2013
Një Themel i Sigurt
Maj 2013


Një Themel i Sigurt

E pranofshim ftesën e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai. E ndërtofshim jetën tonë mbi një themel të sigurt e të siguruar.

Peshkopi Din M. Dejvis

Më 17 tetor 1989, teksa po ngisja makinën për në shtëpi pas pune, po i afrohesha një semafori në kryqëzimin e rrugëve “Market” dhe “Bill” në San–Françisko të Kalifornisë. Në atë çast e ndjeva makinën të tundej dhe mendova: “Duhet të jetë shfryrë ndonjë gomë”. Teksa makina vazhdonte të tundej, vura re një autobus mjaft afër meje dhe mendova: “Ai autobus sapo më goditi!” Pastaj makina u tund gjithnjë e më shumë dhe mendova: “Duhet të jenë katër goma të shfryra!” Por nuk ishin as gomat e shfryra, as autobusi – ishte një tërmet i fuqishëm! Kur ndalova te drita e kuqe, në rrugën e shtruar kishte valëzime si dallgë deti që rrokulliseshin teposhtë rrugës “Market”. Përpara meje, një ndërtesë e lartë zyrash po lëkundej nga njëra anë në tjetrën, dhe tulla filluan të binin nga një ndërtesë më e vjetër në të majtën time teksa toka vazhdonte të tundej.

Tërmeti Loma Prieta e goditi zonën e gjirit të San–Françiskos në orën 17:04 atë ditë dhe la 12.000 njerëz pa shtëpi.

Tërmeti shkaktoi dëm të rëndë në zonën e gjirit të San–Françiskos, veçanërisht më shumë në tokën e paqëndrueshme të San–Françiskos dhe Oklandit. Në San–Françisko, distrikti i Marinës kishte qenë ndërtuar mbi një vend groposjeje të mbushur me një përzierje rëre, dheu, mbetje rrënojash, … dhe materialesh të tjera që përmbanin një përqindje të lartë uji. Një pjesë e materialit mbushës ishin mbetje rrënojash të hedhura në gjirin e San–Françiskos pas tërmetit të San–Françiskos në 1906–ën.1

Rreth vitit 1915, mbi vendin e groposjes u ngritën ndërtesa apartamentesh. Në tërmetin e 1989–ës, lluca e pakonsoliduar e zhytur në ujë, rëra dhe mbetjet e rrënojave u shndërruan në një masë të lëngshme, duke shkaktuar rrëzimin e ndërtesave. Ndërtesat nuk qenë ndërtuar mbi një themel të sigurt.

Tërmeti Loma Prieta preku shumë jetë, përfshirë timen. Meditimi për ngjarjet e asaj dite ripohon në mendjen dhe në zemrën time se për t’u bërë ballë me sukses stuhive, tërmeteve dhe katastrofave të jetës, ne duhet të mbështetemi mbi një themel të sigurt.

Profeti nefit, Helamani, i dha qartësi të pagabueshme rëndësisë së ndërtimit të jetës sonë mbi një themel të sigurt, madje themelin e Jezu Krishtit: “Dhe tani bijtë e mi, mbani mend, mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, po, shigjetat e tij në shtjellë të erës, po, kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi mbi ju, që t’ju tërheqë në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund, për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar, që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien” (Helamani 5:12).

Në ngritjen e tempujve të kohëve të sotme, vëmendje e veçantë u jepet projektimit, ndërtimit dhe përdorimit të materialeve të ndërtimit. Bëhet një testim i tërësishëm i dherave dhe i gjeologjisë në vendin ku do të ndërtohet tempulli. Merren parasysh studimet mbi erën, shiun dhe ndryshimet e motit për zonën kështu që tempulli i përfunduar të mund t’u bëjë ballë jo vetëm stuhive dhe klimës së zakonshme të një zone, por tempulli projektohet dhe pozicionohet që t’u bëjë ballë tërmeteve, tajfuneve, përmbytjeve dhe katastrofave të tjera natyrore të papritura që mund të ndodhin. Në shumë tempuj, shtylla betoni ose çeliku futen thellë në tokë për të mbështetur themelin e tempullit.

