2022
Rivishu me Forcën Tënde, o Sion
Nëntor 2022


13:57

Rivishu me Forcën Tënde, o Sion

Secili prej nesh duhet t’i vlerësojë me çiltërsi dhe plot lutje përparësitë e veta materiale dhe shpirtërore.

Shëmbëlltyrat janë një tipar karakteristik i metodës mjeshtërore të Zotit Jezu Krisht për mësimdhënie. E përkufizuar thjesht, shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit janë histori që përdoren për të krahasuar të vërtetat shpirtërore me gjërat materiale dhe përvojat në vdekshmëri. Për shembull, Ungjijtë e Dhiatës së Re janë të mbushur me mësime që e krahasojnë mbretërinë e qiellit me farën e një kokrre sinapi1, me një margaritar me vlerë të madhe2, me një zot shtëpie dhe punëtorët në vreshtin e tij3, me dhjetë virgjëresha4 dhe shumë gjëra të tjera. Gjatë një pjese të shërbesës së Zotit në Galile, shkrimet e shenjta tregojnë se ai “u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra”5.

Kuptimi ose mesazhi i synuar i një shëmbëlltyre zakonisht nuk shprehet në mënyrë të qartë. Përkundrazi, historia ia përçon të vërtetën hyjnore një marrësi vetëm në përpjesëtim të drejtë me besimin te Perëndia, përgatitjen vetjake shpirtërore dhe gatishmërinë e tij ose të saj për të mësuar. Pra, një individ duhet të ushtrojë lirinë morale të zgjedhjes dhe në mënyrë aktive të lypë, të kërkojë dhe të trokasë6 për të zbuluar të vërtetat e rrënjosura brenda një shëmbëlltyre.

Unë lutem me zell që Fryma e Shenjtë do ta ndriçojë secilin prej nesh ndërsa shqyrtojmë tani rëndësinë e shëmbëlltyrës së gostisë së dasmës mbretërore.

Gostia e Dasmës Mbretërore

“Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:

‘Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.

Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.

Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë’.

Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.”7

Në kohët e lashta, një nga rastet më të gëzueshme në jetën judease ishte një kremtim dasme, një ngjarje që do të zgjaste një javë ose edhe dy. Një ngjarje e tillë kërkonte një planifikim të gjerë dhe të ftuarit informoheshin shumë më përpara, me një ftesë që u dërgohej për t’i kujtuar për ditën e fillimit të festimeve. Një ftesë nga një mbret drejtuar nënshtetasve të tij për një dasmë të tillë konsiderohej në thelb si një urdhër. Prapëseprapë, në këtë shëmbëlltyrë shumë nga të ftuarit e thirrur nuk erdhën.8

“Refuzimi për të marrë pjesë në gostinë e mbretit ishte një [akt i] qëllimshëm rebelimi kundër autoritetit mbretëror dhe një poshtërim vetjak si kundër sovranit në sundim, ashtu edhe ndaj birit të tij. … Largimi i një njeriu drejt fermës së tij dhe i një tjetri drejt [interesave të tij të biznesit]”9 pasqyron përparësitë e tyre të gabuara dhe shpërfilljen tërësore të vullnetit të mbretit.10

Shëmbëlltyra vazhdon:

“Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.

Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.’

Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.”11

Zakoni i atyre kohëve ishte që mikpritësi i një dasme, në këtë shëmbëlltyrë mbreti, siguronte veshjet për dasmorët. Veshje të tilla dasme ishin rroba të thjeshta, që nuk tërhiqnin vëmendjen dhe që i vishnin të gjithë të pranishmit. Në këtë mënyrë, rendi dhe pozita liheshin mënjanë dhe të gjithë në gosti mund të shoqëroheshin si të barabartë.12

Njerëzit e ftuar nga rruga për të marrë pjesë në dasmë nuk do të kishin pasur kohë apo mjete që të blinin veshjen e duhur në përgatitje për ngjarjen. Rrjedhimisht, mbreti ka të ngjarë që u dha të ftuarve veshje nga vetë gardëroba e tij. Gjithsecilit iu dha mundësia që të vishej me rroba të familjes mbretërore.13

