2013
Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime
Maj 2013


“Kjo Është Vepra Ime dhe Lavdia Ime”

Perëndia ua ka dhënë lirisht fuqinë e Tij atyre që e pranojnë dhe e nderojnë priftërinë e Tij, që çon te bekimet e premtuara të pavdekësisë dhe të jetës së përjetshme.

Plaku M. Rasëll Ballard

Presidenti Paker, ne të gjithë mezi po e presim variantin e 98–të të asaj poeme të mrekullueshme. Çfarë mësimi të jashtëzakonshëm na dha ai!

Disa javë përpara, në një natë të ftohtë e të errët dimri, bashkëshortja ime, Barbara dhe unë pamë me drithërimë lart në qiell. Milionat e yjeve dukeshin veçanërisht të ndritshëm dhe të bukur. Unë iu ktheva atëherë Perlës me Vlerë të Madhe dhe e lexova përsëri me habi atë që Zoti Perëndi i tha Moisiut: “Dhe botë pa numër kam krijuar; dhe unë gjithashtu i krijova ato për qëllimin tim; dhe me anë të Birit i krijova ato, që është i Vetëmlinduri im” (Moisiu 1:33).

Në kohën tonë teleskopi i hapësirës së thellë Habëll ka vërtetuar rëndësinë e asaj që pa Moisiu. Shkencëtarët e Habëllit thonë se galaktika e Udhës së Qumështit, ku toka dhe dielli ynë janë vetëm një pjesëz e vogël, vlerësohet të jetë vetëm një nga më shumë se 200 miliard galaktikat si kjo. Për mua është e vështirë ta kuptoj, e pamundur ta mendoj, kaq të mëdha dhe të pafundme janë krijimet e Perëndisë.

Vëllezër e motra, fuqia me të cilën qiejt dhe toka u krijuan dhe krijohen është priftëria. Ata prej nesh që janë anëtarë të Kishës, e dinë se burimi i kësaj fuqie të priftërisë është Perëndia i Plotfuqishëm dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Jo vetëm që priftëria është fuqia me të cilën u krijuan qiejt dhe toka, por ajo është edhe fuqia që Shpëtimtari përdori në shërbesën e Tij tokësore për të kryer mrekulli, për të bekuar dhe shëruar të sëmurë, për të sjellë të vdekurin në jetë dhe, si Biri i Vetëmlindur i Atit tonë, të duronte dhembjen e padurueshme të Gjetsemanit dhe të Golgotës – duke i përmbushur kështu ligjet e drejtësisë me mëshirë e duke siguruar një Shlyerje të pafund, dhe duke e mposhtur vdekjen fizike nëpërmjet Ringjalljes.

Janë çelësat e këtij autoriteti të priftërisë dhe rezultati i fuqisë që Ai i dha Pjetrit, Jakobit dhe Gjonit dhe Apostujve të tjerë të Tij, për të bekuar të tjerët dhe për të lidhur në qiell atë që është lidhur në tokë.

Fuqia e priftërisë është një dhuratë e shenjtë dhe thelbësore e Perëndisë. Ajo është e ndryshme nga autoriteti i priftërisë, i cili është autorizimi për të vepruar në emër të Perëndisë. Autorizimi apo shugurimi jepet me anë të vendosjes së duarve. Fuqia e priftërisë vjen vetëm kur ata që e ushtrojnë atë, janë të denjë dhe duke vepruar në përputhje me vullnetin e Perëndisë. Siç shpalli Presidenti Spenser W. Kimball: “Zoti na ka dhënë të gjithëve ne, si mbajtës të priftërisë, një pjesë të autoritetit të tij, por ne mund t’i përdorim fuqitë e qiellit vetëm mbi bazën e drejtësisë sonë vetjake” (“Boys Need Heroes Close By”, Ensign, maj 1976, f. 45).

