Konferenca e Përgjithshme
“Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”
konferenca e përgjithshme e prillit 2022


11:59

“Atëherë Unë do të Bëj që Gjërat e Dobëta, të Bëhen të Forta”

Teksa e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti, hiri i Krishtit dhe flijimi i Tij i pafundmë dhe shlyes e bëjnë të mundur që të ndryshojmë.

Presidenti Tomas S. Monson tregoi njëherë historinë e drejtorit të burgut, Klinton Dafit. “Gjatë viteve 1940 dhe 1950, [drejtori Dafi] ishte i njohur për përpjekjet e tij për të riaftësuar burrat në burgun e tij. Një kritik tha: ‘A nuk e dini se ujku qimen e ndërron por zakonin s’e harron?’

Drejtori Dafi u përgjigj: ‘Ti duhet ta dish se unë nuk punoj me ujqër. Unë punoj me njerëz dhe njerëzit ndryshojnë çdo ditë.’”1

Një nga gënjeshtrat më të mëdha të Satanit është se burrat dhe gratë nuk mund të ndryshojnë. Kjo e pavërtetë thuhet dhe rithuhet në shumë mënyra të ndryshme pasi bota thotë se ne thjesht nuk mund të ndryshojmë, ose më keq akoma, se ne nuk duhet të ndryshojmë. Neve na mësohet që janë rrethanat ato që na përkufizojnë. Ne duhet “ta përqafojmë atë që jemi në të vërtetë”, – thotë bota, “dhe të jemi autentikë ndaj vetes sonë të vërtetë.”

Ne Mund të Ndryshojnë

Ndërkohë që është vërtet mirë të jesh autentik, ne duhet të jemi autentikë ndaj vetes sonë reale dhe të vërtetë, si bij dhe bija të Perëndisë me një natyrë dhe fat hyjnor për t’u bërë si Ai.2 Nëse qëllimi ynë është të jemi autentikë ndaj kësaj natyre dhe fati hyjnor, atëherë të gjithëve do të na nevojitet të ndryshojmë. Fjala në shkrimet e shenjta për ndryshimin është pendimi. “Shumë njerëz”, na mëson Presidenti Rasëll M. Nelson, “e konsiderojnë pendimin si ndëshkim, diçka që duhet shmangur përveçse në rrethanat më të rënda. … Kur Jezusi na kërkon juve dhe mua të ‘pendohe[m]i’, Ai po na fton të ndryshojmë.”3

Kushtet e Perëndisë

Krijuesit e programeve kompjuterike përdorin pohime kushtore për t’u treguar kompjuterave se çfarë të bëjnë. Ndonjëherë këtyre u referohen si pohime “nëse – atëherë”. Si për shembull, nëse x është i vërtetë, atëherë bëj y.

Zoti gjithashtu vepron nëpërmjet kushteve: kushti i besimit, kushti i drejtësisë, kushti i pendimit. Ka shumë shembuj të deklaratave të kushtëzuara nga Perëndia të tilla si:

Nëse i zbaton urdhërimet e mia e duron deri në fund, [atëherë] ti do të kesh jetë të përjetshme, dhuratë e cila është më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”4.

Ose “në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, [atëherë] ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”5.

Edhe dashuria e Perëndisë, ndonëse e pafundme, u nënshtrohet gjithashtu kushteve.6 Për shembull:

Po të zbatoni urdhërimet e mia, [atëherë] do të qëndroni në dashurinë time; sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij”7.

Plaku D. Tod Kristoferson e shpjegoi më tej këtë të vërtetë të ungjillit kur dha mësim: “Disa e kanë zakon të thonë: ‘Shpëtimtari më do ashtu siç jam’ dhe kjo është sigurisht e vërtetë. Por Ai nuk mund të marrë asnjë nga ne në mbretërinë e Tij ashtu siç jemi, ‘sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij’ [Moisiu 6:57]. Mëkatet tona fillimisht duhet të zgjidhen.”8

Gjërat e Dobëta Mund të Bëhen të Forta

Bekimi i marrjes së fuqisë së Perëndisë që të na ndihmojë të ndryshojmë, është gjithashtu i kushtëzuar. Shpëtimtari, duke folur nëpërmjet profetit Moroni në Librin e Mormonit, dha mësim: “Në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta.”9

Duke e parë më nga afër atë që Zoti po na mëson këtu, Ai fillimisht thotë që u jep burrave dhe grave dobësi, në njëjës, që është pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri si qenie të rëna ose prej mishi. Ne jemi bërë burra dhe gra të natyrshëme për shkak të rënies së Adamit. Por nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, ne mund ta mposhtim dobësinë tonë ose natyrën tonë të rënë.

