Biblioteka
Është një Mrekulli
Maj 2013


Është një Mrekulli

Nëse nuk jeni një misionar kohëplotë me një etiketë misionari të kapur në pallton tuaj, tani është koha që ta pikturoni një [të tillë] në zemrën tuaj – të ngjyrosur, siç tha Pali “jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë”.

Plaku Nil L. Andersen

Jeta në vdekshmëri e Jezu Krishtit ishte e mbushur me mrekulli: një nënë e virgjër, një yll i ri, engjëjt që iu shfaqën barinjve, i verbri që pa, i çali që eci, engjëjt në Gjetseman e në varr dhe, mrekullia më e madhe e të gjithave, – Ringjallja e Tij e lavdishme.

A mund ta përfytyroni skenën e njëmbëdhjetë Apostujve në malin pranë Galilesë, kur Zoti i ringjallur erdhi tek ata dhe tha: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë”1? “Dilni në mbarë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese.”2

“Të gjithë popujt”? “Mbarë botën”? “Çdo krijese”? A qe e mundur kjo? Megjithëse Jezusi i siguroi, ata duhet ta kenë pyetur veten nëse mrekullitë me të vërtetë do t’i shoqëronin ata në përhapjen e ungjillit.3

Besimi e mposhti dyshimin dhe Pjetri foli me zë të lartë, duke thënë:

“Ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, … dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. …

… Jezusi Nazareas, … [të cilin] ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë. …

Këtë Jezus … Perëndia e ka ringjallur; dhe … të gjithë ne jemi dëshmitarë!”4

Pati manifestime shpirtërore të pamohueshme atë ditë dhe 3.000 shpirtra u pagëzuan. Sikurse premtoi Jezusi, shenjat dhe mrekullitë po ndiqnin besimin e besimtarëve.

Ndërsa Kisha e Jezu Krishtit u rivendos në tokë 183 vjet më parë, detyra e Zotit për grupin e Tij të vogël të dishepujve i bëri jehonë fjalëve të Tij të thëna shekuj më parë: “Zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit”5. “Sepse, në të vërtetë, tingulli duhet të shkojë … në të gjithë botën dhe në skajet më të largëta të tokës.”6

“Gjithë njerëzit”? “Gjithë botën”? “Skajet më të largëta të tokës”? A qe e mundur kjo?

Shpëtimtari i siguroi sërish shenjtorët e Tij të ditëve të mëvonshme7, por a mund ta parashikonin ata shtrirjen dhe fatin e kësaj vepre të mrekullueshme? Ata duhet ta kenë pyetur veten nëse mrekullitë me të vërtetë do t’i shoqëronin ata në përhapjen e ungjillit.

Sërish, besimi e mposhti dyshimin dhe mijëra u pagëzuan. Në Angli, Plaku Uillford Udraf zbuloi një komunitet të tërë duke pritur ardhjen e tij. Shpirti i Zotit ra mbi ta dhe ai pagëzoi 45 predikues dhe disa qindra anëtarë gjatë muajit të parë në fermën “Benbou”8.

Koha jonë nuk është e ndryshme. Kur Plaku Dejvid A. Bednar dhe unë ishim misionarë, afro 40 vjet më parë (dhe mund t’ju siguroj se nuk jemi misionarët e kthyer më të moshuar të ulur në karriget e kuqe), kishte 16.000 misionarë. Siç njoftoi dje Presidenti Tomas S. Monson, tani kemi 65.000 – më shumë se kurrë më parë. Atëherë kishte 562 kunje. Sot ka më shumë se 3.000. Në atë kohë, lagjet dhe degët tona qenë në 59 vende. Sot kemi organizuar kongregacione në 189 nga 224 vende dhe territore të botës. Ne jemi të paktë në numër, tamam siç parashikoi Nefi.9 Por në të njëjtën kohë, unë dhe ju jemi dëshmitarë të fjalëve profetike të Danielit: “Gur[i] … shkëput[et] … jo nga dora e njeriut … [duke mbushur] tërë tokën”10.

Koha jonë është një kohë e shquar mrekullish. Gjashtë muaj më parë, kur Presidenti Monson njoftoi ndryshimin e moshës së të rinjve dhe të rejave që dëshirojnë të shërbejnë në misione, pati manifestime shpirtërore të pamohueshme. Besimi e mposhti dyshimin dhe të rinjtë e të rejat shkuan përpara. Të enjten pas konferencës, unë u caktova t’i rekomandoja Presidencës së Parë thirrjet për mision. U mahnita të shihja kërkesat e meshkujve 18–vjeçarë dhe vajzave 19–vjeçare, që tanimë i kishin rregulluar planet e tyre, i kishin vizituar doktorët e tyre, ishin intervistuar nga peshkopët dhe presidentët e kunjeve të tyre dhe i kishin dërguar kërkesat e tyre për punë misionare – të gjitha në vetëm pesë ditë. Mijëra më shumë tani i janë bashkuar atyre. Është një mrekulli.

