2022
Guxim për të Shpallur të Vërtetën
Nëntor 2022


11:26

Guxim për të Shpallur të Vërtetën

Pasi e mësojmë të vërtetën, Zoti na jep mundësinë për të bërë atë që Ai do të bënte po të ishte këtu sot.

Në vitin 1982, po mbaroja punimin tim të diplomës profesionale për topografi.

Nga fundi i vitit, një shok i klasës më ftoi të bënim një bashkëbisedim. Më kujtohet se u larguam nga pjesëtarët e tjerë të klasës dhe shkuam në një zonë pranë një terreni sportiv. Kur mbërritëm aty, ai më foli për bindjet e tij fetare dhe jo vetëm që më tregoi një libër, por edhe ma dha librin. T’ju them të drejtën, nuk më kujtohen të gjitha fjalët që ai tha, por më kujtohet shumë mirë ai çast dhe mënyra se si u ndjeva kur tha: “Dua të jap dëshminë time se ky libër është i vërtetë dhe se ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur”.

Pas bashkëbisedimit tonë, unë shkova në shtëpi, shfletova disa faqe të librit dhe e vendosa në raft. Ngaqë ishim në fund të vitit dhe ishte viti i fundit i diplomës sime në topografi, nuk i kushtova shumë vëmendje librit, as shokut tim të klasës që ma kishte dhënë atë. Emrin e librit mund ta merrni me mend tashmë. Po, ishte Libri i Mormonit.

Pesë muaj më vonë, misionarët erdhën në shtëpinë time; ata po largoheshin pikërisht kur unë po kthehesha në shtëpi nga puna. I ftova të hynin sërish brenda. U ulëm në oborrin e vogël përpara shtëpisë sime dhe ata më dhanë mësimet.

Duke kërkuar të vërtetën, i pyeta se cila kishë ishte e vërtetë dhe si mund ta gjeja. Misionarët më mësuan se mund ta merrja vetë atë përgjigje. Me pritshmëri dhe dëshirë të madhe, e pranova sfidën e tyre për të lexuar disa kapituj nga Libri i Mormonit. U luta me një zemër të sinqertë dhe me qëllim të vërtetë (shih te Moroni 10:4–5). Përgjigjja për pyetjen time ishte e qartë dhe disa ditë më vonë, më saktësisht më 1 maj 1983, u pagëzova dhe u konfirmova anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Sot, kur mendoj për vargun e ngjarjeve që ndodhën, e shoh qartësisht se sa i rëndësishëm ishte guximi i shokut tim të klasës kur dha dëshminë e tij për të vërtetën e rivendosur dhe më dha një provë të prekshme të Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, madje Librin e Mormonit. Ai veprim i thjeshtë, por me domethënie të thellë për mua, krijoi një lidhje ndërmjet meje dhe misionarëve kur i takova.

E vërteta më ishte paraqitur dhe pas pagëzimit tim u bëra një dishepull i Jezu Krishtit. Gjatë viteve vijuese dhe me ndihmën e shumë njerëzve të veçantë, si udhëheqësit, mësuesit, miqtë si edhe nëpërmjet vetë studimit tim vetjak, mësova se kur vendosa të isha një dishepull i Jezu Krishtit, kisha pranuar detyrën jo vetëm që ta mbroja të vërtetën, por edhe ta shpallja atë.

Kur pranojmë të besojmë tek e vërteta dhe ta ndjekim atë, dhe kur bëjmë një përpjekje për t’u bërë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit, ne nuk marrim një certifikatë me një garanci që nuk do të bëjmë gabime, që nuk do të tundohemi për t’u larguar nga e vërteta, që nuk do të na kritikojnë ose që nuk do të përjetojmë pikëllime. Por njohuria e së vërtetës na mëson se kur hyjmë në shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar që do të na çojë sërish në praninë e Atit Qiellor, do të ketë gjithmonë një rrugëdalje nga problemet (shih 1 Korintasve 10:13); do të jetë gjithmonë mundësia e dyshimit te dyshimet tona përpara dyshimit te besimi ynë (shih Diter F. Uhtdorf, “Ejani, Bashkohuni me Ne”, Liahona, nëntor 2013, f. 21); dhe së fundi, ne kemi një garanci se nuk do të jemi kurrë vetëm kur kalojmë përmes pikëllimeve, pasi Perëndia i viziton njerëzit e Tij mes pikëllimeve të tyre (shih te Mosia 24:14).

Pasi e mësojmë të vërtetën, Zoti na jep mundësinë për të bërë atë që Ai do të bënte po të ishte këtu sot. Vërtet, Ai na tregoi nëpërmjet mësimeve të Tij se çfarë duhet të bëjmë: “Dhe ju do të shkoni në fuqinë e Shpirtit tim, duke predikuar ungjillin tim, dy e nga dy, në emrin tim, duke ngritur zërat tuaj si me tingullin e një borie, duke shpallur fjalën time si engjëj të Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 42:6). Mundësia për shërbim misionar te rinia jonë është unike!

Ju lutem, djemve të rinj, mos e shtyni përgatitjen tuaj për t’i shërbyer Zotit si misionarë! Teksa përballeni me situata që mund ta bëjnë vendimin për të shërbyer në një mision një vendim të vështirë, të tilla si ndërprerja e studimeve tuaja për një periudhë, t’i thoni mirupafshim shoqes suaj të zemrës pa asnjë garanci që do të dilni sërish me të në takime, ose qoftë fakti se jeni të detyruar të largoheni nga një punë, kujtoni shembullin e Shpëtimtarit. Gjatë shërbesës së Tij, Ai po ashtu u përball me vështirësi, përfshirë kritika, përndjekje dhe si përfundim me kupën e hidhur të flijimit të Tij shlyes. Prapëseprapë në të gjitha rrethanat Ai kërkoi të bënte vullnetin e Atit të Tij dhe t’ia jepte Atij lavdinë. (Shih te Gjoni 5:30; 6:38–39; 3 Nefi 11:11; Doktrina e Besëlidhje 19:18–19.)

