2022
Ndihma për të Varfrit dhe të Dëshpëruarit
Nëntor 2022


13:38

Ndihma për të Varfrit dhe të Dëshpëruarit

Kisha e Jezu Krishtit është e zotuar që t’u shërbejë njerëzve nevojtarë dhe është gjithashtu e zotuar të bashkëpunojë me të tjerë në atë përpjekje.

Vëllezër dhe motra, Presidenti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni, do të na drejtohet më vonë në këtë sesion. Ai më ka kërkuar të jem folësi i parë.

Tema ime sot ka të bëjë me atë që Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarët e saj japin dhe bëjnë për të varfrit dhe të dëshpëruarit. Do të flas gjithashtu për një dhënie të ngjashme nga njerëz të tjerë të mirë. Dhënia për njerëzit nevojtarë është një parim në të gjitha fetë abrahamike si dhe në fe të tjera.

Disa muaj më parë, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme raportoi për herë të parë shtrirjen e punës sonë humanitare në mbarë botën.1 Shpenzimet tona në vitin 2021 për njerëzit nevojtarë në 188 vende në mbarë botën ishin në total 906 milionë dollarë, gati një miliard dollarë. Përveç kësaj, anëtarët tanë dhanë vullnetarisht mbi 6 milionë orë punë për të njëjtën kauzë.

Këto shifra janë, natyrisht, një raport i paplotë i dhënies dhe ndihmës nga ana jonë. Ato nuk përfshijnë shërbimet vetjake që anëtarët tanë japin individualisht ndërsa i japin shërbesë njëri-tjetrit në pozicionet e thirrura dhe shërbimin vullnetar të anëtarëve ndaj njëri‑tjetrit. Dhe raporti ynë për vitin 2021 nuk përmend atë që bëjnë individualisht anëtarët tanë nëpërmjet organizatave të panumërta bamirëse që nuk janë të lidhura zyrtarisht me Kishën tonë. Po e filloj me këto.

Në vitin 1831, brenda më pak se dy vjetësh pasi Kisha e rivendosur ishte organizuar, Zoti dha këtë zbulesë për të udhërrëfyer anëtarët dhe, unë besoj, të gjithë fëmijët e Tij në mbarë botën:

“Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; …

Në të vërtetë unë them, njerëzit duhet të përfshihen me zell në një kauzë të mirë dhe të bëjnë shumë gjëra me vullnetin e tyre të lirë e të shkaktojnë shumë drejtësi;

Sepse është në ta fuqia, me anë të së cilës ata janë veprues për veten. Dhe për aq sa njerëzit të bëjnë mirë, ata në asnjë mënyrë s’do ta humbasin shpërblimin e tyre.”2

Për më shumë se 38 vjet si Apostull dhe në mbi 30 vjet i punësuar si profesionist, kam parë shumë përpjekje bujare nga organizata dhe persona të llojit që kjo zbulesë e përshkruan si “një kauzë të mirë” dhe duke “shkakt[uar] shumë drejtësi”. Ka shembuj të panumërt të një shërbimi të tillë humanitar në mbarë botën, përtej vetë kufijve tanë dhe përtej njohurisë sonë të përbashkët. Duke reflektuar për këtë, mendoj për profetin dhe mbretin Beniamin të Librit të Mormonit, predikimi i të cilit përfshiu këtë të vërtetë të përjetshme: “Kur jeni në shërbimin e bashkëqenieve tuaja, ju jeni vetëm në shërbimin e Perëndisë tuaj”3.

Shumë nga shërbimet për mirëqenien dhe shërbimi humanitar ndaj bashkëqenieve tona jepen mësim dhe praktikohen nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe nga ne si anëtarë të saj. Për shembull, ne agjërojmë në ditën e parë të çdo muaji dhe kontribuojmë të paktën të barasvlershmen e vakteve të pangrëna për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë në vetë bashkësitë tona. Kisha jep gjithashtu një kontribut shumë të madh për shërbime humanitare dhe shërbime të tjera kudo në botë.