Jemi mirënjohës për besimin që rrezaton energji të motrave tona misionare, numrin në rritje të misionarëve nga vende anekënd botës dhe numrin në rritje të çifteve të gatshëm për të shërbyer. Pesëdhjetë e tetë misione të reja janë njoftuar dhe qendra jonë e mbipopulluar e trajnimit të misionarëve në Provo ka gjetur mrekullisht një simotër të re në Meksiko–Siti.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “Ne e konsiderojmë me seriozitetin maksimal urdhrin e Shpëtimtarit … : ‘Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë’.”11 “Kjo kauzë … do të vazhdojë të shkojë përpara, duke ndryshuar dhe bekuar jetë. … Asnjë forcë në të gjithë botën nuk mund ta ndalojë punën e Perëndisë.”12

Ne po dëshmojmë mrekullitë e Zotit ndërsa ungjilli i Tij po përhapet nëpër botë.

Vëllezër e motra, me aq siguri sa Zoti ka frymëzuar më shumë misionarë për të shërbyer, Ai gjithashtu po zgjon mendjet dhe po hap zemrat e më shumë njerëzve të mirë e të ndershëm për të pranuar misionarët e Tij. Ju tashmë i njihni apo do t’i njihni ata. Ata janë në familjen tuaj dhe jetojnë në lagjen tuaj. Ata ecin duke u shkëmbyer me ju në rrugë, ulen pranë jush në shkollë dhe lidhen me ju në internet. Edhe ju jeni një pjesë e rëndësishme e kësaj mrekullie që po shpaloset.

Nëse nuk jeni një misionar kohëplotë me një etiketë misionari të kapur në pallton tuaj, tani është koha që ta pikturoni një [të tillë] në zemrën tuaj – të ngjyrosur, siç tha Pali “jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë”13. Dhe [ju] misionarë të kthyer, gjejeni etiketën tuaj të vjetër misionare. Mos e vini, por lëreni atje ku mund ta shihni. Zoti ka nevojë për ju tani më shumë se asnjëherë që të jeni një mjet në duart e Tij. Të gjithë ne kemi një kontribut për të bërë për këtë mrekulli.

Çdo anëtar i drejtë i Kishës ka menduar rreth mënyrës se si ta ndajë ungjillin. Disa e ndajnë atë natyrshëm dhe mund të mësojmë shumë prej tyre.14 Disa luftojnë dhe pyesin veten si ta ndajnë më mirë, duke uruar që ndjenja e fajit që ndiejmë ndonjëherë, do të gjejë një vend tjetër për të shkuar.

Dëshira jonë për të ndarë ungjillin na bën të gjithëve ne të gjunjëzohemi dhe duhet të na bëjë të gjunjëzohemi, sepse kemi nevojë për ndihmën e Zotit.

Presidenti Monson ka kërkuar që të lutemi për “[ato] zona ku ndikimi ynë është i kufizuar dhe ku ne nuk lejohemi ta ndajmë ungjillin lirisht”15. Ndërsa i kërkojmë me zell dhe të bashkuar Atit tonë në Qiell, Zoti do të vazhdojë të hapë dyer të rëndësishme për ne.

Ne gjithashtu lutemi për mundësitë tona vetjake për të ndarë ungjillin. Apostulli Pjetër tha: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që … kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”16.

Me pështjellimin17 dhe rrëmujën18 e botës së sotme, nuk është çudi që më pak njerëz po i frekuentojnë vendet e tyre të adhurimit. Edhe pse shumë njerëz dëshirojnë të jenë më afër Perëndisë dhe ta kuptojnë më mirë qëllimin e jetës, ata kanë pyetje pa përgjigje. Shumë vetë kanë zemra të hapura ndaj të vërtetës, por siç e përshkroi profeti Amosi: “ata … [po] rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës [së] Zotit, por nuk [mund] ta gjejnë”19. Ju mund të ndihmoni për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Në bisedat tuaja të përditshme ju mund ta rrisni besimin e tyre në Krisht.20

Shpëtimtari tha: “Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart.”21

Ju premtoj se, ndërsa luteni për të ditur me kë të flisni, emrat dhe fytyrat do t’ju shfaqen në mendjen tuaj. Fjalët që duhet të flisni, do t’ju jepen pikërisht në çastin që keni nevojë për to.22 Do t’ju hapen mundësitë. Besimi do të mposhtë dyshimin dhe Zoti do t’ju bekojë pikërisht me mrekullitë tuaja vetjake.

