Kapeni Valën
Unë falënderoj Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, për Rivendosjen dhe fuqinë e saj për të çuar përpara një valë vërtetësie dhe drejtësie në mbarë botën.
Të dashur vëllezër e motra, unë bashkohem me Presidentit Tomas S. Monson dhe të tjerët, në lavdërimin e atyre që iu përgjigjën thirrjes së profetit për më shumë misionarë të denjë. Tani, një valë e paparë entuziazmi për punë misionare po përfshin gjithë tokën. Që prej njoftimit historik tetorin e kaluar nga Presidenti Monson, janë thirrur mijëra pleq [eldra], motra e çifte dhe shumë të tjerë po përgatiten.1 Tani neve na vijnë pyetje si: “Çfarë do të bëni me gjithë këta misionarë?” Përgjigjja është e thjeshtë. Ata do të bëjnë atë që misionarët kanë bërë gjithmonë. Ata do të predikojnë ungjillin! Ata do të bekojnë fëmijët e Perëndisë së Plotfuqishëm!
Të rinj dhe të reja, më shumë prej jush do ta kapin këtë valë ndërsa përpiqeni të jeni të denjë për thirrje misioni. Ju e shihni këtë si një valë të së vërtetës dhe së drejtës. Ju e shihni mundësinë tuaj që është në kreshtën e asaj vale.
Ju adoleshentë, përvetësojeni programin tuaj të ri mësimor dhe mësojini njëri–tjetrit doktrinën e Jezu Krishtit. Tani është radha juaj që të përgatiteni për t’u mësuar të tjerëve rreth mirësisë së Perëndisë.
Të rinj dhe të reja, arsimimi juaj është gjithmonë i rëndësishëm – për ne, për ju dhe për Perëndinë. Kur është e mundshme, nëse dëshironi të shkoni në një kolegj apo universitet pas misionit tuaj, ne ju nxisim të bëni kërkesë te institucioni që zgjidhni përpara fillimit të misionit tuaj. Shumë institucione studimesh të larta do të ofrojnë për misionarë të ardhshëm një shtyrje nga 18 deri 30 muaj pas pranimit të kërkesës. Kjo do t’ju mundësojë ju pleq dhe motra të shërbeni pa u shqetësuar se ku do ta filloni arsimin tuaj të lartë. Ne jemi shumë mirënjohës ndaj udhëheqësve të institucioneve arsimore që po e bëjnë të mundur një planifikim të tillë.
Ju prindër, mësues dhe të tjerë, kapeni valën ndërsa e përgatisni brezin tonë të ri për të qenë i denjë për shërbim misionar. Ndërkohë, jeta juaj shembullore do të tërheqë interesin e miqve dhe të fqinjve tuaj. Jini të gatshëm t’u jepni një përgjigje atyre që pyesin përse jetoni në këtë mënyrë. Jini të gatshëm të jepni një arsye për shpresën dhe gëzimin që ata shohin te ju.2 Kur pyetje të tilla bëhen, ju mund t’u përgjigjeni duke thënë: “Le të pyesim misionarët! Ata mund të na ndihmojnë! Dhe nëse dëshironi, do të jem përkrah jush teksa misionarët ju përgjigjen dhe ju japin mësim.”
Ju të rritur, kapeni valën duke ndihmuar për përgatitjen shpirtërore, fizike dhe financiare të misionarëve të ardhshëm. Kursimi i parave ju bëhet zakon. Ju çifte më të moshuar, ju bëni plane për ditën kur mund të shkoni në misionin tuaj. Ne do të jemi shumë mirënjohës për shërbimin tuaj. Deri atëherë, ndoshta disa nga ju mund t’i përdorni paratë tuaja për të mbështetur punën misionare duke kontribuar në Fondin e Përgjithshëm Misionar, siç është sugjeruar sërish këtë mëngjes nga Presidenti Monson.3
Një numër në rritje burrash të përzgjedhur dhe të bashkëshorteve të tyre të dashura, kapin valën kur thirren të kryesojnë në misionet e Kishës. Në atë shërbim, ata do të ndikojnë tek e ardhmja e brezave të lindur e të palindur. Presidentët e misionit mbajnë çelësat e përgjegjësisë për mirëqenien, sigurinë dhe suksesin e misionarëve të tyre. Pas këshillimit me presidentët e kunjeve dhe distrikteve në misionin e tij, çdo president misioni cakton misionarë për të shërbyer në kunje, lagje dhe degë të veçanta.
