2013
Fuqia e Priftërisë te një Djalë
Maj 2013


Fuqia e Priftërisë te një Djalë

Priftëria te djali është po aq e fuqishme sa edhe priftëria te burri, kur ushtrohet me drejtësi.

Plaku Ted R. Kelister

Në vitin 1878 stërgjyshi im, Xhorxh F. Riçards ishte 17 vjeç. Sikurse ishte ndonjëherë rasti në ato kohë, ai ishte shuguruar tashmë një plak. Një të diel, nëna e tij po rënkonte nga dhembja e shumtë. Ngaqë babai i tij nuk ishte i pranishëm, peshkopi dhe disa të tjerë u ftuan t’i jepnin asaj një bekim, por nuk i erdhi asnjë lehtësim. Si rrjedhim, ajo iu drejtua të birit, Xhorxhit, dhe i kërkoi atij t’ia vinte duart mbi kokë. Ai shkroi në ditarin e tij: “Ndërmjet lotëve për vuajtjen e nënës sime dhe detyrës për të kryer një administrim të tillë që nuk e kisha bërë kurrë më parë, unë shkova në një dhomë tjetër ku vajtova dhe u luta”.

Kur e mblodhi veten, i vuri duart mbi të dhe i dha asaj një bekim shumë të thjeshtë. Më vonë ai shkroi: “Nëna ime pushoi së rënkuari dhe mori lehtësim nga dhembja, ndërkohë që duart e mia ishin ende mbi kokën e saj”. Më pasi ai shënoi në ditarin e tij këtë vëzhgim tepër kuptimplotë. Ai tha se gjithmonë kishte ndier që, arsyeja përse nëna e tij nuk pati lehtësim nga bekimi i peshkopit, nuk ishte ngaqë Zoti nuk e kishte nderuar bekimin e peshkopit, por ngaqë Zoti e kishte ruajtur këtë bekim për një djalë, për t’i dhënë atij një mësim se priftëria e djalit është po aq e fuqishme sa edhe priftëria e burrit, kur ushtrohet me drejtësi.

Sonte do të doja të flisja për atë fuqi. Edhe pse do t’ju drejtohem presidentëve të kuorumeve të dhjakëve, parimet e diskutuara zbatohen për të gjithë të rinjtë e Priftërisë Aarone dhe udhëheqësit përkatës të tyre, duke përfshirë presidentët e kuorumeve të mësuesve dhe ndihmësit e presidentëve të kuorumeve të priftërinjve.

Ndërsa shërbeja si president misioni, vëzhgova se pati një rritje befasuese në shpirtmërinë dhe aftësitë udhëheqëse të të rinjve gjatë viteve të tyre të misionit. Nëse, në një farë mënyre, mund t’i rrisim këto aftësi gjatë viteve të Priftërisë Aarone dhe të misioneve të tyre, ndoshta ajo llogaritje do të duken diçka si kjo vijë blu që që shihni në këtë grafik. Mendoj se ka të paktën tre faktorë kyç që luajnë rol në një rritje të tillë befasuese në vitet e misionit: 1) ne u mirëbesojmë këtyre të rinjve si kurrë më parë, 2) ne presim shumë më tepër prej tyre, por edhe i duam më shumë, dhe 3) ne i mësojmë ata vazhdimisht, që ta përmbushin çfarë pritet prej tyre në mënyrë të shkëlqyer.

Dikush mund të pyesë me vend: “Përse nuk mund të zbatohen këto parime të njëjta me presidentët e kuorumeve të dhjakëve?” Nëse do të bëhej ajo, ndoshta rritja do të fillonte shumë më parë dhe do të dukej më shumë si ‘vija e gjelbër në grafik’. Për një çast, më lejoni të flas për mënyrën se si këto parimeve mund të vihen në jetë për një president të kuorumit të dhjakëve.

