“Xhenilina Ndalon së Qëndruari në Celular”, Miku, mars 2024, f. 36–37.
Xhenilina Ndalon së Qëndruari në Celular
Ajo donte shumë që ta shihte materialin tjetër filmik. Dhe tjetrin. Dhe tjetrin.
Kjo histori ndodhi në Malajzi.
Xhenilina e kalonte gishtin e saj të madh të dorës mbi ekranin e telefonit. Materialet filmike kalonin shpejt. Ajo ndalonte të shihte një material filmik, pastaj kalonte përsëri te tjetri. Pastaj u ndal te një material filmik tjetër. Përmbante shumë fjalor të pistë, por ishte gazmor, ndaj vijoi ta shihte. Dhe pastaj vazhdoi të kalonte te tjetri.
“Xhenilina! A dëshiron të vish e të vizatosh?” Motra e saj më e vogël, Xhoxho, i valëviti një copë letre.
Xhenilina ngriti vështrimin. “Jo tani.”
“Mirë.” Xhoxho u vrenjt dhe e uli poshtë letrën.
Qëndronte në celular. Kalonte te një material filmik. Kalonte tek tjetri. Materiale filmike kafshësh të lezetshme. Materiale filmike njerëzish të famshëm. Materiale filmike fëmijësh duke kërcyer. Si edhe disa materiale filmike që Xhenilina e dinte se nuk ishin të mira për t’i parë. Epo mirë, ndoshta më shumë se vetëm disa materiale filmike. Xhenilina filloi të ndiente se duhet të ndalonte së pari ato.
Por njerëzit publikojnë edhe plot gjëra të mira, mendoi ajo. Ajo madje kishte mësuar mënyra të reja se si të vizatonte nga disa materiale filmike.
“Xhenilina” – e thirri mami.
“Hëë?” Xhenilina këtë herë nuk ngriti as kokën.
“Sonte do të kemi oriz të fërguar me fruta deti”, – tha mami. “A do të më ndihmosh t’i bëj?”
Xhenilinës i pëlqente shumë orizi i fërguar me fruta deti. Por nuk ia kishte ënda të ngrihej fill në atë çast.
“Si thua sikur të shtroj vetëm tryezën?” – pyeti ajo. “Mund të laj edhe enët pastaj.”
“Në rregull”, – tha mami. “Por duhet ta shtrosh fill kur të të them unë. Dhe atëherë duhet të ma kthesh celularin. Dakord?”
“Dakord”, – tha Xhenilina.
Xhenilina vazhdonte të shihte materiale filmike. Prapë, ajo ndjeu se nuk duhej t’i shihte ato. Por donte vërtet që të shihte materialin tjetër filmik. Dhe tjetrin. Dhe tjetrin. Kalonte te njëri. Kalonte te tjetri. Ishte e vështirë të ndalej!
Në fund, Xhenelina e uli celularin. Epo mirë, ndoshta ajo mund të mbaronte edhe një material filmik të fundit …
Jo, i tha vetes Xhenilina e vendosur. Fryma e Shenjtë e kishte nxitur atë dhe ajo donte ta dëgjonte. Dorën e kishte ende afër celularit. Ishte kaq tunduese! Xhenilina i mbylli sytë fort.
Atë i Dashur Qiellor, u lut ajo në heshtje. Po përpiqem fort të dëgjoj Frymën e Shenjtë, por kam nevojë për ndihmë. Dua të ndaloj së pari këto materiale filmike, por nuk jam e sigurt se si ta bëj. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.
Pikërisht atëherë, mami e thirri atë që të shtronte tryezën. Xhenilina u ngrit me hov dhe buzëqeshi. Kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar që ajo të largohej nga celulari.
Xhenilina vendosi pjatat në tryezë. “Mami, pashë disa gjëra të këqija në celular”, – ia behu ajo.
Mami e hoqi vështrimin nga gatimi. “Çfarë lloj gjërash?”
“Po ja, fjalë të pista dhe materiale filmike të këqija.” Xhenilina mblodhi supet. “Por jo të gjitha janë të këqija.”
“Çfarë bëre ti kur i pe gjërat e këqija?” – e pyeti mami.
Xhenilina heshti për një çast. Ajo vendosi nga një gotë në secilin vend.
“Vazhdova t’i shihja”, – tha ajo. “Nuk e di pse. Por Fryma e Shenjtë më tha të ndaloja, ndaj bëra një lutje për ndihmë.”
Mami vuri mbi tryezë një pjatë të madhe plot avull me oriz të fërguar me fruta deti. “Nganjëherë është vërtet e vështirë të ndalosh së bëri gjëra edhe kur e dimë se ato janë të këqija”, – tha ajo. “Dhe kur kjo ndodh, më e mira që mund të bëjmë është të lutemi.”
Xhenilinës iu çel fytyra. “Pra, bëra gjënë e duhur.”
“Sigurisht që po.” Mami i kaloi Xhenilinës lugët që ajo t’i vendoste në tryezë. “Dhe interneti nuk është i gjithi i keq. Ai mund të na ndihmojë që të lidhemi me miq dhe të ndajmë ide. Por mund të jetë e vështirë të qëndrosh larg nga gjithë gjërat e këqija gjithashtu. Që tani e tutje, nëse do të shohësh materiale filmike, le t’i shohim ato vetëm së bashku. Në atë mënyrë, unë dhe babi mund të të ndihmojmë nëse sheh ndonjë gjë të keqe.”
Xhenilina pohoi me kokë. Herën tjetër ajo do t’i shihte materialet filmike me mamin dhe babin. Por deri atëherë, kishte plot gjëra argëtuese që mund të bënte pa celular.
“A do t’u thuash të gjithëve se erdhi koha për darkën?” – e pyeti mami.
“Po! Dhe pas darkës, do të vizatoj me Xhoxhon!”