Biblioteka
Për Paqe në Shtëpi
Maj 2013


Për Paqe në Shtëpi

Një nga bekimet më të mëdha që mund t’i ofrojmë botës, është fuqia e një shtëpie të përqendruar te Krishti, ku mësohet ungjilli, mbahen besëlidhjet dhe ka shumë dashuri.

Plaku Riçard G. Skot

Shumë zëra nga bota në të cilën jetojmë, na thonë se duhet të jetojmë me një ritëm të furishëm. Ka gjithmonë më shumë për të bërë dhe më shumë për të arritur. Por thellë brenda secilit prej nesh, ndodhet një nevojë për të pasur një vend strehimi, ku paqja dhe qetësia të mbizotërojnë, një vend ku mund të rifillojmë, rimbledhim dhe rifitojmë energji që të përgatitemi për trysnitë e së ardhmes.

Vendi i përsosur për atë paqe është brenda mureve të vetë shtëpive tona, ku ne kemi bërë gjithçka mundemi për ta bërë Zotin Jezu Krisht përqendrimin kryesor.

Disa shtëpi kanë një atë që është mbajtës i denjë i priftërisë, dhe gjithashtu një nënë besnike, të përkushtuar, të cilët së bashku udhëheqin me drejtësi. Shumë shtëpi kanë një situatë të ndryshme. Pavarësisht nga rrethanat tuaja, ju mund ta përqendroni shtëpinë tuaj dhe jetën tuaj te Zoti Jezu Krisht, sepse Ai është burimi i paqes së vërtetë në këtë jetë.

Sigurohuni që çdo vendim që merrni, qoftë material apo shpirtëror, të kushtëzohet nga ajo që Shpëtimtari do të donte të bënit. Kur Ai është qendra e shtëpisë suaj, ka paqe dhe qetësi. Ka një shpirt sigurie që mbush shtëpinë dhe ndihet nga të gjithë ata që banojnë atje.

Përmbushja e kësaj këshille nuk qëndron vetëm te prindërit, edhe pse është roli i tyre për të drejtuar. Fëmijët mund të jenë përgjegjës për t’i përmirësuar në shtëpi përpjekjet e përqendruara te Krishti. Është e rëndësishme që prindërit t’i mësojnë fëmijët të kuptojnë se si veprimet e tyre ndikojnë te çdo individ që jeton në shtëpi. Fëmijët, të cilët mësohen të ndihen përgjegjës për veprimet e tyre, qofshin ato të drejta apo jo, rriten për t’u bërë qytetarë të besueshëm në mbretërinë e Perëndisë.

Jam i sigurt se ju mund t’i dalloni parimet themelore që e përqendrojnë shtëpinë tuaj te Shpëtimtari. Këshillat profetike për të bërë lutje të përditshme vetjake dhe familjare, studim të përditshëm vetjak e familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmje familjare javore, janë trarët thelbësorë, peshëmbajtës në ndërtimin e një shtëpie të përqendruar te Krishtit. Pa këto praktika të rregullta, do të jetë e vështirë të gjendet paqja e dëshiruar dhe shumë e nevojitur, si dhe strehimi nga bota.

Bindjuni mësimeve profetike që Krishti dëshiron që ju t’i ndiqni. Mos e lini pas dore lumturinë e ardhshme duke i rënë shkurt, në vend që të vini në jetë parimet e shëndetshme të ungjillit. Mbani mend: gjëra të vogla çojnë te gjëra të mëdha. Pamaturia ose lënia pas dore, në dukje e parëndësishme, mund të çojë në probleme të mëdha. Më e rëndësishme, zakone të thjeshta, të vazhdueshme, të mira çojnë drejt një jete plot me bekime bujare.

Ju fëmijë të Fillores, ju të rinj e të reja në programet e rinisë dhe ju misionarë të paepur që po shërbeni tani, po bëni shumë gjëra në mënyrë më frytdhënëse sesa isha unë në gjendje të bëja në moshën tuaj. Në jetën para lindjes, ju u provuat të ishit trima, të bindur dhe të dëlirë. Atje ju punuat shumë për të zhvilluar talente dhe aftësi që të përgatiteshit për të përballuar jetën në tokë me kurajë, dinjitet, nder dhe sukses.

Jo shumë kohë më parë, ju erdhët në vdekshmëri me të gjitha ato aftësi të madhërishme dhe mundësi të pafundme. Por ende gjendet rrezik i vërtetë në mjedisin që ju rrethon. Mundësia dhe aftësia juaj e madhe mund të kufizohen ose shkatërrohen, në qoftë se i dorëzoheni ndotjes së frymëzuar nga djalli përreth jush. Megjithatë, Satani nuk mund ta mposhtë Shpëtimtarin. Fati i Satanit është i vendosur. Ai e di se ka humbur, por dëshiron të marrë me vete sa më shumë që të mundet. Ai do të përpiqet ta shkatërrojë mirësinë tuaj dhe t’i shkatërrojë aftësitë tuaja duke shfrytëzuar dobësitë tuaja. Qëndroni në anën e Zotit dhe do të fitoni çdo herë.

