“Guri Shkëlqyes Ngjyrë Vjollcë”, Miku, mars 2024, f. 10–11.
Guri Shkëlqyes Ngjyrë Vjollcë
Po të thoshte të vërtetën, a do nxehej ai me të?
Kjo ngjarje ndodhi në Holandë.
Meri hapi kutinë e saj të bizhuterive për të parë gurët e saj të bukur. Ajo i mori ato në dorë njëri pas tjetrit. Gurin e kuq, pastaj jeshilin, pastaj gurin e bardhë qelibar.
Te dera e dhomës së gjumit trokiti gjyshja. “Gati për t’u nisur?”
“Po!” Meri i vendosi sërish me kujdes gurët në kutinë e saj.
Gjyshja po e shpinte Merin në bibliotekë. Por jo thjesht për të parë librat. Atje kishte një paraqitje të veçantë gurësh. Meri ishte e emocionuar.
Kur autobusi i tyre mbërriti te biblioteka, Meri dhe gjyshja u futën brenda. Ato panë shumë tryeza me gurë të bukur. Disa ishin të shkëlqyeshëm dhe të lëmuar. Disa të tjerë kishin forma interesante.
“Shikoje këtë!” Tregoi gjyshja drejt një kristali të madh. Ai ishte mbuluar gjithandej me majuca ngjyrë blu që kulmonin për jashtë.
Një tryezë tjetër kishte shumë gurë të veckël, të rrumbullakët. Meri i vështroi të gjitha ngjyrat. Në fund fare ishte një gur ngjyrë vjollcë, i vogël dhe i shkëlqyeshëm e i lëmuar.
Nuk kam ende një gur ngjyrë vjollcë, mendoi Meri. Ai do të ishte i përkryer për koleksionin e saj.
Meri e hodhi vështrimin përreth. Gjyshja ndodhej në një tryezë tjetër. Nuk ndodhej askush afër saj. Dhe askush nuk do e vinte re që mungonte ky gur i vogël, apo jo?
Meri e mori gurin dhe e futi në xhepin e saj.
Atë mbrëmje, Meri ra në shtrat pasi e vendosi gurin ngjyrë vjollcë të sigurt në kutinë e saj të bizhuterive.
“A je gati për orën e tregimit të historive?” Babi u ul te shtrati dhe hapi revistën Miku.
Meri u struk në batanijet e saj dhe dëgjonte. Historia bënte fjalë për një djalë që u pendua pasi bëri një zgjedhje të gabuar.
Ndërsa babi lexonte, Meri ndjeu sikur po i mbështillej një lëmsh në stomak. U kthye në njërën anë, pastaj u rrokullis barkas mbi jastëk. Por nuk ndihej mirë. Dhe asaj nuk i hiqej nga mendja guri ngjyrë vjollcë.
Babi e përfundoi historinë. “A je mirë?”
Meri nuk dinte ç’të bënte. Po t’ia thoshte babit, ai mund të nxehej.
Por ndoshta ai do ta dinte se si të ndihmonte.
Ngadalë, Meri doli këmbadoras nga shtrati dhe e nxori nga kutia e saj gurin ngjyrë vjollcë. “Këtë gur e mora sot në bibliotekë.” Merit iu mbushën sytë me lot. “Më vjen vërtet shumë keq.”
Babi i dha një përqafim. “Mua mund të më thuash gjithnjë të vërtetën. Jam krenar për ty që e more guximin të jesh e ndershme.”
Stomaku i Merit filloi të ndihej pak më mirë. Babi nuk ishte i zemëruar.
“Dhe për shkak të Jezusit, ne mund të pendohemi. Pikërisht si te kjo histori”, – tha ai. “Pse nuk e çojmë sërish gurin në bibliotekë?”
Meri i mbylli sytë fort. “Jo! Ata do të zemërohen.”
Babi ia vuri dorën në shpatull. “Mund të zemërohen pak. Por mendoj se do të gëzohen që ia ktheve sërish mbrapsht. Dhe kjo do të të bëjë edhe ty që të ndihesh shumë më mirë.”
Meri mori frymë thellë dhe pohoi me kokë. “Në rregull.”
Meri nxori një copë letre dhe filloi të shkruante në të. “Më vjen keq që e mora këtë”, shkroi ajo. “Do të doja të mos e kisha bërë. Dua ta ndreq gabimin.”
Ajo e futi letrën brenda një zarfi. Pastaj vendosi brenda edhe gurin e vockël ngjyrë vjollcë.
“Do ta kthejmë këtë nesër”, – tha babi. “Si ndihesh tani?”
“Më mirë”, – tha Meri. “Ka veçse edhe një gjë tjetër që nevojitet të bëj.”
Meri u gjunjëzua pranë shtratit të saj dhe u lut. “Më vjen keq që e mora gurin”, – tha ajo. “Nuk do të vjedh më kurrë. Të falënderoj Ty që më ndihmove të isha guximtare dhe e ndershme.”
Teksa u kthye sërish në shtrat, Meri ndjeu paqe. Nesër do t’i ndreqte gjërat. Dhe ajo e dinte se Ati Qiellor dhe Jezusi do ta ndihmonin atë. Për shkak të Tyre, çdo gjë do të shkonte në rregull.