Së pari – mirëbesimi. Ne mund t’iu mirëbesojmë përgjegjësi të madhe presidentëve tanë të kuorumeve të dhjakëve. Zoti sigurisht që u beson – siç tregohet prej gatishmërisë së Tij për t’u dhënë atyre çelësa, domethënë të drejtën për të kryesuar mbi kuorumin e tyre dhe për ta drejtuar punën në kuorum. Si provë e këtij mirëbesimi, ne i thërrasim presidentët e kuorumeve të dhjakëve me anë të zbulesës, jo thjesht duke u bazuar në kohëzgjatjen e të qenit në kuorum apo ndonjë faktor tjetër të ngjashëm. Çdo udhëheqës në këtë Kishë, duke përfshirë presidentët e kuorumeve të dhjakëve, ka të drejtën ta dijë, dhe duhet ta dijë, se ai është thirrur me anë të zbulesës. Kjo siguri e ndihmon atë të dijë se Perëndia ka mirëbesim tek ai dhe po ashtu e mbështet atë.

Aftësia e dytë dhe e tretë ndërthuren – gjërat e mëdha që priten prej tyre dhe trajnimi përkatës për t’i përmbushur ato. Mësova një mësim të rëndësishëm në fushën e misionit: misionarët në përgjithësi ngrihen ose bien në nivelin që pret presidenti i misionit dhe po kështu është me presidentët e kuorumeve të dhjakëve. Nëse prej tyre pritet vetëm të kryesojnë mbledhje kuorumesh dhe të marrin pjesë në mbledhjet e komitetit të rinisë me peshkopatën, atëherë ajo është gjithçka që do të bëjnë. Por ju udhëheqës mund t’iu jepni një largpamësi më të madhe – largpamësinë e Zotit. Dhe përse është largpamësia kaq vendimtare? Sepse nëpërmjet rritjes së largpamësisë rritet edhe nxitja.

E pandarë nga çdo thirrje në këtë Kishë është e drejta për të marrë zbulesë. Prandaj, këta presidentë të kuorumeve të dhjakëve kanë nevojë të dinë se kanë të drejtën të marrin zbulesë për t’i rekomanduar këshilltarët e tyre, të drejtën për të marrë zbulesë për të shpëtuar të humburit dhe të drejtën për të marrë zbulesë që t’i trajnojnë anëtarët e kuorumit në detyrat e tyre.

Një udhëheqës i urtë do t’ia mësojë presidentit të kuorumit të dhjakëve ato parime që do të jenë të dobishme për marrjen e zbulesës. Ai mund t’ia mësojë atij premtimin tërësisht të qartë të Zotit: “Në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese” (DeB 42:61). Zoti është tepër zemërgjerë në dhënien e zbulesës. A nuk ua kujtoi Ai Jozefit dhe Oliverit: “Sa shpesh që ti ke kërkuar, ke marrë udhëzim nga Shpirti im” (DeB 6:14)? Dhe kështu mund të jetë me ju presidentë të kuorumeve të dhjakëve. Zoti ju do dhe dëshiron t’ju zbulojë mendjen dhe vullnetin e Tij. A mund ta përfytyronit ndonjëherë Zotin të kishte një problem që Ai nuk mund ta zgjidhte? Unë s’mundem. Ngaqë ju autorizoheni për të marrë zbulesë, Ai mund t’ju ndihmojë të zgjidhni çdo shqetësim që keni si president i kuorumit tuaj, nëse ju thjesht do ta kërkoni ndihmën e Tij.

Ju udhëheqës të mrekullueshëm mund t’i mësoni këtij presidenti të kuorumit të dhjakëve se zbulesa nuk është një zëvendësues i punës së zellshme dhe i përpjekjes vetjake. Presidenti Henri B. Ajring njëherë e pyeti Presidentin Harold B. Li: “Si e marr unë zbulesën?” Presidenti Li u përgjigj: “Nëse dëshiron të marrësh zbulesë, bëj përpjekjen tënde vetjake”1. Udhëheqësi i urtë mund t’i diskutojë me presidentin e tij të kuorumit të dhjakëve disa nga përpjekjet shpirtërore vetjake që ai mund të bëjë gjatë përgatitjes për t’i rekomanduar këshilltarët e tij. Atij mund t’i duhet të bëjë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tilla si: Kush do të ishte një shembull i mirë që mund t’i frymëzonte djemtë e tjerë? Ose kush mund të ishte i ndjeshëm ndaj nevojave të atyre që hasin sfida të veçanta?