Shpëtimtari na mësoi se si ta ndajmë ungjillin. Më pëlqen historia e Andreas, i cili pyeti: “Rabbi, ku banon?”23 Jezusi mund t’i qe përgjigjur me vendin ku jetonte. Por, përkundrazi, Ai i tha Andreas: “Ejani e shikoni”24. Më pëlqen të mendoj se Shpëtimtari po thoshte: “Ejani e shikoni jo vetëm ku jetoj por si jetoj. Ejani e shikoni kush jam. Ejani e ndieni Shpirtin.” Ne nuk dimë gjithçka rreth asaj dite, por vërtet dimë se kur Andrea e gjeti të vëllanë, Simonin, i shpalli: “E gjetëm … Krishti[n]”25.

Ndaj atyre që tregojnë interes për bisedimet tona, ne mund të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit duke i ftuar ata të “[vijnë] e shiko[jnë]”. Disa do ta pranojnë ftesën tonë dhe të tjerë jo. Ne të gjithë njohim dikë që është ftuar disa herë përpara pranimit të një ftese për të “[ardhur] e shik[uar]”. Le të mendojmë edhe për ata që dikur ishin me ne por që tani i shohim rrallë, duke i ftuar të rikthehen dhe të shikojnë edhe një herë.

Ne e respektojmë zgjedhjen dhe kohën e secilit person. Zoti tha: “Le të zgjedhë çdokush vetë”26. Mungesa e interesit të një personi nuk duhet të zvogëlojë lidhjet tona të miqësisë dhe dashurisë. Qoftë nëse pranohet ose jo ftesa ndërsa i ftoni të tjerët të “[vijnë] e shiko[jnë]”, ju do ta ndieni miratimin e Zotit dhe, bashkë me atë miratim, një masë të shtuar besimi për të ndarë vazhdimisht bindjet tuaja.

Për ata të cilët përdorin internetin dhe telefonat celularë, ka mënyra të reja për t’i ftuar të tjerët që të “[vijnë] dhe shiko[jnë]”. Le ta bëjmë më shumë pjesë të jetës sonë të përditshme ndarjen e besimit tonë në internet. LDS.org, Mormon.org, Facebook, Twitter – të gjitha ofrojnë mundësi.

Të rinjtë anëtarë në Boston, për të ndarë ungjillin, krijuan disa faqe diskutimesh.27 Ata të cilët u bashkuan me Kishën, e filluan mësimin e tyre në internet, të pasuar nga diskutimet me misionarët. Kjo përvojë gjithashtu e ndihmoi rininë të ketë besim më të madh për të folur personalisht rreth ungjillit. Njëri nga ata tha: “Kjo nuk është punë misionare. Ky është një argëtim misionar.”28

Ne jemi të gjithë së bashku në këtë gjë. Me bashkanëtarët dhe misionarët e lagjes, planifikojmë, lutemi dhe ndihmojmë njëri–tjetrin. Ju lutem, mbajini në mendimet e lutjet tuaja misionarët kohëplotë. Mirëbesojuni atyre familjen dhe miqtë tuaj. Zoti i mirëbeson ata dhe i ka thirrur të japin mësim dhe të bekojnë ata që e kërkojnë Atë.

Presidenti Paulo Kretli, i Misionit të Mozambikut, Maputo, ndau këtë përvojë: “Në Mozambik është e zakonshme [për] çiftet që të jetojnë bashkë [pa qenë të martuar për shkak se] tradita afrikane kërko[n] një prikë të shtrenjtë për t’u martuar, një prikë që shumë çifte nuk mund ta përballojnë”29.

Anëtarët dhe misionarët menduan dhe u lutën se si të ndihmonin.

Përgjigjja ndaj lutjeve të tyre ishte se ata do të theksonin ligjin e dëlirësisë dhe rëndësinë e martesës dhe familjeve të përjetshme. Dhe teksa ndihmonin çiftet të pendoheshin dhe të martoheshin ligjërisht, ata do të jepnin mësim për lumturinë që vjen vetëm përmes ndjekjes së Jezu Krishtit.

Kjo është një fotografi e çifteve nga dy qytete të ndryshme në Mozambik. Të martuar të premten, u pagëzuan me fëmijët e tyre më të rritur të shtunën.30 Miqtë dhe familja u ftuan që të “[vinin] dhe shikoni[n]”, dhe qindra vërtet “[erdhën] dhe [panë]”.

Pas pagëzimit, një motër tha: “Ne duhej të zgjidhnim ose të ndiqnim traditat e etërve tanë ose të ndiqnim Jezu Krishtin. Zgjodhëm të ndiqnim Krishtin.”31

Ju mund të mos jetoni në Mozambik, por në vetë mënyrën tuaj, në vetë kulturën tuaj, ju mund të ndani ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Lutjuni Atit tuaj Qiellor. Kjo është puna e Tij e shenjtë. Ai do t’ju udhëheqë në atë që duhet të bëni. Ai do të hapë dyer, do të heq barrikada dhe do t’ju ndihmojë të mposhtni pengesa. Zoti shpalli: “Zëri i paralajmërimit do të shkojë te gjithë njerëzit prej gojës së dishepujve të mi, … dhe askush s’do t’i ndalojë”32.

