“Pikëzat e Besimit”, Miku, mars 2024, faqe 30–31.
Pikëzat e Besimit
Jakobi kishte një problem, atij i vinte gjithnjë shumë gjumë!
Kjo histori ndodhi në Brazil.
“Jakob, a e di përgjigjen?” – pyeti znj. Lelis.
Jakobi hapi sytë dhe ngriti kokën nga banka. Të gjithë shokët e klasës po e vështronin atë. Edhe mësuesja e tij ia kishte ngulur sytë. Ndjeu që iu skuqën faqet. E kishte zënë prapë gjumi në klasë!
“Kërkoj ndjesë, znj. Lelis”, – tha ai. “A mund ta thuash përsëri pyetjen?”
“Sigurisht. Por të lutem mos dremit më në klasë.”
Ai u struk në karrigen e vet. “Po, zonjë.”
Jakobi erdhi në shkollën e tij të re vetëm ca javë më parë. Atij i pëlqente shumë të mësonte dhe shokët e shoqet e tij të klasës ishin shumë të mirë. Por kishte një problem – atij i vinte gjithnjë shumë gjumë! Shkolla e tij e re ishte shumë larg, ndaj atij i duhej të zgjohej shumë herët që të mbërrinte në kohë.
Në fillim, e kishte të lehtë të përqendrohej në klasë. Por kjo gjë u bë gjithnjë e më e vështirë. Nganjëherë Jakobi ishte aq i lodhur saqë e zinte gjumi.
Të nesërmen, drejtoresha e shkollës i kërkoi Jakobit dhe prindërve të tij që të takoheshin me të. Ajo buzëqeshi dhe i mirëpriti ata në zyrën e saj.
“Gëzohem që jeni këtu”, – tha ajo. “Jakobi është nxënës i shkëlqyer. Por mësuesja i tij thotë se ai nuk është i interesuar për orët e tij të mësimit. Ndonjëherë ai nuk përqendrohet dhe duket shumë i lodhur. A ndihet mirë?”
Nëna e tij pohoi me kokë. “Jakobi u përpoq shumë që të mund të vinte në këtë shkollë, por ndodhet shumë larg shtëpisë sonë. Ai duhet të ngrihet herët çdo ditë. Ndaj atë e kap gjumi në orët e tij të para mësimore.”
“Oh, kjo qenka e gjitha?” – tha drejtoresha. “Duhet ta provoni me pikëza kafeje! Hidhni disa pikëza kafeje shumë të fortë në pijen e Jakobit çdo mëngjes. Kjo gjë do ta mbajë zgjuar.”
Jakobi u vrenjt. “Por familja jonë nuk pi kafe, zonjë.”
Drejtoresha pa e hutuar. “Do ta kesh të vështirë të mësosh nëse vazhdon të të zërë gjumi. Duhet ta mendosh njëherë të paktën.”
Kur u larguan nga zyra e drejtoreshës, Jakobit iu mpleksën mendimet. Ai donte të dilte më mirë në shkollë, por donte të zbatonte edhe urdhërimet.
Atë natë, familja e tij lexoi rreth Fjalës së Urtësisë në shkrimet e shenjta.
Kur erdhi radha e Jakobit, ai lexoi: “Dhe gjithë shenjtorët të cilët kujtohen t’i zbatojnë dhe t’i bëjnë këto thënie … do të gjejnë urtësi dhe thesare të mëdha diturie. Dhe do të vrapojnë e nuk do të lodhen, dhe do të ecin e nuk do të këputen.”*
Pastaj i erdhi një ide.
Ai u ngrit nga karrigia. “Në vend të pikëzave të kafesë, do të përdor pikëza besimi!”
“Ç’do të thuash?” – pyeti babai.
Jakobi buzëqeshi. “Çdo mëngjes përpara vaktit të ushqimit, mund të bëjmë një lutje dhe t’i kërkojmë Atit Qiellor të më bekojë që të mos më vijë kaq gjumë. Lutjet tona do të jenë si pikëza besimi!”
Mami edhe babi buzëqeshën gjithashtu. “Kjo duket ide e shkëlqyer!” – tha babi.
Të nesërmen në mëngjes, familja e tij u gjunjëzua dhe bëri një lutje që Jakobi të kishte energji për të qëndruar zgjuar. Ditën tjetër bënë të njëjtën gjë. Edhe ditën më pas. Çdo mbrëmje, Jakobi u përpoq gjithashtu të binte në shtrat herët. Dhe çdo mëngjes, familja e Jakobit kishte besim se Ati Qiellor do ta ndihmonte atë.
Me kalimin e kohës, pikëzat e tyre të besimit funksionuan. Jakobi mundi të ishte i përqendruar gjithë ditën! Perëndia i qe përgjigjur lutjeve të tyre. Jakobi e dinte se Ai ishte krenar për të ngaqë e zbatoi Fjalën e Urtësisë.
“Gati për orën e mësimit, Jakob?” – e pyeti znj. Lelis një mëngjes ndërsa ai po hynte në klasë.
Jakobi pohoi me kokë, me një buzëqeshje të madhe në fytyrë. Ai i kishte “pirë” pikëzat e tij të besimit përpara se të vinte në shkollë. Ishte gati për çdo gjë!