Ai më pas thotë se hiri i Tij është i mjaftueshëm dhe se nëse e përulim veten dhe kemi besim tek Ai, atëherë Ai do të “bëj[ë] që gjërat e dobëta [shumës], të bëhen të forta në [ne]”. Me fjalë të tjera, teksa fillimisht e ndryshojmë natyrën tonë të rënë, dobësinë tonë, atëherë do të jemi në gjendje të ndryshojmë sjelljet tona, dobësitë tona.

Kërkesat për Ndryshimin

Le të shqyrtojmë kërkesat për të ndryshuar sipas modelit të Zotit:

Së pari, ne duhet të përulemi. Kushti i Zotit për ndryshimin është përulësia. “Në qoftë se ata përulen para meje”10, – tha Ai. E kundërta e përulësisë është krenaria. Krenaria ekziston kur mendojmë se e dimë më mirë, kur ajo çfarë ne mendojmë ose ndiejmë merr përparësi mbi atë çfarë mendon ose ndien Perëndia.

Mbreti Beniamin dha mësim se “njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë … dhe do të jetë gjithmonë e përgjithmonë, nëse ai … nuk zhvesh njeriun e natyrshëm dhe nuk bëhet një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot, dhe nuk bëhet si një fëmijë, i nënshtruar, i bindur, [dhe] i përulur”11.

Me qëllim që të ndryshojmë, na nevojitet ta zhveshim njeriun e natyrshëm dhe të bëhemi të përulur dhe të nënshtruar. Ne duhet të jemi të përulur mjaftueshëm sa për të ndjekur një profet të gjallë. Të përulur mjaftueshëm sa për të bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tempullit. Të përulur mjaftueshëm për t’u penduar çdo ditë. Ne duhet të jemi të përulur mjaftueshëm që të duam të ndryshojmë, që t’ia “[japim] zemra[t tona] Perëndisë”12.

Së dyti, ne duhet të kemi besim te Jezu Krishti. Përsëri, sikurse gjenden edhe te fjalët e Shpëtimtarit: “Në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë13, Ai do të na japë fuqinë për t’i mposhtur dobësitë tona. Përulësia, e bashkuar me besimin te Jezu Krishti, do të na lejojë të kemi qasje te fuqia aftësuese e hirit të Tij dhe te plotësia e bekimeve që janë në dispozicion për shkak të Shlyerjes së Tij.

Presidenti Nelson ka dhënë mësim se “pendimi i vërtetë fillon me besimin se Jezu Krishti ka fuqinë për të na pastruar, shëruar dhe forcuar. … Është besimi ynë që e shkyç fuqinë e Perëndisë në jetën tonë.”14

Së treti, nëpërmjet hirit të Tij Ai mund të bëjë që gjërat e dobëta të bëhen të forta. Nëse e përulim veten dhe kemi besim te Jezu Krishti, atëherë hiri i Tij do të na mundësojë të ndryshojmë. Me fjalë të tjera, Ai do të na fuqizojë që të ndryshojmë. Kjo është e mundur sepse, siç thotë Ai: “Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit”15. Hiri i Tij forcues e aftësues na jep fuqi për t’i kapërcyer të gjitha pengesat, të gjitha sfidat dhe të gjitha dobësitë teksa kërkojmë të ndryshojmë.

Dobësitë tona më të mëdha mund të bëhen pikat tona më të forta. Ne mund të ndryshojmë dhe të “bëhe[mi] krijesa të reja”16. Gjërat e dobëta me plot kuptimin e fjalës mund të “bëhen të forta në [ne]”17.

Shpëtimtari e realizoi Shlyerjen e Tij të pafundme dhe të përjetshme që ne në fakt të mund të ndryshonim, të pendoheshim dhe të bëheshim më të mirë. Ne vërtet mund të lindim përsëri. Ne mund t’i mposhtim zakonet, varësitë dhe “prirje[n] [për] të bë[r]ë keq”18. Si bij dhe bija të një Ati të dashur në Qiell, e kemi fuqinë brenda nesh për të ndryshuar.

Shembuj Ndryshimi

Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të burrave dhe grave që ndryshuan.

Sauli, një farise dhe një përndjekës aktiv i kishës së hershme të krishterë19, u bë Pali, një Apostull i Zotit Jezu Krisht.