Dhe së fundi, ky udhëheqës i urtë mund t’i mësojë atij se si ta dallojë zbulesën dhe të veprojë sipas saj, kur vjen ajo. Ne jetojmë në një botë të mbushur me veprim të shpejtë, plot emocion, ku dritat e shkëlqyeshme dhe altoparlantët me zë të lartë janë të zakonshëm. Por ky i ri ka nevojë të dijë se kjo është mënyra e botës, jo mënyra e Zotit. Shpëtimtari u lind në një vend të panjohur pothuajse nga askush, në një grazhd; Ai e kreu veprimin më të madhërishëm dhe më të pashoq të të gjithë kohës në qetësinë e një kopshti; dhe Jozefi e mori Vegimin e tij të Parë në fshehtësinë e një korijeje. Përgjigjet e Perëndisë vijnë me anë të zërit të qetë, të vogël – ndjenjave të paqes ose ngushëllimit, nxitjeve për të bërë mirë, ndriçimit të mendjes – nganjëherë në formën e farave të vogla të mendimeve që, nëse nderohen dhe ushqehen, mund të rriten në lisa gjigandë shpirtërorë. Nganjëherë këto nxitje ose mendime edhe mund t’ju bëjnë ju, presidentë të kuorumeve të dhjakëve, të rekomandoni si këshilltar një të ri që tani për tani është më pak aktiv ose t’i jepni një detyrë atij.

Vite më parë kur shërbeja në një presidencë kunji, ne patëm mbresën të thërrisnim një burrë të mirë në detyrën e nëpunësit të kunjit. Në atë kohë, ai përkohësisht po haste vështirësi me ardhjen e rregullt në Kishë. Ne e dinim, megjithatë, se po ta pranonte thirrjen, ai do të bënte një punë të mrekullueshme.

Ne ia parashtruam thirrjen, por ai u përgjigj: “Jo, nuk mendoj se mund ta bëj”.

Atëherë më erdhi një mbresë. Thashë: “Pra, mendoj, kunji i Glendejllit nuk do të ketë një nëpunës kunji atëherë”.

I habitur, ai u përgjigj: “Çfarë po thoni? Ju duhet të keni një nëpunës kunji”.

Unë u përgjigja: “A dëshiron që ne tani të thërrasim dikë tjetër për të shërbyer si nëpunës i kunjit, ndëkohë që Zoti na nxiti të të thërrasim ty?”

“Në rregull”, tha ai, “do ta bëj”.

Dhe vërtet e bëri. Nuk ka vetëm shumë burra, por edhe shumë djem, të cilët do t’i përgjigjen një thirrjeje kur e dinë se Zoti po i thërret ata dhe se Zoti ka nevojë për ta.

Më pas, ju mund t’i mësoni këtij presidenti të kuorumit të dhjakëve se një nga gjërat që Zoti pret prej tij, është të shpëtojë ata që kanë humbur, si anëtarët më pak aktivë edhe joanëtarët. Zoti e shpalli misionin e Tij qendror me këto fjalë: “Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur” (Mateu 18:11). Nëse është përparësi për Shpëtimtarin që ta shpëtojë atë që qe humbur, nëse është përparësi për Presidentin Tomas S. Monson që ta bëjë këtë, sikurse vihet në dukje nga tërë jeta e tij, a nuk duhet të jetë përparësi për çdo udhëheqës, për çdo president të kuorumit të dhjakëve në këtë Kishë që të bëjnë të njëjtën gjë? Në thelb të udhëheqjes sonë, si pjesë qendrore e shërbesës sonë, duhet të jetë vendosmëria e zellshme, nxitëse, e vazhdueshme për të shkuar tek ata që kanë humbur dhe për t’i kthyer mes nesh.

