2013
Derisa Prapë të Takohemi
Maj 2013


Derisa Prapë të Takohemi

Lutem që Zoti t’ju bekojë dhe t’ju ruajë, vëllezërit dhe motrat e mia. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë.

Presidenti Tomas S. Monson

Vëllezërit dhe motrat e mia, ç’konferencë të lavdishme që kemi pasur! E di se ju jeni dakord me mua që mesazhet kanë qenë frymëzuese. Zemrat tona janë prekur dhe dëshmitë tona për këtë punë hyjnore janë forcuar, ndërkohë që kemi ndier Shpirtin e Zotit. Le t’i kujtojmë për një kohë të gjatë ato që kemi dëgjuar në këto dy ditë që kaluan. Ju nxis t’i studioni mesazhet më tej kur ato të botohen në numrin e ardhshëm të revistave Ensign dhe Liahona.

I shprehim mirënjohjen tonë secilit që na ka folur, si dhe atyre që kanë bërë lutjet. Përveç këtyre, muzika ka qenë lartësuese dhe frymëzuese. Ne e duam Korin tonë të mrekullueshëm të Tabernakullit dhe i falënderojmë edhe të gjithë të tjerët që na siguruan muzikën.

Bashkohemi të gjithë për t’u shprehur mirënjohjen tonë atyre të presidencës dhe bordit të përgjithshëm të Të Rejave që u liruan dje nga thirrja. Shërbimi i tyre ishte i jashtëzakonshëm dhe përkushtimi i tyre i plotë.

Ne kemi mbështetur, duke ngritur duart, vëllezër dhe motra që janë thirrur në detyra të reja gjatë kësaj konference. Ne dëshirojmë që ata të gjithë ta dinë se mezi po presim të shërbejmë me ta në kauzën e Mësuesit.

Ne jemi një Kishë mbarëbotërore, vëllezër e motra. Anëtarësia jonë gjendet në të gjithë globin. Unë ju këshilloj që të jeni qytetarë të mirë të kombeve ku jetoni dhe fqinjë të mirë në komunitetet tona, duke u afruar te njerëz të besimeve të tjera, si dhe tek ata të besimit tonë. Qofshim tolerantë, si edhe dashamirës dhe të dashur, me ata që nuk kanë bindjet tona dhe standardet tona. Shpëtimtari solli në këtë tokë një mesazh dashurie dhe vullneti të mirë për të gjithë burrat dhe gratë. Le ta ndjekim përgjithmonë shembullin e Tij.

Lutem që të mund të jemi të vëmendshëm ndaj nevojave të atyre që ndodhen përreth nesh. Ka disa, veçanërisht mes të rinjve, të cilët në mënyrë tragjike janë përfshirë me drogë, imoralitet, pornografi e kështu me radhë. Ka nga ata që janë të vetmuar, përfshirë të veja dhe të ve, që kanë mall për shoqërimin dhe interesimin e të tjerëve. Qofshim përherë të gatshëm për t’iu shtrirë atyre një dorë ndihme dhe një zemër të dashur.

Ne jetojmë në një kohë në historinë e botës kur ka shumë sfida të vështira, por edhe mundësi dhe arsye të mëdha për t’u gëzuar. Gjenden, sigurisht, ato kohë kur ne përjetojmë zhgënjime, dhembje dhe madje tragjedi në jetën tonë. Megjithatë, nëse vërtet do ta vendosim besimin tonë te Zoti, Ai do të na ndihmojë përmes vështirësive tona, cilatdo qofshin ato. Psalmisti e dha këtë siguri: “Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”1.

Vëllezërit dhe motrat e mia, dëshiroj që ju ta dini sa mirënjohës jam për ungjillin e Jezu Krishtit, të rivendosur në këto ditë të fundit nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Ai është kyçi drejt lumturisë sonë. Qofshim të përulur dhe plot lutje, duke pasur besimin se Ati ynë Qiellor mund të na udhëzojë dhe bekojë në jetën tonë.

Ju jap dëshminë time vetjake dhe ju dëshmoj se Perëndia jeton, se Ai i dëgjon lutjet e zemrave të përulura. Biri i Tij, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, i flet secilit prej nesh: “Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai”2. I besofshim këto fjalë dhe përfitofshim nga ky premtim.

Ndërsa e përfundojmë këtë konferencë tani, i kërkoj bekimet e qiellit mbi secilin prej jush. Shtëpitë tuaja qofshin të mbushura me paqe, harmoni, mirësjellje dhe dashuri. Le të jenë ato të mbushura me Shpirtin e Zotit. I ushqefshi dhe i rritshi dëshmitë tuaja të ungjillit, që ato të jenë një mbrojtje për ju kundër goditjeve të Satanit.

Derisa të takohemi përsëri pas gjashtë muajsh, lutem që Zoti t’ju bekojë dhe t’ju ruajë, vëllezërit dhe motrat e mia. Paqja e Tij e premtuar qoftë me ju tani dhe gjithmonë. Ju falënderoj për lutjet tuaja në të mirën time dhe në të mirë të të gjithë Autoriteteve të Përgjithshme. Ne jemi thellësisht mirënjohës për ju. Në emrin e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, të cilit i shërbejmë, madje Jezu Krishtit, Zotit, amen.