Ju jetoni në një botë ku përparimet teknologjike ndodhin me një ritëm befasues. Është e vështirë për shumë nga brezi im që të vazhdojnë në një hap me mundësitë. Në varësi të mënyrës se si përdoret teknologjia, këto përparime mund të jenë një bekim ose një pengesë. Teknologjia, kur kuptohet dhe përdoret për qëllime të drejta, nuk ka përse të jetë një kërcënim, por më tepër një përmirësim i komunikimit shpirtëror.

Për shembull, shumë prej nesh kanë një mjet elektronik vetjak që futet në xhep. Rrallë na mungon ai; ne mund ta përdorim atë shumë herë gjatë ditës. Për fat të keq, këto mjete mund të jenë një burim fëlliqësie dhe kohe të humbur. Por, e përdorur me rregull, kjo teknologji mund të jetë një mjet mbrojtjeje nga ligësia më e madhe e shoqërisë.

Kush mund ta kishte menduar jo shumë vite më parë se veprat standarde të plota dhe vite të tëra të mesazheve të konferencave të përgjithshme do t’i nxinte xhepi? Thjesht të pasurit e tyre në xhep nuk do t’ju mbrojë, por studimi, meditimi dhe dëgjimi i tyre gjatë çasteve të qeta çdo ditë do ta rrisë komunikimin me anë të Shpirtit.

Jini të urtë në mënyrën se si e përdorni teknologjinë. Shënoni shkrime të shenjta të rëndësishme në mjetin tuaj dhe kthehuni shpesh tek ato. Nëse ju të rinj do ta rishikonit një varg të shkrimit të shenjtë aq shpesh sa disa prej jush dërgojnë mesazhe celulari, ju shpejt do të kishit mësuar përmendsh qindra pjesë nga shkrimi i shenjtë. Ato pjesë do të bëheshin një burim i fuqishëm frymëzimi dhe udhëzimi nga Fryma e Shenjtë në kohë nevoje.

Bërja e gjithë çka mundemi për ta ftuar ndikimin e butë, udhëzues të Frymës së Shenjtë në jetën tonë është jetike në përpjekjet tona për t’i përqendruar shtëpitë tona te Shpëtimtari. Të vepruarit me bindje ndaj atyre nxitjeve na forcon edhe më shumë.

Paqe më e madhe do t’ju vijë kur i shoqëroni përpjekjet tuaja për të qenë të bindur me shërbimin ndaj njerëzve përreth jush. Kaq shumë individë, të cilët kanë çfarë i mendojnë të jenë talente të pakta, me përulësi dhe bujari i përdorin ato talente për të bekuar jetën e njerëzve përreth tyre. Egoizmi është rrënja e ligësisë së madhe. Kundërveprimi për atë ligësi paraqitet në jetën e Shpëtimtarit. Ai na tregon se si ta përqendrojmë jetën tonë drejt shërbimit bujar ndaj të tjerëve.

Kam mësuar një të vërtetë që është përsëritur kaq shpesh në jetën time, sa kam arritur ta njoh si një ligj të padyshimtë. Ajo përcakton mënyrën se si bindja dhe shërbimi lidhen me fuqinë e Perëndisë. Kur iu bindemi urdhërimeve të Zotit dhe u shërbejmë fëmijëve të Tij pa egoizëm, pasoja e natyrshme është fuqi nga Perëndia – fuqi për të bërë më shumë se ç’mund të bëjmë të vetëm. Mendimet tona, talentet tona, aftësitë tona zgjerohen, ngaqë ne marrim forcë dhe fuqi nga Zoti. Fuqia e Tij është pjesa përbërëse themelore për të krijuar një shtëpi të mbushur me paqe.

Ndërsa e përqendroni shtëpinë tuaj te Shpëtimtari, ajo do të bëhet në mënyrë të natyrshme një vend strehimi, jo vetëm për vetë familjen tuaj, por edhe për miqtë që jetojnë në rrethana më të vështira. Ata do të tërhiqen te qetësia që ndiejnë atje. I mirëprisni miq të tillë në shtëpinë tuaj. Ata do të përparojnë në atë mjedis të përqendruar te Krishti. Bëhuni miq me miqtë e fëmijëve tuaj. Jini një shembull i denjë për ta.

Një nga bekimet më të mëdha që mund t’i ofrojmë botës, është fuqia e një shtëpie të përqendruar te Krishti, ku mësohet ungjilli, mbahen besëlidhjet dhe ka shumë dashuri.

