2022
Afrimi më Shumë me Shpëtimtarin
Nëntor 2022


15:4

Afrimi më Shumë me Shpëtimtarin

Duke kërkuar me gjithë zemër që ta njohim dhe ta duam Shpëtimtarin, ne e veçojmë veten nga bota nëpërmjet besëlidhjeve me Perëndinë, duke qenë të dallueshëm, të pazakontë dhe të veçantë, ndërkohë që e nderojmë Atë dhe mësimet e Tij, pa u izoluar nga të tjerët të cilët besojnë ndryshe nga ne.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, këtë mbrëmje unë u flas pasuesve të përulur dhe të devotshëm të Jezu Krishtit. Teksa e shoh mirësinë në jetën tuaj dhe besimin tuaj te Shpëtimtari ynë këtu në këtë vend dhe në kombet anembanë botës, unë ju dua edhe më shumë.

Nga fundi i shërbesës së Tij, dishepujt e Jezusit i kërkuan Atij që t’u tregonte për “shenj[ën] e [Ardhjes së Tij të Dytë] dhe [të] mbarimit të botës”1.

Jezusi u tregoi atyre për kushtet që do ta paraprinin kthimin e Tij dhe e përmbylli duke shpallur: “Kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, [do] ta dini se [koha] është afër”2.

Në konferencën e përgjithshme të mëparshme, i dëgjova me shumë vëmendje fjalët e Presidentit Henri B. Ajring: “Çdonjëri prej nesh”, – tha ai, “kudo që të jetë, e di se ne jetojmë në kohë gjithnjë e më të vështira. … Çdokush që ka sy për t’i parë shenjat e kohës dhe veshë për t’i dëgjuar fjalët e profetëve, e di se kjo është e vërtetë.”3

Shpëtimtari i lavdëroi dishepujt e Tij guximtarë: “Lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë”4. Qoftë i yni ky bekim ndërsa i dëgjojmë me shumë kujdes fjalët e Zotit nëpërmjet profetëve të Tij dhe të tjerëve në këtë konferencë!

Gruri dhe Egjrat

Zoti shpjegoi se në këtë kohë të fundit përpara kthimit të Tij, “grur[i]”, që Ai e përshkruan si “bijtë e mbretërisë”5, do të rritej krah për krah me “egjrën” ose ata që nuk e duan Perëndinë dhe nuk i zbatojnë urdhërimet e Tij. Ata do të “rriten bashkë”6, krah për krah.

Kjo do të jetë bota jonë derisa të kthehet Shpëtimtari, me shumë gjëra që janë të mira dhe me shumë që janë të liga ngado.7

Nganjëherë, ju mund të mos ndiheni si një kallëz e fortë dhe e pjekur gruri. Jini i duruar me veten! Zoti tha se gruri do të përfshinte gjethe të njoma që po çelnin.8 Ne të gjithë jemi shenjtorët e Tij të ditëve të mëvonshme dhe, megjithëse nuk jemi ende gjithçka që dëshirojmë të jemi, ne e kemi me gjithë mend dëshirën tonë për të qenë dishepujt e Tij të vërtetë.

Forcimi i Besimit Tonë te Jezu Krishti

Ne e kuptojmë që teksa ligësia në botë rritet, mbijetesa jonë shpirtërore dhe mbijetesa shpirtërore e njerëzve që i duam, do të kërkojnë që ne t’i kultivojmë, forcojmë e përforcojmë më plotësisht rrënjët e besimit tonë te Jezu Krishti. Apostulli Pal na këshilloi të jemi të rrënjosur9, të jemi të ngulitur dhe të patundur10 në dashurinë tonë për Shpëtimtarin dhe vendosmërinë tonë për ta ndjekur Atë. E sotmja dhe ditët në vazhdim kërkojnë përpjekje më të qartë dhe të përqendruar, duke u ruajtur nga devijimet dhe pakujdesia.11

