2022
Këtë Ditë
Nëntor 2022


12:1

Këtë Ditë

Profeti ynë i gjallë po bën pjesën e tij për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit. Ne duhet ta ndjekim udhëheqjen e tij.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, në Librin e Mormonit fraza “këtë ditë”1 përdoret në mënyrë të përsëritur për të bërë thirrje për vëmendje ndaj këshillave, premtimeve dhe mësimeve. Mbreti Beniamin, në fjalimin e tij të fundit, i këshilloi njerëzit: “Dëgjoni fjalët e mia që unë do t’ju flas në këtë ditë; … hapni veshët tuaj, që të mund të dëgjoni dhe zemrat tuaja që të mund të kuptoni, dhe mendjet tuaja që misteret e Perëndisë të mund të shpalosen në pamjen tuaj”2. Konferenca e përgjithshme është një mjedis i ngjashëm. Ne vijmë që të dëgjojmë këshillë për “këtë ditë”, që ne të mund të jemi njerëz “të besuar në çdo kohë”3 ndaj Zotit dhe ungjillit të Tij. Shtytëse për mua në “këtë ditë” është rëndësia e ripërtëritjes së zotimit tonë ndaj Librit të Mormonit, të cilin Jozef Smithi e quajti “më i sakti nga [cilido] libër mbi tokë”4.

Kopje e Librit të Mormonit të Plakut Rasband

Unë mbaj në dorë një kopje të Librit të Mormonit. Ky është botimi im i vjetër i vitit 1970 dhe është i çmuar për mua. Nga pamja duket tejet i përdorur dhe i grisur, por asnjë libër tjetër nuk është aq i rëndësishëm për jetën time dhe dëshminë time sesa ky libër. Duke e lexuar atë, fitova një dëshmi nga Shpirti se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë5, se Ai është Shpëtimtari im6, se këto shkrime të shenjta janë fjala e Perëndisë7 dhe se ungjilli është rivendosur8. Ato të vërteta janë ngulitur thellë brenda meje. Siç tha profeti Nefi: “Shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit”9.

Plaku Rasband me presidentin e tij të misionit dhe Plakun Henks

Nga e majta në të djathtë: Plaku Ronald A. Rasband, si misionar në moshë të re; Presidenti Harold Uilkinson, presidenti i Misionit të Shteteve Lindore; dhe Plaku Marion D. Henks, Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë.

Ja historia që lidhet me këtë libër. Kur isha misionar në moshë të re, mora parasysh këshillën e Plakut Marion D. Henks, i cili na vizitoi në Misionin e Shteteve Lindore. Ai ishte presidenti i mëparshëm i Misionit Britanik dhe dy prej misionarëve të tij janë në podium këtë ditë: Vëllezërit e mi të dashur Plaku Xhefri R. Holland dhe Plaku Kuentin L. Kuk.10 Sikurse me misionarët e vet në Angli, ai na dha sfidën që të lexonim një kopje pa shënime të Librit të Mormonit të paktën dy herë. E pranova detyrën. Në leximin e parë duhej të shenjoja ose nënvizoja gjithçka që tregonte ose dëshmonte për Jezu Krishtin. Përdora një laps të kuq dhe i nënvizova shumë fragmente. Herën e dytë, Plaku Henks tha që të theksonim parimet dhe doktrinat e ungjillit dhe këtë herë përdora ngjyrën blu për t’i shenjuar shkrimet e shenjta. E lexova Librin e Mormonit dy herë, sipas sugjerimit, dhe më pas dy herë të tjera duke përdorur ngjyrën e verdhë dhe të zezë për të shenjuar fragmentet që më ranë mua në sy.11 Siç mund ta shihni, bëra shumë shënime.

Kopje me shënime e Librit të Mormonit

Leximi im ishte shumë më tepër sesa thjesht shenjimi i shkrimeve të shenjta. Me çdo lexim të Librit të Mormonit, nga fillimi deri në fund, unë u mbusha me një dashuri të thellë për Zotin. Ndjeva një dëshmi të rrënjosur thellë për të vërtetën e mësimeve të Tij dhe se si zbatohen ato në “këtë ditë”. Ky libër i përshtatet titullit të vet, “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit”12. Me atë studim dhe dëshmi shpirtërore që mora, unë u bëra një misionar i Librit të Mormonit dhe një dishepull i Jezu Krishtit.13

