2022
Një Strukturë për Zbulesë Vetjake
Nëntor 2022


12:41

Një Strukturë për Zbulesë Vetjake

Neve na nevojitet ta kuptojmë strukturën brenda së cilës funksionon Fryma e Shenjtë. Kur veprojmë brenda strukturës, Fryma e Shenjtë mund të çlirojë ide të mahnitshme.

Ashtu si për shumë prej jush, Plaku Diter F. Uhtdorf ka ndikuar shumë tek unë përgjatë viteve. Kjo shpjegon, të paktën pjesërisht, atë që do të them tani.1 Pra, duke i kërkuar falje atij …

Pilotët e trajnuar mirë të aeroplanëve fluturojnë sipas aftësive të avionit të tyre dhe ndjekin udhëzimet nga kontrollorët e trafikut ajror lidhur me përdorimin e pistës së aeroportit dhe kursin e fluturimit. E thënë thjesht, pilotët veprojnë brenda një strukture. Pavarësisht se sa të shkëlqyer ose të talentuar të jenë, vetëm duke fluturuar brenda kësaj strukture pilotët mund të çlirojnë në mënyrë të sigurt potencialin e jashtëzakonshëm të një aeroplani për të përmbushur synimet e tij të mrekullueshme.

Në një mënyrë të ngjashme, ne marrim zbulesë vetjake brenda një strukture. Pas pagëzimit na jepet një dhuratë madhështore, prapëseprapë e përdorshme, dhurata e Frymës së Shenjtë.2 Kur përpiqemi të qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve3, është “Frym[a] e Shenjtë … [që] do t[ë na] tregojë të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]”4. Kur nuk jemi të sigurt ose rehat, ne mund t’i kërkojmë ndihmë Perëndisë.5 Premtimi i Shpëtimtarit nuk mund të ishte më i qartë: “Lypni dhe do t’ju jepet; …. sepse kush lyp merr”6. Me ndihmën e Frymës së Shenjtë, ne mund ta shndërrojmë natyrën tonë hyjnore në fatin tonë të përjetshëm.7

Premtimi për zbulesë vetjake nëpërmjet Frymës së Shenjtë frymëzon duke mahnitur, po ashtu si një aeroplan në fluturim. Dhe ashtu si pilotëve të aeroplanëve, neve na nevojitet ta kuptojmë strukturën brenda së cilës funksionon Fryma e Shenjtë për të siguruar zbulesën vetjake. Kur veprojmë brenda strukturës, Fryma e Shenjtë mund të çlirojë ide, drejtim dhe ngushëllim të mahnitshëm. Jashtë asaj strukture, pavarësisht se sa të shkëlqyer ose të talentuar jemi, ne mund të mashtrohemi, të rrëzohemi dhe të digjemi.

Shkrimet e shenjta formojnë elementin e parë të kësaj strukture për zbulesë vetjake.8 Ushqimi me bollëk me fjalët e Krishtit, siç gjenden në shkrimet e shenjta, e nxit zbulesën vetjake. Plaku Robert D. Hejls tha: “Kur dëshirojmë të flasim me Perëndinë, ne lutemi. Dhe kur dëshirojmë që Ai të na flasë, ne hetojmë shkrimet e shenjta.”9

Shkrimet e shenjta gjithashtu na mësojnë se si të marrim zbulesë vetjake.10 Dhe ne kërkojmë atë që është e drejtë dhe e mirë11 dhe jo për atë që është në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.12 Ne nuk “kërko[jmë] keqas” me shtysa të papërshtatshme që të promovojmë synimin tonë vetjak ose që të përmbushim kënaqësinë tonë vetjake.13 Mbi gjithçka, ne duhet t’i kërkojmë Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit14, duke besuar se do të marrim.15

Një element i dytë i strukturës është që ne marrim zbulesë vetjake vetëm brenda fushëveprimit tonë dhe jo brenda kujdestarisë së të tjerëve. Me fjalë të tjera, ne ngrihemi dhe ulemi brenda pistës që na është caktuar. Rëndësia e pistave të përcaktuara mirë u mësua herët në historinë e Rivendosjes. Hajrëm Pejxhi, njëri nga Tetë Dëshmitarët e Librit të Mormonit, pretendoi se po merrte zbulesa për të gjithë Kishën. Disa anëtarë u mashtruan dhe u ndikuan në mënyrë të gabuar.