Por edhe me ndikimet gjithnjë e në rritje të gjërave të botës përreth nesh, nuk nevojitet të kemi frikë. Zoti kurrë nuk do ta braktisë popullin e Tij të besëlidhjes. Ka një fuqi shpërblyese të dhuratave shpirtërore dhe drejtimit hyjnor për të drejtët.12 Ky bekim i shtuar i fuqisë shpirtërore, gjithsesi, nuk na jepet thjesht ngaqë jemi pjesë e këtij brezi. Ai vjen kur ne e forcojmë besimin tonë te Zoti Jezu Krisht dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij, kur arrijmë ta njohim Atë dhe ta duam Atë. “Kjo është jeta e përjetshme”, u lut Jezusi, “të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.”13

Siç e dimë fare mirë, pasja e besimit te Jezu Krishti dhe të qenit dishepull i vërtetë është më shumë sesa një vendim i marrë vetëm një herë, më shumë sesa një ngjarje që ndodh vetëm një herë. Ky është një proces i shenjtë, i vazhdueshëm, që rritet dhe zgjerohet përmes stinëve të jetëve tona, duke vazhduar derisa të biem në gjunjë te këmbët e Tij.

Me grurin që po rritet në mes të egjrës në botë, si mund ta thellojmë dhe forcojmë zotimin tonë ndaj Shpëtimtarit në ditët përpara nesh?

Ja ku janë tri mendime:

Të Zhytemi në Jetën e Jezusit

Së pari, ne mund ta përfshijmë veten tonë më plotësisht në jetën e Jezusit, mësimet e Tij, madhështinë e Tij, fuqinë e Tij dhe flijimin e Tij shlyes. Shpëtimtari tha: “Shihni tek unë në çdo mendim”14. Apostulli Gjon na kujton: “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari”15. Kur e përjetojmë më mirë dashurinë e Tij, ne e duam Atë edhe më shumë dhe, në mënyrë shumë të natyrshme, e ndjekim më mirë shembullin e Tij për t’i dashur dhe për t’u kujdesur për njerëzit rrotull nesh. Me çdo lëvizje të drejtë në drejtim të Tij, ne e shohim Atë më qartësisht.16 Ne e adhurojmë Atë dhe përpiqemi në mënyrat tona të vogla ta ndjekim shembullin e Tij.17

Të Bëjmë Besëlidhje me Zotin

Më pas, ndërsa e njohim më mirë dhe e duam Shpëtimtarin, ne dëshirojmë edhe më shumë që t’i premtojmë Atij besnikërinë dhe mirëbesimin tonë. Bëjmë besëlidhje me Të. E fillojmë me premtimet tona në pagëzim dhe i pohojmë këto premtime dhe të tjera kur pendohemi çdo ditë, kërkojmë falje dhe e presim me padurim marrjen e sakramentit çdo javë. Ne premtojmë se “gjithmonë [do] ta kujtoj[m]ë atë e [do t’i] zbatoj[m]ë urdhërimet [e tij]”18.

Kur jemi gati, ne i përqafojmë ordinancat dhe besëlidhjet e tempullit. Duke e ndier ndikimin e përjetësisë në çastet tona të shenjta dhe të qeta në shtëpinë e Zotit, ne me gëzim bëjmë besëlidhje me Perëndinë dhe e forcojmë vendosmërinë tonë për t’i mbajtur ato.

Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve tona lejojnë që dashuria e Shpëtimtarit të zhytet më thellë në zemrën tonë. Në revistën Liahona të këtij muaji, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Besëlidhja/jet [jonë/tona] do të na çoj[n]ë gjithnjë e më pranë Tij. … Perëndia nuk do ta braktisë marrëdhënien e Tij me ata që kanë farkëtuar një lidhje të tillë me Të.”19 Dhe ashtu si Presidenti Nelson e tha kaq bukur këtë mëngjes: “Me përkushtimin e çdo tempulli të ri, një fuqi tjetër perëndishmërie vjen në botë për të na forcuar dhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve intensifikuese të kundërshtarit”20.

