2022
Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje
Nëntor 2022


18:44

Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje

Gjeni prehje nga intensiteti, pasiguria dhe angështia e kësaj bote duke e mundur botën nëpërmjet besëlidhjeve tuaja me Perëndinë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që po ju përshëndes në këtë mëngjes të lavdishëm Shabati. Ju kam përherë në mendje. Mrekullohem nga mënyra se si hidheni në veprim sa herë që shihni të tjerë në nevojë. Qëndroj plot habi nga besimi dhe dëshmia që dëftoni në mënyrë të vazhdueshme. Lotoj për pikëllimet, zhgënjimet dhe shqetësimet tuaja. Ju dua. Ju siguroj që Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti, ju duan. Ata janë tejet të vetëdijshëm për rrethanat tuaja, mirësinë tuaj, nevojat tuaja dhe lutjet tuaja për ndihmë. Vazhdimisht, unë lutem që ta ndieni dashurinë e Tyre për ju.

Përjetimi i dashurisë së Tyre është jetik, pasi duket që përditë ne përballemi me një sulm të furishëm lajmesh shqetësuese. Mund të keni pasur ditë kur do të donit të mbathnit pizhamet, të mblidheshit kruspull dhe t’i kërkonit dikujt t’ju zgjonte kur katrahura të mbaronte.

Por, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, shumë gjëra të bukura na presin. Në ditët e ardhshme, ne do të shohim shfaqjet më madhështore të fuqisë së Shpëtimtarit që ka parë ndonjëherë bota. Nga tani e deri në kohën kur Ai të kthehet “me fuqi dhe lavdi të madhe”1, Ai do t’u japë privilegje, bekime dhe mrekulli të panumërta besnikëve.

Megjithatë, ne aktualisht jemi duke jetuar në atë që me siguri është koha më e ndërlikuar në historinë e botës. Ndërlikimet dhe sfidat i bëjnë shumë njerëz të ndihen të dërrmuar e të rraskapitur. Sidoqoftë, merrni parasysh një përvojë të kohëve të fundit që mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si ju dhe unë mund të gjejmë prehje.

Gjatë shtëpisë së hapur për Tempullin e Uashington D.K.-së kohët e fundit, një anëtar i komitetit të shtëpisë së hapur dëshmoi një ndërveprim idedhënës ndërsa shoqëronte disa gazetarë të mirënjohur përgjatë tempullit. Gabimisht një familje e re iu bashkua kësaj vizite turistike që ishte veç për përfaqësuesit e medias. Një reporter vazhdonte të pyeste rreth “rrugëtimit” të një frekuentuesi/eje të tempullit ndërsa ai ose ajo lëviz nëpër tempull. Ai donte të dinte a ishte rrugëtimi në tempull simbolik për sfidat në rrugëtimin e një personi gjatë jetës.

Një djalë i vogël nga familja po e dëgjonte me vëmendje bashkëbisedimin. Kur grupi i vizitës turistike hyri në një dhomë dhurimi, djali drejtoi gishtin për nga altari, ku njerëzit gjunjëzohen për të bërë besëlidhje me Perëndinë dhe tha: “O sa mirë. Këtu është një vend ku njerëzit të çlodhen gjatë rrugëtimit të tyre në tempull.”

Dyshoj se djali e dinte se sa i thellë ishte ky vëzhgim. Ai me gjasë nuk ishte fare në dijeni për lidhjen e drejtpërdrejtë mes bërjes së një besëlidhjeje me Perëndinë në tempull dhe premtimit mahnitës të Shpëtimtarit:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, … dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!”2

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, hidhërohem për ata që largohen nga Kisha sepse ndiejnë se të qenit anëtar kërkon shumë prej tyre. Ata nuk e kanë zbuluar ende se bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve, në fakt e bën jetën më të lehtë! Çdo person që bën besëlidhje në vaskat e pagëzimit dhe në tempuj dhe i mban ato, ka qasje më të madhe te fuqia e Jezu Krishtit. Ju lutem, përsiateni atë të vërtetë mahnitëse!

Shpërblimi për mbajtjen e besëlidhjeve me Perëndinë është fuqi qiellore, fuqi që na forcon t’u bëjmë ballë më mirë sprovave, tundimeve dhe pikëllimeve tona. Kjo fuqi na e lehtëson udhën. Ata që i jetojnë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, kanë qasje te fuqia e Tij më e lartë. Pra, mbajtësit e besëlidhjeve kanë të drejtën e një lloji të veçantë prehjeje që u vjen nëpërmjet marrëdhënies së tyre besëlidhëse me Perëndinë.

