Biblioteka
Unë Besoj, o Zot
Maj 2013


“Unë Besoj, o Zot”

Me ndershmëri i bëni të njohura pyetjet dhe shqetësimet tuaja, por më parë dhe përgjithmonë i fryni flakës së besimit tuaj, sepse të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë.

Plaku Xhefri R. Holland

Në një rast, Jezusi u afrua te një grup që po grindeshin vrullshëm me dishepujt e Tij. Kur Shpëtimtari pyeti lidhur me arsyen e kësaj grindjeje, babai i një fëmije të munduar doli nga turma, duke thënë se ai u ishte drejtuar dishepujve të Jezusit për një bekim për birin e tij, por ata nuk ishin në gjendje t’ia jepnin. Me djalin ende duke kërcëllirë dhëmbët, duke i dalë shkumë nga goja dhe duke u përplasur përtokë përpara tyre, babai i kërkoi Jezusit me atë që duhej të kishte qenë dëshpërimi i mundësisë së fundit në zërin e tij:

“Nëse mund të bësh diçka”, tha ai, “ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!

Dhe Jezusi i tha: ‘Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson’.

Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ‘Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim’.”1

Bindja fillestare e këtij burri, sipas vetë pohimit të tij, është e kufizuar. Por ai ka një dëshirë ngulmuese, tepër të dukshme, në emër të fëmijës së tij të vetëm. Na thuhet se kjo është e mjaftueshme si fillim. “Edhe në qoftë se ju nuk mund të bëni më shumë sesa të dëshironi të besoni”, shpall Alma, “lëreni këtë dëshirë të veprojë në ju, madje derisa të besoni”2. Pa asnjë shpresë tjetër të mbetur, ky baba e pohon atë besim që ka dhe i përgjërohet Shpëtimtarit të botës: “Nëse [ti] mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!”3 Mezi mund t’i lexoj këto fjalë pa u përlotur. Përemri në shumës ne përdoret qartësisht me qëllim. Në fakt, ky burrë po thotë: “E tërë familja jonë po përgjërohet. Ndeshja jonë nuk ndalon kurrë. Jemi të dërrmuar. Djali ynë bie në ujë. Bie në zjarr. Ai është vazhdimisht në rrezik dhe ne kemi vazhdimisht frikë për të. Nuk dimë se kujt tjetër t’i drejtohemi. A mund të na ndihmosh ti? Do të të jemi vërtet mirënjohës për gjithçka – një bekim të pjesshëm, veç një grimcë shprese, një lehtësim të paktë të barrës që mbahet nga nëna e këtij djali çdo ditë të jetës së saj.

Fjalët “nëse [ti] mund të bësh diçka”, të thëna nga ky baba, i kthehet atij përsëri “nëse ti mund të besosh”, të thëna nga Mësuesi.4

“Menjëherë”, thotë shkrimi i shenjtë – jo me ngadalësi, as me dyshim, as me përbuzje, por “menjëherë” – babai bërtet përmes dhembjes së tij të pashtirur prindërore: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”. Në përgjigje të besimit të ri dhe ende të pjesshëm, Jezusi e shëron djalin, pothuajse duke e ngritur atë drejtpërsëdrejti nga vdekja, sikurse e përshkruan ngjarjen Marku.5

Me këtë tregim të dhembshur nga shkrimi i shenjtë si sfond, dëshiroj t’u flas drejtpërsëdrejti njerëzve të rinj të Kishës – të rinj në vite moshe, ose të rinj në vite anëtarësie, ose të rinj në vite besimi. Në një mënyrë ose një tjetër, kjo duhet të na përfshijë pothuajse të gjithëve.

Gjëja e parë për t’u vënë në dukje lidhur me këtë tregim është se, kur ndodhet përballë sfidës së besimit, babai fillimisht vë në pah forcën e tij dhe vetëm më pas e pranon kufizimin e tij. Deklarimi i tij fillestar është pohues dhe pa ngurrim: “Unë besoj, o Zot”. Do t’iu thoja të gjithë atyre që dëshirojnë më shumë besim, kujtojeni këtë burrë! Në çaste frike apo dyshimi, ose kohë shqetësimi, mos u largoni nga besimi që keni fituar tashmë, edhe pse ai mund të jetë i kufizuar. Gjatë rritjes që ne të gjithë duhet të përjetojmë në vdekshmëri, gjëra të ngjashme shpirtërore me mundimin e këtij djali apo dëshpërimin e këtij prindi do të na ndodhin të gjithëve. Kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa vjen dija e mëtejshme. Ishte pikërisht për këtë ngjarje, këtë mrekulli të veçantë, që Jezusi tha: “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju”6. Problemi nuk është përmasa e besimit tuaj apo shkalla e njohurisë suaj – ai është integriteti që tregoni ndaj besimit që keni vërtet dhe ndaj së vërtetës që tashmë e dini.

