Ndërtimi i një Jete Qëndrestare ndaj Kundërshtarit
Lutem që të mund të vazhdojmë ta ndërtojmë jetën tonë duke zbatuar projektin e zbatimit dhe specifikimet teknike të projektit hyjnor të krijuar nga Ati ynë Qiellor.
Gjatë viteve nga kjo foltore e bukur në Qendrën e Konferencave, kemi marrë këshilla, frymëzim, udhëzime dhe zbulesë madhështore. Në disa raste, folësit kanë përdorur krahasime që lidhen me fushat e tyre të njohurisë dhe të përvojës, për të ilustruar qartë dhe fuqishëm një parim të ungjillit të Jezu Krishtit.
Në këtë mënyrë, për shembull, kemi mësuar për aeroplanët dhe fluturimet, në të cilat një devijim i vogël mund të na çojë në një vend shumë larg vendmbërritjes fillestare.1 Gjithashtu, në këtë mënyrë kemi mësuar nga krahasimi i funksionit të zemrës sonë fizike me ndryshimin e fuqishëm të zemrës që kërkohet për t’iu përgjigjur ftesës së Zotit për ta ndjekur Atë.2
Këtë herë, do të doja të shtoja me përulësi një krahasim të frymëzuar nga një lëndë në fushën e përgatitjes sime profesionale. Po i referohem botës së inxhinierisë së ndërtimit. Prej fillimit të studimeve të mia universitare, ëndërroja për ditën kur do të plotësoja kërkesat për t’u kualifikuar që të ndiqja orën ku do të mësoja si të projektoja ndërtesa dhe struktura të tjera që më pas mund të konsideroheshin “antisizmike”.
Më në fund erdhi dita për orën time të parë të mësimit për këtë lëndë. Fjalët e para të profesorit ishin këto: “Sigurisht që mezi prisni ta nisni këtë kurs dhe të mësoni si të projektoni struktura antisizmike”, për të cilat shumë prej nesh tundën kokën me padurim. Më pas profesori tha: “Më vjen keq t’ju them se kjo nuk është e mundur, sepse unë nuk mund t’ju mësoj se si të projektoni një ndërtesë që është kundra, që është ‘anti‑’, ose që është kundër, një tërmeti. Kjo nuk ka kuptim”, – tha ai, “sepse gjithsesi do të ketë tërmete, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo.”
Pastaj ai shtoi: “Ajo që mund t’ju mësoj, është si të projektoni struktura që janë të qëndrueshme ndaj lëkundjeve, struktura që mund t’u bëjnë qëndresë forcave që vijnë nga një tërmet, në mënyrë që struktura të mbetet në këmbë pa pësuar ndonjë dëm të madh e më pas të vazhdojë të ofrojë shërbimin për të cilin qe krijuar”.
Inxhinieri bën llogaritjet që tregojnë përmasat, cilësitë dhe karakteristikat e themeleve, kolonave, trarëve, pllakave të betonit dhe elementëve të tjerë strukturorë që po projektohen. Këto rezultate përkthehen në një projekt zbatimi dhe specifikime teknike, të cilat duhet të zbatohen rreptësisht nga ndërtuesi në mënyrë që puna të materializohet dhe kështu të përmbushë qëllimin për të cilin u projektua dhe po ndërtohet.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 40 vjet që nga ajo orë e parë mësimore në inxhinieri të qëndrueshmërisë sizmike, e kujtoj në mënyrë të përsosur çastin kur fillova të merrja një kuptim më të thellë, më të plotë të rëndësisë jetike për këtë koncept, i cili do të ishte i pranishëm në strukturat që do të projektoja në jetën time të ardhshme profesionale. Jo vetëm kaq, por edhe më e rëndësishmja: koncepti do të ishte përgjithmonë i pranishëm në ndërtimin e jetës sime dhe tek ata njerëz tek të cilët mund të ushtroj një ndikim pozitiv.
Sa të bekuar jemi që mbështetemi te njohuria për planin e shpëtimit të krijuar nga Ati ynë Qiellor, që kemi ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe që mbështetemi në udhëzimin e frymëzuar të profetëve të gjallë! Të gjitha të sipërpërmendurat përbëjnë “projektin e zbatimit” dhe “specifikimet teknike” të projektuara hyjnisht që na mësojnë qartë se si të ndërtojmë jetë të lumtur – jetë që është qëndrestare ndaj mëkatit, qëndrestare ndaj tundimit, qëndrestare ndaj sulmeve të Satanit, i cili po kërkon me dëshpërim të pengojë fatin tonë të përjetshëm që të jemi së bashku me Atin tonë Qiellor dhe me familjet tona të dashura.
Vetë Shpëtimtari në fillim të shërbesës së Tij “u la që të tundohej nga djalli”3. Por Jezusi doli i suksesshëm nga ajo sprovë e madhe. Si do t’i kishte shërbyer Atij pasja e një qëndrimi kundër Satanit ose kundër tundimit? Ajo që e bëri Jezusin të dilte ngadhënjimtar nga këto çaste, më të vështirat, ishte përgatitja e Tij shpirtërore, e cila i lejoi Atij të ishte në gjendje t’u bënte qëndresë tundimeve të kundërshtarit.
Cilët ishin disa nga faktorët që e ndihmuan Shpëtimtarin të ishte i përgatitur për atë çast vendimtar?
Së pari, Ai kishte agjëruar për 40 ditë e 40 net, një agjërim që duhet të jetë shoqëruar me lutje të vazhdueshme. Pra, megjithëse Ai ishte fizikisht i dobët, shpirti i Tij ishte shumë i fortë. Ndonëse, për fat të mirë, nuk na kërkohet të agjërojmë për një kohëzgjatje të tillë, përkundrazi për vetëm 24 orë dhe një herë në muaj, agjërimi na jep forcë shpirtërore dhe na përgatit që të jemi qëndrestarë ndaj sprovave të kësaj jete.