Pavarësisht nga të gjitha ato që bën Kisha jonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, pjesa më e madhe e shërbimit humanitar për fëmijët e Perëndisë në mbarë botën kryhet nga persona dhe organizata që nuk kanë asnjë lidhje zyrtare me Kishën tonë. Siç vërejti njëri nga Apostujt tanë: “Perëndia po përdor më shumë se një popull për të kryer veprën e tij të madhërishme dhe të mrekullueshme. … Ajo është tepër e madhe, tepër e lodhshme vetëm për një popull.”4 Si anëtarë të Kishës së rivendosur, na nevojitet të jemi më të vetëdijshëm dhe vlerësues për shërbimin e dhënë nga të tjerët.

Kisha e Jezu Krishtit është e zotuar që t’u shërbejë njerëzve nevojtarë dhe është gjithashtu e zotuar të bashkëpunojë me të tjerë në atë përpjekje. Kohët e fundit ne i bëmë një dhuratë të madhe Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara. Gjatë shumë dekadave të punës sonë humanitare, dy organizata shquhen si bashkëpunëtorët kryesorë: projektet me agjencitë e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në dhjetëra vende u kanë siguruar fëmijëve të Perëndisë ndihmë vendimtare gjatë fatkeqësive natyrore dhe konflikteve. Po kështu, ne kemi një histori të gjatë të ndihmesës me Shërbimet Katolike të Ndihmës. Këto organizata na kanë mësuar shumë për ndihmën në nivel botëror.

Kemi pasur gjithashtu bashkëpunime të frytshme me organizata të tjera, përfshirë Ndihma Myslimane, Ujë për Njerëzit dhe IsraAID, për të përmendur vetëm disa. Ndërkohë që çdo organizatë humanitare ka fushat e veta të specializimit, ne kemi qëllimin e përbashkët për të lehtësuar vuajtjen mes fëmijëve të Perëndisë. E gjithë kjo është pjesë e veprës së Perëndisë për fëmijët e Tij.

Zbulesa moderne na mëson se Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti është “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”5. Si rrjedhim, të gjithë fëmijët e Perëndisë janë të ndriçuar për t’i shërbyer Atij dhe njëri-tjetrit në mënyrën më të mirë sipas njohurisë dhe aftësisë që kanë.

Libri i Mormonit jep mësim se “çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia”6.

Në vijim:

“Pasi vini re, Shpirti i Krishtit i jepet çdo njeriu, që ai të dallojë të mirën nga e keqja; prandaj, unë do t’ju tregoj mënyrën sesi të gjykoni; pasi çdo gjë që ju fton të bëni mirë dhe t’ju bindë të besoni në Krisht, është dërguar nëpërmjet fuqisë dhe dhuratës së Krishtit; …

Dhe tani, vëllezër të mi, … ju e njihni dritën, nëpërmjet së cilës mund të gjykoni, dritë e cila është drita e Krishtit.”7

Këtu janë disa shembuj të fëmijëve të Perëndisë duke i ndihmuar fëmijët e tjerë të Perëndisë në nevojat e tyre jetësore për ushqim, kujdes mjekësor dhe mësimdhënie.

Dhjetë vjet më parë, çifti Kandaris, një bashkëshort e bashkëshorte të fesë sike në Emiratet e Bashkuara Arabe, nisën personalisht një përpjekje të jashtëzakonshme për të ushqyer të uriturit. Nëpërmjet tempullit sik Guru Nanak Darbar, ata aktualisht po shërbejnë mbi 30 000 vakte vegjetariane çdo fundjavë për këdo që hyn në dyert e tyre, pavarësisht nga feja apo raca. Dr. Kandari shpjegon: “Ne besojmë se të gjithë jemi një; ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe jemi këtu për t’i shërbyer njerëzimit”8.

Sigurimi i kujdesit mjekësor dhe dentar për njerëzit nevojtarë është një shembull tjetër. Në Çikago, takova një mjek siriano-amerikan në pavijonin e urgjencës, Dr. Zaher Sahloulin. Ai është njëri nga themeluesit e MedGlobal‑it, i cili organizon mjekë profesionistë që japin vullnetarisht nga koha, aftësitë, njohuritë dhe udhëheqja e tyre për të ndihmuar të tjerët në kohë krizash, të tilla si në luftën në Siri, ku Dr. Sahlouli rrezikoi jetën e vet duke u dhënë qytetarëve kujdes mjekësor. MedGlobal‑i dhe organizata të ngjashme (përfshirë shumë profesionistë shenjtorë të ditëve të mëvonshme) demonstrojnë se Perëndia po i shtyn profesionistët besimtarë që t’u sjellin të varfërve në mbarë botën lehtësimin e nevojshëm.9