Kur mbreti hyri në sallën e dasmës, ai e vëzhgoi publikun dhe menjëherë vuri re se një i ftuar i spikatur nuk kishte veshur një rrobë dasme. Burrin e sollën përpara dhe mbreti e pyeti: “Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme? Dhe ai [e] mbylli gojën.”14 Në thelb, mbreti e pyeti: “Pse nuk ke veshur një rrobë dasme, edhe pse ty t’u dha një e tillë?”15

Burri padyshim nuk ishte i veshur siç duhet për këtë rast të veçantë dhe fraza “Dhe ai [e] mbylli gojën”, tregon se burri nuk kishte justifikim.16

Plaku Xhejms E. Talmixh bën këto komente rreth domethënies së veprimeve të burrit: “Që i ftuari pa rrobën ishte fajtor për mospërfillje, mosrespektim të qëllimshëm ose një fyerje disi më të rëndë, është e qartë nga konteksti. Mbreti fillimisht ishte i kujdesshëm në mënyrë të hirshme, duke pyetur vetëm se si burri kishte hyrë pa rrobën e dasmës. Sikur i ftuari të kishte qenë në gjendje ta shpjegonte pamjen e tij të pazakonshme ose të kishte pasur ndonjë justifikim të arsyeshëm për të ofruar, ai me siguri do të kishte folur; por na thuhet se mbeti pa fjalë. Ftesat e mbretit u ishin bërë lirisht të gjithë atyre që i kishin gjetur, por secili prej tyre duhej të hynte në pallatin mbretëror nga dera; dhe para se të mbërrinin në sallën e banketit, në të cilën mbreti do të paraqitej personalisht, secili duhej të ishte i veshur siç duhej; por atij që i mungonte veshja e duhur, në njëfarë mënyre kishte hyrë nga një rrugë tjetër; dhe duke mos kaluar përmes rojeve që qëndronin te porta, ai ishte një furacak.”17

Një autor i krishterë, Xhon O. Rid, vuri në dukje se refuzimi i burrit për të veshur rrobën e dasmës ilustronte haptazi “mungesën e respektit si për mbretin ashtu edhe për birin e tij”. Atij nuk i mungonte thjesht një veshje dasme; përkundrazi, ai zgjodhi të mos e vishte një të tillë. Ai në mënyrë rebele refuzoi të vishej siç duhej për rastin në fjalë. Përgjigjja e mbretit ishte e shpejtë dhe vendimtare: “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të [k]etë [të] qara dhe kërcëllim dhëmbësh.”18

Gjykimi i mbretit për burrin nuk bazohet kryesisht te mungesa e një rrobe dasme, por që “ai ishte, në fakt, i vendosur të mos e vishte një të tillë. Burri … dëshironte nderin për të marrë pjesë në festën e dasmës, por nuk donte ta ndiqte zakonin e mbretit. Ai donte t’i bënte gjërat sipas mënyrës së vet. Mungesa e veshjes së duhur nga ana e tij zbuloi rebelimin e tij të brendshëm kundër mbretit dhe udhëzimeve të tij.”19

Shumë Janë të Thirrur, por Pak Janë të Zgjedhur

Shëmbëlltyra më pas përfundon me këtë shkrim të shenjtë depërtues: “Shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur”20.

Në mënyrë interesante, Jozef Smithi i bëri rregullimin vijues këtij vargu nga Mateu në përkthimin e frymëzuar të Biblës nga ana e tij: “Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur; prandaj jo të gjithë e kanë të veshur rrobën e dasmës21.

Ftesa për në gostinë e dasmës dhe zgjedhja për të marrë pjesë në gosti janë të lidhura, por të ndryshme. Ftesa është për të gjithë burrat e gratë. Një individ madje mund ta pranojë ftesën dhe të ulet në gosti, por prapë të mos zgjidhet për të marrë pjesë ngaqë ai ose ajo nuk ka rrobën e duhur të dasmës që e kthen te besimi në Zotin Jezus dhe hirin e Tij hyjnor. Si rrjedhim, kemi si thirrjen e Perëndisë ashtu edhe përgjigjen tonë individuale ndaj asaj thirrjeje, dhe shumë mund të thirren, por pak të zgjidhen.22

Të jemi apo të bëhemi të zgjedhur nuk është një status i veçantë që na jepet. Përkundrazi, ju dhe unë përfundimisht mund të zgjedhim që të zgjidhemi nëpërmjet ushtrimit të drejtë të lirisë sonë të zgjedhjes morale.