Të reja, ju jeni shumë të mirëpritura, nëse e dëshironi atë, për të punuar në vreshtin e Zotit dhe, teksa përgatiteni të shërbeni si misionare kohëplota, ju nuk do të përjashtoheni nga po ato sfida.

Të gjithë atyre që vendosin t’i shërbejnë Atij, iu premtoj se 24 ose 18 muajt e shërbimit do të kalojnë në fushën e misionit pikërisht siç do të kalonin po të qëndronit në shtëpi, por mundësitë që i presin të rinjtë dhe të rejat e denja të kësaj Kishe në fushën e misionit, janë unike. Privilegji për të përfaqësuar Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe Kishën e Tij nuk mund të shpërfillet. Pjesëmarrja në lutjet e panumërta, zhvillimi dhe dhënia e dëshmisë suaj disa herë gjatë ditës, studimi i shkrimeve të shenjta me orë të tëra, takimi me njerëz të cilët nuk do t’i kishit takuar kurrë po të qëndronit në shtëpi, janë përvoja të papërshkrueshme. I njëjti nivel përvoje rezervohet për të rinjtë e të rejat që Zoti i thërret për të shërbyer në misione shërbimi. Jeni shumë të mirëpritur dhe të nevojshëm. Ju lutem, mos ia ulni rëndësinë një misioni shërbimi, pasi edhe misionet e shërbimit ofrojnë gjithashtu përvoja të papërshkrueshme. “Vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10), përfshirë edhe vlerën e shpirtit tuaj.

Pasi të ktheheni nga shërbimi juaj, ndoshta shoqja apo shoku juaj i zemrës nuk po ju pret më, por ju do të keni mësuar mjaft mirë se si të bëni lidhje të efektshme me njerëz. Studimet tuaja akademike do të kenë më shumë kuptim me këndvështrimet që keni marrë për t’u përgatitur në një mënyrë më të përshtatshme për vendin e punës dhe së fundi, do të keni sigurinë e plotë që keni shpallur me guxim ungjillin e paqes, duke dëshmuar për të vërtetën e rivendosur.

Për ju që jeni të martuar dhe në faza të ndryshme të jetës suaj, ju jeni shumë të nevojshëm në punën e Zotit. Përgatituni. Bëni jetë të shëndetshme, duke kërkuar mbështetje materiale dhe shpirtërore te vetja, sepse mundësitë për të bërë atë që do të bënte Zoti për fëmijët e Tij, nuk janë të kufizuara për një grupmoshë. Përvojat më të gëzueshme që kemi pasur bashkëshortja ime dhe unë vitet e fundit, kanë ardhur ndërsa kemi shërbyer përkrah çifteve të veçanta, duke shërbyer në vende të veçanta dhe duke u shërbyer njerëzve shumë të veçantë.

Përvoja që pata nga fundi i diplomës sime në topografi, më mësoi se ne e mbrojmë gjithmonë të vërtetën kur e shpallim atë dhe se mbrojtja e së vërtetës është diçka paravepruese. Mbrojtja e së vërtetës nuk duhet të bëhet kurrë në një mënyrë të ashpër, por përkundrazi, me interes të çiltër për t’i dashur, treguar dhe ftuar njerëzit të cilëve po u dëshmojmë për të vërtetën, duke menduar vetëm për mirëqenien materiale dhe shpirtërore të fëmijëve të një Ati të dashur Qiellor (shih te Mosia 2:41).

Në konferencën e përgjithshme të tetorit 2021, Presidenti Rasëll M. Nelson, profeti ynë i dashur, dha mësim se ndryshe nga ajo që mendojnë disa, ekziston vërtet ajo që e quajmë e drejtë dhe e gabuar. Ekziston njëmend një e vërtetë absolute, e vërteta e përjetshme. (Shih “E Vërtetë e Kulluar, Doktrinë e Kulluar dhe Zbulesë e Kulluar”, Liahona, nëntor 2021, f. 6)

Shkrimet e shenjta na mësojnë se “e vërteta është dituri për gjërat siç janë dhe siç ishin, dhe siç do të jenë” (Doktrina e Besëlidhje 93:24).

Njohuria e së vërtetës nuk na bën më të mirë se njerëzit e tjerë, por na mëson atë që duhet të bëjmë për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.

Teksa vazhdoni të vendosur në Krisht dhe me guxim, jo vetëm për ta shpallur të vërtetën, por për ta jetuar të vërtetën, ju do të gjeni ngushëllim dhe paqe gjatë trazirave që do të hasni në këto ditë.

Sfidat e jetës mund të na rrëzojnë, por dijeni se kur ushtrojmë besim te Jezu Krishti, “mjerimet [tona] do të jenë veçse një çast i shkurtër” (Doktrina e Besëlidhje 121:7) në shtrirjen e madhe të përjetësisë. Ju lutem mos krijoni një afat mbarimi për fundin e vështirësive dhe sfidave tuaja. Mirëbesoni tek Ati Qiellor dhe mos u dorëzoni sepse nëse dorëzohemi, nuk do ta dimë kurrë se si do të kishte qenë fundi i rrugëtimit tonë në mbretërinë e Perëndisë.

Mbahuni fort tek e vërteta, duke mësuar nga burimet e së vërtetës:

Jap dëshminë time për Jezu Krishtin dhe se kjo është Kisha e Tij. Ne kemi një profet të gjallë dhe ne do të ndihemi gjithmonë të lirë kur ta shpallim të vërtetën me guxim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.