2022
Virtyti i Fjalës
Nëntor 2022


10:16

Virtyti i Fjalës

Ka virtyt në fjalët e profetëve të lashtë dhe bashkëkohorë pikërisht ngaqë fjalët e tyre janë fjalët e Zotit.

Në Librin e Mormonit, ne lexojmë për një vendim jetik që u mor nga profeti Alma në një varg të përzemërt nga shkrimi i shenjtë. Përpara se t’i rishikojmë ato fjalë të njohura, ju lutem, merrini në konsideratë me mua rrethanat e vështira nën të cilat u mor ai vendim.

Një grup i veçuar njerëzish, që e quanin veten zoramitë, ishin ndarë nga nefitët1 dhe qenë mbledhur në kufijtë e tokës pranë lamanitëve.2 Nefitët sapo i kishin mundur lamanitët në një betejë të pashembullt në të cilën u vranë dhjetëra mijëra njerëz3 dhe kishin “shumë frikë se Zoramitët do të hynin në një marrëveshje me Lamanitët dhe se do të ishte shkak humbjesh të mëdha nga ana e Nefitëve”4. Përtej shqetësimeve të luftës, Alma kishte mësuar se zoramitët, që e “kishin pa[s]ur fjalën e Perëndisë të predikuar ndaj tyre”5, po i ktheheshin adhurimit të idhujve dhe “po prishnin udhët e Zotit”6. E gjithë kjo e rëndonte së tepërmi Almën dhe ishte “shkak pikëllimi i madh”7.

Duke e gjetur veten në këto rrethana të ndërlikuara dhe sfiduese, Alma përsiati për atë që duhej bërë. Në vendimin e tij, ne lexojmë fjalë që u ruajtën për të na frymëzuar dhe udhëzuar ndërsa manovrojmë përmes rrethanave të ndërlikuara dhe sfiduese të kohës sonë.8

“Dhe tani, pasi predikimi i fjalës kishte një prirje të madhe ta çonte popullin të bënte atë që ishte e drejtë – po, kishte pasur një ndikim më të fuqishëm mbi mendjet e njerëzve sesa shpata, ose çdo gjë tjetër që u kishte ngjarë atyre – prandaj Alma mendoi se ishte e nevojshme që ata të provonin virtytin e fjalës së Perëndisë.”9

Në mes të shumë zgjidhjeve të mundshme, besimi i Almës i udhëhoqi ata që të mbështeteshin në fuqinë e fjalës. Nuk është rastësi që disa nga predikimet më të fuqishme që gjenden kudo qofshin në shkrimet e shenjta, u mbajtën menjëherë pas atij vendimi. Në kapitujt 32 dhe 33 të Almës ne lexojmë këtë fjalim mjeshtëror mbi besimin te Zoti Jezu Krisht dhe në kapitullin 34 gjejmë mësimet themelore të Amulekut mbi Shlyerjen e Jezu Krishtit.

Ilustrime të Virtytit të Fjalës

Njëmend, kudo në shkrimet e shenjta lexojmë për bekimet mrekullibërëse që u derdhën mbi ata të cilët kanë zgjedhur të provojnë virtytin e fjalës së Perëndisë në jetën e tyre.10 Ju ftoj të përsiatni tre shembuj me mua ndërsa e drejtojmë përqendrimin tonë te Libri i Mormonit – një libër që Presidenti Rasëll M. Nelson e përshkroi si “udhëzuesi ynë për mbijetesë në ditët e mëvonshme11.

Së pari, duke i kujtuar popullit të vet se si Zoti i çliroi etërit e tij, Alma dha mësim: “Vini re, ai ndryshoi zemrat e tyre; po, ai i zgjoi nga një gjumë i thellë dhe ata u zgjuan në Perëndi. Vini re, ata ishin në mes të errësirës; megjithatë, shpirtrat e tyre ishin të ndriçuar nga drita e fjalës së përjetshme.”12 Ndoshta po ndiheni sikur jeni në mes të errësirës. A ju digjet shpirti për ndriçim? Nëse po, ju lutem, provojeni virtytin e fjalës së Perëndisë.

Së dyti, duke reflektuar për kthimin e lamanitëve në besim te Zoti, të cilin ai e dëshmoi si misionar, Amoni tha: “Shikoni sa mijëra prej vëllezërve tanë ka liruar ai nga vuajtjet e ferrit; dhe janë sjellë t’i këndojnë dashurisë shëlbuese dhe kjo për shkak të fuqisë së fjalës së tij që është te ne13. Vëllezër dhe motra, ka kaq shumë mes nesh të cilët janë të dëshiruar që dikush që e duan të arrijë t’i këndojë dashurisë shëlbuese. Në të gjitha përpjekjet tona, le të kujtohemi ta provojmë virtytin e fjalës së Perëndisë, që është te ne.