Gjatë ditëve të mrekullueshme të Rivendosjes dhe rithemelimit së Kishës së Jezu Krishtit sot në botë, Gjon Pagëzori; Pjetri, Jakobi dhe Gjoni; Moisiu; Eliasi dhe Elija erdhën në tokë dhe rivendosën nëpërmjet Profetit Jozef Smith të gjithë çelësat dhe autoritetin e priftërisë për punën e Perëndisë në këto ditë të mëvonshme.

Është me anë të këtyre çelësave, këtij autoriteti dhe kësaj fuqie që Kisha e Jezu Krishtit është e organizuar sot, me Krishtin në krye që drejton profetin e Tij të gjallë, Tomas S. Monson, dhe ndihmohet duke thirrur e shuguruar në mënyrën e duhur Apostujt.

Në planin e mrekullueshëm të Atit tonë Qiellor që u jep burrave fuqinë e priftërisë, burrat kanë përgjegjësinë e vetme për të administruar priftërinë, por ata nuk janë priftëria. Burrat dhe gratë kanë role të ndryshme por njësoj të vlerësuara. Ashtu si një grua nuk mund të krijojë një fëmijë pa një burrë, edhe një burrë nuk mund ta ushtrojë plotësisht fuqinë e priftërisë për të krijuar një familje të përjetshme pa një grua. Me fjalë të tjera, në këndvështrimin e përjetësisë, si fuqia krijuese edhe fuqia e priftërisë janë të përbashkëta për një bashkëshort dhe një bashkëshorte. Dhe si bashkëshort dhe bashkëshorte, një burrë dhe një grua duhet të përpiqen ta ndjekin Atin tonë Qiellor. Virtytet e krishtera të dashurisë, përulësisë dhe durimit duhet të jenë qendra e vëmendjes së tyre ndërsa kërkojnë bekimet e priftërisë në jetën e tyre dhe për familjen e tyre.

Është vendimtare që ne të kuptojmë se Ati Qiellor ka siguruar një mënyrë për të gjithë bijtë dhe bijat e Tij që të kenë qasje te bekimet e fuqisë së priftërisë dhe të forcohen prej saj. Qendrore te plani i Perëndisë për fëmijët e Tij shpirtërorë është vetë thënia e Tij: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39).

Në një zbulesë dhënë Profetit Jozef Smith te seksioni 81 i Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti shpjegon se fuqia e priftërisë duhet përdorur për të “ndihm[uar] të dobëtit, ngri[tur] duart që varen poshtë dhe forc[uar] gjunjët e këputur” (vargu 5).

“Dhe duke i bërë këto gjëra, ti do t’u bësh të mirën më të madhe bashkëqenieve të tua dhe do të nxisësh lavdinë e atij që është Zoti yt” (DeB 81:4).

Ndërsa mendojmë rreth përfytyrimit të ndihmës për të dobëtit, ngritjes së duarve që varen poshtë, dhe forcimit të gjunjëve të këputur, mua më kujtohet një vajzë e dashur shtatëvjeçare duke i treguar gjyshit të saj një bimë të vogël domateje që e pati mbjellë qysh kur ishte farë, si pjesë e një detyre shkolle të klasës së dytë.

Ajo shpjegoi se nga një farë e vockël do të bëhej një bimë. Dhe nëse për bimën do të bëhej kujdes, ajo do të rriste shumë domate ku secila do të kishte shumë fara.

Ajo tha: “Dhe nëse të gjitha ato fara do të mbilleshin dhe do të rrisnin më shumë domate, dhe ju do t’i mbillnit të gjitha ato fara, në disa periudha ju do të kishit miliona domate”.

Të gjitha”, tha ajo e mahnitur, “nga një farë e vogël”.

Por pastaj ajo tha: “Unë gati e vrava bimën time. E lashë në një dhomë të errët dhe harrova ta ujitja. Kur u kujtova për bimën, ajo ishte e dobët dhe dukej e tharë. Unë qava ngaqë mendova për gjithë ato miliona domate që nuk do të rriteshin kurrë.”

Ajo qe emocionuar pra që t’i tregonte gjyshit të saj rreth “mrekullisë” që ndodhi.

