2022
Parimi i Përjetshëm i Dashurisë
Nëntor 2022


9:51

Parimi i Përjetshëm i Dashurisë

Dashuria e Atit tonë Qiellor për çdonjërin nga fëmijët e Tij është reale. Ai i gjendet pranë secilit prej tyre.

Parimi i përjetshëm i dashurisë manifestohet duke jetuar dy urdhërimet e mëdha: Duaje Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten.1

Më kujtohet dimri im i parë qëkur nisa të jetoja këtu në Jutë, kishte borë ngado. Duke qenë se vija nga shkretëtira e Sonorës, ditët e para po e shijoja, por pas disa ditësh kuptova se duhej të ngrihesha më herët në mëngjes për të hequr borën nga rrugica para garazhit.

Një mëngjes, në mes të një stuhie bore, po djersitja duke pastruar me lopatë borën dhe pashë fqinjin tim duke hapur garazhin e tij në anën tjetër të rrugës. Ai është më i madh se unë në moshë, ndaj mendova se po të mbaroja shpejt, mund ta ndihmoja. Kështu që duke e ngritur zërin, e pyeta: “Vëlla, a ke nevojë për ndihmë?”

Ai buzëqeshi dhe tha: “Faleminderit, Plaku Montoia”. Pastaj nxori një pastruese bore elektrike nga garazhi i tij, ia ndezi motorin dhe për pak minuta ai e hoqi të gjithë borën përpara shtëpisë së vet. Më pas e kaloi rrugën me makinerinë e tij me vete dhe më pyeti: “Plaku [Montoia], a ke nevojë për ndihmë?”

Me një buzëqeshje i thashë: “Po, faleminderit”.

Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë njëri‑tjetrin sepse e duam njëri‑tjetrin dhe nevojat e vëllait tim bëhen nevojat e mia dhe të miat bëhen të tijat. S’ka rëndësi se çfarë gjuhe flet vëllai im ose nga cili vend vjen ai, ne e duam njëri‑tjetrin sepse jemi vëllezër, fëmijë të të njëjtit Atë.

Kur u lajmërua dhënia e shërbesës, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Ne do të vëmë në zbatim një qasje më të re, më të shenjtë ndaj përkujdesjes dhe dhënies së shërbesës për të tjerët”2. Për mua, më [e] shenjtë do të thotë më vetjake, më e thellë, më shumë sipas mënyrës së Shpëtimtarit: Të “ke[m]i dashuri për njëri-tjetrin”3, për çdo individ.

Nuk mjafton të shmangim të qenit një pengesë për të tjerët, nuk mjafton ta pikasim nevojtarin gjatë rrugës dhe t’i kalojmë pranë. Le të përfitojmë nga çdo mundësi për ta ndihmuar fqinjin tonë, edhe nëse është hera e parë dhe e vetme që e takojmë atë në këtë jetë.

Pse është dashuria për Perëndinë urdhërimi i parë i madh?

Mendoj se është për shkak të rëndësisë që Ai ka për ne. Ne jemi fëmijët e Tij, Ai e mbikëqyr mirëqenien tonë, ne varemi nga Ai dhe dashuria e Tij na mbron. Plani i Tij përfshin lirinë e zgjedhjes, prandaj, ka të ngjarë që ne të bëjmë disa gabime.

Ai na lejon gjithashtu që të provohemi dhe tundohemi. Por qoftë nëse po bëjmë të njëjtat gabime ose po biem në tundim, plani na siguron një Shpëtimtar që ne të mund të shëlbohemi dhe të kthehemi në praninë e Perëndisë.

Fatkeqësia në jetën tonë mund të shkaktojë dyshim për përmbushjen e premtimeve që na janë bërë. Ju lutem, kini mirëbesim tek Ati ynë. Ai i mban gjithmonë premtimet e Tij dhe ne mund të mësojmë atë që Ai dëshiron të na e mësojë.

Edhe nëse bëjmë atë që është e drejtë, rrethanat në jetën tonë mund të ndryshojnë nga e mira tek e keqja, nga lumturia në trishtim. Perëndia u përgjigjet lutjeve tona sipas mëshirës, dashurisë së Tij të pafundme dhe në vetë kohën e Tij.

  • Përroi tek i cili piu Elia shteroi.4

  • Harku prej çeliku shumë të mirë i Nefit u thye.5

  • Një djalë i ri u diskriminua dhe u përjashtua nga shkolla.

  • Një fëmijë i shumëpritur nga prindërit vdiq pak ditë pasi lindi.

Rrethanat ndryshojnë.

Kur rrethanat ndryshojnë nga të mira dhe pozitive tek të këqija dhe negative, ne prapë mund të jemi të lumtur sepse lumturia nuk varet nga rrethanat por nga qëndrimi ynë kundrejt rrethanave. Presidenti Nelson tha: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”6.

Ne mund të rrimë duarkryq dhe të presim që rrethanat të ndryshojnë vetë, ose mund të synojmë dhe të krijojmë rrethana të reja.

  • Elia shkoi në Sarepta, ku një e ve i dha për të ngrënë dhe për të pirë.7

  • Nefi bëri një hark prej druri dhe shkoi të gjuante kafshë për ushqim.8

  • I riu ulej duke dëgjuar dhe mbajtur shënime nga dritarja dhe sot ai është një mësues në një shkollë fillore.