Si përgjigje, Zoti zbuloi se “askush nuk do të caktohet të marrë urdhërime dhe zbulesa në këtë kishë përveç shërbëtorit tim Joseph Smith, … derisa unë do t’u caktoj … një tjetër në vend të tij”16. Doktrina, urdhërimet dhe zbulesat për Kishën janë kujdestaria e profetit të gjallë, i cili i merr ato nga Zoti Jezu Krisht.17 Ajo është pista e profetit.

Vite më parë mora një telefonatë nga një individ që ishte arrestuar për hyrje pa leje. Më tha se ai kishte marrë zbulesë që një shkrim i shenjtë shtesë ishte groposur nën dyshemenë e katit përdhes të një ndërtese ku u përpoq të hynte. Ai pretendonte se pasi ta merrte shkrimin e shenjtë shtesë, ai e dinte se do të merrte dhuratën e përkthimit, do të sillte në dritë një shkrim të ri të shenjtë dhe do t’i jepte formë doktrinës dhe drejtimit të Kishës. I thashë se e kishte gabim dhe ai më kërkoi që të lutesha për këtë gjë. I thashë se nuk do të lutesha. Ai filloi të përdorte fjalë fyese dhe e ndërpreu telefonatën.18

Nuk kisha nevojë të lutesha rreth kësaj kërkese për një arsye të thjeshtë por të thellë: vetëm profeti merr zbulesë për Kishën. Do të ishte “në kundërshtim me rendin e Perëndisë”19 që njerëz të tjerë të marrin zbulesë të tillë, e cila i përket pistës së profetit.

Zbulesa vetjake me të drejtë u përket individëve. Ju mund të merrni zbulesë, për shembull, rreth vendit ku të jetoni, shtegut të karrierës që të ndiqni ose personit me kë të martoheni.20 Udhëheqësit e Kishës mund të japin mësim doktrinën dhe këshillë të frymëzuar, por përgjegjësia për këto vendime mbetet me ju. Ajo është zbulesa që duhet ta merrni ju; ajo është pista juaj.

Një element i tretë i strukturës është se zbulesa vetjake do të jetë në harmoni me urdhërimet e Perëndisë dhe besëlidhjet që kemi bërë me Të. Merrni parasysh një lutje që thuhet disi kështu: “Ati Qiellor, shërbesat e Kishës janë të mërzitshme. A mund të të adhuroj Ty në Shabat në male apo në plazh? A mund të justifikohem që nuk shkoj në kishë dhe nuk e marr sakramentin, por ende të kem bekimet e premtuara të mbajtjes së shenjtë të ditës së Shabatit?”21 Në përgjigje të një lutjeje të tillë, ne mund ta parashikojmë përgjigjen e Perëndisë: “Fëmija im, unë e kam zbuluar tashmë vullnetin Tim lidhur me ditën e Shabatit”.

Kur kërkojmë zbulesë rreth diçkaje për të cilën Perëndia e ka dhënë tashmë drejtimin e qartë, ne bëhemi të cenueshëm nga keqinterpretimi i ndjenjave tona dhe nga dëgjimi i asaj që duam të dëgjojmë. Një burrë dikur më tregoi rreth vështirësive të tij për të stabilizuar gjendjen financiare të familjes së vet. Ai pati idenë që si zgjidhje të përvetësonte fonde, u lut për këtë dhe ndjeu se kishte marrë zbulesë pohuese për ta bërë këtë gjë. E dija se ishte mashtruar ngaqë kërkoi zbulesë në kundërshtim me një urdhërim të Perëndisë. Profeti Jozef Smith paralajmëroi: “Asgjë nuk është dëmtim më i madh për fëmijët e njerëzve sesa të jenë nën ndikimin e një shpirti të rremë kur mendojnë se kanë Shpirtin e Perëndisë”22.

