? A do të sjellë ndryshim nëse ai gjen kohë për t’i pëshpëritur: “Ti je fëmijë i Perëndisë”? A do ta kujtojë ajo një ditë që i ati shpesh thoshte fjalët: “E dua gjithçka tënden”?

A nuk është kjo ajo që po i thoshte Ati Qiellor Birit të Tij dhe të gjithëve ne kur tha: “Ky është Biri im i dashur” dhe më pas shtoi: “në të cilin jam kënaqur”?8

E pasqyrofshin fjalët që u themi dhe u shkruajmë fëmijëve tanë, dashurinë që Ati ynë Qiellor ka për Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe për ne. Dhe pastaj ndalofshim për të dëgjuar, sepse një fëmijë është tepër i aftë për të thënë gjëra të mëdha e të mrekullueshme në këmbim. E them këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.