  • Çifti ka zhvilluar një besim të madh te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe mirëbesim te plani i shpëtimit. Dashuria e tyre për fëmijën e shumëpritur që vdiq papritmas është më e madhe se hidhërimi i tyre.

Kur dëgjoj pyetjet: “O Ati Qiellor, a je Ti atje? A i përgjigjesh lutjes së [çdo] fëmije?”9, dëshiroj të përgjigjem: “Ai ka qenë, Ai është dhe Ai do t’ju gjendet gjithmonë pranë juve dhe mua. Unë jam biri i Tij, Ai është Ati im dhe unë po mësoj të jem një atë i mirë siç është Ai.”

Bashkëshortja ime dhe unë përpiqemi gjithnjë t’u gjendemi pranë fëmijëve tanë kurdoherë, në çdo rrethanë dhe në çdo mënyrë. Çdo fëmijë është i pashoq, vlera e tyre për Perëndinë është e madhe dhe s’ka rëndësi se çfarë sfidash, mëkatesh dhe dobësish kanë ata, Perëndia i do ata, po ashtu edhe ne.

Kur e mora këtë thirrje si Autoritet i Përgjithshëm, ditën e fundit përpara se të udhëtonim për në Solt‑Lejk, u mblodhëm së bashku në shtëpinë tonë me gjithë fëmijët e mi dhe familjet e tyre për një mbrëmje familjare, ku ne shprehëm dashurinë dhe mirënjohjen tonë. Pas mësimit, i dhashë një bekim priftërie secilit prej fëmijëve të mi. Të gjithë lotuan. Pas bekimeve, djali im më i madh shprehu fjalë mirënjohjeje në emër të gjithsecilit për dashurinë e madhe që u kishim dhënë atyre që nga dita që kishin lindur deri në atë çast.

Bekojini fëmijët tuaj, qofshin ata 5 apo 50 vjeç. Qëndroni me ta; qëndrojuni pranë. Ndonëse sigurimi i të ardhurave është një përgjegjësi e krijuar sipas modelit hyjnor, ne nuk duhet të harrojmë që të kalojmë kohë të gëzueshme me fëmijët tanë.

Dashuria e Atit tonë Qiellor për çdonjërin nga fëmijët e Tij është reale. Ai i gjendet pranë secilit prej tyre. Nuk e di se si Ai e bën këtë, por Ai e bën. Ai dhe i Parëlinduri i Tij janë Një në kryerjen e punës dhe lavdisë së Atit që “të bëj[në] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”10. Ata na kanë dërguar Frymën e Shenjtë për të na udhërrëfyer, paralajmëruar dhe ngushëlluar nëse është e nevojshme.

Ai e udhëzoi Birin e Tij të Dashur që të krijonte këtë tokë të bukur. Ai e udhëzoi Adamin dhe Evën dhe u dha lirinë e tyre të zgjedhjes. Ai ka dërguar lajmëtarë për vite e vite me radhë, që ne të mund të marrim dashurinë e Tij dhe urdhërimet e Tij.

Ai ishte në Korijen e Shenjtë duke iu përgjigjur pyetjes së sinqertë të të riut Jozef dhe duke e thirrur atë në emër. Ai tha: “Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!”11

Unë besoj se vërtetimi më i lartë i dashurisë së Perëndisë për ne ndodhi në Gjetseman, ku Biri i Perëndisë së gjallë u lut: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti”12.

Unë kam vënë re se pjesa e vogël që mund të kuptoj nga Shlyerja e Jezu Krishtit e rrit dashurinë time për Atin dhe Birin e Tij, e ul dëshirën time për të mëkatuar dhe për të qenë i pabindur dhe e shton gatishmërinë time për të qenë më i mirë dhe për të vepruar më mirë.

Jezusi shkoi pa frikë dhe asnjë dyshim në Gjetseman, duke mirëbesuar tek Ati i Tij, duke e ditur që Ai duhej ta shtypte i vetëm presën e verës. Ai e duroi të gjithë dhembjen dhe poshtërimin. Ai u akuzua, u gjykua dhe u kryqëzua. Gjatë agonisë dhe dhembjes së Tij në kryq, Jezusi u përqendrua te nevojat e nënës së Tij dhe të dishepujve të Tij të dashur. Ai dha si ofertë jetën e Tij.

Ditën e tretë Ai u ringjall. Varri është i zbrazët, Ai qëndron në krahun e djathtë të Atit të Tij. Ata shpresojnë se ne do të zgjedhim që t’i mbajmë besëlidhjet tona dhe të kthehemi në praninë e Tyre. Kjo gjendje e dytë nuk është gjendja jonë përfundimtare, ne nuk i përkasim kësaj shtëpie tokësore, por përkundrazi ne jemi qenie të përjetshme që jetojmë përvoja tokësore.

Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Ai jeton dhe për shkak se Ai jeton, të gjithë fëmijët e Perëndisë do të jetojnë përgjithmonë. Falë flijimit të Tij shlyes, të gjithë mund të jetojmë së bashku me Ta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.