Përpara se Shpëtimtari t’i vetëdorëzohej agonisë së Gjetsemanit dhe Kalvarisë, Ai u deklaroi Apostujve të Tij: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën3. Paskëtaj, Jezusi iu përgjërua secilit prej nesh të bënte të njëjtën gjë kur tha: “Unë dëshirojju ta mundni botën”4.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, mesazhi im për ju sot është që, për shkak se Jezu Krishti e mundi këtë botë të rënë dhe për shkak se Ai shleu për çdonjërin prej nesh, edhe ju mund ta mundni këtë botë të ngopur me mëkat, vetëdashëse dhe shpesh rraskapitëse.

Për shkak se Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme, e shëlboi çdonjërin prej nesh nga dobësia, gabimet e mëkati dhe për shkak se Ai përjetoi çdo dhembje, shqetësim dhe barrë që ju mund të keni pasur ndonjëherë5, atëherë, ndërsa pendoheni vërtet dhe e kërkoni ndihmën e Tij, mund të ngriheni mbi këtë botë aktuale të pasigurt.

Ju mund t’i mundni plagët e botës që ju rraskapitin shpirtërisht dhe emocionalisht, përfshirë arrogancën, krenarinë, zemërimin, pamoralshmërinë, urrejtjen, lakminë, xhelozinë dhe frikën. Pavarësisht nga shpërqendrimet dhe shtrembërimet që shtillen përreth nesh, ju mund të gjeni prehje të vërtetë, që do të thotë lehtësim dhe paqe, edhe në mes të problemeve tuaja më pezmatuese.

Kjo e vërtetë e rëndësishme ngre tri pyetje themelore:

E para, çfarë do të thotë ta mundim botën?

E dyta, si ta bëjmë këtë?

Dhe e treta, si e bekon jetën tonë mundja e botës?

Çfarë do të thotë ta mundim botën? Do të thotë ta mundim tundimin për t’u interesuar më shumë për gjërat e botës sesa për gjërat e Perëndisë. Do të thotë t’i mirëbesojmë doktrinës së Krishtit më shumë sesa filozofive të njerëzve. Do të thotë të kënaqemi nga e vërteta, ta dënojmë mashtrimin dhe të bëhemi “pasuesit e përulur të Krishtit”6. Do të thotë të zgjedhim të përmbahemi nga çdo gjë që e largon Shpirtin. Do të thotë të jemi të gatshëm t’i “braktis[im]” madje edhe mëkatet tona të parapëlqyera.7

Tani, mundja e botës sigurisht nuk do të thotë që të bëheni të përsosur në këtë jetë, as nuk do të thotë që problemet tuaja do të avullojnë si me magji, sepse nuk do të ndodhë. Dhe kjo nuk do të thotë se ju nuk do të bëni gabime prapëseprapë. Por mundja e botës do të thotë se qëndresa juaj ndaj mëkatit do të rritet. Zemra juaj do të zbutet teksa besimi juaj te Jezu Krishtit rritet.8 Mundja e botës do të thotë që t’ju shtohet dashuria për Perëndinë dhe Birin e Tij të Dashur më shumë se për këdo ose çfarëdo tjetër.

Si, pra, ta mundim botën? Mbreti Beniamin na mësoi si ta bëjmë. Ai dha mësim se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë” dhe mbetet i tillë përgjithmonë “nëse ai nuk dëgjon thirrjet e Frymës së Shenjtë dhe nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”9. Çdo herë që i kërkoni dhe i ndiqni nxitjet e Shpirtit, çdo herë që bëni çfarëdo të mire, gjëra që “njeriu i natyrshëm” nuk do t’i bënte, ju po e mundni botën.

Mundja e botës nuk është një ngjarje që ndodh për një ose dy ditë. Ajo ndodh gjatë një jete të tërë teksa ne e përqafojmë vazhdimisht doktrinën e Krishtit. Ne e kultivojmë besimin te Jezu Krishti duke u penduar çdo ditë dhe duke i mbajtur besëlidhjet që na dhurojnë fuqi. Ne qëndrojmë në shtegun e besëlidhjeve dhe bekohemi me forcë shpirtërore, zbulesë vetjake, besim në rritje dhe shërbesën e engjëjve. Të jetuarit e doktrinës së Krishtit mund të prodhojë ciklin më të fuqishëm e të virtytshëm, duke krijuar hov shpirtëror në jetën tonë.10

Ndërsa përpiqemi t’i jetojmë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, zemra dhe vetë natyra jonë fillojnë të ndryshojnë. Shpëtimtari na ngre mbi ndikimin e kësaj bote të rënë duke na bekuar me dashuri hyjnore, përulësi, bujari, dashamirësi, vetëdisiplinë, paqe dhe prehje më të madhe.

