2022
Të të Njohin Ty
Nëntor 2022


10:49

Të të Njohin Ty

(Gjoni 17:3)

Dëshira ime e sinqertë është që ju do të arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë dhe që ju do të bëheni si Ai.

Disa vjet më parë, pata një përvojë jetëndryshuese gjatë një mbledhjeje sakramenti në lagjen e vendbanimit tonë në Arizonë. Ndërsa lutja e sakramentit tregonte gatishmërinë tonë për të “marr[ë] mbi vete emrin e [Jezu Krishtit]”1, Fryma e Shenjtë më kujtoi se Jezusi ka shumë emra. Më pas kjo pyetje më erdhi në zemër: “Cilin nga emrat e Jezusit duhet të marr mbi vete këtë javë?”

Më erdhën në mendje tre emra dhe i shkrova. Secili prej atyre tre emrave përmbante cilësi të ngjashme me të Krishtit që dëshiroja t’i zhvilloja më plotësisht. Në javën që pasoi, u përqendrova te këta tre emra dhe u përpoqa t’i përvetësoja cilësitë dhe karakteristikat e tyre përkatëse. Prej asaj kohe, kam vazhduar ta bëj atë pyetje si pjesë të adhurimit tim vetjak: “Cilin nga emrat e Jezusit duhet të marr mbi vete këtë javë?” Përgjigjja e kësaj pyetjeje dhe përpjekja për të zhvilluar cilësi të ngjashme me të Krishtit, e kanë bekuar jetën time.

Në Lutjen e Tij të mrekullueshme Ndërmjetësuese, Jezusi shprehu këtë të vërtetë të rëndësishme: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”2. Sot do të doja t’ju tregoja për bekimet dhe fuqinë që vjen nga njohja e Jezu Krishtit nëpërmjet emrave të Tij të shumtë.

Një mënyrë e thjeshtë për ta njohur dikë është duke i mësuar emrin. Është thënë se “emri i një personi për vetë atë person është tingulli më i ëmbël dhe më i rëndësishëm në çdo gjuhë”3. A e keni pasur ndonjëherë përvojën që ta thërrisni dikë me emër tjetër ose t’ia harroni emrin? Unë, dhe gruaja ime, Aleksisi, me raste e kemi thirrur një nga fëmijët tanë “Lola”. Fatkeqësisht, siç mund ta keni marrë me mend, Lola është qeni ynë! Për mirë a për keq, duke e harruar emrin e dikujt i komunikoni atij personi që ndoshta nuk e njihni shumë mirë.

Jezusi i njihte dhe i thërriste njerëzit në emër. Izraelit të lashtë, Zoti i tha: “Mos ki frikë, sepse unë të kam çliruar, të kam thirrur me emër; ti më përket mua”4. Në mëngjesin e Pashkës, dëshmia e Maries për Krishtin e ringjallur u forcua kur Jezusi e thirri atë me emër.5 Në mënyrë të ngjashme, Perëndia e thirri Jozef Smithin në emër si përgjigje ndaj lutjes së tij me besim.6

Në disa raste, Jezusi u vuri dishepujve të Vet emra të rinj që qenë tregues për natyrën, aftësinë dhe potencialin e tyre. Jehova i vuri Jakobit emrin e ri Izrael, që do të thotë “dikush që triumfon me Perëndinë” ose “lejojeni Perëndinë të triumfojë”7. Jezusi i vuri Jakobit dhe Gjonit emrin Boanerges, që do të thoshte “bij të bubullimës”8. Duke parë udhëheqjen e tij në të ardhmen, Jezusi i vuri Simonit emrin Kefa ose Pjetër, që do të thotë shkëmb.9

Ashtu si Jezusi e njeh secilin prej nesh me emër, një mënyrë se si mund të arrijmë ta njohim më mirë Jezusin është duke i mësuar emrat e Tij të shumtë. Ashtu si emrat Izrael dhe Pjetër, shumë nga emrat e Jezusit janë tituj që na ndihmojnë të kuptojmë misionin, qëllimin, karakterin dhe cilësitë e Tij. Ndërsa arrijmë t’i dimë emrat e shumtë të Jezusit, ne do të arrijmë ta kuptojmë më mirë misionin e Tij hyjnor dhe karakterin e Tij vetëmohues. Njohja e emrave të Tij të shumtë gjithashtu na frymëzon që të bëhemi më shumë si Ai, të zhvillojmë cilësi të ngjashme me të Krishtit që na sjellin gëzim dhe qëllim në jetën tonë.