Në radhë të dytë, në tregimin e tundimeve të cilave iu nënshtrua Shpëtimtari, ne shohim se Ai gjithmonë iu përgjigj Satanit duke pasur shkrime të shenjta në mendjen e Tij, duke i cituar dhe duke i zbatuar ato në çastin e duhur.
Kur Satani e tundoi Atë që t’i kthente gurët në bukë që të mund të hiqte urinë e Tij nga agjërimi i Tij i gjatë, Zoti i tha atij: “Është shkruar: ‘Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë’”4. Më pas, kur Zoti ishte në majë të tempullit, djalli u përpoq ta tundonte Atë për të treguar fuqinë e Tij, të cilës Zoti iu përgjigj me autoritet: “Është shkruar gjithashtu: ‘Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd’”5. Dhe përpjekjes së tretë të Satanit, Zoti iu përgjigj: “Është shkruar: ‘Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij’”6.
Ngjarja e një tërmeti lë gjurmët e saj edhe në strukturat që janë projektuar dhe ndërtuar siç duhet, pasoja të tilla si ndoshta disa plasaritje, orendi ose tavane të rrëzuara dhe dritare të thyera. Por kjo godinë e projektuar mirë dhe e ndërtuar mirë do ta përmbushë qëllimin e saj për të mbrojtur banorët e saj dhe, me disa riparime, do ta rimarrë gjendjen e saj fillestare.
Në mënyrë të ngjashme, edhe goditjet e kundërshtarit mund të shkaktojnë “plasaritje” ose ndonjë dëmtim të pjesshëm në jetën tonë, pavarësisht nga përpjekjet tona për ta ndërtuar jetën sipas projektit të përsosur hyjnor. Këto “plasaritje” mund të shfaqen nëpërmjet ndjenjave të trishtimit ose të brejtjes së ndërgjegjes për shkak se kemi bërë disa gabime dhe që nuk kemi bërë gjithçka përsosurisht, ose nga ndjenja se nuk jemi aq të mirë sa duam të jemi.
Por ajo që ka vërtet rëndësi, është se, ngaqë kemi zbatuar projektin e zbatimit dhe specifikimet e projektuara në mënyrë hyjnore, që do të thotë, ungjillin e Jezu Krishtit, ne jemi ende në këmbë. Struktura e jetës sonë nuk është shembur për shkak të përpjekjeve të kundërshtarit apo nga situatat e vështira me të cilat na është dashur të përballemi; përkundrazi, jemi gati të ecim përpara.
Gëzimi i premtuar në shkrimet e shenjta si qëllimi i ekzistencës sonë7, nuk duhet të merret sikur nënkupton se ne nuk do të kemi vështirësi ose brenga, se nuk do të kemi “plasaritje” si pasojë e tundimeve, e fatkeqësive ose nga sprovat konkrete të jetës sonë në tokë.
Ky gëzim ka të bëjë me këndvështrimin e Nefit për jetën kur tha: “Pasi kisha parë shumë vuajtje gjatë ditëve të mia, megjithatë, duke qenë jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti në të gjitha ditët e mia”8. Në të gjitha ditët e tij! Madje ditët që Nefi vuajti gjatë moskuptimit dhe refuzimit nga vetë vëllezërit e tij, edhe kur e lidhën në anije, madje ditën që i ati, Lehi, ndërroi jetë, edhe kur Lamani dhe Lemueli u bënë armiq për vdekje të popullit të tij. Madje edhe në ato ditë të vështira, Nefi u ndje jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti.
Ne mund të kemi qetësinë nga njohuria se Zoti nuk do të na lejojë kurrë të tundohemi përtej asaj që mund të përballojmë. Alma na fton të “je[m]i vigjilentë, dhe të lute[m]i vazhdimisht, që [ne] të mos tundohe[m]i mbi atë që mund të duro[jmë] dhe kështu të udhëhiqe[m]i nga Shpirti i Shenjtë, të bëhe[m]i të përulur, të bindur, të nënshtruar, të durueshëm, plot dashuri dhe keqardhje”9.
E njëjta gjë mund të zbatohet për sprovat e jetës. Amoni na kujton fjalët e Zotit: “Shkoni … dhe mbani me durim vuajtjet tuaja dhe unë do t’ju jap juve sukses”10.
Zoti na siguron gjithmonë ndihmë kur përballemi me fatkeqësi, tundime, moskuptim, dobësi e madje edhe vdekje. Ai ka thënë: “Dhe tani, në të vërtetë unë ju them dhe atë që ia them njërit, ua them të gjithëve, merrni zemër, fëmijë të vegjël; pasi unë jam në mes tuaj dhe nuk ju kam braktisur”11. Ai nuk do të na braktisë kurrë!
Lutem që të mund të vazhdojmë ta ndërtojmë jetën tonë duke zbatuar projektin e zbatimit dhe specifikimet teknike të projektit hyjnor të krijuar nga Ati ynë dhe të realizuar nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kështu që, për shkak të hirit që na rrok nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit tonë, do të kemi sukses në ndërtimin e një jete qëndrestare ndaj mëkatit, qëndrestare ndaj tundimit dhe do të forcohemi për të duruar periudhat e trishta e të vështira në jetën tonë. Dhe për më tepër, do të jemi në gjendje të kemi qasje tek të gjitha bekimet e premtuara nëpërmjet dashurisë së Atit tonë dhe Shpëtimtarit tonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.