Në “këtë ditë” një nga misionarët më të mëdhenj të Librit të Mormonit është Presidenti Rasëll M. Nelson. Kur ishte një Apostull i sapothirrur, ai po jepte një leksion në Akra të Ganës.14 Të pranishëm ishin personalitete, përfshirë një mbret i një fisi afrikan, me të cilin ai foli nëpërmjet një interpretuesi. Mbreti ishte një studiues serioz i Biblës dhe e donte Zotin. Pas fjalimit të Presidentit Nelson, ky mbret iu afrua duke e pyetur me një anglishte të përsosur: “Thjesht kush jeni ju?” Presidenti Nelson shpjegoi se ishte një Apostull i shuguruar i Jezu Krishtit.15 Pyetja pasuese e mbretit ishte: “Çfarë mund të më mësoni për Jezu Krishtin?”16

Presidenti Nelson mori Librin e Mormonit dhe e hapi tek 3 Nefi 11. Së bashku, Presidenti Nelson dhe mbreti lexuan predikimin e Shpëtimtarit ndaj nefitëve: “Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë. … Unë jam drita dhe jeta e botës.”17

Presidenti Nelson ia dhuroi mbretit atë kopje të Librit të Mormonit dhe mbreti u përgjigj: “Ju mund të më kishit dhënë diamante ose rubinë, por asgjë nuk është më e çmueshme për mua sesa kjo njohuri shtesë rreth Zotit Jezu Krisht”18.

Ky nuk është një shembull i izoluar lidhur me mënyrën se si profeti ynë i dashur e shpërndan Librin e Mormonit. Ai u ka dhënë kopje të Librit të Mormonit qindra njerëzve, gjithmonë duke dhënë dëshminë e tij për Jezu Krishtin. Kur Presidenti Nelson takohet me të ftuar, presidentë, mbretër, krerë shtetesh, udhëheqës biznesesh dhe organizatash, si edhe të besimeve të ndryshme fetare, qoftë në zyrat qendrore të Kishës ose në vetë vendndodhjet e tyre, ai me nderim ua dhuron këtë libër të shkrimit të shenjtë të dhënë me anë të zbulesës. Ai mund t’u jepte kaq shumë gjëra të mbështjella me fjongo, që mund të qëndrojnë mbi tavolina ose tryeza pune apo nëpër rafte si një kujtues për vizitën e tij. Në vend të kësaj, ai jep atë që është më i çmuari për të, përtej rubinëve dhe diamanteve, siç e përshkroi mbreti i [atij] fisi.

“Të vërtetat e Librit të Mormonit”, ka thënë Presidenti Nelson, “kanë fuqinë ta shërojnë, ngushëllojnë, rivendosin, ndihmojnë, forcojnë, përkrahin dhe gëzojnë shpirtin tonë.”19 Kam parë se si këto kopje të Librit të Mormonit janë mbajtur shtrënguar në duart e atyre që i kanë marrë nga profeti ynë i Perëndisë. Nuk mund të kishte dhuratë më të madhe.

Presidenti Nelson me zonjën e parë të Gambiës

Vetëm kohët e fundit ai u takua me zonjën e parë të Gambiës në zyrën e tij dhe me përulësi i dha asaj një Libër të Mormonit. Nuk e la me kaq. I hapi faqet e librit që të lexonte me të, që t’i jepte mësim dhe të dëshmonte për Jezu Krishtin, Shlyerjen e Tij dhe dashurinë e Tij për të gjithë fëmijët e Perëndisë – kudo.

Profeti ynë i gjallë po bën pjesën e tij për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit.20 Por ai nuk mund t’i hapë portat e digave i vetëm. Ne duhet ta ndjekim udhëheqjen e tij.

I frymëzuar nga shembulli i tij, unë jam përpjekur që me përulësi dhe më me zell ta shpërndaj Librin e Mormonit.

Plaku Rasband me presidentin e Mozambikut

Kohët e fundit isha me detyrë në Mozambik. Qytetarët e këtij vendi të bukur po ndeshen me varfëri, shëndet të keq, papunësi, stuhi natyrore dhe trazirë politike. Pata nderin të takohem me presidentin e vendit, Filipe Niusi. Me kërkesën e tij, unë u luta për të dhe kombin e tij; i thashë se po ndërtonim një tempull të Jezu Krishtit21 në shtetin e tij. Në fund të vizitës sonë, i dhurova atij një kopje të Librit të Mormonit në portugalisht, gjuha e tij amtare. Teksa e pranoi librin plot mirënjohje, unë i dëshmova për shpresën dhe premtimin për popullin e tij, që gjenden në fjalët e Zotit në faqet e librit.22

Plaku Rasband me mbretin dhe mbretëreshën e Lesotos

Në një rast tjetër, bashkëshortja ime, Melania, dhe unë u takuam me mbretin Letsi III të Lesotos dhe bashkëshorten e tij në shtëpinë e tyre.23 Për ne, pjesa më kulmore e vizitës sonë ishte kur u dhuruam atyre një kopje të Librit të Mormonit dhe më pas unë dhashë dëshminë time. Kur e hedh vështrimin pas tek ajo përvojë dhe të tjera, një varg i shkrimit të shenjtë të ditëve të mëvonshme më vjen në mendje: “Plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve”24.