Disa njerëz mund të përmendin se Nefi shkeli një urdhërim kur e vrau Labanin. Sidoqoftë, ky përjashtim nuk e shfuqizon rregullin – rregullin që zbulesa vetjake do të jetë në harmoni me urdhërimet e Perëndisë. Asnjë shpjegim i thjeshtë i kësaj ngjarjeje nuk është tërësisht i kënaqshëm, por më lejoni të theksoj disa aspekte. Ngjarja nuk filloi me Nefin që po pyeste a mund ta vriste Labanin. Nuk ishte diçka që ai donte ta bënte. Vrasja e Labanit nuk ishte për dobinë vetjake të Nefit, por që të siguroheshin shkrime të shenjta për një komb të ardhshëm dhe për një popull të besëlidhjes. Dhe Nefi ishte i sigurt se ishte zbulesë, në fakt, në këtë rast, ishte një urdhërim nga Perëndia.23

Elementi i katërt i strukturës është të dalloni atë që Perëndia jua ka zbuluar tashmë personalisht, ndërkohë që jeni të gatshëm të merrni zbulesë të mëtejshme prej Tij. Nëse Perëndia i ka dhënë përgjigje një pyetjeje dhe rrethanat nuk kanë ndryshuar, përse do të prisnim që përgjigjja të jetë e ndryshme? Jozef Smithi u ndesh padashur me këtë situatë problematike në vitin 1828. Pjesa e parë e Librit të Mormonit ishte përkthyer kur Martin Harrisi, një bamirës dhe shkrues i hershëm, i kërkoi leje Jozefit që t’i merrte fletët e përkthyera dhe t’ia tregonte ato bashkëshortes së tij. I pasigurt se çfarë të bënte, Jozefi u lut për udhërrëfim. Zoti i tha që të mos e lejonte Martinin t’i merrte fletët.

Martini kërkoi që Jozefi ta pyeste sërish Perëndinë. Jozefi e bëri këtë gjë dhe përgjigjja ishte, pa ndonjë çuditje, e njëjta. Por Martini iu përgjërua Jozefit një herë të tretë dhe Jozefi u lut përsëri. Këtë herë Perëndia nuk tha: “Jo”. Përkundrazi, ishte sikur Perëndia të thoshte: “Jozef, ti e di se si ndihem për këtë gjë, por ti ke lirinë tënde për të zgjedhur”. Duke u ndier i çliruar nga kufizimi, Jozefi vendosi ta lejonte Martinin që t’i merrte 116 faqet e dorëshkrimit dhe t’ua tregonte pak pjesëtarëve të familjes. Faqet e përkthyera humbën dhe nuk u rigjetën kurrë. Zoti e qortoi rëndë Jozefin.24

Jozefi mësoi, sikurse dha mësim Jakobi, profeti në Librin e Mormonit: “Mos kërkoni të këshilloni Zotin, por merrni këshilla nga dora e tij. Pasi … ai këshillon në urtësi.”25 Jakobi paralajmëroi se gjëra të pasuksesshme ndodhin kur kërkojmë gjëra që nuk duhet t’i kërkojmë. Ai parashikoi se njerëzit në Jerusalem do të kërkonin “gjëra që ata nuk mund t’i kuptonin”, do të shikonin “përtej shenjës” dhe do ta anashkalonin tërësisht Shpëtimtarin e botës.26 Ata u penguan ngaqë kërkuan gjëra që nuk do t’i kuptonin dhe nuk mund t’i kuptonin.

Nëse kemi marrë zbulesë vetjake për situatën tonë dhe rrethanat nuk kanë ndryshuar, Perëndia tashmë i është përgjigjur pyetjes sonë.27 Për shembull, nganjëherë ne pyetim në mënyrë të përsëritur për t’u siguruar se kemi marrë falje. Nëse jemi penduar, jemi mbushur me gëzime dhe paqe të ndërgjegjes dhe kemi marrë një heqje të mëkateve tona, neve nuk na nevojitet të pyestim përsëri, por mund të mirëbesojmë te përgjigjja që na ka dhënë tashmë Perëndia.28

Edhe kur u mirëbesojmë përgjigjeve të mëparshme nga Perëndia, neve na nevojitet të jemi të hapur ndaj zbulesës së mëtejshme vetjake. Në fund të fundit, pak prej vendmbërritjeve të jetës arrihen nëpërmjet një fluturimi të vetëm pa ndalesë. Duhet të kuptojmë se zbulesa vetjake mund të merret “rresht pas rreshti” dhe “parim pas parimi”29, se drejtimi i zbuluar mund të jetë dhe shpesh është i përshkallëzuar.30

