2022
Përsosuni në Të
Nëntor 2022


10:54

Përsosuni në Të

Përsosuria jonë është e mundur vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë.

Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, kanë fuqinë për të na shpëtuar dhe për të na tjetërsuar. Ata mund të na ndihmojnë të bëhemi siç janë Ata.

Disa vjet më parë, njëri nga nipërit tanë më i vogël në moshë, Aaroni, filloi të kishte probleme shëndetësore. Ai lodhej, kishte goxha mavijosje dhe nuk dukej i shëndetshëm. Pas analizave mjekësore, ai u diagnostikua me anemi të rëndë aplastike, një sëmundje ku palca e kockave nuk prodhon më qeliza të kuqe gjaku, qeliza të bardha gjaku dhe trombocite. Pa trajtim dhe një kurë përfundimtare, gjaku i tij nuk mund të mpiksej siç duhej ose të luftonte infeksionet, kështu që edhe rrëzimet, lëndimet ose sëmundjet më të vogla mund të bëheshin shpejt kërcënuese për jetën.

Për një periudhë kohe, Aaroni mori rregullisht transfuzion të trombociteve dhe të gjakut për ta mbajtur jashtë rrezikut. Mjekët shpjeguan se kura e vetme për sëmundjen do të ishte transplantimi i palcës së kockave dhe mundësia më e mirë për t’ia dalë me sukses, do të ishte njëri nga vëllezërit e tij si dhurues. Nëse njëri nga vëllezërit e tij do të ishte përkimi ideal, rezultati i transplantimit mund t’i shpëtonte jetën. Katër vëllezërve të tij më të vegjël iu bënë analizat dhe njëri, Maksuelli, u përcaktua si përkim perfekt.

Edhe me një dhurues të përsosur, transplantimi i palcës së kockave ende përbënte një rrezik serioz për ndërlikime. Procesi kërkonte që qelizat e vetë Aaronit në palcën e kockave të tij të sëmura të shkatërroheshin nga një ndërthurje e kimioterapisë dhe rrezatimit para se të merreshin qelizat staminale nga palca e kockave të vëllait të tij, Maksuellit. Pastaj për shkak të sistemit imunitar të dobësuar të Aaronit, ai duhej të izolohej në spital për disa javë dhe më pas në shtëpi për disa muaj me protokolle, kufizime dhe mjekime të veçanta.

Rezultati i shpresuar nga transplantimi ishte që trupi i Aaronit nuk do t’i refuzonte qelizat e dhuruesit dhe që qelizat e Maksuellit gradualisht do të prodhonin qelizat e kuqe dhe të bardha të gjakut dhe trombocitet e nevojshme në trupin e Aaronit. Një transplantim i suksesshëm i dhuruesve shkakton një ndryshim fiziologjik shumë të vërtetë. Në mënyrë të habitshme, një mjek shpjegoi që nëse Aaroni do të kryente një krim dhe do të linte gjak në vendin e krimit, policia mund të arrestonte të vëllanë e tij, Maksuellin. Kjo ndodh sepse gjaku i Aaronit do të vinte nga qelizat e transplantuara të Maksuellit dhe do të kishte ADN‑në e Maksuellit, dhe kjo do të ishte situata e tij për gjithë pjesën tjetër të jetës.

Fakti që Aaroni po shpëtohej nga gjaku i vëllait të tij, ka nxitur shumë mendime tek ne për gjakun shlyes të Jezu Krishtit dhe pasojat e Shlyerjes së Tij. Do të doja që sot të përqendrohesha te ndryshimi i përhershëm jetëdhënës që ndodh ndërsa e lejojmë Zotin të bëjë mrekulli tek ne.1

Aaroni nuk kishte fuqi brenda vetes për ta mposhtur sëmundjen. Trupi i tij nuk mund t’i prodhonte qelizat e kuqe të nevojshme për ta mbajtur në jetë. Pavarësisht se çfarë bënte ai vetë, ai nuk mund ta shëronte palcën e tij të kockave. Ashtu si Aaroni nuk mund ta shëronte veten, edhe ne nuk mund ta shpëtojmë veten. Pavarësisht se sa të aftë, të arsimuar, mendjendritur apo të fortë të jemi, ne nuk mund të pastrohemi nga mëkatet tona, ta ndryshojmë trupin në një gjendje të pavdekshme apo ta ekzaltojmë veten tonë. Kjo është e mundur vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit Jezu Krisht dhe Shlyerjes së Tij të pafundme. “S’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë.”2 Është gjaku i Tij shlyes që na pastron dhe shenjtëron.3

Ndonëse Aaroni nuk mund ta shëronte veten, që transplantimi të funksiononte, atij i nevojitej të ishte i gatshëm të bënte atë që kërkonin mjekët, madje gjëra shumë të vështira dhe sfiduese. Ndonëse ne nuk mund ta shpëtojmë veten, kur i nënshtrohemi vullnetit të Zotit dhe i mbajmë besëlidhjet tona, udha është e hapur për shëlbimin tonë.4 Ashtu si procesi mbresëlënës i ndryshimit të ADN‑së së qelizave të gjakut të Aaronit, edhe ne mund ta ndryshojmë zemrën tonë5, mund të kemi shëmbëlltyrën e Tij në pamjen tonë6 dhe mund të bëhemi krijesa të reja në Krishtin7.