Një i ri, që u vizitua prej anëtarëve të kuorumit të tij, tha: “Ishte habi sot kur … 30 vetë më erdhën në shtëpi. … Më bënë të kem dëshirë të shkoj në kishë tani.” Si mund ta kundërshtojë një i ri një dashuri dhe vëmendje të tillë?

Emocionohem kur dëgjoj shumë tregime për presidentë të kuorumeve të dhjakëve, të cilët e kanë fituar largpamësinë dhe sipas rastit po japin mësime të plota ose të pjesshme në mbledhjet e kuorumeve të tyre. Disa javë më parë, mora pjesë në një klasë të kuorumit të dhjakëve. Një djalë 12–vjeçar zhvilloi për 25 minuta një mësim lidhur me Shlyerjen. Ai filloi duke i pyetur dhjakët e tjerë se çfarë mendonin që ishte Shlyerja. Më pas lexoi disa shkrime të shenjta domethënëse dhe bëri pyetje kuptimplota, të cilave ata iu dhanë përgjigje. Megjithatë, duke vërejtur se kishte më shumë kohë se sa pjesa e mbetur e materialit të mësimit, ai pati mjaft urtësi dhe ndoshta një farë udhëzimi nga babai i tij, që t’u kërkonte udhëheqësve që ishin të pranishëm, se çfarë pyetjesh u ishin bërë rreth Shlyerjes kur ishin në misione dhe si u ishin përgjigjur atyre. Ai më pas e përfundoi me dëshminë e tij. Dëgjova plot habi. Mendova: “Nuk më kujtohet ndonjëherë të kisha dhënë mësim për një pjesë të rëndësishme të mësimit, kur isha një i ri i Priftërisë Aarone”. Ne mund ta rrisim atë që presim nga këta të rinj dhe largpamësinë e tyre, dhe ata do të përgjigjen.

Ju udhëheqës i nxisni më mirë këta presidentë të kuorumeve të dhjakëve kur i lejoni të drejtojnë dhe ju bëni një hap prapa nga qendra e vëmendjes. Ju e lartësoni thirrjen tuaj më mirë, jo kur jepni një mësim të mrekullueshëm, por kur i ndihmoni ata të japin një mësim të mrekullueshëm, jo kur shpëtoni dikë, por kur i ndihmoni ata ta shpëtojnë atë.

Ekziston një thënie e vjetër: mos vdis me peng në shpirt. Në mënyrë të ngjashme, do t’ju thoja juve, udhëheqës të rritur, mos u lironi nga një detyrë pa i përdorur tërësisht aftësitë tuaja udhëheqëse. I jepni mësim rinisë sonë në çdo rast të mundshëm; u mësoni atyre se si të përgatisin një plan për mbledhjen, se si t’i drejtojnë mbledhjet me dinjitet dhe dashamirësi, se si ta shpëtojnë dikë, se si të përgatiten e të japim një mësim frymëzues dhe se si të marrin zbulesë. Kjo do të jetë mënyra e matjes së suksesit tuaj – trashëgimia e udhëheqjes dhe e shpirtmërisë që i lini të rrënjosura në zemrën dhe mendjen e këtyre të rinjve.

Nëse ju presidentë të kuorumeve të dhjakëve do ta lartësoni thirrjen tuaj, ju do të jeni mjete në duart e Perëndisë që tani, pasi priftëria te djali është po aq e fuqishme sa edhe priftëria te burri, kur ajo ushtrohet me drejtësi. Dhe atëherë, kur të bëni besëlidhje tempulli dhe të bëheni misionarët dhe udhëheqësit e ardhshëm të kësaj Kishe, ju do të dini se si të merrni zbulesë, se si ta shpëtoni dikë dhe se si të jepni mësim për doktrinën e mbretërisë me fuqi dhe autoritet. Atëherë, ju do të jeni bërë rinia e lindjes fisnike. Për këtë unë kështu dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, që është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i botës, amen.

Shënim

  1. Në Henry B. Eyring, “Waiting upon the Lord”, në Brigham Young University 1990–1991 Devotional and Fireside Speeches (1991), f. 17.