Alma ishte një prift në oborrin e mbretit të lig Noe. Ai i dëgjoi fjalët e Abinadit, u pendua plotësisht dhe u bë një nga misionarët e mëdhenj të Librit të Mormonit.

Biri i tij, Alma, e kaloi rininë e tij duke u përpjekur të shkatërronte Kishën. Ai ishte mes “mëkatarë[ve] më të urryer”20 derisa pati një ndryshim të zemrës dhe u bë vetë një misionar i fuqishëm.

Moisiu u birësua nga familja e Faraonit dhe u rrit në luks si një princ egjiptian. Por kur e kuptoi se kush ishte me të vërtetë dhe mësoi rreth fatit të tij hyjnor, ai ndryshoi dhe u bë profeti i madh ligjvënës i Dhiatës së Vjetër.21

Gjyshi i bashkëshortes sime, Xhejms B. Kejsori, gjithmonë më ka lënë mbresa me ndryshimin e vet të madh të zemrës.22 I lindur nga paraardhës pionierë besnikë shenjtorë të ditëve të mëvonshme në luginën e Solt‑Lejkut në vitin 1906, ai humbi të ëmën në një moshë të re dhe hasi vështirësi gjatë gjithë rinisë së tij. Vitet e tij si adoleshent dhe si i ri në moshë madhore i kaloi larg Kishës; kohë gjatë së cilës ai fitoi një sërë zakonesh të këqija. Sidoqoftë, ai u njoh dhe u martua me një grua besimtare dhe së bashku ata rritën pesë fëmijë.

Në vitin 1943, pas viteve të vështira të Depresionit të Madh dhe gjatë Luftës II Botërore, Badi, siç e thërrisnin miqtë dhe familja, u largua nga Juta dhe u shpërngul në Los-Anxhelos në Kaliforni, për të kërkuar punësim. Gjatë kësaj kohe larg shtëpisë, ai jetoi me motrën e tij dhe bashkëshortin e saj, i cili po shërbente si peshkopi i lagjes së tyre.

Me dashurinë dhe ndikimin e motrës dhe kunatit të tij, ai filloi ta ringjallte interesin ndaj Kishës dhe filloi të lexonte Librin e Mormonit çdo natë para së të flinte.

Një natë, ndërsa ishte duke lexuar tek Alma, kapitulli 34, zemra e tij u prek teksa lexoi fjalët në vijim:

“Po, unë do të doja që ju të vini dhe të mos ngurtësoni më zemrat tuaja. …

Pasi vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre.”23

Ndërkohë që ishte duke i lexuar këto vargje, një ndjenjë e fuqishme e pushtoi dhe ai e dinte se duhet të ndryshonte, të pendohej dhe e dinte se çfarë duhej të bënte. Ai u ngrit nga shtrati dhe u ul në gjunjë e filloi të lutej, duke iu përgjëruar Zotit që ta falte dhe t’i jepte fuqinë që i nevojitej për të bërë ndryshime në jetën e vet. Lutja e tij mori përgjigje dhe që nga ajo kohë e tutje ai kurrë nuk e ktheu më kokën pas. Badi vazhdoi të shërbente në Kishë dhe qëndroi një shenjtor besnik e i zotuar i ditëve të mëvonshme deri në fund të jetës. Ai ndryshoi në çdo mënyrë. Mendja, zemra, veprimet dhe vetë qenia e tij ndryshuan.

Vëllezër dhe motra, fati dhe qëllimi ynë hyjnor është që përfundimisht të bëhemi si Ati ynë Qiellor dhe Shpëtimtari Jezu Krisht. Ne e bëjmë këtë teksa ndryshojmë ose pendohemi. Ne “marr[im] shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen [tonë]”24. Ne bëhemi të rinj, të pastër, të ndryshëm dhe ne thjesht vazhdojmë të punojmë për këtë çdo ditë. Ndonjëherë mund të ndiejmë sikur bëjmë dy hapa para dhe një hap prapa, por ne vazhdojmë me përulësi të lëvizim përpara me besim.

Teksa e përulim veten dhe ushtrojmë besim te Jezu Krishti, hiri i Krishtit dhe flijimi i Tij i pafundmë dhe shlyes bëjnë të mundur që të ndryshojmë.

Jap dëshmi dhe dëshmoj se Jezu Krishti është në të vërtetë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Hiri i Tij është vërtet i mjaftueshëm. Unë deklaroj se Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”25. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.