Presidentët e kunjeve dhe peshkopët e kapin valën kur shpenzojnë gjithnjë e më shumë orë duke intervistuar misionarë të ardhshëm. Këta udhëheqës priftërie mbajnë çelësa të përgjegjësisë për punën misionare në njësitë e tyre dhe i frymëzojnë anëtarët për të marrë pjesë.
Vëllezër dhe motra në secilin këshill lagjeje po fillojnë ta kapin valën. Në atë këshill është udhëheqësi i misionit të lagjes.4 Unë do të doja të flisja posaçërisht për secilin nga ju udhëheqës të misionit të lagjes. Ju jeni thirrur nga peshkopi juaj për të udhëhequr punën misionare në lagje. Dhe disa nga ju janë aq të suksesshëm, saqë është thirrur edhe një ndihmës që t’ju ndihmojë. Bashkë me të tjerët në këshillin e lagjes, ju gjeni anëtarë më pak aktivë, familje jo tërësisht të anëtarësuara dhe fqinj të interesuar. Ju takoheni rregullisht me misionarë kohëplotë të caktuar. Ju i këshilloni dhe i ndihmoni misionarët. Ju lutem, ndihmojini ata të mbushin kohën çdo ditë me mundësi mësimdhënieje të përqendruara e të rëndësishme. Kjo është përgjegjësia juaj. Roli juaj është jetik, vërtet jetik për suksesin e kësaj pune. Nëse e kapni valën me besim dhe entuziazëm, edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ju, si udhëheqës i misionit të lagjes, jeni hallka lidhëse midis anëtarëve dhe misionarëve në këtë punë të shenjtë për shpëtimin e fëmijëve të Perëndisë.5
Miqtë dhe fqinjët tanë që nuk janë anëtarë të Kishës por që kanë pyetje rreth saj, gjithashtu mund ta kapin valën. Ne i nxisim ata të mbajnë gjithçka që është e mirë dhe e vërtetë në jetën e tyre. Dhe ne i ftojmë ata të marrin më shumë, veçanërisht të vërtetën e lavdishme se, nëpërmjet planit të përjetshëm të Perëndisë, familjet mund të jenë së bashku përgjithmonë.6
Kjo valë e së vërtetës dhe e drejtësisë është e mrekullueshme! Ajo nuk është krijuar nga njeriu! Ajo vjen nga Zoti që tha: “Unë do ta përshpejtoj veprën time në këtë kohë”7. Kjo valë është fuqizuar nga një njoftim hyjnor i bërë 193 vite përpara. Ajo përbëhej nga vetëm shtatë fjalë: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”8 Shqiptuar nga Perëndia i Plotfuqishëm, ai njoftim e paraqiti Jozef Smithin e ri te Zoti Jezu Krisht. Ato shtatë fjalë filluan Rivendosjen e ungjillit të Tij. Përse? Sepse Perëndia ynë i gjallë është një Perëndi i dashur! Ai do që fëmijët e Tij ta njohin Atë dhe Jezu Krishtin, të cilin Ai e dërgoi!9 Dhe Ai do që fëmijët e Tij të fitojnë pavdekësi dhe jetë të përjetshme!10
Për këtë qëllim të lavdishëm, misionarët tanë japin mësim rreth Rivendosjes. Ata e dinë se rreth 2.000 vite përpara, Zoti krijoi Kishën e Tij. Pas kryqëzimit të Tij dhe vdekjes së Apostujve të Tij, njerëzit e ndryshuan Kishën dhe doktrinën e saj. Atëherë, pas brezash errësire shpirtërore dhe sikurse u parashikua nga profetë të mëparshëm11, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti rivendosën Kishën, doktrinën e saj dhe autoritetin e priftërisë së saj. Në saje të asaj Rivendosjeje, njohuria dhe ordinancat thelbësore për shpëtimin dhe ekzaltimin janë përsëri të disponueshme për të gjithë njerëzit.12 Në fund, ai ekzaltim e lejon secilin prej nesh të jetojë me familjet tona në praninë e Perëndisë dhe të Jezu Krishtit përgjithmonë!
Unë nuk mund të flas për Rivendosjen pa emocion. Ky fakt i historisë është absolutisht i jashtëzakonshëm! Ai është mahnitës! Është tronditës! Sa mahnitëse është që lajmëtarë nga qielli erdhën për t’i dhënë autoritet dhe fuqi kësaj pune!