Ju lutem, vini re përdorimin e fjalës zgjidhen në vargjet e njohura vijuese nga Doktrina e Besëlidhje:

“Vini re, ka shumë që thirren, por pak zgjidhen. Dhe përse nuk zgjidhen ata?

Sepse zemrat e tyre vihen kaq shumë mbi gjërat e kësaj bote dhe aspirojnë nderet e njerëzve.”23

Unë besoj se nënkuptimi i këtyre vargjeve është mjaft i drejtpërdrejtë. Perëndia nuk ka një listë të të preferuarve, në të cilën ne duhet të shpresojmë se emrat tanë do të shtohen një ditë. Ai nuk i kufizon të “zgjedhurit” vetëm me një numër të kufizuar të zgjedhurish. Përkundrazi, zemrat tona, aspiratat tona, nderimi ynë i besëlidhjeve dhe ordinancave të shenjta të ungjillit, bindja jonë ndaj urdhërimeve dhe, më e rëndësishmja, mëshira dhe hiri shëlbues i Shpëtimtarit përcaktojnë nëse ne numërohemi si një nga të zgjedhurit e Perëndisë.24

“Pasi ne punojmë me zell që të shkruajmë, të bindim fëmijët tanë dhe gjithashtu vëllezërit tanë të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë; pasi ne e dimë se ne shpëtohemi nëpërmjet hirit, pas gjithçkaje që ne mund të bëjmë.”25

Nga ngarkesa e jetës sonë të përditshme dhe nga rrëmuja e botës bashkëkohore në të cilën jetojmë, neve mund të na largohet vëmendja nga gjërat e përjetshme që kanë më shumë rëndësi duke i bërë si përparësitë tona kryesore kënaqësinë, mirëqenien, famën dhe të qenit të rëndësishëm. Preokupimi ynë afatshkurtër për “gjërat e kësaj bote” dhe “nderet e njerëzve” mund të na çojë që ta humbasim të drejtën e parabirnisë sonë shpirtërore për shumë më pak se një tas me supë.26

Premtimi dhe Dëshmia

E përsëris këshillën e Zotit drejtuar popullit të Tij, që u dha nëpërmjet profetit Hagai të Dhiatës së Vjetër: “Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: ‘Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!’”27

Secili prej nesh duhet t’i vlerësojë me çiltërsi dhe plot lutje përparësitë e veta materiale dhe shpirtërore për të përcaktuar gjërat në jetën tonë që mund t’i pengojnë bekimet bujare që Ati Qiellor dhe Shpëtimtari janë të gatshëm të na i japin. Dhe sigurisht Fryma e Shenjtë do të na ndihmojë ta shohim veten ashtu siç jemi në të vërtetë.28

Ndërsa kërkojmë në mënyrë të përshtatshme dhuntinë shpirtërore të syve për të parë dhe veshëve për të dëgjuar29, unë premtoj se do të bekohemi me aftësinë dhe gjykimin për ta forcuar lidhjen tonë besëlidhëse me Zotin e gjallë. Ne gjithashtu do të marrim fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë30 dhe përfundimisht do të thirremi dhe do të zgjidhemi për gostinë e Zotit.

“Rizgjohu, rizgjohu, rivishu me forcën tënde, o Sion.”31

“Sepse Sioni duhet të rritet në bukuri dhe në shenjtëri; kufijtë e tij duhet të zgjerohen; kunjat e tij duhet të forcohen; po, në të vërtetë unë ju them, Sioni duhet të ngrihet dhe të veshë rrobat e tij të bukura.”32

Unë shpall plot gëzim dëshminë time për natyrën hyjnore dhe realitetin e gjallë të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe të Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe se Ai jeton. Dhe gjithashtu dëshmoj se Ati dhe Biri iu shfaqën djaloshit Jozef Smith, duke nisur kështu Rivendosjen e ungjillit të Shpëtimtarit në ditët e mëvonshme. Kërkoftë dhe u bekoftë secili prej nesh me sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, unë lutem në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.