Gjëja e dytë për t’u vënë në dukje është një variant i së parës. Kur problemet vijnë dhe pyetjet dalin, mos e filloni kërkimin tuaj për besim duke thënë sa shumë nuk keni, duke u udhëhequr nga “mosbesimi” juaj. Është si të përpiqeshit ta mbushnit një pulë nga sqepi! Më lejoni të jem i qartë në këtë pikë: nuk po ju kërkoj të shtireni për besimin që nuk e keni. Unë po ju kërkoj të jeni të vërtetë ndaj besimit që vërtet e keni. Nganjëherë ne veprojmë sikur një shprehje e ndershme e dyshimit është një shfaqje më e lartë e kurajës morale sesa është një shpallje e ndershme e besimit. Nuk është! Kështu le të kujtojmë të gjithë mesazhin e qartë të këtij tregimi të shkrimit të shenjtë: Jini aq i sinqertë me pyetjet tuaja sa është e nevojshme të jini; jeta është plot me pyetje për një temë apo një tjetër. Por nëse ju dhe familja juaj dëshironi të shëroheni, mos i lejoni ato pyetje t’i zënë udhën besimit për të mos e kryer mrekullinë e tij.

Për më tepër, ju keni më shumë besim sesa mendoni se keni, për shkak të asaj që Libri i Mormonit e quan “prova të mëdha”7. “Ju do t’i njihni nga frytet e tyre”, tha Jezusi8, dhe frutet e korijeve, pemishteve dhe vreshtave të ungjillit janë të dukshme në jetën e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme kudo. Ashtu siç iu thanë publikut të lashtë Pjetri dhe Gjoni, unë them sot: “Sepse ne nuk mund të mos flasim për ato që kemi parë dhe dëgjuar” dhe ajo që ne kemi parë e dëgjuar është që “është bërë një mrekulli e dukshme” në jetën e miliona anëtarëve të kësaj Kishe. Kjo s’mund të mohohet.9

Vëllezër dhe motra, kjo është një punë hyjnore në vazhdim, me shfaqjet dhe bekimet e shumta të saj duke u shtuar në çdo drejtim, prandaj mos u merakosni nëse, herë pas here, dalin shqetësime të cilat kanë nevojë të shqyrtohen, kuptohen dhe zgjidhen. Ato dalin dhe do të dalin. Në këtë Kishë, ajo që dimë gjithmonë do ta kapërcejë atë që nuk e dimë. Dhe kujtoni, në këtë botë, çdo njeri duhet të ecë me anë të besimit.

Prandaj jini dashamirës lidhur me dobësinë e karakterit njerëzor – tuajit, si edhe të atyre që shërbejnë me ju në një Kishë të udhëhequr nga burra dhe gra vullnetare, të vdekshme. Me përjashtim të rastit të Birit të Tij të përsosur, të Vetëmlindur, njerëz të papërsosur janë gjithë çka Perëndia ka pasur si veprues përherë. Kjo duhet të jetë tmerrësisht irrituese për Të, por Ai ia gjen anën asaj. Kështu duhet t’ia gjejmë edhe ne. Dhe kur shihni papërsosmëri, mbani mend që kufizimi nuk është në hyjninë e kësaj pune. Siç ka sugjeruar një shkrimtar i talentuar, kur plotësia e pakufishme derdhet, nuk është faji i vajit nëse ka ca humbje, sepse enët e kufizuara nuk mund ta përmbajnë atë plotësisht.10 Këto enë të kufizuara përfshijnë ju dhe mua, prandaj jini të duruar, dashamirës dhe zemërgjerë.