Plaku Rasband me ambasadorin Pandi
Udhëheqës të Kishës me Shenjtërinë e Tij, Patriarkun Bartolomeu

Ia kam dhënë Librin e Mormonit ambasadorit Pandi të Indisë25 në Kombet e Bashkuara në Gjenevë dhe Shenjtërisë së Tij, Patriarkut Bartolomeu26 të Kishës Ortodokse Lindore, dhe shumë të tjerëve. E kam ndier Shpirtin e Zotit me ne teksa ua kam dhënë personalisht këtë “gur [kyç të fesë] [s]onë”27 dhe e kam dhënë dëshminë time për Jezu Krishtin, gurin e qoshes të besimit tonë.28

Tani, vëllezër dhe motra, nuk ju duhet të shkoni në Mozambik ose Indi, apo të takoheni me mbretër e sundimtarë që t’ia jepni dikujt këtë libër të mësimeve dhe premtimeve të shenjta. Ju ftoj, këtë ditë, që t’ua jepni një Libër Mormoni miqve dhe familjes suaj, bashkëpunëtorëve në punë, trajnerit tuaj të futbollit apo burrit që shet perime në treg. Atyre iu nevojiten fjalët e Zotit që gjenden në këtë libër. Atyre iu nevojiten përgjigje ndaj pyetjeve të jetës së përditshme dhe të jetës së përjetshme që vjen më pas. Iu nevojitet të dinë për shtegun e besëlidhjeve të shtruar përpara tyre dhe për dashurinë e qëndrueshme të Zotit për ta. Është gjithçka këtu në Librin e Mormonit.

Kur u jepni një Libër të Mormonit ju po i hapni mendjet dhe zemrat e tyre ndaj fjalës së Perëndisë. Nuk ju nevojitet të mbani kopje të shtypura të librit me vete. Me lehtësi mund ta shpërndani atë nga telefoni juaj celular nga pjesa e shkrimeve të shenjta të programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].29

Mendoni për të gjithë ata që mund të bekohen nga ungjilli në jetën e tyre dhe pastaj dërgojuni atyre një kopje të Librit të Mormonit nga telefoni juaj. Kujtoni të përfshini dëshminë tuaj dhe se si ky libër e ka bekuar jetën tuaj.

Miqtë e mi të dashur, si Apostull i Zotit, ju ftoj që ta ndjekim profetin tonë të dashur, Presidentin Nelson, për ta përmbytur tokën me Librin e Mormonit. Nevoja është kaq e madhe; na nevojitet të veprojmë tani. Ju premtoj se do të merrni pjesë në “punë[n] më të madhe mbi tokë”, mbledhjen e Izraelit30, teksa frymëzoheni t’u drejtoheni të tjerëve që “mbahen larg nga e vërteta vetëm ngaqë nuk dinë se ku ta gjejnë atë”31. Atyre iu nevojiten dëshmia dhe dëshmimi juaj për mënyrën se si ky libër e ka ndryshuar jetën tuaj dhe ju ka sjellë më pranë Perëndisë, paqes së Tij32 dhe “lajme[ve të] gëzimi[t] të madh” të Tij33.

Unë dëshmoj se nëpërmjet planit hyjnor, Libri i Mormonit u përgatit në Amerikën e lashtë që të dilte në dritë për të shpallur fjalën e Perëndisë, për t’i sjellë shpirtrat te Zoti Jezu Krisht dhe ungjilli i Tij i rivendosur në “këtë ditë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih te Jakobi [LiM] 2:2–3; Mosia 2:14, 30; 5:7; Alma 7:15; dhe shumë vargje të tjera në Librin e Mormonit.