Elementet e strukturës për zbulesën vetjake mbivendosen dhe përforcohen në mënyrë të ndërsjellë. Por brenda asaj strukture, Fryma e Shenjtë mund dhe do të zbulojë gjithçka që na nevojitet për të fluturuar drejt qiellit dhe për ta ruajtur hovin në shtegun e besëlidhjeve. Prandaj ne mund të bekohemi nga fuqia e Jezu Krishtit që të bëhemi personat që Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi. Ju ftoj që të keni vetëbesimin për të kërkuar zbulesë vetjake për veten tuaj, duke e kuptuar atë që Perëndia e ka zbuluar, në përputhje me shkrimet e shenjta dhe urdhërimet që Ai i ka dhënë nëpërmjet profetëve të Tij të caktuar dhe brenda vetë fushëveprimit dhe lirisë suaj të zgjedhjes. E di se Fryma e Shenjtë mund dhe do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni.31 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Plaku Diter F. Uhtdorf vazhdimisht dhe me efektshmëri ka përdorur analogji që lidhen me avionët për të dhënë mësim parime të rëndësishme të ungjillit. Për shembull, kohët e fundit ai i lidhi listat e kontrollit para fluturimit të pilotëve me mësimdhënien si Shpëtimtari te “Lista e Kontrollit të një Mësuesi” ([transmetim për mësuesit, 12 qershor 2022], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

  2. Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, shpesh i drejtohemi si Shpirti ose Shpirti i Perëndisë dhe kryen role jetike në planin e shpëtimit. Ai jep dëshmi për Atin dhe Birin, zbulon të vërtetën për të gjitha gjërat, i shenjtëron ata që janë penduar e pagëzohen, dhe është Shpirti i Shenjtë i Premtimit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Frymë e Shenjtë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

  3. Shih te 2 Nefi 31:19–21; Mosia 4:8. Nuk ka udhë tjetër nëpërmjet të cilës ne “mund të shpëtohe[mi] në mbretërinë e Perëndisë”. Dëshira që të jetë ndryshe, nuk do të krijojë një shteg alternativ.

  4. 2 Nefi 32:5; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 84:43–44.

  5. Shih te 2 Nefi 32:4; Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 93–96.

  6. Mateu 7:7–8.

  7. Shih te “Familja Një Proklamatë drejtuar Botës”; “Tema e Të Rejave”; Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 27.0; 27.2, ChurchofJesusChrist.org.

  8. Shih te 2 Nefi 32:3.

  9. Robert D. Hejls, “Shkrimet e Shenjta: Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin Tonë”, Liahona, nëntor 2006, f. 26–27.

  10. Shkrimet e shenjta na mësojnë se zëri i Frymës së Shenjtë është i butë dhe i qetë, si një pëshpërimë – jo i lartë ose i zhurmshëm; është i thjeshtë, i qetë dhe i qartë; mund të jetë depërtues dhe djegës në kraharor; ndikon te mendja si edhe te zemra; sjell paqe, gëzim e shpresë, jo frikë, ankth dhe merak; na fton të bëjmë mirë, jo keq; dhe është ndriçues dhe i ëmbël, jo i mistershëm. Shih te 1 Mbretërve 19:11–12; Omni 1:25; Alma 32:28; Helamani 5:30–33; 3 Nefi 11:3; Moroni 7:16–17; Doktrina e Besëlidhje 6:22–24; 8:2–3; 9:8–9; 11:12–14; 85:6; Boyd K. Packer, “The Candle of the Lord”, Ensign, janar 1983, f. 51–56; Rasëll M. Nelson, “Dëgjojeni Atë”, Liahona, maj 2020, f. 88–92; Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 73–76; Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, f. 93–96.

  11. Shih te 3 Nefi 18:20; Moroni 7:26; Doktrina e Besëlidhje 88:64–65.

  12. Shih te Helamani 10:5; Doktrina e Besëlidhje 46:30.

  13. Jakob [Bibël] 4:3; shih James 4:3, New International Version; 2 Nefi 4:35; Doktrina e Besëlidhje 8:10; 46:7; 88:64–65.