Ajo shpjegoi: “Mami tha se ndoshta bima nuk qe tharë. Ndoshta gjithçka që nevojitej ishte pak ujë dhe pak dritë që t’i sillte përsëri jetën.

Dhe ajo kishte të drejtë. Unë i dhashë bimës pak ujë dhe e vura në dritare për dritë. Dhe gjejeni se ç’ndodhi?” pyeti ajo. “Ajo u kthye në jetë, dhe tani ajo do të rrisë miliona domate!”

Bima e saj e vogël e domates, aq përplot me potencial, por aq e dobësuar dhe e fishkur nga shpërfillja e paqëllimshme, qe forcuar dhe rigjallëruar nëpërmjet një trajtimi të thjeshtë me ujë dhe dritë nga duart e dashura dhe përkujdesëse të vajzës së vogël.

Vëllezër e motra, si fëmijë të vërtetë shpirtërorë të Atit tonë të dashur Qiellor, ne kemi një potencial të pakufizuar hyjnor. Por nëse ne nuk jemi të kujdesshëm, ne mund të bëhemi si bima e fishkur e domates. Ne mund të largohemi nga doktrina e ungjilli i vërtetë i Krishtit dhe të bëhemi shpirtërisht të paushqyer dhe të fishkur, duke e larguar veten nga drita hyjnore dhe ujërat e gjalla të dashurisë së përjetshme dhe të fuqisë së priftërisë të Shpëtimtarit.

Ata që mbajnë priftërinë dhe nuk përpiqen vazhdimisht për ta respektuar atë duke u shërbyer familjeve të veta dhe të tjerëve, do të jenë si ata që nuk marrin bekimet që janë te fuqia e priftërisë dhe me siguri do të fishken shpirtërisht, duke ia ndaluar vetes ushqyesit thelbësorë shpirtërorë, dritën dhe fuqinë e Perëndisë në jetën e tyre – thuajse njësoj si bima e domates aq përplot me potencial por e braktisur dhe e fishkur.

Po ajo fuqi e priftërisë që krijoi botët, galaktikat dhe universin mund dhe duhet të jetë pjesë e jetës sonë për të ndihmuar, forcuar dhe bekuar familjet tona, miqtë tanë dhe fqinjët tanë – me fjalë të tjera, për të bërë gjërat që Shpëtimtari do të bënte nëse Ai do të qe duke shërbyer mes nesh sot.

Dhe qëllimi kryesor i kësaj fuqie të priftërisë është të na bekojë, shenjtërojë dhe pastrojë në mënyrë që të mund të jetojmë së bashku me familjet tona në prani të prindërve tanë qiellorë, të lidhur nga vulosje të priftërisë, duke marrë pjesë në punën e mrekullueshme të Perëndisë dhe Jezu Krishtit, në përhapjen e dritës dhe lavdisë së Tyre përgjithmonë.

Për këtë qëllim, disa muaj më parë pata rastin të marr pjesë në bërjen e një prezantimi të paraqitur me video për trajnimin mbarëbotëror të udhëheqjes, të quajtur Forcimi i Familjes dhe i Kishës përmes Priftërisë.

Kjo DVD e re dhe udhëzuese është përkthyer në 66 gjuhë. Ajo na mëson se si fuqia e priftërisë mund ta bekojë, ta gjallërojë dhe ta rigjallërojë jetën tonë, jetën e familjeve tona dhe jetën e të gjithë anëtarëve të Kishës.

Ajo na tregon ne të gjithëve – burra, gra, fëmijë; të martuar, të ve, apo beqarë/e; pavarësisht nga rrethanat tona – se si mund të jemi marrës të bekimeve të priftërisë. Ka disa segmente 8 deri 12–minutëshe që shpjegojnë çelësat, autoritetin dhe fuqinë e priftërisë dhe se si ajo forcon individët, familjet dhe Kishën.