  2. Mosia 2:9.

  3. Alma 53:20.

  4. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 67. Deklarimi i plotë, i dhënë nga Jozef Smithi më 28 nëntor 1841, në këshill me Dymbëdhjetë Apostujt: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga [cilido] libër mbi tokë dhe gur[i kyç] i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga [cilido] libër tjetër”. Për referencën kyç si “i sakti” mund t’i jepet merita zbulesës së marrë gjatë përkthimit të librit dhe doktrinës së dhënë mësim në Librin e Mormonit, që i vendos më mirë sesa cilido libër tjetër të vërtetat “e qarta dhe të çmueshme” të ungjillit (shih 1 Nefi 13:40).

  5. Shih dokumentin “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, një deklaratë nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve, 1 janar 2000: “Ne japim dëshmi, si Apostujt e Tij të shuguruar siç duhet, që Jezusi është Krishti i Gjallë, Biri i pavdekshëm i Perëndisë. Ai është i madhërishmi Mbreti Emanuel, i cili qëndron sot në të djathtë të Atit të Tij. Ai është drita, jeta dhe shpresa e botës. Udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen. I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka dhënë, Birin e Tij hyjnor!” (ChurchofJesusChrist.org).

  6. Shih tek Isaia 49:26; 1 Nefi 21:26; 22:12; Doktrina e Besëlidhje 66:1.

  7. Fjala e Perëndisë gjendet në shkrimet e shenjta. Për shembull, në Librin e Mormonit, Lamani dhe Lemueli pyetën: “Ç’do të thotë shufra e hekurit?” duke iu referuar ëndrrës së Lehit. Nefi u përgjigj: “Ajo ishte fjala e Perëndisë; dhe të gjithë që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë dhe do të mbaheshin fort në të, ata nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim” (1 Nefi 15:23–24).

  8. Shih dokumentin “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, i cili përfshin sa vijon: “Ne shpallim se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, e organizuar më 6 prill 1830, është Kisha e Krishtit e kohës së Dhiatës së Re e rivendosur. Kjo Kishë është e ankoruar në jetën e përkryer të gurit të saj kryesor të qoshes, Jezu Krishtit, dhe në Shlyerjen e Tij të pafundme dhe Ringjalljen e mirëfilltë. Jezu Krishti edhe një herë ka thirrur Apostuj dhe u ka dhënë atyre autoritetin e priftërisë. Ai na fton që të gjithëve ne që të vijmë tek Ai dhe Kisha e Tij, të marrim Frymën e Shenjtë, ordinancat e shpëtimit dhe të fitojmë gëzim të qëndrueshëm. … Ne me gëzim shpallim se Rivendosja e premtuar shkon përpara nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme. Toka kurrë më nuk do të jetë e njëjta, teksa Perëndia do ‘t’i s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat’ (Efesianëve 1:10)” (ChurchofJesusChrist.org).

  9. 2 Nefi 4:16.

  10. Shih Quentin L. Cook, “Be Not Weary in Well-Doing” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 24 gusht 2020), speeches.byu.edu; Eliza Smith-Driggs, “This Week on Social: How to Develop a Love for the Lord, Yourself and Others”, Church News, 17 korrik 2020, thechurchnews.com.

  11. Leximi i tretë, e verdhë: gjeologji ose gjeografi; leximi i katërt, e zezë: linja e ngjarjeve të Librit të Mormonit.

  12. “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” u shtua si nëntitull në të gjitha botimet e Librit të Mormonit. Udhëheqësit e Kishës e bënë ndryshimin e emrit për të theksuar më tej qëllimin e librit, sikurse shpallet te faqja e titullit: “Dhe gjithashtu për bindjen e Judenjve dhe Johebrenjve se Jezusi është Krishti, Perëndia i Amshuar, që ua shfaqi veten të gjitha kombeve”.

  13. Të qenit dishepull i Jezu Krishtit është një shprehje e dashurisë sonë për Të. Dishepujt janë pagëzuar; ata marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit; përpiqen fort ta ndjekin Atë duke përqafuar tiparet e Tij siç përshkruhen nga Apostulli Pjetër: “Duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmërinë, mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë” (2 Pjetër 1:5–7; shih edhe Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service [2019], f. 121–132).

  14. Presidenti Rasëll M. Nelson, një kirurg zemre i njohur në mbarë botën përpara thirrjes së tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1984, dha një leksion në shkollën mjekësore në Akrë të Ganës në vitin 1986 mbi historinë e kirurgjisë së zemrës. I intervistuar më vonë nga mediat, ai shpjegoi se ishte atje “si një shërbëtor i Zotit për t’i ndihmuar [njerëzit] që të bëheshin qytetarë më të mirë, për të ndërtuar familje të forta, për të fituar lumturi të vërtetë dhe për të përparuar në tokë”. Ai u kthye në Akrë të Ganës më 16 nëntor 2001, për ceremoninë e fillimit të punimeve të Tempullit të Akrës në Ganë (shih “Ground Broken for First Temple in West Africa”, Church News, 24 nëntor 2001, thechurchnews.com).