Vite më parë, pas vizitës te një mision, bashkëshortja ime, Xhanina, më tregoi rreth një misionari që kishte takuar. Xhanina e kishte pyetur për familjen e tij. Ajo u habit kur ai u përgjigj se nuk kishte familje. Më tej ai shpjegoi se, kur kishte lindur, nëna e kishte lënë atë që ta rriste qeveria. E kishte kaluar fëmijërinë e tij nga një shtëpi kujdestarie në tjetrën. Ishte bekuar që, si adoleshent kishte gjetur ungjillin. Lagjja, si një familje e dashur, e kishte ndihmuar atë të kishte mundësinë për të shërbyer një mision.

Më pas Xhanina pyeti gruan e presidentit të misionit për këtë misionar të mirë. Ajo mësoi se pak muaj më parë, ky misionar kishte qenë në shtëpinë e misionit për pak ditë për shkak të një sëmundjeje. Gjatë asaj kohe ai kishte qenë me ta për një mbrëmje familjare. Përpara se të largohej për t’u kthyer në punën misionare, ai i kërkoi presidentit të misionit nëse mund të kalonte përsëri dy ose tri ditë në fund të misionit të tij në shtëpinë e misionit. Ai donte të shihte se si vepron një familje e përqendruar te Krishti. Ai dëshironte të ishte në gjendje ta formonte familjen e tij sipas familjes së tyre.

Bëni ç’është e mundur që të keni vërtet një shtëpi të tillë. Ndihmoni ata që jetojnë në rrethana të vështira. Jini një mik i vërtetë. Kjo lloj miqësie e qëndrueshme është si asfalti që mbush gropat e jetës dhe e bën udhëtimin tonë më të rehatshëm dhe më të këndshëm. Ajo nuk duhet të jetë një burim i përdorur për të pasur përfitim vetjak, por një thesar që do të vlerësohet dhe ndahet. Mirëprisni në shtëpinë tuaj ata që kanë nevojë të forcohen nga një përvojë e tillë.

Unë ofroj disa mendime përfundimtare për ata që e duan një anëtar të familjes, i cili nuk po bën zgjedhje të mira. Kjo gjë mund të vërë në provë durimin dhe durueshmërinë tonë. Ne duhet të kemi besim në Zotin dhe në kohën e Tij, që një përgjigje pozitive ndaj lutjeve dhe ndaj përpjekjeve tona shpëtuese mund të ndodhë. Ne bëjmë gjithçka mundemi për të shërbyer, për të bekuar dhe për të pranuar me përulësi vullnetin e Perëndisë në të gjitha gjërat. Ne ushtrojmë besim dhe kujtojmë se ka disa gjëra që duhet t’i lihen Zotit. Ai na fton t’i vendosim barrat tona te këmbët e Tij. Me besim ne mund të dimë se ky njeri i dashur, i dalë nga udha, nuk është i braktisur, por është në përkujdesin e një Shpëtimtari të dashur.

Vlerësoni të mirën te të tjerët, jo njollat e tyre. Herë pas here një njollë ka nevojë për vëmendjen e duhur që të pastrohet, por gjithmonë përqendrohuni te virtytet e tij ose të saj.

Kur ndieni se ka vetëm një fill të hollë shprese, në të vërtetë nuk është një fill, por një linjë lidhëse e gjerë, si një ruajtës jete për t’ju forcuar dhe për t’ju lartësuar. Do t’ju sigurojë ngushëllim që të mund ta ndalni frikën. Përpiquni të jetoni me denjësi dhe vendoseni mirëbesimin tuaj në Zotin.

Nuk kemi përse të shqetësohemi nëse nuk mund të bëjmë në të njëjtën kohë të gjitha gjërat që Zoti na ka këshilluar të bëjmë. Ai ka folur për një kohë dhe një stinë për të gjitha gjërat. Në përgjigje të lutjeve tona të sinqerta për udhëzim, Ai do të na drejtojë tek ajo që duhet të theksohet në secilën periudhë të jetës sonë. Ne mund të mësojmë, të rritemi dhe të bëhemi si Ai me hapa të vazhdueshëm një e nga një.

Unë jap dëshminë time se të jetuarit e një jete të bindur, të rrënjosur në mënyrë të qëndrueshme në ungjillin e Jezu Krishtit, jep sigurinë më të madhe për paqe dhe mbrojtje në shtëpitë tona. Do të ketë ende mjaft sprova apo dhembje, por edhe në mes të trazirës, ne mund të gëzojmë paqe të brendshme dhe lumturi të thellë. Dëshmoj se Shlyerja e Jezu Krishtit është burimi i asaj paqeje të madhe, në emrin e Jezu Krishtit, amen.