  14. Shih te Doktrina e Besëlidhje 88:64–65; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lutje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  15. Shih te 3 Nefi 18:20; Moroni 7:26.

  16. Doktrina e Besëlidhje 28:2, 7.

  17. Shih te Doktrina e Besëlidhje 21:4–5.

  18. Fatmirësisht u bënë marrëveshje që ai të merrte ndihmën dhe trajtimin që i nevojitej vërtet.

  19. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 207.

  20. Shih te Thomas S. Monson, “Whom Shall I Marry?”, New Era, tetor 2004, f. 4.

  21. Shih te Doktrina e Besëlidhje 59:9–16.

  22. Joseph Smith, në Times and Seasons, 1 prill 1842, f. 744, josephsmithpapers.org.

  23. Zoti shpesh i ndryshon, i përshtat ose bën përjashtime për urdhërimet e zbuluara prej Tij, por këto bëhen nëpërmjet zbulesës profetike dhe jo nëpërmjet zbulesës vetjake. Zbulesa profetike vjen nëpërmjet profetit të emëruar siç duhet nga Perëndia sipas urtësisë dhe kuptueshmërisë së Perëndisë. Këto përjashtime përfshijnë zbulesën e Zotit dhënë Moisiut dhe Jozueut për t’i vrarë banorët e tokës së Kanaanit pavarësisht nga urdhërimi i Tij: “Nuk do të vrasësh” (Eksodi 20:13). Zoti, nëpërmjet profetit të Tij, mund dhe do t’i rishikojë urdhërimet e Tij për qëllimet e Tij. Ne nuk jemi të lirë, gjithsesi, nëpërmjet zbulesës vetjake që të ndryshojmë ose shpërfillim urdhërimet e vendosura, që Perëndia ia ka zbuluar Kishës së Tij nëpërmjet profetit.

    Shih te 1 Nefi 4:12–18; për një diskutim më të plotë, shih te Joseph Spencer, 1st Nephi: A Brief Theological Introduction (2020), f. 66–80.

  24. Për tregimin e plotë mbi 116 faqet e dorëshkrimit, shihni Shenjtorët: Historia e Kishës së Jezu Krishtit në Ditët e Mëvonshme, vëll. 1, Standardi i së Vërtetës, 1815–1846 (2018), f. 44–53; shih edhe te Doktrina e Besëlidhje 3:5–15; 10:1–5.

  25. Jakobi [LiM] 4:10.

  26. Shih te Jakob [LiM] 4:14–16.

  27. Jozef Smithi dha mësim: “Ne nuk kërkojmë kurrë nga dora e Perëndisë për një zbulesë të posaçme, veçse në rastin kur nuk ka zbulesë të mëparshme që gjen zbatim për çështjen” (në History, 1838–1856 [Manuscript History of the Church], vëllimi A-1, f. 286–287, josephsmithpapers.org).

  28. Shih te Mosia 4:3. Kur vazhdojmë të ndiejmë faj dhe keqardhje pas pendimit të sinqertë dhe të qëllimshëm, zakonisht është për shkak të një mungese besimi te Jezu Krishti dhe tek aftësia e Tij për të na falur dhe shëruar plotësisht. Nganjëherë ne besojmë se falja është për të tjerët, por nuk gjen zbatim plotësisht te ne. Kjo është thjesht mungesë besimi në atë që Shpëtimtari mund të përmbushë për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme.

  29. Shih tek Isaia 28:10; 2 Nefi 28:30; David A. Bednar, “Line upon Line, Precept upon Precept”, New Era, shtator 2010, f. 3–7.

  30. Por nëse Perëndia nuk ju ka dhënë zbulesë, vazhdoni të pyetni. Siç dha mësim Plaku Riçard G. Skot: “Bëjeni me mirëbesim. … Kur jetoni me drejtësi dhe po veproni me mirëbesim, Perëndia nuk do t’ju lërë të vazhdoni për shumë kohë pa një mbresë paralajmëruese, në qoftë se keni marrë vendimin e gabuar” (“Përdorimi i Dhuratës Hyjnore të Lutjes”, Liahona, maj 2007, f. 10).

  31. Shih te 2 Nefi 32:5.