Lajme të Kishës
Udhëheqësit e Kishës Japin Shërbesë në Shumë Kombe
Udhëheqësit e Kishës e vazhduan shërbesën e tyre mbarëbotërore gjatë gjashtë muajve të kaluar. Ja tek janë disa pikat kulmore të veprimtarive të tyre të shumta që nga konferenca e përgjithshme e fundit.
Presidenti Ouks Reflektoi mbi Ndikimin e Grave
Në një material filmik të Kishës të nxjerrë në shtator, Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, foli rreth ndikimit të nënës dhe gjyshes së tij te ndihma që i dhanë për të zhvilluar një dëshmi dhe besim te Zoti. Ndikimi i grave në jetën e tij vazhdoi me bashkëshorten, Motrën Xhun Ouks dhe pas vdekjes së saj, me bashkëshorten, Motrën Kristën Ouks.
“Mësueset më të rëndësishme që kam pasur në fushën e doktrinës dhe shërbimit në Kishë si dhe të përgjegjësive familjare, që renditen lart fare bashkë me profetët e Kishës, kanë qenë gra”, – tha Presidenti Ouks.
Plaku Uhtdorf Trajtoi Temën e Refugjatëve
Plaku Diter F. Uhtdorf, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shkoi në Poloni në prill. Ai kryesoi në një takim shpirtëror për refugjatët ukrainas të cilët kanë gjetur strehim të përkohshëm atje.
Gjatë vizitës, Plaku Uhtdorf, i cili ka qenë një refugjat herët në jetën e tij, tha se zemra e tij është e mbushur me “një trishtim të thellë për vuajtjen” e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe të të tjerëve në vende të shkatërruara nga lufta por edhe me mirënjohje.
“Këta individë dhe familje na kanë forcuar dhe na kanë ngritur moralin me mirësinë, mirëbesimin dhe besimin e tyre te dhe për Shpëtimtarin dhe qëllimet e Tij hyjnore”, – tha ai. “Herieta dhe unë po shpresonim se ishim duke i forcuar dhe ngushëlluar ata, por ata u sollën dritë qiellore, shpresë dhe ngushëllim zemrave tona.”
Plaku Bednar i Foli Klubit Kombëtar të Shtypit në Uashington D.K.
Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, iu drejtua Klubit Kombëtar të Shtypit në maj, duke rrëfyer me hollësi ato që ndodhin dhe arsyet pse ndodhin në nismat e përbotshme humanitare, për mirëqenien, për arsimin, tempullin, misionarët dhe për gjenealogjinë në Kishën e Jezu Krishtit.
“Qëllimi bazë i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është t’i ndihmojmë njerëzit të mësojnë rreth natyrës dhe cilësive të Perëndisë, ta duam Perëndinë, të bëhemi dishepuj të Birit të Tij, Jezu Krishtit, dhe ta duam e t’u shërbejmë vëllezërve e motrave tona”, – tha Plaku Bednar.
Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës dhe Presidentja e Përgjithshme e Fillores Vizituan Amerikën e Jugut
Presidentja Kamill N. Xhonson, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe Presidentja Suzën H. Porter, Presidente e Përgjithshme e Fillores, takuan udhëheqës qeveritarë dhe anëtarë të Kishës në Argjentinë, Kili, Uruguai dhe Paraguai gjatë një vizite 10‑ditore për shërbesë dhe krijim kontaktesh.
Ato takuan organizata qeveritare që u vijnë në ndihmë grave, të cilat përballen me situata të cenueshme në Paraguai dhe në Argjentinë.
“Kisha jonë pret me padurim të punojë me ju për t’i përmirësuar mundësitë për arsimin dhe mbështetje te vetja për gratë”, – tha Presidentja Xhonson.
Përveç krijimit të kontakteve me qeverinë, Presidentet Xhonson dhe Porter u dhanë gjithashtu shërbesë anëtarëve të Kishës. Ato zhvilluan mbledhje për prindërit e rinj në moshë, një takim shpirtëror për gratë beqare, mbledhje ndërvepruese për familjet me fëmijë dhe trajnim për udhëheqësit e bashkësive.