Miku
Pula dhe Zogjtë e Vegjël
Mars 2024


“Pula dhe Zogjtë e Vegjël”, Miku, mars 2024, f. 4–5.

Pula dhe Zogjtë e Vegjël

“Jezu Krishti foli rreth kësaj te shkrimet e shenjta”, – tha babi.

Kjo ngjarje ndodhi në SHBA.

alt text

Pesë zogj të verdhë pushatakë ia ngulën sytë Klarës. Ciu, ciu, ciu!

Çdo pranverë familja e Klarës blinte zogj të vegjël për t’i rritur. Sot asaj i duhej të ndihmonte babin për t’i çuar në shtëpi që ata të jetonin me zogjtë e tjerë.

Rruga ku po i jepnin makinës ishte gropa-gropa. Por Klara e mbante mirë në prehrin e saj kutinë me zogjtë. Ajo e përkëdheli butësisht njërin prej tyre me majën e gishtit të saj. Ishte kaq i butë!

Kur Klara dhe babi mbërritën në shtëpi, ata shkuan te koteci i pulave në oborrin e pasmë. Koteci i pulave ishte një strehë e vogël ku të gjitha pulat jetonin dhe bënin çerdhet e tyre.

“Me cilën pulë t’i vëmë zogjtë?” – pyeti babi.

Klara hodhi vështrimin përreth. Një pulë po bënte një pirg me fije kashte. Fijet e kashtës do të krijonin një çerdhe të rehatshme për zogjtë e rinj. Ndoshta ajo do të ishte një pulë nënë e mirë.

“Me këtë këtu”, – tha Klara, duke treguar me gisht nga pula.

Babi nxori me kujdes një zog nga kutia dhe ia vendosi pranë pulës. Pula e vështroi zogun. Ajo ngriti krahun dhe befas zogu u zhduk!

“Ku shkoi? A është mirë zogu?” – pyeti Klara.

Babi pohoi me kokë. “Shiko!”

Zogu nxori pakëz kokën nga poshtë puplave të pulës.

“Pse e bëri pula atë?” – pyeti Klara.

“Për të mbrojtur zogun”, – tha babi. “Ajo do ta mbajë të sigurt dhe ngrohtë nën krahët e saj.”

Klara e ndihmoi babin t’i vinte zogjtë e tjerë te pula nënë e tyre e re. Pula i hapi krahët e saj për t’i mbledhur të gjithë ata pranë vetes.

“Epo ti e di, Jezu Krishti foli rreth kësaj te shkrimet e shenjta”, – tha babi.

“Vërtet?” – pyeti Klara. “Çfarë tha Ai?”

“Ta tregoj unë.”

Klara dhe babi shkuan në shtëpi. Babi nxori shkrimet e tij të shenjta. Pastaj filloi të lexonte.

“Sa herë do të të mbledh si një pulë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj, në qoftë se do të pendohesh dhe kthehesh tek unë, me qëllim të plotë të zemrës.”*

Klara mendoi rreth secilit prej zogjve nën puplat e pulës. “Pra, Jezusi na mbledh ne siç i merr pula zogjtë nën krahët e saj?” – pyeti Klara.

“Pikërisht ashtu”, – tha babi. “Ai na mban të sigurt, ashtu siç pula i mban të sigurt zogjtë e saj. Por Ai na mbron nga shumë më tepër se vetëm i ftohti. Ai e di kur jemi të lënduar ose të sëmurë ose të trishtuar. Ai na jep paqe dhe ngushëllim. Ai kujdeset për ne.”

Të nesërmen, Klara e ushqeu pulën dhe zogjtë e saj të rinj. Kjo e bëri të mendonte për shkrimin e shenjtë që lexoi babi. Ajo buzëqeshi teksa mendoi për Jezusin. Ajo e dinte se Ai e donte atë dhe se kujdesej për të, ashtu siç kujdesej pula për zogjtë.

Historia në formatin PDF

Ilustrimi nga Assia Ieradi