Një skenë e veçantë u filmua në shtëpinë shumë të vogël pioniere të stërgjyshes së nënës sime, Meri Filding Smith. Ajo qe vejusha e Hajrëmit, vëllait më të madh të Profetit Jozef. Si prind i vetëm, nëpërmjet besimit të saj të fortë te priftëria, ajo e thirri atë fuqi dhe u mbështet në të për t’i rritur dhe bekuar fëmijët e saj në dashurinë dhe dritën e ungjillit. Sot pasardhësit e saj që numërohen në mijëra udhëheqës dhe anëtarë besnikë të Kishës, e falënderojnë atë për besimin, kurajën dhe shembullin e saj.

Ky trajnim i ri për udhëheqjen është tani i disponueshëm në internet te LDS.org që të shihet dhe të përjetohet nga të gjithë (wwlt.lds.org). Ju mund ta shihni drejtpërdrejt nga LDS.org, ose mund ta shkarkoni në kompjuterin, smartfonin, apo panelin tuaj kompjuterik.

Presidenca e Parë u ka kërkuar “presidencave të kunjeve dhe peshkopatave që një ose më shumë mbledhje të këshillit të kunjit apo të lagjes t’ia kushtojnë shikimit të [të gjithë] DVD–së. Këshillat e kunjeve dhe të lagjeve duhet të diskutojnë se si t’i zbatojnë mësimet që paraqiten” (Letër e Presidencës së Parë, 1 shkurt 2013).

Përmbajtja do t’i frymëzojë dhe motivojë anëtarët në mbledhjet e kuorumeve të priftërisë, Shoqatës së Ndihmës, Shkollës të së Dielës, të Të Rejave, të Të Rinjve (sidomos atyre që përgatiten për misione) dhe të Fillores ose në mbledhjet e përbashkëta në të dielat e pesta. Anëtarët e këshillit do të jenë atëherë në gjendje të nxisin individë dhe prindër që ta përdorin këtë prezantim me familjet e tyre. Vëllezër e motra, ky trajnim për udhëheqjen është për çdo anëtar të Kishës. Prindër, rishikojeni, ndajeni dhe diskutojeni atë që mësoni dhe ndieni me fëmijët tuaj dhe i lini ata ta shohin dhe të bëjnë po kështu me ju, që familjet tuaja të mund të forcohen nëpërmjet priftërisë.

Jezusi tha:

“Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë” (Gjoni 7:37).

“Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:14).

“Unë jam drita e botës; kush më ndjek … do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12).

Nëse ndonjë nga ju ndien se besimi apo dëshmia e tij për planin e Atit Qiellor është më e vogël sesa e dini se duhet të jetë, atëherë drejtohuni më plotësisht te Shpëtimtari. Lëreni dritën e Tij dhe ujin e Tij të gjallë të bëjë për ju dhe familjen tuaj atë që pak ujë dhe dritë bënë për t’i risjellë jetën bimës së dobësuar të domates.

Tani, unë fillova me habinë dhe drithërimën për krijimet e Perëndisë nëpërmjet fuqisë së priftërisë. Unë qëndroj këtu duke pyetur veten, siç hamendësoj se bën edhe shumica prej jush, nëse mund të kuptohet ndonjëherë plotësisht fuqia e Perëndisë për të na udhëzuar dhe bekuar. Ajo është kaq e madhe, kaq madhështore, kaq e mrekullueshme.

Jozef Smithi tha: “Priftëria është një parim i përjetshëm dhe ekzistonte me Perëndinë që nga përjetësia, dhe do të ekzistojë në përjetësi, pa fillim të ditëve ose fund të viteve” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 108).

Perëndia ua ka dhënë lirisht fuqinë e Tij atyre që e pranojnë dhe e nderojnë priftërinë e Tij, që çon te bekimet e premtuara të pavdekësisë dhe të jetës së përjetshme.

Unë dëshmoj se puna e Jezu Krishtit është përmbushur nëpërmjet priftërisë. Ajo është fuqia me anë të së cilës Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur e krijuan këtë tokë dhe vunë në zbatim planin e madh të lumturisë për përfitimin tonë. Qofshim të urtë dhe le të kërkojmë të forcojmë nëpërmjet fuqisë së priftërisë së Perëndisë vetë jetën tonë, jetën e familjeve tona dhe Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është lutja ime e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.