Njësoj si projektuesit dhe ndërtuesit e kohës sonë, Ati ynë i dashur e i mirë në Qiell dhe Biri i Tij kanë përgatitur plane, mjete dhe burime të tjera për përdorimin tonë kështu që të mund ta ndërtojmë dhe ta mbështesim jetën tonë që të jetë e sigurt dhe e patundur. Plani është plani i shpëtimit, plani i madh i lumturisë. Plani parashtron para nesh një pamje dhe kuptueshmëri të qartë të fillimit e të fundit dhe hapat themelorë, përfshirë ordinancat, që janë të nevojshme për secilin prej fëmijëve të Atit, që të jenë në gjendje të kthehen në praninë e Tij dhe të jetojnë me Të përgjithmonë.

Besimi, pendimi, pagëzimi, dhurata e Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund janë pjesë e planeve strukturore të jetës. Ata ndihmojnë që të formohen blloqe të përshtatshme ndërtimi që do ta mbështesin jetën tonë te Shlyerja e Krishtit. Këta i japin formë dhe e përcaktojnë strukturën mbështetëse të jetës së një njeriu. Pastaj, ashtu si planet e tempullit që kanë hollësira që japin udhëzime të detajuara rreth mënyrës se si formohen dhe bashkohen përbërësit thelbësorë, lutja, leximi i shkrimeve të shenjta, marrja e sakramentit dhe marrja e ordinancave thelbësore të priftërisë bëhen “hollësira” që ndihmojnë për të bashkuar dhe lidhur strukturën e jetës.

Drejtpeshimi në zbatimin e këtyre hollësirave është jetik. Për shembull, në procesin e krijimit të betonit përdoren sasi të sakta rëre, zhavorri, çimentoje dhe uji në mënyrë që të arrihet forca maksimale. Një sasi e pasaktë apo përjashtimi i ndonjë pjese të këtyre elementeve, do ta bënte betonin të dobët dhe jo në gjendje për të kryer funksionin e tij të rëndësishëm.

Në mënyrë të ngjashme, edhe ne, nëse nuk sigurojmë në jetën tonë një drejtpeshim të duhur të lutjes së përditshme vetjake e të ushqyerjes nga shkrimet e shenjta, të forcimit javor nga marrja e sakramentit e të pjesëmarrjes së vazhdueshme në ordinancat e priftërisë të tilla si ordinancat e tempullit, jemi në rrezik për t’u dobësuar në forcën tonë strukturore shpirtërore.

Pali, në një letër drejtuar Efesianëve, u shpreh në këtë mënyrë në lidhje me nevojën e një zhvillimi të drejtpeshuar dhe të harmonizuar të karakterit dhe të shpirtit tonë: “Mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin” (Efesianëve 2:21).

Lutja është një prej blloqeve më kryesore e të rëndësishme të ndërtimit të themelit të besimit dhe të karakterit tonë. Përmes lutjes ne mund të shprehim mirënjohjen, dashurinë dhe përkushtimin tonë ndaj Perëndisë. Përmes lutjes ne mund t’ia nënshtrojmë vullnetin tonë të Tijit dhe në këmbim marrim forcë për ta pajtuar jetën tonë me mësimet e Tij. Lutja është udha që mund të ndjekim për të kërkuar ndikimin e Tij në jetën tonë, madje zbulesën.

“Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua dhe ai do të të drejtojë për të mirë; po, kur të biesh në mbrëmje, bier për Zotin, që ai të mund të të ruajë në gjumin tënd; dhe kur të ngrihesh në mëngjes, le të jetë zemra jote plot falënderime ndaj Perëndisë; dhe në qoftë se i bën këto gjëra, ti do të ngrihesh në ditën e fundit” (Alma 37:37).

Ndarja e mendimeve, ndjenjave dhe dëshirave tona me Perëndinë përmes lutjes së sinqertë e të përzemërt, duhet të bëhet për secilin prej nesh po aq e rëndësishme dhe e natyrshme sa frymëmarrja dhe të ngrënit.

Studimi i shkrimeve të shenjta çdo ditë do ta forcojë gjithashtu besimin dhe karakterin tonë. Ashtu siç kemi nevojë për ushqim që të ushqejmë trupat tanë fizikë, shpirti dhe fryma jonë do të rimbushet e do të forcohet duke u ushqyer me bollëk me fjalët e Krishtit siç gjendet te shkrimet e profetëve. Nefi dha mësim: “Ushqehuni me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni” (2 Nefi 32:3).