Së treti në librin e Helamanit ne lexojmë: “Po, ne shohim se kushdo që ka dëshirë mund të mbështetet në fjalën e Perëndisë, që është e shpejtë dhe e fuqishme, e cila do t’i ndajë copë-copë të gjitha dinakëritë dhe kurthet dhe mashtrimet e djallit, dhe do ta udhëheqë njeriun e Krishtit në një udhë të ngushtë dhe të ngushtuar nëpër atë humnerë të përhershme mjerimi … dhe të vendosin shpirtrat e tyre … në krahun e djathtë të Perëndisë, në mbretërinë e qiellit”14. A po përpiqeni të çani përmes të gjitha dinakërive dhe kurtheve e mashtrimeve të djallit aq mbizotëruese në filozofitë e kohës sonë? A dëshironi t’i davaritni retë e pështjellimit të shkaktuara nga një tepri informacionesh në mënyrë që të përqendroheni më në veçanti te shtegu i besëlidhjeve? Ju lutem, provojeni virtytin e fjalës së Perëndisë.

Si dikush që ka ndryshuar nga fuqia e fjalës, unë vetë dëshmoj për këtë të vërtetë, të dhënë mësim aq bukur nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson: “Për mua, fuqia e Librit të Mormonit është më e dukshme se kurrë në ndryshimin e madh që vjen në jetën e atyre që e lexojnë atë ‘me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë, duke pasur besim në Krisht’. Shumë të kthyer në besim i braktisin shumë nga ato gjëra që i kishin për zemër dikur, në mënyrë që të respektojnë normat e atij libri. … Ai do të jetë mjeti më i efektshëm i juaji për t’i sjellë shpirtrat te Jezu Krishti.”15

Burimi i Virtytit

Në këto ilustrime dhe të tjera, ne dëshmojmë virtytin e fjalës së Perëndisë në jetën e fëmijëve të Tij. Ne mund të pyetim: “Cili është burimi i atij virtyti ose asaj fuqie?”

Ndërsa e marrim parasysh këtë pyetje, është thelbësore të kujtojmë se fraza “fjala”, siç përdoret në shkrimin e shenjtë, ka së paku dy kuptime. Plaku Dejvid A. Bednar kohët e fundit dha mësim se “njëri nga emrat e Jezu Krishtit është ‘Fjala’” dhe se “mësimet e Shpëtimtarit, siç shënohen në shkrimet e shenjta, janë gjithashtu ‘fjala’”16.

Profeti Nefi e ilustroi marrëdhënien midis këtyre dy kuptimeve kur shkroi: “U vini veshin këtyre fjalëve dhe besoni në Krisht; dhe nëse ju nuk besoni në këto fjalë, besoni në Krisht. Dhe nëse ju do të besoni në Krisht, ju do të besoni në këto fjalë, pasi ato janë fjalët e Krishtit; dhe ai m’i ka dhënë ato mua”17. Kështu ne mësojmë se ka virtyt në fjalët e profetëve të lashtë dhe bashkëkohorë pikërisht ngaqë fjalët e tyre janë fjalët e Zotit.18 Miqtë e mi të dashur, pranimi i kësaj të vërtete të përjetshme është vendimtare për mbijetesën tonë shpirtërore në ditët e mëvonshme19 kur, sikurse është profetizuar, ka një “uri në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit”20.

Së fundi, virtyti i fjalës së Perëndisë është Zoti Jezu Krisht.21 Ndërsa e kuptojmë këtë më plotësisht, mund të bëjmë një lidhje me domethënie të përjetshme mes rolit të profetëve të Tij dhe Vetë Shëlbuesit. Dashuria jonë për Të, dëshira jonë për t’iu afruar më shumë Atij dhe për të qëndruar në dashurinë e Tij22, do të na shtyjë ta provojmë virtytin e fjalës në jetën tonë, si virtytin që rrjedh prej Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë vetjak23 edhe virtytin që rrjedh prej Tij nëpërmjet fjalëve të “shërbëtorëve të zgjedhur të Zotit”24. Ne do të arrijmë të dallojmë se, sado të dobishme mund të jenë burimet e tjera gjatë studimit për Shpëtimtarin dhe fjalët e profetëve të Tij nga ana jonë, ato nuk duhet të bëhen kurrë një zëvendësim për to. Ne duhet të pimë me këmbëngulje dhe shpesh25, drejt e nga burimi.26

Shpreh dashurinë time për secilin prej jush, vëllezërit dhe motrat e mia. Me atë dashuri, ju përgjërohem ta përjetoni virtytin e fjalës së Perëndisë, veçanërisht nëpërmjet Librit të Mormonit, çdo ditë të jetës suaj. Teksa e bëni këtë, ju do të përjetoni këtë premtim profetik nga Presidenti Rasëll M. Nelson: “Unë ju premtoj se, kur e studioni me lutje Librin e Mormonit çdo ditë, ju do të merrni vendime më të mira – çdo ditë. Ju premtoj se, teksa e përsiatni atë që studioni, dritaret e qiellit do të hapen dhe ju do të merrni përgjigje për vetë pyetjet tuaja dhe drejtim për vetë jetën tuaj. Ju premtoj se, ndërsa e zhytni veten përditë në Librin e Mormonit, ju mund të fitoni imunitet kundër të ligave të ditës.”27

Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor na e ka dhënë fjalën për shkak se Ai na do përsosurisht dhe dëshiron që secili prej nesh të kthehet në shtëpi për të jetuar me Të përgjithmonë. Dëshmoj për “Fjal[ën që] u bë mish”28, madje Jezusin, Krishtin dhe për fuqinë e Tij për të na shpëtuar dhe shëlbuar. E di se virtyti i Tij rrjedh nëpërmjet fjalëve të profetëve të Tij, si në të shkuarën dhe në të tashmen.

Është lutja e zemrës sime që ne të mund të zotërojmë urtësinë dhe butësinë për t’u kapur fort29 pas fjalës së Perëndisë dhe për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve që të çon drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme.30 E përjetofshim vazhdimisht ndryshimin e madh që është në dispozicion të secilit prej nesh nëpërmjet virtytit të Fjalës!31 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih tek Alma 30:59.

  2. Shih tek Alma 31:3.

  3. Shih tek Alma 28:2.

  4. Alma 31:4. Ju lutem, vini re se Alma dhe populli i tij më parë kishin provuar një “marrëveshje” mes amlicitëve dhe lamanitëve, e cila çoi në hidhërim dhe humbje të mëdha (shih tek Alma 2:21–38; 3:1–3).

  5. Alma 31:8.

  6. Alma 31:1.

  7. Alma 31:2.

  8. Shih te Mormoni 8:34–35.

  9. Alma 31:5; theksimi i shtuar.

  10. Shih, për shembull te 1 Nefi 15:24; Alma 32:41–43; 36:26; 37:8, 44–45.

  11. Rasëll M. Nelson, “Përqafojeni të Ardhmen me Besim”, Liahona, nëntor 2020, f. 75.

  12. Alma 5:7; theksimi i shtuar.

  13. Alma 26:13; theksimi i shtuar.

  14. Helamani 3:29–30; theksimi i shtuar.

  15. Russell M. Nelson, “The Book of Mormon: A Miraculous Miracle” (fjalim i dhënë në seminarin për udhëheqësit e rinj të misioneve, 23 qershor 2016), duke cituar pjesërisht referencën Moroni 10:4.

  16. Dejvid A. Bednar, “Por Ne Nuk ua Vumë Veshin”, Liahona, maj 2022, f. 16.

  17. 2 Nefi 33:10; theksimi i shtuar.

  18. Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:38.

  19. Shih te Doktrina e Besëlidhje 1:14–18.

  20. Amos 8:11.

  21. Shih tek Alma 34:6.

  22. Shih te Gjoni 15:10.

  23. Shih te Marku 5:25–34.

  24. Moroni 7:31.

  25. “Ka një mënyrë më të mirë për t’u përgatitur, pasi besimi i madh nuk zgjat shumë. Ne mund të vendosim të këmbëngulim në studimin e fjalëve të Krishtit në shkrimet e shenjta dhe në mësimet e profetëve të gjallë. Kjo është çfarë do të bëj unë. Do të kthehem përsëri te Libri i Mormonit dhe do ta studioj atë me këmbëngulje dhe shpesh” (Henri B. Ajring, “Përgatitja Shpirtërore: Fillo Herët dhe Ji i Qëndrueshëm”, Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 55).

  26. “Për mua, leximi i shkrimeve të shenjta nuk është ndjekje studimesh akademike. Përkundrazi, është një marrëdhënie dashurie me fjalën e Zotit dhe atë të profetëve të tij. …

    Nuk shqetësohem shumë për të lexuar vëllimet e gjata me komente të hartuara për t’i shtjelluar gjerë e gjatë ato që gjenden në shkrimet e shenjta. Në vend të kësaj, parapëlqej të qëndroj te burimi, duke shijuar ujërat e patrazuara të themelit të së vërtetës, fjalës së Perëndisë ashtu siç e dha Ai dhe siç është shënuar në librat që i pranojmë si shkrime të shenjta. Nëpërmjet leximit të shkrimeve të shenjta, ne mund të marrim sigurinë e Shpirtit se ajo që lexojmë, ka ardhur nga Perëndia për ndriçimin, bekimin dhe gëzimin e fëmijëve të Tij” (Gordon B. Hinckley, “Feasting upon the Scriptures”, Tambuli, qershor 1986, f. 2, 4).

  27. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62–63.

  28. Gjoni 1:14.

  29. Shih te 1 Nefi 8:30.

  30. “Shtegu i besëlidhjeve është i vetmi shteg që të çon drejt ekzaltimit dhe jetës së përjetshme” (Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 98).

  31. Shih tek Alma 5:11–13.