Disa vjet më parë, Presidenti Rasëll M. Nelson i studioi të gjitha shkrimet e shenjta në lidhje me Jezu Krishtin tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.10 Ai më pas i ftoi të rinjtë e të rejat në moshë madhore që t’i studionin të njëjtat shkrime të shenjta. Lidhur me emrat e shumtë të Jezusit, Presidenti Nelson tha: “Studiojeni gjithçka është Jezu Krishti duke kërkuar me lutje dhe vrull që ta kuptoni çfarë do të thotë për ju vetë secili prej titujve dhe emrave të Tij të ndryshëm”11.

Pas ftesës së Presidentit Nelson, fillova të krijoja vetë listën time me emrat e shumtë të Jezusit. Lista ime personale tani ka mbi 300 emra dhe jam i sigurt se ka edhe shumë të tjerë që nuk i kam zbuluar ende.

Ndërkohë që ka disa emra të Jezusit që janë rezervuar vetëm për Të12, do të doja të jepja pesë emra dhe tituj që gjejnë zbatim për secilin prej nesh. Ju ftoj të krijoni vetë listën tuaj ndërsa arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë. Duke e bërë këtë, do të zbuloni se ka emra të tjerë, bashkë me cilësitë e tyre përkatëse të ngjashme me të Krishtit, të cilat do të dëshironi t’i merrni mbi vete si një dishepull i besëlidhjes me Jezusin.13

Së pari, Jezusi është Bariu i Mirë.14 Si i tillë, Jezusi i njeh delet e Tij15, “i thërret delet e tij me emër”16 dhe, si Qengj i Perëndisë, dha jetën e Vet për delet e Tij17. Në mënyrë të ngjashme, Jezusi dëshiron që ne të jemi barinj të mirë, veçanërisht në familjet tona dhe si vëllezër e motra shërbestare. Një mënyrë se si e tregojmë dashurinë tonë për Jezusin është duke i kullotur delet e Tij.18 Për ato dele që mund të jenë duke u endur, barinjtë e mirë shkojnë në shkretëtirë për t’i gjetur delet e humbura dhe pastaj qëndrojnë me to derisa të kthehen në vend të sigurt.19 Si barinj të mirë dhe si të na e lejojnë kushtet vendore, ne duhet të përpiqemi të kalojmë më shumë kohë duke u dhënë shërbesë njerëzve në shtëpitë e tyre. Gjatë dhënies së shërbesës nga ana jonë, dërgimi i mesazheve me celular dhe teknologjia duhet të përdoren për ta rritur, jo për ta zëvendësuar, kontaktin personal.20

Së dyti, Jezusi është Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë.21 Duke e ditur se po i afrohej Kryqëzimi, Jezusi tha: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”22. Sot, ndërsa bota jonë është shpesh e polarizuar dhe e ndarë, ekziston një nevojë e madhe që ne të predikojmë dhe të ushtrojmë pozitivitet, optimizëm dhe shpresë. Pavarësisht çdo sfide në të shkuarën tonë, besimi gjithmonë drejtohet tek e ardhmja23, i mbushur me shpresë, duke na lejuar që ta përmbushim ftesën e Jezusit për të marrë zemër24. Të jetuarit e ungjillit plot gëzim na ndihmon të bëhemi dishepuj të të mirave që do të vijnë.