Alma i solli ndërmend popullit të Zarahemlës brezin e mëparshëm që ishte kthyer në besim. Duke folur për të atin, Alma shpjegoi se “sipas besimit të tij, një ndryshim i madh ndodhi në zemrën e tij”8. Ai më pas bëri pyetjen: “A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?”9 Nuk ishte populli që e ndryshoi zemrën e vet. Zoti e kreu ndryshimin e vërtetë. Alma ishte shumë i qartë për këtë. Ai tha: “Vini re, ai ndryshoi zemrat e tyre”10. Ata “u përulën, dhe e vunë besimin e tyre në Perëndinë e vërtetë dhe të gjallë … [dhe] qenë besnikë deri në fund … [dhe] u shpëtuan”11. Njerëzit ishin të gatshëm ta hapnin zemrën, të ushtronin besim dhe më pas Zoti ua ndryshoi zemrën. Dhe çfarë ndryshimi i madh që ishte! Mendoni për ndryshimin në jetën e këtyre dy burrave të quajtur Alma përpara dhe pasi u ndryshuan zemrat e tyre.12

Ne jemi fëmijë të Perëndisë me një fat madhështor. Ne mund të ndryshohemi për t’u bërë si Ai dhe të kemi “plotësi të gëzimit”13. Satani, nga ana tjetër, do të donte që ne të ishim të mjeruar sikurse është ai vetë.14 Ne kemi aftësinë të zgjedhim se cilin të ndjekim.15 Kur ndjekim Satanin, ne i japim atij fuqi.16 Kur ndjekim Perëndinë, Ai na jep neve fuqi.

Shpëtimtari dha mësim se ne “[duhet] të je[mi] të përkryer”17. Kjo mund të duket shumë e frikshme. Mund t’i shoh qartë papërshtatshmëritë e mia vetjake dhe me dhembje jam i vetëdijshëm për largësinë mes meje dhe përsosurisë. Ne mund të kemi prirje të mendojmë se duhet ta përsosim veten, por kjo nuk është e mundur. Ndjekja e çdo sugjerimi në çdo libër në botë që flet për ndihmën ndaj vetvetes nuk do ta sjellë atë përsosuri. Ka vetëm një mënyrë dhe një emër me anë të të cilit vjen përsosuria. Ne jemi “bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij”18. Përsosuria jonë është e mundur vetëm nëpërmjet hirit të Perëndisë.

A mund ta imagjinoni sa dërrmuese do të kishte qenë për nipin tonë të vogël, Aaronin, të hamendësonte se duhej t’i kuptonte dhe t’i kryente vetë të gjitha procedurat mjekësore që lidheshin me transplantimin e tij? Ne nuk duhet të hamendësojmë se na nevojitet të bëjmë atë që vetëm Shpëtimtari mund ta bëjë në procesin e mrekullueshëm të përsosurisë sonë.

Ndërsa Moroni përfundoi analin e tij, ai dha mësim: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”19. Çfarë e vërtete ngushëlluese dhe e fuqishme! Hiri i Tij është i mjaftueshëm për mua. Hiri i Tij është i mjaftueshëm për ju. Hiri i Tij është i mjaftueshëm për të gjithë ata që janë “të munduar dhe të rënduar”20.

Me trajtime mjekësore si ato të Aaronit, ka gjithnjë njëfarë pasigurie për rezultatin. Në fakt, Aaronit iu nevojit një transplantim i dytë kur i pari pati ndërlikime. Fatmirësisht, me një ndryshim shpirtëror të zemrës, nuk kemi përse të pyesim veten nëse ai do të ndodhë. Kur jetojmë sipas vullnetit të Tij, “duke u mbështetur tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”21 ka 100 për qind garanci se do të pastrohemi nga gjaku i Shpëtimtarit dhe përfundimisht do të përsosemi në Të. Ai është “një Perëndi i së vërtetës dhe nuk mund të gënje[jë]”22.

Nuk ka dyshim se ky proces ndryshimi kërkon kohë dhe nuk do të përfundojë deri pas kësaj jete, por premtimi është i sigurt. Kur përmbushja e premtimeve të Perëndisë duket e largët, ne akoma mbahemi tek ato premtime, duke e ditur se do të përmbushen.23

Ndryshimi i mrekullueshëm i shëndetit të Aaronit i ka sjellë gëzim të madh familjes sonë. Përfytyroni gëzimin e madh në qiell ndërsa ndodhin ndryshime të mëdha në shpirtrat tanë.

Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na duan dhe kanë ofruar plot dashamirësi që të na ndryshojnë dhe të na përsosin. Ata duan ta bëjnë këtë. Kjo është në qendër të veprës dhe lavdisë së Tyre.24 Unë dëshmoj se Ata kanë fuqi ta bëjnë këtë kur ne vijmë tek Ata me besim. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.