A mund ta kuptojmë përse Zoti e drejton profetin e Tij që t’i sjellë tempujt e shenjtë më pranë nesh dhe që të na lejojë të jemi në shtëpinë e Tij më shpesh?

Kur hyjmë në tempull, ne çlirohemi për ca kohë nga ndikimet e botës që po grumbullohen kundër nesh, teksa mësojmë për qëllimin tonë në jetë dhe dhuratat e përjetshme të ofruara për ne nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Ta Mbrojmë Dhuratën e Frymës së Shenjtë

Së fundi, mendimi im i tretë: në këtë kërkim të shenjtë, ne e çmojmë si thesar, e mbrojmë, e ruajmë dhe kujdesemi për dhuratën e Frymës së Shenjtë. Që të dy, Presidenti M. Rasëll Ballard më herët dhe Plaku Kevin W. Garsia këtë mëngjes vetëm disa çaste më parë, folën për paralajmërimin profetik të Presidentit Nelson që do ta përsëris sërish: “Nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”21. Është një dhuratë përtej çdo çmimi. Ne bëjmë më të mirën që mundemi për t’i mbrojtur përvojat tona të përditshme, që ndikimi i Frymës së Shenjtë të mbetet me ne. Ne jemi një dritë për botën dhe, kur është e nevojshme, ne zgjedhim me dëshirë që të jemi të ndryshëm nga të tjerët. Presidenti Dallin H. Ouks kohët e fundit i pyeti të rinjtë e të rejat në moshë madhore: “A keni ‘guxim të jeni të ndryshëm?’ … [Veçanërisht] të rëndësishme … janë zgjedhjet që po i bëni në jetën tuaj vetjake. … A po shkoni përpara pavarësisht nga kundërshtimi i botës?”22

Të Zgjedhim të Jemi të Ndryshëm nga Bota

Në një afishim kohët e fundit në mediat shoqërore u kërkova bashkëdishepujve që të tregonin për zgjedhjet që kishin bërë, të cilat u kërkuan atyre të ishin të ndryshëm nga bota. Mora qindra përgjigje.23 Ja ku janë vetëm disa prej tyre:

Amanda: “Unë jam infermiere dhe punoj në një burg vendor. Përpiqem të kujdesem për të burgosurit ashtu siç do të kujdesej Krishti.”

Rejçëlli: “Jam këngëtare lirike në opera dhe shpesh merret si e mirëqenë që do të vesh çfarëdo kostumi që më jepet, pavarësisht nga modestia. [Ngaqë e kam marrë dhurimin] u thashë [producentëve] se kostumi im duhej të ishte [modest]. Nuk ishin të gëzuar … por edhe pse ngurruan, i bënë ndryshimet. Nuk do ta shkëmbeja paqen që vjen nga të qëndruarit si dëshmitare e Krishtit në të gjitha kohët.”

Krisi: “Unë jam një e alkoolizuar (në riaftësim), e denjë për tempullin, anëtare e Kishës. Nuk qëndroj e heshtur lidhur me përvojën time me varësinë dhe se si fitova dëshmi për Shlyerjen [e Jezu Krishtit].”

Lorena: “Po shkruaja një skeç me shokët dhe shoqet e klasës në shkollën e mesme. Ata donin që personazhi im i qetë, i ndrojtur të kishte një shpërthim të papritur me fjalë të ndyra. Vazhduan të më vinin nën trysni, por refuzova dhe nuk pranova.”

Adami: “Shumë njerëz nuk më besojnë kur them se e mbaj ligjin e dëlirësisë dhe zgjedh që të mos shoh pornografi. Ata nuk e kuptojnë përparësinë e gëzimit dhe të paqes së mendjes që më jep ajo.”

Ela: “Babai im është anëtar i komunitetit LGBTQ. Gjithmonë përpiqem t’i mbaj parasysh ndjenjat e njerëzve të tjerë ndërkohë që qëndroj si dëshmitare e Krishtit dhe qëndroj e vërtetë ndaj asaj që besoj.”

Andrade: “Vendosa të vazhdoja të shkoja në kishë kur familja ime vendosi të mos shkonte më”.