Shumë fëmijë vetëmohues të Perëndisë janë të përfshirë në përpjekjet e mësimdhënies, edhe kjo në mbarë botën. Një shembull i mirë, i njohur për ne nëpërmjet përpjekjeve tona humanitare, është veprimtaria e një njeriu të njohur si z. Gabriel, i cili ka qenë refugjat nga konflikte të ndryshme në disa raste. Kohët e fundit ai vuri re se qindra mijëra fëmijëve refugjatë në Afrikën Lindore u nevojitej ndihmë për t’i mbajtur gjallë shpresat dhe për ta mbajtur aktive mendjen e tyre. Ai organizoi mësues të tjerë brenda popullatës refugjate në ato që ata i quajtën “shkollat nën pemë”, ku fëmijët mblidheshin për mësime nën hijen e një peme. Ai nuk priti që të tjerët të organizonin apo drejtonin, por personalisht udhëhoqi përpjekjet të cilat kanë ofruar mundësi për të mësuar për mijëra fëmijë të shkollave fillore gjatë viteve plot stres të shpërnguljes.

Natyrisht, këta tre shembuj nuk nënkuptojnë se gjithçka që thuhet ose bëhet nga organizatat apo individët duke pretenduar se janë të mira ose se janë nga Perëndia, është me të vërtetë e tillë. Këta shembuj vërtet tregojnë se Perëndia i frymëzon shumë organizata dhe individë që të bëjnë shumë të mira. Kjo tregon gjithashtu se më shumë prej nesh duhet ta njohin të mirën e bërë nga të tjerët dhe ta përkrahin atë teksa kemi kohën dhe mjetet për ta bërë këtë gjë.

Këtu janë disa shembuj të shërbimit që Kisha i përkrah dhe të cilat anëtarët tanë dhe njerëz e organizata të tjera të mira i përkrahin gjithashtu me dhurime individuale të kohës dhe parave.

Po e filloj me lirinë fetare. Në përkrahje të kësaj, ne u shërbejmë vetë interesave tona, por edhe interesave të feve të tjera. Siç dha mësim Presidenti ynë i parë, Jozef Smithi: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”10.

Shembuj të tjerë të ndihmave humanitare dhe të llojeve të tjera nga Kisha e rivendosur që përkrahen gjithashtu vullnetarisht nga anëtarët tanë janë shkollat, kolegjet dhe universitetet tona të mirënjohura dhe dhurimet tona të mëdha më pak të njohura, por të publikuara tani, për ndihmën ndaj atyre që vuajnë nga shkatërrimet dhe shpërnguljet prej fatkeqësive natyrore të tilla si uraganet dhe tërmetet.

Aktivitetet e tjera bamirëse që anëtarët tanë i përkrahin me dhurimet dhe përpjekjet e tyre vullnetare janë tepër të shumta për t’u renditur, por vetëm përmendja e disave prej tyre do të sugjerojë shumëllojshmërinë dhe rëndësinë e tyre: lufta ndaj racizmit dhe paragjykimeve të tjera; studimet shkencore se si të parandalohen dhe kurohen sëmundjet; ndihmesat ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara; përkrahja e organizatave për muzikën dhe përmirësimi i mjedisit moral e fizik për të gjithë.

Të gjitha përpjekjet humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kërkojnë të ndjekin shembullin e një populli të drejtë që përshkruhet në Librin e Mormonit: “Dhe kështu, në rrethanat e tyre të begatshme, ata nuk përzinin askënd që ishte i zhveshur, ose që ishte i uritur, ose që ishte i etur, ose që ishte i sëmurë, … dhe ata … ishin bujarë me të gjithë, si pleq ashtu dhe të rinj, si robër ashtu dhe njerëz të lirë, si burra ashtu dhe gra, qoftë me pjesëtarë ose me jopjesëtarë të kishës”11.

Unë dëshmoj për Jezu Krishtin, drita dhe Shpirti i të cilit i udhërrëfejnë të gjithë fëmijët e Perëndisë në ndihmën ndaj të varfërve dhe të dëshpëruarve në mbarë botën. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.