Një titull tjetër i Jezusit është se Ai është i Njëjtë Dje, Sot e Përjetë.25 Qëndrueshmëria është një cilësi e ngjashme me të Krishtit. Jezusi bëri përherë vullnetin e Atit të Tij26 dhe krahu i Tij është vazhdimisht i shtrirë për të na shpëtuar, për të na ndihmuar dhe për të na shëruar.27 Ndërsa jemi më të qëndrueshëm në të jetuarit e ungjillit, ne do të bëhemi më shumë si Jezusi.28 Ndonëse bota do të përjetojë lëkundje të mëdha në lavjerrësit e saj të popullaritetit, ndërsa njerëzit lëkunden dhe transportohen nga çdo erë doktrine29, të jetuarit e ungjillit me qëndrueshmëri na ndihmon të jemi të patundur dhe të palëvizur gjatë stuhive të jetës30. Ne gjithashtu mund të tregojmë vazhdimësi duke e pranuar ftesën e Presidentit Nelson për të “gje[tur] kohë për Zotin”31. Forcë e madhe shpirtërore vjen nga gjërat e vogla dhe të thjeshta32 si zhvillimi i “zakone[ve] të shenjta dhe rutina[ve] të drejta”33 të lutjes së përditshme, pendimit, studimit të shkrimeve të shenjta dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Së katërti, Jezusi është I Shenjti i Izraelit.34 Jeta e Jezusit ishte një model i shenjtërisë. Ndërsa e ndjekim Jezusin, ne mund të bëhemi një i shenjtë Izrael.35 Ne rritemi në shenjtëri ndërsa e vizitojmë rregullisht tempullin, ku fraza “Shenjtëri Zotit” është e gdhendur mbi çdo hyrje. Sa herë që adhurojmë në tempull, largohemi të pajisur me fuqi më të madhe për t’i bërë shtëpitë tona vende shenjtërie.36 Për këdo që aktualisht nuk ka një rekomandim për të hyrë në tempullin e shenjtë, unë ju ftoj të takoheni me peshkopin tuaj dhe të përgatiteni për të hyrë ose për t’u kthyer në atë vend të shenjtë. Koha në tempull do ta rritë shenjtërinë në jetën tonë.

Emri i fundit i Jezusit është se Ai është Besniku dhe i Vërteti.37 Ashtu si Jezusi ishte gjithnjë besnik dhe gjithnjë i vërtetë, dëshira e Tij e zjarrtë është që ne t’i shfaqim këto veti në jetën tonë. Kur na lëkundet besimi, ne mund t’i thërrasim Jezusit: “O Zot, shpëtomë”, ashtu si Pjetri, ndërsa filloi të fundosej në detin e stuhishëm të Galilesë.38 Në atë ditë, Jezusi shtriu dorën për ta shpëtuar dishepullin që po mbytej. Ai ka bërë të njëjtën gjë për mua dhe Ai do të bëjë të njëjtën gjë për ju. Mos hiqni kurrë dorë nga Jezusi – Ai nuk do të heqë kurrë dorë nga ju!

Kur jemi besnikë dhe të vërtetë, ne ndjekim thirrjen e Jezusit “qëndroni në mua”, që mund të nënkuptojë edhe “qëndroni me mua”39. Kur ballafaqohemi me pyetje, kur na vënë në lojë për besimin tonë, kur gishtat e përçmimit drejtohen nga ne prej njerëzve në ndërtesat e mëdha e të gjera të botës, ne mbetemi besnikë dhe qëndrojmë të vërtetë. Në këto çaste, ne kujtojmë përgjërimin e Jezusit: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë”40. Ndërsa e bëjmë këtë, Ai na jep besimin, shpresën dhe forcën e nevojshme për të qëndruar me Të përgjithmonë.41

Të dashur vëllezër dhe motra, Jezusi dëshiron që ne ta njohim Atë sepse emri i Tij është emri i vetëm nën qiell nëpërmjet të cilit mund të shpëtohemi.42 Jezusi është Udha, e Vërteta dhe Jeta – askush nuk mund të kthehet tek Ati përveçse nëpërmjet Tij.43 Jezusi është e vetmja udhë! Për këtë arsye, Jezusi na bën thirrje: “Ejani tek unë”44, “Më nd[iqni]”45, “Ec[ni] me mua”46 dhe “Mësoni nga unë”47.

Me gjithë zemrën time, jap dëshmi për Jezu Krishtin – se Ai jeton, se Ai ju do dhe se Ai ju njeh me emër. Ai është Biri i Perëndisë48, i Vetëmlinduri i Atit.49 Ai është Shkëmbi ynë, Kalaja jonë, Mburoja jonë, Streha jonë dhe Çlirimtari ynë.50 Ai është Drita që Shkëlqen në Errësirë.51 Ai është Shpëtimtari ynë52 dhe Shëlbuesi ynë.53 Ai është Ringjallja dhe Jeta.54 Dëshira ime e sinqertë është që ju do të arrini ta njihni Jezusin nëpërmjet emrave të Tij të shumtë dhe që ju do të bëheni si Ai ndërsa mishëroni cilësitë e Tij hyjnore në jetën tuaj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.