Dhe në fund, nga Sheri: “Ne po merrnim pjesë në një ngjarje te pallati i guvernatorit. Filluan të shpërndanin shampanjë që të ngrinin një ‘dolli’. Këmbëngula për ujë edhe pse personeli tha se kjo do të ishte fyese. Ne e ngritëm dollinë për guvernatorin dhe unë e ngrita lart gotën e ujit. Guvernatori nuk u fye.”

Presidenti Nelson tha: “Po, ju po jetoni në botë, por keni standarde shumë të ndryshme nga bota për t’ju ndihmuar ta shmangni njollosjen e botës”24.

Anastasia, një nënë në moshë të re nga Ukraina, ishte në spital dhe sapo kishte lindur një foshnjë djalë, ndërkohë që filluan bombardimet në Kiev shkurtin e kaluar. Një infermiere e hapi derën e dhomës së spitalit dhe tha me një zë të ngutshëm: “Merre foshnjën, mbështille me batanije dhe dil në korridor, tani!”

Më pas Anastasia komentoi:

“Kurrë nuk e kisha menduar që ditët e mia të para si nënë do të ishin kaq të vështira, … por … po përqendrohem te … bekimet dhe mrekullitë që kam parë. …

Tani për tani … mund të duket e pamundur që t’i fal ndonjëherë ata që kanë shkaktuar kaq shumë shkatërrim dhe dëmtim …, por, si dishepulle e Krishtit, kam besim se do të jem në gjendje të [fal]. …

Nuk e di gjithçka që do të ndodhë në të ardhmen …, por e di se mbajtja e besëlidhjeve tona do ta lejojë Shpirtin që të jetë me ne vazhdimisht, … duke na lejuar të ndiejmë gëzim e shpresë, … edhe gjatë kohëve të vështira.”25

Premtimi për Jetë të Përjetshme dhe Lavdi Çelestiale

Vëllezër dhe motra të mia, jam bekuar duke e marrë me bollëk dashurinë e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. E di se Ai jeton dhe e udhërrëfen veprën e Tij të shenjtë. Nuk i kam fjalët për ta shprehur plotësisht dashurinë time për Të.

Ne jemi të gjithë “fëmijë [të] besëlidhjes” të përhapur anembanë tokës në kombe dhe kultura në çdo kontinent, miliona në numër, teksa presim kthimin e lavdishëm të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë. Duke ndriçuar si dritë për njerëzit përreth nesh, ne vazhdimisht u japim formë dëshirave, mendimeve, zgjedhjeve dhe veprimeve tona. Duke kërkuar me gjithë zemrën tonë që ta njohim dhe ta duam Shpëtimtarin, ne e veçojmë veten tonë nga bota nëpërmjet besëlidhjeve me Perëndinë, duke qenë të dallueshëm, të pazakontë dhe të veçantë, ndërkohë që i nderojmë Atë dhe mësimet e Tij, pa u izoluar nga të tjerët të cilët besojnë ndryshe nga ne.

Është një rrugëtim i mahnitshëm të jesh grurë në mes të egjrës, nganjëherë i mbushur plot me dhembje zemre, por gjithmonë i qetësuar nga stabilizimi i pjekurisë dhe sigurisë së besimit tonë. Ndërsa e lejoni dashurinë tuaj për Shpëtimtarin dhe dashurinë e Tij për ju që të zhyten thellë në zemrën tuaj, ju premtoj vetëbesim, paqe dhe gëzim të shtuar në përballimin e sfidave të jetës suaj. Dhe Shpëtimtari na premton: “Unë [do] ta mbledh së bashku popullin tim, sipas shëmbëlltyrës së grurit dhe të egjrave, me qëllim që gruri të mund të ruhet në hambarë për të zotëruar jetë të përjetshme dhe të kurorëzohet me lavdi çelestiale”26. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mateu 24:3.