  15. Shih te Manual i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 5.1.1.1: “Në kohën tonë, Zoti thërret burra nëpërmjet Presidentit të Kishës që të shugurohen si Apostuj dhe që të shërbejnë në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve (shih Doktrina e Besëlidhje 18:26–28)” (ChurchofJesusChrist.org).

  16. Shih Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 60.

  17. 3 Nefi 11:10–11.

  18. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, f. 61.

  19. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, f. 62.

  20. Shih te Moisiu 7:62.

  21. Tempulli i Beirës në Mozambik u njoftua më 4 prill 2021, nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Më shumë se gjysmë milionë njerëz jetojnë në Beira, që shtrihet në bregdetin e Oqeanit Indian.

  22. Shembuj të shpresës dhe premtimeve që gjenden në Librin e Mormonit, përfshijnë fragmentet te 2 Nefi 31:20; Jakobi [LiM] 4:4–6; Alma 13:28–29; 22:16; 34:41; Ethëri 12:32; Moroni 7:41; 8:26.

  23. Plaku dhe Motra Rasband u takuan me familjen mbretërore më 10 shkurt 2020, kur ishin me detyrë në Afrikë për të përkushtuar Tempullin e Durbanit në Afrikën e Jugut.

  24. Doktrina e Besëlidhje 1:23.

  25. Plaku Rasband u takua me ambasadorin Indra Mani Pandi, përfaqësuesin e përhershëm të Indisë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare në Gjenevë, ndërkohë që ishte me detyrë në Forumin Ndërfetar në Bolonjë të Italisë më 17 shtator 2021.

  26. Plaku Rasband u takua me Gjithëshenjtërinë e Tij të Përgjithshëm, Patriarkun Bartolomeu të Kishës Ortodokse Lindore, ndërkohë që ishte me detyrë në Forumin Ndërfetar në Bolonjë të Italisë, më 13 shtator 2021.

  27. Mësimet: Jozef Smith, f. 67. Një gur kyç është një gur i gdhendur në formë pyke që qëndron në krye të një harku duke mbajtur në vend pjesët e tjera. Profeti Jozef e përshkroi Librin e Mormonit si “gur[i kyç] i [fesë s]onë” për shkak të rëndësisë së tij në bashkimin e Kishës nëpërmjet parimeve dhe ordinancave. Libri i Mormonit shërben si një “gur kyç” për jetën e anëtarëve, duke i ndihmuar të qëndrojnë të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve.

  28. Shih Efesianëve 2:19–20. Jezu Krishti është guri kryesor i qoshes i Kishës sonë, e cila mban emrin e Tij. Ashtu si vendosja e një guri të qoshes në tempull është një simbol i gurit kryesor që formon cepin e themelit të shtëpisë së Perëndisë, Jezu Krishti është guri i qoshes i besimit tonë dhe shpëtimit tonë. Ai e dha jetën e Tij që ne të mund të jetojmë; nuk ka asnjeri të barabartë me Të në forcë, në qëllim ose në dashuri.

  29. Mund ta shpërndani nga telefoni juaj celular. Një mënyrë është duke e hapur programin Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], duke shkuar te koleksioni i titulluar “Shkrimet e Shenjta” dhe duke prekur me gisht “Shpërndaj Tani” në krye. Ose nga brenda programit të Librit të Mormonit, ju mund të prekni me gisht ikonën “Shpërndaj”, që paraqet një kod digjital, të cilin një mik mund ta skanojë me lehtësi duke përdorur telefonin e vet.

  30. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.ChurchofJesusChrist.org. “Më 3 qershor 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson dhe bashkëshortja e tij, Uendi W. Nelson, i ftuan të rinjtë e të rejat që të ‘rekrutohen në batalionin e rinisë së Zotit’ dhe të marrin pjesë në ‘sfidë[n] më të madhe, kauzë[n] më të madhe dhe punë[n] më të madhe në tokë’. Dhe cila është sfida më e madhe? Mbledhja e Izraelit” (Charlotte Larcabal, “A Call to Enlist and Gather Israel”, New Era, mars 2019, f. 24).

  31. Doktrina e Besëlidhje 123:12.

  32. Shih te 2 Nefi 4:27; Mosia 4:3; 15:18; Alma 46:12.

  33. 1 Nefi 13:37.