2022
Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 192‑të
Nëntor 2022


Mirë se Vini në Këtë Numër Botimi

Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 192‑të

Sheshi i Tempullit qe i plot paqe gjatë Konferencës së Përgjithshme Gjysmëvjetore të 192‑të të Kishës. Zhurmat e ndërtimit në rrethinat dhe të përforcimit sizmik të Tempullit historik të Solt-Lejkut u ndalën.

Por një lloj tjetër paqeje i mbushi shtëpitë dhe zemrat tona ndërsa i ndalëm zhurmat e botës për të dëgjuar profetët dhe apostujt e gjallë.

“Nga kjo foltore sot dhe nesër, ju do të vazhdoni të dëgjoni të vërtetën”, – dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson me atë vezullim karakteristik në sy. “Kërkojini Zotit me lutje t’jua vërtetojë se ajo që keni dëgjuar, është e vërtetë” (shih faqen 29).

Gjatë gjithë konferencës, folësit na mësuan të vërteta që e forcojnë dëshminë, përfshirë bërjen dhe mbajtjen e besëlidhjeve të shenjta (shih faqet 95 dhe 73), marrjen e zbulesës vetjake (shih faqen 16) dhe dishepullimin (shih faqen 77).

“Teksa e bëni forcimin e vazhdueshëm të dëshmisë suaj për Jezu Krishtin përparësinë tuaj më të lartë”, – tha Presidenti Nelson, “vëzhgoni për mrekulli që do të ndodhin në jetën tuaj” (shih faqen 95).

Pasi përfundoi konferenca e përgjithshme, puna në Tempullin e Solt-Lejkut filloi sërish. Puna ose përgatitjet filluan edhe për 125 tempujt rreth e qark botës që janë njoftuar ose që janë në ndërtim e sipër. Tani kjo i përfshin 18 tempujt e rinj që Presidenti Nelson i njoftoi në sesionin e fundit të konferencës (shih faqen 121).

“[Zoti] po i bën tempujt e Tij më të arritshëm”, – tha Presidenti Nelson. “Ai po e përshpejton ritmin me të cilin po ndërtojmë tempuj. Ai po e rrit aftësinë tonë për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit” (shih faqen 121).