Gjëja e fundit për të vënë në dukje: kur afrohet dyshimi ose vështirësia, mos kini frikë të kërkoni ndihmë. Nëse e dëshirojmë ndihmën me po aq përulësi e ndershmëri, sa e deshi ky baba, ne mund ta gjejmë atë. Shkrimet e shenjta e quajnë një dëshirë të tillë të zellshme si të qenit me “bindje të vërtetë”, e ndjekur “me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë”11. Unë dëshmoj në përgjigje të atij lloj kërkimi të ngutshëm, Perëndia do të dërgojë gjithmonë ndihmë nga të dy anët e velit për ta forcuar besimin tonë.

Thashë se po u flisja atyre që janë të rinj. Unë ende jam. Një djalë 14–vjeçar kohët e fundit më tha me pak ngurrim: “Vëllai Holland, nuk mund të them ende se e di që Kisha është e vërtetë, por unë besoj se është”. E përqafova atë djalë derisa i gufuan sytë. I thashë me gjithë zjarrin e shpirtit tim se të besuarit është një fjalë e çmuar, një veprim akoma më i çmuar dhe ai kurrë nuk kishte pse të kërkonte falje ngaqë “vetëm besonte”. I thashë atij se Krishti Vetë tha: “Mos ki frikë, vetëm ki besim”12, një frazë që e mbështeti të riun Gordon B. Hinkli në fushën e misionit.13 I thashë këtij djali se të besuarit ishte gjithmonë hapi i parë drejt bindjes dhe se secili nga nenet përcaktuese të besimit tonë të përbashkët thekson me forcë frazën “Ne besojmë”14. Dhe i thashë atij se sa shumë krenar isha për të, për ndershmërinë e kërkimit të tij.

Tani, me përparësinë që më japin rreth 60 vjet që nga koha kur isha një 14–vjeçar që kishte filluar të besonte, unë shpall disa gjëra që tani i di. Unë e di se Perëndia është në të gjitha kohët dhe në të gjitha mënyrat dhe në të gjitha rrethanat Ati ynë i dashur, falës, në Qiell. Unë e di se Jezusi ishte i vetmi fëmijë i Tij i përsosur, jeta e të cilit u dha me dashuri nëpërmjet vullnetit të Atit, si edhe të Birit, për shëlbimin e gjithë ne të tjerëve që nuk jemi të përsosur. Unë e di se Ai u ngrit nga vdekja për të jetuar përsëri dhe, ngaqë Ai e bëri këtë, ju dhe unë do të jetojmë përsëri. Unë e di se Jozef Smithi, i cili e pranoi se nuk ishte i përsosur15, ishte, pavarësisht prej kësaj, mjeti i zgjedhur në dorën e Perëndisë për të rivendosur ungjillin e përjetshëm në tokë. Unë gjithashtu e di se, duke e bërë këtë – veçanërisht nëpërmjet përkthimit të Librit të Mormonit – ai më ka mësuar më shumë për dashurinë e Perëndisë, për hyjninë e Krishtit dhe për fuqinë e priftërisë, sesa ndonjë profet tjetër për të cilin kam lexuar, ditur ose dëgjuar gjatë një jete të tërë kërkimi. Unë e di se Presidenti Tomas S. Monson, i cili po i afrohet me përkushtim dhe gjallëri 50–vjetorit të shugurimit të tij si Apostull, është pasuesi i duhur për atë mantel profetik sot. Ne e kemi parë atë mantel përsëri mbi të në këtë konferencë. Unë e di se 14 burra të tjerë, të cilët ju i mbështesni si profetë, shikues dhe zbulues, e mbështesin atë me duart e tyre, me zemrat e tyre dhe me vetë çelësat e tyre apostolikë.

Këto gjëra jua shpall me bindjen që Pjetri e quajti “më të vërtetuar[ën] fjalë profetike”16. Ajo që ishte dikur një farë e vogël e besimit për mua, është rritur në pemën e jetës, prandaj, në qoftë se besimi juaj po vihet sadopak në provë në këtë stinë apo ndonjë stinë tjetër, ju ftoj të mbështeteni te besimi im. E di se kjo punë është pikërisht e vërtata e Perëndisë dhe e di se vetëm për rrezikun tonë, ne do ta lejojmë dyshimin ose djajtë të na largojnë nga shtegu i saj. Shpresoni. Udhëtoni. Me ndershmëri i bëni të njohura pyetjet dhe shqetësimet tuaja, por më parë dhe përgjithmonë i fryni flakës së besimit tuaj, sepse të gjitha gjërat janë të mundshme për ata që besojnë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.