  2. Mateu 24:33.

  3. Henri B. Ajring, “Të Patundur në Stuhi”, Liahona, maj 2022, f. 27.

  4. Mateu 13:16; theksimi i shtuar.

  5. Mateu 13:38.

  6. Mateu 13:30.

  7. Plaku Nil A. Maksuell tha: “Anëtarët e Kishës do të jetojnë në këtë situatë të ‘grurit dhe egjrës’ deri në Mijëvjeçar. Disa egjra të mirëfillta madje kamuflohen si grurë” (“Becometh as a Child”, Ensign, maj 1996, f. 68).

  8. Shih te Doktrina e Besëlidhje 86:4, 6.

  9. Shih te Kolosianëve 2:7.

  10. Shih Kolosianëve 1:23; shih edhe Efesianëve 3:17; Neal A. Maxwell, “Grounded, Rooted, Established, and Settled” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 15 shtator 1981), speeches.byu.edu.

  11. Te Mateu 13:22, Jezusi i paralajmëroi dishepujt e Tij që të mos i lejonin shqetësimet e botës dhe mashtrimin e pasurive që ta “mbysin fjalën” dhe ta ndalojnë përparimin e tyre shpirtëror. Më pëlqen ta lidh frazën “mbysin fjalën” me kapitullin e parë te Gjoni, ku Gjoni shpall se fjala është Jezusi: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë. … Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjoni 1:1, 3). Besimi ynë te Jezu Krishti, vendosmëria jonë për ta ndjekur Atë, dashuria jonë për Shpëtimtarin mund të mbyten ose të pengohen që të mos rriten, pasi hiqet drita dhe ushqimi shpirtëror (shih tek Alma 32:37–41).

  12. Shih Neil L. Andersen, “A Compensatory Spiritual Power for the Righteous” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 18 gusht 2015), speeches.byu.edu.

  13. Gjoni 17:3.

  14. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  15. 1 Gjon 4:19.

  16. Plaku Dejvid B. Heit tha:

    “Është e vërtetë që disa njerëz njëmend e kanë parë Shpëtimtarin, por kur një njeri këshillohet me fjalorin, ai mëson se ka shumë kuptime të tjera të fjalës shikoj, të tilla si të arrish ta njohësh Atë, ta dallosh Atë, ta shquash Atë dhe punën e Tij, ta rrokësh rëndësinë e Tij ose të arrish ta kuptosh Atë.

    Një ndriçim dhe bekime të tilla qiellore janë në dispozicion për secilin prej nesh” (“Temples and Work Therein”, Ensign, nëntor 1990, f. 61).

  17. Shih te Mosia 5:13.

  18. Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  19. Rasëll M. Nelson, “Besëlidhja e Përjetshme”, Liahona, tetor 2022, f. 5.

  20. Rasëll M. Nelson, “Çfarë Është e Vërtetë?”, Liahona, nëntor 2022, f. 29.

  21. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96.

  22. Dallin H. Oaks, “Going Forward in the Second Century” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 13 shtator 2022), speeches.byu.edu. Presidenti Ouks ia dha meritën e autorësisë për frazën “guxim të jeni të ndryshëm” një artikulli të kohëve të fundit në revistën Deseret Magazine nga Plaku Klark G. Gilbert, Komisioneri i Sistemit Arsimor të Kishës, mbi ruajtjen e identitetit fetar në arsimimin e lartë (shih “Dare to Be Different”, Deseret Magazine, shtator 2022, deseret.com).

  23. Nëse do të dëshironit të mësoni nga njerëz të tjerë që komentuan mbi mënyrën se si kanë qenë të ndryshëm nga bota, mund t’i lexoni komentet e tyre në Facebook (shih Neil L. Andersen, Facebook, 18 gusht 2022, facebook.com/neill.andersen) ose Instagram (shih Neil L. Andersen, Instagram, 18 gusht 2022, instagram.com/neillandersen).

  24. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org.

  25. Anastasia Kocheva, “Facing the Conflict in Ukraine; Healing the Conflict in My Heart”, YA Weekly [E Përjavshmja për TRMM-të], maj 2022.

  26. Doktrina e Besëlidhje 101:65.