Ati ynë i Amshuar dhe Jezu Krishti iu shfaqën shumë herë Profetit Jozef Smith.13 Nën drejtimin e Tyre, lajmëtarë të tjerë qiellorë erdhën, secili me një qëllim të posaçëm. Për shembull:
Engjëlli Moroni zbuloi Librin e Mormonit.14
Gjon Pagëzori rivendosi Priftërinë Aarone.15
Pjetri, Jakobi dhe Gjoni rivendosën Priftërinë Melkizedeke.16
Moisiu dha çelësat për mbledhjen e Izraelit.17
Eliasi dha çelësat për njohurinë rreth Abrahamit.18
Elija rivendosi çelësat për autoritetin vulosës.19
Përveç këtyre, Rivendosja shtoi njohurinë që shenjtorët patën në lashtësi. Zoti siguroi një libër të ri shkrimi të shenjtë. Biblës së Shenjtë, Ai i shtoi Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Ai është një anal për profecitë dhe shërbesën e Zotit të ringjallur te njerëzit e Amerikës së lashtë. Ai shpjegon planin e madh të Perëndisë për lumturinë20 – planin e shpëtimit.21 Libri i Mormonit është në harmoni të plotë me Biblën. Të dyja analet e shenjta pohojnë të vërtetën e ungjillit të Jezu Krishtit dhe rëndësinë e Shlyerjes së Tij.22
Rivendosja përmbush shumë profeci biblike. Për shembull, Isaia profetizoi se shtëpia e Zotit do të vendoset në majën e maleve.23 Eksodi i pionierëve mormonë në malet e Amerikës perëndimore është një përmbushje e sagës së sakrificës dhe besimit. Isaia parashikoi gjithashtu se Perëndia do të bëjë “mrekulli dhe çudi”24. Kjo tani po përmbushet nga puna e shenjtë e grupit tonë në rritje të misionarëve.
Mësimet e Dhiatës së Vjetër rreth të dhjetës janë rivendosur.25 Si rezultat, më shumë pagues të së dhjetës janë bekuar për shkak të bindjes së tyre. Përmendjet e Melkizedekut janë sqaruar nga shkrime të shenjta të Rivendosjes.26 Profecitë që druri i Jozefit (Libri i Mormonit) dhe druri i Judës (Bibla) do të jenë një në dorën e Perëndisë, tani janë përmbushur.27
Rivendosja sqaron gjithashtu shkrimet e shenjta të Dhiatës së Re. Referenca e saj për pagëzimin për të vdekurit tani kuptohet më mirë.28 Ordinancat për paraardhësit tanë të vdekur tani kryhen me përfaqësues në 141 tempuj kudo në botë! Nuk ka mënyrë tjetër për të ofruar shpëtim për paraardhësit tanë që vdiqën pa njohuri për ungjillin!29 Vegimi i Gjon Zbuluesit për një “engjëll tjetër [duke fluturuar] në mes të qiellit dhe që kishte ungjillin e përjetshëm, që t’ua predikojë banorëve të dheut”, parashikoi misionin e engjëllit Moroni dhe Librin e Mormonit.30
Libri i Mormonit është pjesa qendrore e Rivendosjes. Ai u shkrua, u ruajt dhe u përhap nën drejtimin e Zotit. Ai u përkthye “me anë të dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”31. Libri i Doktrina e Besëlidhjeve përmban shumë zbulesa shtesë dhënë Profetit Jozef Smith. Prej tij, kemi marrë më shumë faqe shkrimi të shenjtë nga sa kemi pasur prej çdo profeti tjetër. Në atë që duhet të ketë qenë një çast i trishtuar, ai u tha shenjtorëve në Navu të Ilinoisit: “Kurrë nuk ju thashë se jam i përsosur, por nuk ka gabim në zbulesat që ju kam mësuar”32.
Së bashku, anëtarë dhe misionarë ftojini të gjithë të mësojnë për Perëndinë, për Jezu Krishtin dhe për ungjillin e Tij. Çdo individ i interesuar duhet të kërkojë me zell dhe të lutet me gjithë shpirt për sigurinë që këto gjëra janë të vërteta. E vërteta do të tregohet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.33
Unë falënderoj Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, për Rivendosjen dhe fuqinë e saj për të çuar përpara një valë vërtetësie dhe drejtësie në mbarë botën. E kapshim këtë valë dhe le të përmbushim urdhrin e Zotit për t’ia çuar ungjillin “çdo kombi dhe fisi, dhe gjuhe, dhe populli”34, lutem unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.