Tani, ju mund të jeni duke menduar se kjo tingëllon më shumë si punë e rëndë shpirtërore sesa prehje. Por ja tek është e vërteta madhështore: Ndërkohë që bota këmbëngul se pushteti, pasuritë, popullariteti dhe kënaqësitë e mishit të sjellin lumturi, ato nuk ta sjellin! Nuk munden ta sjellin. Ajo që ato shkaktojnë, nuk është veçse një zëvendësuese e zbrazët për “gjendjen e bekuar dhe të lumtur të atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë”11.

E vërteta është se është shumë më rraskapitëse që ta kërkoni lumturinë atje ku nuk mund ta gjeni kurrë! Sidoqoftë, kur viheni nën zgjedhë me Jezu Krishtin dhe bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta mundur botën, Ai dhe vetëm Ai, e ka fuqinë t’ju ngrejë mbi ndikimin e kësaj bote.

Tani, si e bekon jetën tonë mundja e botës? Përgjigjja është e qartë: Hyrja në një marrëdhënie besëlidhëse me Perëndinë na lidh me Të në një mënyrë që e bën më të lehtë çdo gjë në lidhje me jetën. Ju lutem, mos më keqkuptoni: Nuk thashë se bërja e besëlidhjeve e bën jetën të lehtë. Në fakt, prisni kundërshtim, sepse kundërshtari nuk do që ju ta zbuloni fuqinë e Jezu Krishtit. Por marrja e zgjedhës së Shpëtimtarit do të thotë që ju keni qasje te forca dhe fuqia shëlbuese e Tij.

Presidenti Ezra Taft Benson

E ripohoj një mësim të thellë nga Presidenti Ezra Taft Benson: “Burrat dhe gratë që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia, do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër [me jetën e tyre sesa mund të bëjnë ata vetë]. Ai do t’i thellojë gëzimet e tyre, do t’u zgjerojë shikimin, do t’u zhdërvjelltësojë mendjet, … do të lartësojë shpirtrat, do të shumëfishojë bekimet, do të rritë mundësitë, do të ngushëllojë shpirtrat, do të sigurojë miq dhe do të mbushë me paqe.”12

Këto privilegje të pakrahasueshme i ndjekin ata që kërkojnë përkrahjen e qiellit për t’i ndihmuar që ta mundin këtë botë. Për këtë qëllim, u ngarkoj anëtarëve të Kishës kudo të njëjtën përgjegjësi që u dhashë të rinjve e të rejave tona në moshë madhore majin e shkuar. I nxita ata atëherë dhe ju lutem juve tani, që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Punoni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën. Mos e ndotni me filozofitë e rreme të burrave dhe grave mosbesuese. Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë, vëzhgoni për mrekullitë që ndodhin në jetën tuaj.13

Lutja ime për ju këtë mëngjes është që të gjeni prehje nga intensiteti, pasiguria dhe angështia e kësaj bote duke e mundur botën nëpërmjet besëlidhjeve tuaja me Perëndinë. Bëjani të ditur Atij nëpërmjet lutjeve tuaja dhe veprimeve tuaja se e keni marrë seriozisht mundjen e botës. Kërkojini Atij t’jua ndriçojë mendjen dhe t’ju dërgojë ndihmën që ju nevojitet. Çdo ditë, shënojini mendimet që ju vijnë ndërsa luteni; pastaj vërini në zbatim me zell. Shpenzoni më tepër kohë në tempull dhe kërkoni të kuptoni se si ju mëson tempulli që të ngriheni mbi këtë botë të rënë.14

Siç e kam pohuar më parë, mbledhja e Izraelit është puna e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Një element thelbësor i kësaj mbledhjeje është përgatitja e një populli që është i aftë, gati dhe i denjë ta presë Zotin kur Ai të vijë përsëri; një popull që e ka zgjedhur tashmë Jezu Krishtin mbi këtë botë të rënë; një popull që i gëzohet lirisë së tij të zgjedhjes për t’i jetuar ligjet më të larta e më të shenjta të Jezu Krishtit.

Ju bëj thirrje, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, që të bëheni ky popull i drejtë. Çmojini dhe nderojini besëlidhjet tuaja më shumë se të gjitha zotimet e tjera. Teksa e lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, ju premtoj paqe, siguri te vetja, gëzim dhe po, prehje më të madhe.

Me fuqinë e apostullimit të shenjtë që më është dhënë, ju bekoj në kërkimin tuaj për ta mundur këtë botë. Ju bekoj që ta rritni besimin tuaj te Jezu Krishti dhe të mësoni më mirë se si ta përdorni fuqinë e Tij. Ju bekoj që të jeni në gjendje ta dalloni të vërtetën nga e gabuara. Ju bekoj që të interesoheni më shumë për gjërat e Perëndisë sesa për gjërat e botës. Ju bekoj që t’i shihni nevojat e atyre që keni përreth, dhe t’i forconi ata që doni. Për shkak se Jezu Krishti e mundi këtë botë, edhe ju mund ta bëni. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.