Ndërkohë që leximi i shkrimeve të shenjta është i mirë, thjesht leximi është i pamjaftueshëm për të rrokur gjerësinë dhe thellësinë e mësimeve të Shpëtimtarit. Hetimi, meditimi dhe zbatimi i fjalëve të Krishtit siç jepet mësim në shkrimet e shenjta, do të sjellin urtësi dhe dituri përtej të kuptuarit tonë të vdekshëm. Kjo do ta forcojë zotimin tonë dhe do të sigurojë rezerva shpirtërore që të bëjmë më të mirën tonë në të gjitha situatat.

Një prej hapave më të rëndësishëm që mund të hedhim për të forcuar jetën tonë dhe për të mbetur vendosmërisht të kapur pas themelit të Shpëtimtarit, është që ta marrim sakramentin denjësisht çdo javë. Ordinanca e sakramentit i jep çdo anëtari të Kishës mundësinë që të meditojë mbi jetën e tij ose të saj që më përpara, të marrë parasysh veprimet ose mosveprimet për të cilat duhet të pendohet, dhe më pas të marrë nga buka e uji si emblema të shenjta në kujtim të trupit dhe të gjakut të Krishtit, një dëshmi e Shlyerjes së Tij. Nëse bëhet me sinqeritet dhe përulësi, ne i përtërijmë besëlidhjet tona të përjetshme, pastrohemi e shenjtërohemi dhe marrim premtimin se do ta kemi Shpirtin e Tij me ne gjithmonë. Shpirti vepron si një lloj llaçi, një hallkë bashkuese që jo vetëm shenjtëron, por edhe i sjell të gjitha gjërat në kujtesën tonë dhe dëshmon vazhdimisht për Jezu Krishtin. Marrja e sakramentit denjësisht e forcon lidhjen tonë vetjake me shkëmbin e themelit, madje Jezu Krishtin.

Gjatë shërbesës së Tij, Shpëtimtari dha mësim me dashuri dhe qartësi doktrinat, parimet dhe veprimet e nevojshme që do të na mbanin në jetë dhe do të na forconin karakterin. Në fund të Predikimit në Mal, Ai shpalli:

“Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalët e mia dhe i bën ato, unë do ta krahasoj me një njeri të urtë që ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi një shkëmb—

Dhe shiu ra dhe përmbytjet erdhën, dhe erërat frynë e u përplasën mbi atë shtëpi; dhe ajo nuk ra, pasi qe ndërtuar mbi një shkëmb.

Dhe çdo njeri që i dëgjon këto fjalët e mia dhe nuk i vë në zbatim, do t’i ngjajë një të marri që ka ndërtuar shtëpinë e tij në rërë—

Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (3 Nefi 14:24–27; shih edhe Mateu 7:24–27).

Vëllezër e motra, asnjëri prej nesh nuk do t’i ndërtonte shtëpitë, vendet e punës apo shtëpitë e shenjta të adhurimit me dijeni mbi rërë, mbetje rrënojash ose pa plane dhe materiale të përshtatshme. E pranofshim ftesën e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai. E ndërtofshim jetën tonë mbi një themel të sigurt e të siguruar.

Unë dëshmoj përulësisht se, duke e mbështetur jetën tonë te Jezu Krishti e te Shlyerja e Tij dhe duke i zbatuar me kujdes planet e Tij për lumturinë tonë, përfshirë lutjen e përditshme, studimin e përditshëm të shkrimeve të shenjta dhe marrjen javore të sakramentit, ne do të forcohemi, do të përjetojmë rritje reale vetjake dhe kthim të qëndrueshëm në besim, do të jemi të përgatitur më mirë për t’u bërë ballë stuhive dhe katastrofave të jetës me sukses, do të përjetojmë gëzimin e lumturinë e premtuar dhe do të kemi sigurinë se jeta jonë është ndërtuar mbi një themel të sigurt – një themel që nuk do të rrëzohet kurrë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. Shih “1989 Loma Prieta Earthquake,” wikipedia.org/wiki/1989_Loma_Prieta_earthquake.