“Një Pashkë për t’u Mbajtur Mend”, Miku, mars 2024, f. 14–15.
Një Pashkë për t’u Mbajtur Mend
Jonasi ndjeu dashurinë e Jezusit teksa këndonte.
Kjo histori ndodhi në Finlandë.
Jonasi qeshi teksa bëri garë vrapi me vëllezërit e tij për te dhoma e ndenjes për mbrëmjen e shtëpisë. Ai ende mund ta kujtonte aromën e qengjit të pjekur e të shijshëm nga darka e Pashkës. Dhe ai ende mund ta kujtonte shijen e “pashas” së ëmbël, ëmbëlsirës së tyre tradicionale të Pashkës.
Pasi familja ishte ulur qetësisht, vëllai më i madh i Jonasit, Tristani, u ngrit në këmbë.
“Gëzuar Pashkën!” – tha Tristani. Ai e filloi mbrëmjen e tyre të shtëpisë me një këngë e një lutje. Pastaj ishte koha për programin e tyre të veçantë muzikor. Çdokush kishte përgatitur një këngë rreth Jezu Krishtit që ta këndonte.
Tristani luajti në kitarë, duke i rënë me kujdes secilit tel. Pastaj vëllai i tij, Ejnari, i ra pianos. Gishtërinjtë e tij lëviznin nëpër tastierë. Edhe mami, babi dhe vëllezërit më të mëdhenj të Jonasit luajtën këngë [në instrumente]. Jonasit i pëlqente shumë të dëgjonte muzikën e familjes së tij.
Në fund i erdhi radha Jonasit. Ai mori frymë thellë dhe filloi të këndonte.
“Nganj’her’ tundohem të bëj zgjedhje t’keqe, por përpiqem t’dëgjoj kur zëri i qet’ m’pëshp’rit: ‘Doni njer’zit si ju do Jezusi.’”*
Teksa Jonasi këndonte, zemra i tij u mbush me dashuri. Sytë e tij u mbushën me lot gëzimi. Kishte ndjesinë sikur Fryma e Shenjtë po i thoshte Jonasit se Ati Qiellor dhe Jezusi e donin atë.
“Ju falënderoj të gjithëve që i ndamë me njëri-tjetrin talentet”, – tha babi. Ai ngriti lart një figurë. Ajo tregonte Jezu Krishtin duke u gjunjëzuar dhe duke u lutur afër një peme. “Kush e di se çfarë po ndodh në këtë figurë?”
Jonasi ngriti dorën. “Është Jezusi duke u lutur në Gjetseman.”
Babi pohoi me kokë. “Po. Atje Ai e ndjeu të gjithë lëndimin dhe trishtimin tonë.”
“Ai shkoi në Kopshtin e Gjetsemanit përpara se të vdiste”, – tha mami. “Pasi vdiq, Ai jetoi sërish. E gjitha kjo është pjesë e Shlyerjes së Tij. Jezusi e bëri të gjithë këtë ngaqë Ai na do.”
Mami na paraqiti një material filmik rreth Pashkës së parë. Kur materiali filmik mbaroi, gjithsecili ishte i heshtur për një çast. Jonasi e ndjeu sërish dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit.
“Po tani, a është koha për veprimtarinë tonë?” – pyeti Jonasi.
Mami u ngrit nga kolltuku dhe shkoi te rafti. “Po. Jonas, a do të më ndihmosh?”
Jonasi dhe mami morën ngjitësin e lëngësht, gërshërët dhe një grumbull revistash të Kishës. Ata i shpërndanë ato në dysheme. Pastaj mami ia dha gjithsecilit ditarët e tyre të veçantë të Pashkës. “Le të bëjmë art me figura të Jezu Krishtit në ditarët tanë për Pashkën.”
Jonasi u ul në dysheme dhe hapi bllokun e tij.
Babi mori një laps për të shkruar në ditarin e tij. “Pranë figurave tuaja, ju mund të shkruani atë që do të bëni për ta ndjekur Atin Qiellor dhe Jezusin që të mund të bëheni më shumë si Ata.”
Jonasi shfletoi faqet e njërës prej revistave. Ai gjeti një figurë të Jezu Krishtit duke buzëqeshur.
Jonasi e preu figurën dhe e ngjiti në mes të faqes së tij të ditarit. Ai mendoi për gjithë dashurinë që ndjeu nga Shpëtimtari atë ditë. Pastaj shkroi: “Unë do ta ndjek Atin Qiellor dhe Jezusin duke dëgjuar babin dhe mamin dhe duke ndihmuar me punët e shtëpisë. Do t’i dua më shumë vëllezërit e mi.” Ai e ngriti lart atë për t’ia treguar mamit. Ajo e lexoi atë që ai kishte shkruar dhe buzëqeshi.
Jonasi do ta mbante mend këtë Pashkë për një kohë të gjatë. Ai e ndjeu dashurinë e Jezu Krishtit kur këndoi dhe mësoi rreth Tij. Dhe e ndjeu dashurinë e Jezusit kur u përpoq të ishte si Ai.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e donin vërtet Jonasin. Dhe Jonasi i donte Ata gjithashtu.