Dëshmoj se “zëri i Zotit [do të shkojë] te fundet e dheut që, gjithkush që do të dëgjojë le të dëgjojë”33. Është një mrekulli. Është një mrekulli. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 28:19.

  2. Marku 16:15.

  3. Shih Mateu 28:20Marku 16:17–18.

  4. Veprat e Apostujve 2:14, 22–23, 32.

  5. Doktrina e Besëlidhje 1:4.

  6. Doktrina e Besëlidhje 58:64.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 1:5.

  8. Shih Teachings of Presidents of the Church: Wilford Woodruff (2004), f. 89–92.

  9. Shih 1 Nefi 14:12.

  10. Danieli 2:34–35.

  11. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, maj 2009, f. 5.

  12. Tomas S. Monson, “Ndërsa Mblidhemi Përsëri”, Liahona, maj 2012, f. 4.

  13. 2 Korintasve 3:3.

  14. Shih Clayton M. Christensen, The Power of Everyday Missionaries: The What and How of Sharing the Gospel (2013).

  15. Tomas S. Monson, “Mirësevini në Konferencë”, Liahona, nëntor 2009, f. 6.

  16. 1 Pjetrit 3:15.

  17. Ata vërejnë se idetë ose parimet e konsideruara të vërteta prej shumë kohësh, po ripërkufizohen apo refuzohen; shih Doktrina e Besëlidhje 1:16; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 132:8.

  18. Shih Doktrina e Besëlidhje 45:26; 88:91.

  19. Amosi 8:12.

  20. Profeti Jozef Smith tha: “A kanë presbiterianët ndonjë të vërtetë? Po. A kanë baptistët, metodistët etj., ndonjë të vërtetë? Po. … Ne duhet t’i mbledhim të gjitha parimet e sakta e të vërteta në botë dhe t’i përhapim” (History of the Church, 5:517). “Ne nuk i kërkojmë askujt të hedhë poshtë ndonjë të mirë që kanë; ne vetëm u kërkojmë atyre të vijnë dhe të marrin edhe më. Po sikur e gjithë bota të përqafonte Ungjillin? Ata atëherë do të shihnin sy më sy dhe bekimet e Perëndisë do të derdheshin mbi njerëzit, gjë që është dëshira e gjithë shpirtit tim” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 161). Presidenti Gordon B. Hinkli tha: “Më lejoni të them se e vlerësojmë të vërtetën te të gjitha kishat dhe të mirën që ata bëjnë. Ne u themi njerëzve, parimisht, sillni me vete gjithë të mirën që keni, dhe më pas na lejoni të shohim nëse mund ta rrisim atë. Ky është shpirti i kësaj vepre. Ky është thelbi i shërbimit tonë misionar” (“Words of the Living Prophet”, Liahona, prill 1999, f. 19). “Ne duhet të jemi një popull miqësor. Ne duhet ta dallojmë të mirën te të gjithë njerëzit. Ne nuk shkojmë andej–këtej të kritikojmë kishat e tjera. Ne predikojmë dhe japim mësim në një mënyrë pozitive dhe pohuese. Ne u themi njerëzve të besimeve të tjera, ‘sillni me vete gjithë të mirën që keni, dhe na lejoni të shohim nëse mund ta rrisim atë’. Ky është parimisht thelbi i programit tonë të mrekullueshëm misionar dhe ai jep rezultate” (“Messages of Inspiration from President Hinckley”, Church News, 7 nëntor 1998, f. 2; shih ldschurchnews.com).

  21. 3 Nefi 18:24.

  22. Shih Doktrina e Besëlidhje 84:85; 100:6.

  23. Gjoni 1:38.

  24. Gjoni 1:39.

  25. Gjoni 1:41.

  26. Doktrina e Besëlidhje 37:4.

  27. Shih, për shembull, youngandmormon.com.

  28. Bisedë telefonike me Jackson Haight–in më 22 mars 2013.

  29. Mesazh elektronik personal nga Presidenti Paulo V. Kretly, 6 mars 2013.

  30. Foto të siguruara nga Presidenti Paulo V. Kretly. Grupi i parë ishte nga Maputo; ata u martuan më 30 nëntor 2012 dhe u pagëzuan më 1 dhjetor 2012. Grupi i dytë ishte nga Beira; ata u martuan më 1 mars 2013 dhe u pagëzuan më 2 mars 2013.

  31. Mesazh elektronik personal nga Presidenti Paulo V. Kretly, 6 mars 2013.

  32. Doktrina e Besëlidhje 1:4–5.

  33. Doktrina e Besëlidhje 1:11.